-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Samiti i Demokracisë në Mal të Zi, deklaratat e Osmanit dhe Abazoviqit dhe ‘përplasja’ për “Ballkanin e Hapur”

Më të lexuarat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani një ditë më parë ka marr pjesë në Samitin e Demokracisë me temën “Lufta në Evropë: Ndikimi në Ballkan”, që po mbahet në Mal të Zi, ndërsa temë e debatit ishte edhe nisma “Open Balkan.

Gjatë këtij samiti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, shkëmbyen replika lidhur me nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.

Gjatë një diskutimi të panelit në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore, Abazoviq tha se një pjesë e shoqërisë së Malit të Zi e kundërshton “Ballkanin e Hapur” për shkak të rolit të Serbisë në këtë nismë.

Më herët, lideri i Malit të Zi kishte deklaruar se do të merrte pjesë në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” që mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, duke u përballur me kritika të shumta për këtë gjë.

“Për mendimin tim, një pjesë e shoqërisë në Mal të Zi e kundërshton [‘Ballkanin e Hapur’], vetëm sepse është kundër çdo gjëje që është Serbia. Ata nuk e kanë problem nismën, por kanë problem personal”, ishte shprehur Abazoviq, njofton Rel dhe sipas tij “problemet personale në politikë shpeshherë nuk japin mundësinë për ndonjë lloj vizioni”.

“Unë nuk po angazhohem për ‘Ballkanin e Hapur’ ose për Procesin e Berlinit apo ndonjë nismë tjetër. Unë po angazhohem për bashkëpunimin rajonal. Çdo nismë që ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, gjithçka që mund të shfrytëzojmë për bashkëpunim, është sukses”, tha Abazoviq.

E ndaj këtij komenti të Abazoviqit reagoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Se a është dikush lider i zgjedhur në mënyrë demokratike, që beson në vlerat e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe në demokracinë dhe a është dikush ish-ministër i propagandës së regjimit të [ish-kreut të Jugosllavisë, Slobodan] Milosheviqit, kjo duhet të ketë rëndësi. Në të kundërtën, porosia që po dërgojmë është se nuk ka rëndësi nëse je [presidenti i Ukrainës, Volodymyr] Zelensky apo [presidenti i Rusisë, Vladimir] Putin”, theksoi Osmani.

Kosova kundërshton nismën “Ballkani i Hapur”, duke këmbëngulur në atë që Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë, gjegjësisht, si shtet i pavarur brenda cilitdo proces, përfshirë edhe nismën “Ballkani i Hapur”.

Osmani shtoi se “në qoftë se nuk e mësojmë këtë leksion nga e kaluara, nuk do të jemi në gjendje që të ecim rrugës së drejtë në kohën kur po ballafaqohemi me luftën në Ukrainë”.

Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal, por se mospajtimi i Kosovës për nismën e “Ballkanit të Hapur” duhet të respektohet, sepse, siç u shpreh Osmani, ky shtet ka treguar përkushtimin e tij “për të bërë gjithçka që është e nevojshme që bashkëpunimi rajonal të funksionojë”.

“Ne i kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit vendit që bëri gjenocidin ndaj nesh, pa kërkuar ndjesë, pa parë keqardhje nga ana e tyre, pa kriminelët pas hekurave apo të nxjerrë para drejtësisë, pa pasur rreth 2,000 të zhdukur në periudhën e luftës, një vendi që fle mbi varre masive. Si mund të tregojmë më shumë sesa në këtë mënyrë të shtrijmë dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit?”

Abazoviq, duke iu kundërpërgjigjur Osmanit, deklaroi se askush nuk është në situatë që të zgjedhë qeveri në një vend tjetër.

“Si ka mundësi që ju, me shumë gjasa do të uleni në Procesin e Berlinit me të njëjtët njerëz, të cilët fatkeqësisht nuk e njohin Kosovën, ndërkaq Ohri [ku do të mbahet takimi i ardhshëm i ‘Ballkanit të Hapur’] është problem? Kjo është ajo që unë nuk e kuptoj”, tha Abazoviq.

Sipas Abazoviqit, qëllimi i vetëm i shtetit të tij në politikën e jashtme është anëtarësimi i plotë në BE dhe nuk kërkon alternativa për këtë qëllim, teksa tha se në takimin e “Ballkanit të Hapur”, që do të mbahet më 7 dhe 8 qershor, do të marrë pjesë si mysafir.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.

Megjithatë, kryeministri i ri, Abazoviq e mbështet konceptin e kësaj nisme.

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin këtë iniciativë.

Ndryshe, pas takimit të Abazoviq me presidenten Osmani u tha se do të konkretizojnë projekte të përbashkëta në fushën e ekonomisë dhe transportit.

Presidentja Osmani gjatë vizitës në Mal të Zi po ashtu tha se BE-ja duhet të jetë e qartë dhe e guximshme, pasi rajonit të Ballkanit Perëndimor i nevojitet garanci.

Ajo më tej po ashtu theksoi se Bashkimi Evropian duhet t’i dërgoj sinjal të qartë dhe të fortë Serbisë për bashkëpunimin e saj me Rusinë. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit