1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Sa jemi të korruptuar?

Më të lexuarat

Mbledhja e para disa ditëve e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit më solli në mendje një seri të ligjëratave mbi historitë e civilizimeve, në të cilën shumë shpesh përmendej fjala korrupsion nga ligjëruesi (corruption – në gjuhën angleze).

Përderisa në shoqërinë tonë ky term zakonisht përdoret për të zbutur apo neutralizuar dëmin real të hajnisë institucionale, mitmarrjes dhe mitdhënies apo çfarëdo forme e shpërdorimit financiar me qëllim të përfitimit material të zyrtarëve shtetërorë të cilët më pas ushtrojnë ndikimin e tyre për t’i krijuar favore vetes apo personit/personave tjerë, në këtë seri të ligjëratave ligjëruesi me këtë term përshkruante çdo formë të çrregullimit shoqëror.

Përtej kuptimit financiar e sidomos për dallim nga kuptimi që ne përdorim kur flasim për korrupsionin si fenomen në të cilin domosdo mendojmë se njëra palë duhet të jetë e përfaqësuar nga persona të cilët janë pjesë e institucioneve shtetërore, korrupsionin e hasim edhe si dukuri e çrregullimit të shoqërisë, dominimit të antivlerave kundrejt vlerave dhe shkatërrimit të ekuilibrit shoqëror.

Korrupsion na qenka edhe synimi i asaj që nuk e meritojmë. Diplomë pa dije, e pozitë pa kompetencë (aftësi dhe kualifikim përkatës), si shembuj që më së lehti ilustrohen e që në shoqërinë tonë janë bërë diçka e zakonshme e diçka që nuk po e habit më asnjërin, sepse të tillët po dominojnë.

Korrupsion qenka edhe heshtja ndaj të keqes e cila sipas njerëzve të urtë nuk të bën neutral, por përkundrazi të bën bashkëpunëtor. E, aspak më e mirë nuk del të jetë përkrahja e atyre që nuk përfaqësojnë vlerë, ajo që ne sot e quajmë servilizëm.

Raste të shumta po i hasim kur njerëzit nga të cilët po shpresohet se do t’i kontribuojnë ndryshimit pozitiv në këtë shoqëri, ata po u vendosin “parimeve” të tyre një çmim. Madje po shiten lirë, sepse po mundohen të konvertojnë vlerat sublime në njësi të matshme. Një dështim shoqëror, sepse si do të thoshte miku im Muhamet Idrizi, “njerëzit që mundohen t’i japin çdo gjëje çmim nuk arrijnë të kuptojnë vlerën e saj”. Të tillët po na dalin të pavlerë pastaj.

Por, korrupsion do ta cilësonim edhe gjendjen kur në një shoqëri të korruptuarit të flasin për luftimin e korrupsionit. E, besa më keq kur të tjerët që i rrethojnë mundohen t’i paraqesin si shpëtimtarë të kësaj shoqërie, që nuk është buzë greminës. Kjo shoqëri është në greminë kur mashtruesit që të tillë janë konfirmuar me vendime të gjykatave të rregullta të Kosovës të shesin moral dhe akuzojnë të ndershmit se janë mashtrues. Po, po, të tillët madje po i kemi në panele të diskutuesve nëpër emisione që do t’i konsideroja serioze. E, të tillë po i kemi edhe profiterët që kanë zhvatur miliona nga fondet e popujve që na kanë përkrahur. Ata që sot, pak vite pasi kanë përmbyllur aktivitetin e tyre xhepambushës po na flasin pallavra në emër të patriotizmit se dikush po e coptojka Kosovën për interesa të veta. Deri dje ishin bashkëpunëtorë.

Të korruptuar do t’i cilësoja edhe ata që shumë shpesh i kemi në media me deklarata atdhedashurie dhe morali shtetëror, e që janë të punësuar në institucione publike në të cilat ndonëse paguhen me rregull, kalojnë muaj e vite dhe nuk i kemi në vendin e tyre të punës. Zhvatës të parasë publike si referencë për dhënien e zgjidhjeve, tejkalim ngërçi apo më mirë të themi “Nastradina” të këtij vendi. Se, për politikanët që nuk e njohin Republikën e Kosovës e të paraqiten si mbrojtës të saj nuk do flasim.

Por, më të korruptuarit jemi ne që të sipërpëmendurve vazhdojmë t’ju sigurojmë privilegje shoqërore. Po të kishim oda të burrave, do t’i caktonim në krye të vendit. Ne po, por ata burra që me shekuj kanë përballuar shumëçka dhe nuk kanë lejuar të konvertojnë parimet e tyre, ata që ishte e pamundur të blihen, ata nuk do t’i lejonin as të futeshin në to, lëre më të flasin apo të jenë të nderuar në shoqëri.

A bën të dëshpërohemi? Assesi, sepse dëshpërimi është shenja e parë e dorëzimit. Por, a bën të mërzitemi? Gjithsesi! Jo vetëm që bën, por duhet. Sepse, përderisa gjendja e tillë na mërzit tregon se ende nuk jemi prekur nga korruptimi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit