-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, kjo është deklarata e përbashkët

Më të lexuarat

Bashkimi Evropian dhe udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë miratuar deklaratën e përbashkët në përfundim të samitit të sotëm në Tiranë.

Në deklaratë thuhet se përshkallëzimi i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale dhe nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

BE-ja ripohon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke u bazuar te reformat e besueshme të Partnerëve, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që është në interesin tonë të përbashkët.

BE-ja përshëndet progresin e bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin përkatës drejt BE-së që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo, në tetor 2021 dhe në veçanti, BE-ja përshëndet mbajtjen e konferencave të para Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Për më tepër, BE-ja përshëndet vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur vlerat dhe parimet thelbësore evropiane, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. BE-ja përshëndet gjithashtu angazhimin e përsëritur të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për t’u dhënë përparësi demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit, duke përfshirë ndarjen e pushteteve.

Bashkimi Evropian nënvizon nevojën për përpjekje të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për rritjen e mbështetjes për qeverisjen e mirë, për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe për të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Besueshmëria e këtyre angazhimeve varet nga zbatimi kuptimplotë i reformave të nevojshme dhe nga ndërtimi i një historiku të qëndrueshëm i mbështetur në komunikimin publik të qartë dhe konsekuent në interes të popullit të tyre. Një shoqëri civile e fuqizuar dhe mediet e pavarura dhe pluraliste, në respekt të plotë të lirisë së shprehjes, janë përbërësit vendimtarë të çdo sistemi demokratik dhe ne përshëndetim dhe mbështetim rolin që ato luajnë në Ballkanin Perëndimor, thuhet në deklaratë.

Reklama

https://1e434f067f924d6a9d583d0376469796.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html

BE mbetet partneri më i afërt, investitori kryesor si dhe partneri tregtar dhe donatori parësor i rajonit. Shkalla dhe diapazoni i jashtëzakonshëm i kësaj mbështetjeje duhet të bëhen më të dukshme dhe të pasqyrohen në mënyrë dinamike nga Partnerët në debatin dhe komunikimin e tyre publik, në mënyrë që qytetarët të munden të vlerësojnë përfitimet konkrete të partneritetit me BE-në, thuhet në deklaratë.

BE-ja rikujton rëndësinë e vazhdimit të reformave, si për të mirën e qytetarëve ashtu edhe si bazë për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, dhe në veçanti të atyre reformave që lidhen me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

BE-ja vazhdon të mbështetë plotësisht angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunimin rajonal përfshirës dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë edhe me Shtetet Anëtare të BE-së. Vazhdon të jetë i rëndësishëm zbatimi në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme i marrëveshjeve dypalëshe, ku përfshihen Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Traktati për Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë. Kërkohen ende përpjekje të mëtejshme vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, përfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe dhe rajonale midis partnerëve dhe për çështjet që i kanë rrënjët në trashëgiminë e së shkuarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, përfshirë këtu edhe Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë dhe rastet e mbetura të personave të zhdukur dhe çështjet e krimeve të luftës.

BE-ja u bën gjithashtu thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave.

Në deklaratë përmendet edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku i jepet mbështetje përpjekjeve të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim progres konkret nga të dy palët drejt një marrëveshjeje të plotë dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

“Kjo është kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar se Palët munden të vazhdojnë rrugëtimet evropiane përkatëse. Ne përsëritim pritmërinë tonë të fortë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë. Ne i nxitim të dy Palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe dhe mos marrin veprime të njëanshme dhe/ose provokuese që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë dhe retorikë që nuk shpie drejt dialogut. Ne u kujtojmë të dy Palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të siguruar paqen dhe stabilitetin”, thuhet në deklaratë.

Tutje në deklaratë thuhet se paketa e re e BE-së e Mbështetjes për Energjinë, me një vlerë prej 1 miliardë euro në grante të cilat mund të sjellin 2,5 miliardë euro në investime, do të ndihmojë Ballkanin Perëndimor të zbutë ndikimin e krizës energjetike dhe të përshpejtojë tranzicionin energjetik në rajon.

