0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

SAID NAJDENI – HOXHË VOKA I DIBRËS

Më të lexuarat

SAID NAJDENI

HOXHË VOKA I DIBRËS

Seid Najdeni është një nga veprimtarët e shquar të lëvizjes kombëtare shqiptare, që zhvilloi veprimtarinë e tij në kuadrin e Rilindjes, në drejtim të mësimit të gjuhës së shkruar shqipe në zonën e Dibrës.
Seid Najdeni lindi në Dibër më 1864, ku mori edhe arsimin fillor e atë plotor. Arsimin e lartë e bëri në medresenë “Hajdar” të Fatihut në Stamboll. Këtë shkollë e mbaroi në vitin 1888 dhe u kthye në atdhe i frymëzuar për idealin kombëtar nga kontaktet që kishte pasur me përfaqësues të shquar të lëvizjes kombëtare shqiptare në Stamboll. Mbresa te veçanta i la takimi me Naim Frashërin. Mori me vete një sasi të konsiderueshme abetaresh, të cilat fillimisht i shërbyen për hapjen e shkollës në Dibër, më 1888.
Kjo shkollë punoi vetëm një vit, sepse atë e mbyllën autoritetet pushtuese. Gjatë jetës së saj, sadoqë të shkurtër, kjo shkollë pati një jehonë të madhe në popull dhe ndikoi ne zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Në vitin 1893 S.Najdeni e hapi përsëri shkollën, në krye të së cilës ai vendosi Hoxhë Muglicën, që kishte mbaruar medresenë e Elbasanit. Për mbajtjen në këmbë të kësaj shkolle paraqiteshin pengesa dhe vështirësi të mëdha, por ato nuk e zbrapsën S. Najdenin. Një vit më pas edhe kjo shkollë u mbyll, por tani nevoja e shkollës shqipe kishte pushtuar tërë dibranët.
S. Najdeni, duke e ndier nevojën e kontakteve drejtpërdrejta me krerë të lëvizjes shqiptare, u nis, në vitin 1895, në Stamboll, por atje u arrestua dhe u burgos në burgun e Edrenesë, ku ndodheshin dhe patriotë të tjerë të shquar, si Haxhi Zeka, Hamdi Ohri, Ibrahim Mitrovica e të tjerë. Pas lirimit nga burgu përshkoi vilajetet shqiptare të Shkodrës, Manastirit, Kosovës dhe të Janinës, si edhe ngulimet shqiptare në Itali, Bullgari e Rumani.
Gjatë qëndrimit të tij në Shkup, ai u burgos përsëri, por me ndërhyrjen e miqve të tij u lirua. Më 1900 hapi për të tretën herë shkollën shqipe në Dibër. Kjo shkollë pati një rëndësi të veçantë për zonën e Dibrës.
S.Najdeni mori pjesë në shumë tubime, për çështjen kombëtare e sovranitetin e vendit siç qe Lidhja e Pejës ku ai tha fjalën e tij.
Veprat kryesore që S. Najdeni botoi me alfabetin latin janë dy. E para është “Fe rrëfenjësja e myslimanëve”, botuar në Sofie më 1900, dhe e dyta “Abetare e gjuhës shqipe ndë të folë gegënisht”, botuar po në Sofie më 1900, por pa emër të autorit, pra anonime. E para është një vepër fetare e mbështetur në parimet Kur’anore, që janë të detyrueshme për të gjithë besimtarët myslimanë. Ky përfaqëson një manual fetar, por me mjaft të dhëna patriotike dhe filozofike. Problemin e diturisë dhe të prapambetjes Najdeni e trajton gjerë. Ai pranon dy dituri: atë fetare dhe atë të mendjes, të cilat, duke u mbështetur në Kur’an, nuk i kundërvihen njëra-tjetrës. Dituria për të është një armë e fuqishme, që mëkon ndërgjegjen kombëtare, që e njeh njeriun me shumë të dhëna, i jep atij pavarësi dhe e bën të barabartë me të tjerët.
Në këtë botim ai përfshin edhe thirrje për të përvetësuar shkrim leximin shqip, për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë kombëtare. Duke e shkruar këtë vepër me alfabetin e Stambollit, ai prononcohet krahas atyre që mbronin alfabetin latin. Parulla e tij qe: “Që shqiptarët të shpëtojnë nga rreziku, ka vetëm një rrugë: me u zgjue kombi, me mësue gjuhën e tij, me i dalë zot vetes”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit