Zgjerimi i Bashkimit Evropian me nëntë vende të reja, përfshirë Ukrainën, do t’u kushtonte anëtarëve ekzistues më shumë se 256 miliardë euro, kanë zbuluar llogaritjet e brendshme të Unionit.
Efekti do të ishte shndërrimi i shumë vendeve që aktualisht gëzojnë përfitime financiare neto të BE-së të bëhen kontribuues.
Kostoja e madhe e zgjerimit është zbuluar ndërsa 51 liderë evropianë zbresin në Granada në Spanjë për një mbledhje të Komunitetit Politik Evropian, ku do të diskutojnë hapat e ardhshëm për nëntë fqinjët që janë në radhë për t’u bashkuar me BE-në.
“Të gjitha shtetet anëtare do të duhet të paguajnë më shumë dhe të marrin më pak nga buxheti i BE-së; shumë shtete anëtare që aktualisht janë marrës neto do të bëhen kontribuues”, thuhet në dokumentin e sekretariatit të këshillit të BE-së, raporton Financial Times.
Ukraina, deri tani më i madhi nga nëntë vendet që janë pranuar si kandidatë të mundshëm, do të kishte të drejtën për 186 miliardë euro gjatë shtatë viteve, sipas gazetës.
Zgjerimi është bërë një nga temat më urgjente të BE-së, me liderët që takohen të premten për të diskutuar se si të drejtohet debati për çështjet kyçe, duke përfshirë buxhetin, numrin e vendeve në parlamentin evropian, të ardhmen e politikës së përbashkët bujqësore dhe nëse një bllok i zgjeruar mund të vazhdojë me votim unanim në zona të caktuara.
Gjithashtu po debatohet nëse BE-ja duhet të vazhdojë me një proces me dy shpejtësi, duke i lejuar vendet anëtare hyrjen me faza në bllok.
Në fillim të kësaj jave, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell kundërshtoi ata që favorizonin një proces gradual anëtarësimi, duke thënë se do të ishte e pamundur të zbatohej.
“Anëtarësimi është anëtarësim. Pikë”, tha ai në një takim në Ukrainë.
Një diplomat i lartë i tha The Guardian se buxheti pritej të ishte tema e vetme më e diskutueshme dhe duhej të zgjidhej deri në vitin 2027, kur do të fillonte cikli i ardhshëm financiar.
Në këtë mënyrë BE-ja mund të tregonte se ishte gati, duke hequr çdo justifikim për të vonuar diskutimet e mëtejshme nëse dhe sa shpejt mund të bashkoheshin Ukraina, Moldavia dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në fillim të këtij viti, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se afati përfundimtar duhet të jetë 2030, por burimi diplomatik tha se një datë e tillë ishte “e rastësishme” dhe nuk kishte kuptim.
Një objektiv i vitit 2027, thuhet më tej, do të përqendronte mendjet e liderëve të BE-së në dy vitet e ardhshme dhe do të siguronte një kornizë për një diskutim real – dhe jo konceptual.
Dokumenti i zbuluar vlerëson se buxheti do të rritet me 21 për qind në 1.47 trilion euro nëse të nëntë vendet do të bashkohen. Kjo do të përfshinte rritje të konsiderueshme të kontributeve për Gjermaninë, Francën dhe Holandën, me periudha tranzicioni të nevojshme për të rritur financimin.
Shuma e shpenzuar për bujqësinë do të zhvendoset gjithashtu, ku Ukrainës do t’i takonin 95 miliardë euro gjatë shtatë viteve, një kosto tjetër që shtetet anëtare duhet ta marrin në konsideratë. Ukraina ka argumentuar se si një lider botëror në tregjet e drithërave, vajit të lulediellit dhe shpendëve, anëtarësimi i saj do të forconte sigurinë ushqimore të BE-së.
Një tjetër fond kyç, i njohur si fondi i kohezionit, i cili siguron para për infrastrukturën në vendet më pak të zhvilluara, do të ndikohej gjithashtu ndjeshëm nga zgjerimi. Sipas formulës aktuale financiare, Republika Çeke, Estonia, Sllovenia, Qiproja, Malta dhe Lituania nuk do të kualifikohen më për fondet.
Muajin e kaluar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja duhet të përgatitet menjëherë për ndryshime rrënjësore të nevojshme që Ukraina dhe vendet e tjera të bëhen anëtarë të bllokut.
Megjithatë ka shqetësime se ndërsa BE-ja ka përcaktuar objektivat e reformës për Ukrainën, Moldavinë dhe shtatë vendet e tjera në radhë për t’u bashkuar me bllokun, ajo ende nuk ka dhënë propozime të detajuara për ndryshimet e nevojshme në shtetet anëtare. /Telegrafi/