500 milionë euro në formë grantesh do të shkojnë për mbështetjen e menjëhershme të familjeve të cenueshme dhe ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla (SME). 500 milionë euro të tjera në grante do t’i kushtohen investimeve në mbështetje të tranzicionit energjetik dhe pavarësisë energjetike, për të financuar

përmirësimet në infrastrukturën e gazit dhe elektricitetit dhe në interkonektorët ku përfshihet GNL-ja, si dhe projektet e reja për energjinë e përtëritshme, masat për eficiencën energjetike, përmirësimet në sistemet e transmetimit të energjisë, ngrohjen qendrore urbane dhe skemat për të përmirësuar eficiencën energjetike të apartamenteve në ndërtesat e vjetra.

Në deklaratë përmendet edhe rëndësia e uljes së varshmërisë nga gazi rus.

“Ne kujtojmë vendimin tonë për të hapur blerjet e përbashkëta të gazit, GNL-së dhe hidrogjenit për Ballkanin Perëndimor, bëjmë thirrje për vënien e shpejtë në funksion të kësaj platforme dhe inkurajojmë partnerët që ta përdorin këtë mundësi. Plani REPower i BE-së do të ndihmojë për të ulur varësinë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor nga gazi rus. Nëpërmjet Komunitetit të Energjisë, BE-ja po hap tregun e saj të energjisë elektrike për Ballkanin Perëndimor, edhe në sektorin e energjive së rinovueshme, duke iu nënshtruar reformave rregullatorë”.

Tutje, në deklaratë thuhet se BE-ja është e gatshme të mbështetë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e angazhimit të tyre për të zbatuar plotësisht Agjendën e Gjelbër për rajonin, ku përfshihen angazhimet e tyre në fushën e klimës në kuadrin e Marrëveshjes së Parisit, si një shtytës kryesor për tranzicionin drejt ekonomive moderne, neutrale ndaj klimës dhe rezistente ndaj klimës dhe me efikasitet të burimeve, gjë që synon të çlirojë potencialin e ekonomisë qarkulluese, të luftojë ndotjen, të përmirësojë menaxhimin e mbetjeve dhe të përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së gjelbër në rajon. BE-ja do të vazhdojë gjithashtu të mbështetë rajonin në zhvillimin e politikës së çmimit të karbonit në kontekstin e Mekanizmit të BE-së për Rregullimin e Kufirit të Karbonit (CBAM), ku përfshihet asistenca teknike dhe financiare. Projekti “EU 4 Green” është instrument i rëndësishëm për të ndihmuar partnerët në përpjekjet e tyre zbatuese.

BE-ja do të thellojë më tej bashkëpunimin ndërsektorial me Ballkanin Perëndimor në fusha me interes të përbashkët si drejtësia dhe punët e brendshme, ekonomia dhe tregu i brendshëm i BE-së, energjia, transporti dhe politika digjitale, mbrojtja civile, shëndetësia, politikat sociale, arsimi dhe kërkimi dhe inovacioni si dhe politika e jashtme, siguria dhe mbrojtja, duke përfshirë trajtimin e kërcënimeve kibernetike dhe kërcënimet e tjera hibride dhe kundër-terrorizmin.

BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kujtojnë angazhimin e përbashkët në shtimin e përpjekjeve për të rritur integrimin e Ballkanit Perëndimor me Tregun e brendshëm të BE-së. Tregu i Përbashkët Rajonal (TPR) i Ballkanit Perëndimor duhet të shërbejë si pikëmbështetjeje për këtë integrim. BE-ja përgëzon marrëveshjet e fundit të partnerëve për lëvizjen e lirë dhe njohjen e letërnjoftimeve për të gjithë qytetarët e rajonit si dhe për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale brenda rajonit. Këto marrëveshje janë etapa të rëndësishme në përmbushjen e angazhimit të partnerëve për të krijuar një Treg të Përbashkët Rajonal. BE-ja inkurajon partnerët e Ballkanit Perëndimor të ratifikojnë me shpejtësi këto marrëveshje në mënyrë që qytetarët të mund të përfitojnë prej tyre sa më shpejt të jetë e mundur.

“BE-ja do të vazhdojë të punojë së bashku me rajonin për të zhvilluar më tej aftësitë dhe kapacitetet mbrojtëse të tij, edhe nëpërmjet Instrumentit Evropian të Paqes. BE-ja përshëndet angazhimin e vazhdueshëm të partnerëve për zhvillimin e instrumenteve efektive për bashkëpunimin brenda Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. BE-ja do të rritë më tej angazhimin e saj edhe në fusha të tilla si hapësira dhe lëvizshmëria ushtarake”, theksohet në deklaratë.

BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë të angazhuar të luftojnë manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj, duke përfshirë dezinformimin si dhe kërcënime të tjera hibride që janë të pranishme në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor dhe synojnë të minojnë stabilitetin e rajonit, proceset demokratike dhe perspektivën e tij evropiane.

“Në këtë pikëpamje, ne do të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë për të ngritur qëndresën, duke rritur gjithashtu profesionalizmin dhe edukimin e mediave dhe duke rritur ndikimin e komunikimit tonë strategjik rreth marrëdhënieve BE – Ballkani Perëndimor dhe procesit të zgjerimit në veçanti”, shtohet në deklaratë.

Ndërsa sa i përket migracionit në Ballkanin Perëndimor, thuhet se kanë parë rritje të ndjeshme që nga fillimi i vitit 2022, andaj menaxhimi i migracionit mbetet sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët, të cilën BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do ta trajtojnë së bashku, në partneritet të ngushtë.

Për këtë qëllim, BE-ja ka rritur ndjeshëm mbështetjen e saj financiare për rajonin me më shumë se 170 milionë euro asistencë dypalëshe dhe rajonale të ofruar tashmë në kuadrin e IPA III.

Përafrimi i shpejtë i partnerëve me politikën e vizave të BE-së është i një rëndësie urgjente dhe kritike për mirëfunksionimin dhe qëndrueshmërinë e përgjithshme të regjimeve pa viza midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, thuhet më tej në deklaratë.

“Partnerët duhet të vazhdojnë të rritin sistemet e tyre të kthimeve, edhe duke nënshkruar marrëveshje ripranimi me vendet kryesore të origjinës, dhe të forcojnë bashkëpunimin me shoqëritë ajrore përkatëse. Bashkëpunimi i ndërsjellë për kthimet do të thellohet, duke maksimizuar përdorimin e kornizave ekzistuese dhe të kanaleve të disponueshme. Në këtë drejtim, BE-ja qëndron e gatshme ta mbështetë Ballkanin Perëndimor për të rritur kthimet vullnetare dhe jovullnetare, duke përfshirë edhe ato drejtpërdrejt nga rajoni drejt vendeve të origjinës. Duhet gjithashtu të intensifikohet bashkëpunimi me Frontex-in, edhe nëpërmjet nënshkrimit dhe zbatimit të shpejtë të Marrëveshjeve Statusore të përditësuara, si dhe me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Azilin dhe me Europol-in.

Në deklaratë bëhet thirrje që të forcohet më tej bashkëpunimi për kundër-terrorizmin dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku përfshihet parandalimi i radikalizimit dhe financimit të terrorizmit, në pajtim me Planin e Përbashkët të Veprimit për Kundër-Terrorizmin për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

BE-ja inkurajon Ballkanin Perëndimor të krijojë dhe mbajë marrëdhënie bashkëpunimi me Zyrën Evropiane të Prokurorëve Publikë (EPPO) në fushën e asistencës së ndërsjellë ligjore në çështjet penale. Mirëpresim marrëdhëniet e punës të krijuara tashmë ndërmjet EPPO-së dhe disa partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe inkurajojmë partnerët e tjerë për një bashkëpunim të ngjashëm sa më shpejt të jetë e mundur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit