4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Ryshfeti dhe Uzurpimi i pasurisë

Më të lexuarat

ALLAHU XH.SH. NË KURANIN FISNIK THOTË: “DHE MOS E HANI PASURINË E NJËRI-TJETRIT NË MËNYRË TË PALEJUAR, E AS MOS U PARAQITNI ME TË (ME RYSHFET) TE GJYKATËSIT PËR TË GRABITUR NË MËNYRË TË PADREJTË NJË PJESË TË PASURISË SË NJERËZVE, KUR JU E DINI (SE ATË PO E HANI PA TË DREJTË). [1]

SHKAKU I ZBRITJES SË AJETIT

Mukatil b. Hijani thotë se shkaku i zbritjes së këtij ajeti është zënka në mes Kajs b. Abasi el Kindiut, i cili akuzonte Abdan b. Eshve el Hadremiun për të drejtën e pronësimit të një parcele toke. Meqenëse rastin e kishin ngritur deri tek i Dërguari i Allahut a.s, Allahu xh. sh., për të zgjidhur kontestin në mes tyre, zbriti ajetin e lartpërmendur.[2]
Nëse e kundrojmë ajetin nga këndvështrimi i radhitjes, vërejmë se është i radhitur pas ajetit që sqaron dispozitat e agjërimit. Urtësia e kësaj radhitjeje qëndron në faktin se, se ajeti i sipërm sqaron se besimtari islam gjatë agjërimit të tij, është larguar nga të ngrënët, të pirët dhe marrëdhëniet intime bashkëshortore, që në esencë janë të lejuara, vetëm e vetëm për të arritur kënaqësinë e Allahut xh. sh., pastaj për të bërë pastrimin e tij shpirtëror dhe fizik, me qëllim që të jetë sa më i freskët dhe sa më afër Krijuesit të tij, ky ajet kuranor që po diskutojmë , përveç faktit që sqaron se ngrënia e pasurisë së tjetrit pa të drejtë, në esencë është veprim i ndaluar (haram), dhe në anën tjetër motivon njerëzit për grindje, zënka dhe përçaje, ai gjithashtu sqaron edhe se ngrënia e pasurisë së tjetrit pa të drejtë, përveçse zbeh besimin e njeriut, është edhe pengesë për arritjen e kënaqësisë shpirtërore përmes ibadetit dhe gradualisht e largon njeriun nga adhurimi. Pra, lidhshmëria në mes dy ajeteve, ajetit që sqaron dispozitat e agjërimit dhe ajetit që sqaron dispozitat e ngrënies së pasurisë së huaj, qëndron në urtësinë se, derisa agjërimi është nga format më të lashta të komunikimit të njeriut me Krijuesin e tij dhe e afron njeriun drejt mëshirës së Allahut xh. sh., – ngrënia e pasurisë së huaj është fuqi që e tërheq njeriun në drejtim të kundërt krahasuar me agjërimin, pra gradualisht njeriun e shkëput nga lidhjet e tij me Krijuesin e vet.

DISPOZITAT JURIDIKE ISLAME QË DALIN NGA AJETI

Edhe pse ky ajet është gjithëpërfshirës, duke u bazuar në shkakun e zbritjes së këtij ajeti, nënkuptohet se qëllimi final i këtij ajeti, për se dhe ishte zbritur, është ndalimi i përdorimit të pasurisë së huaj, me anë të mënyrave të ndryshme djallëzore si ryshfeti, mashtrimi, korrupsioni etj., dhe veçanërisht përmes metodës së
uzurpimit.

MITO – RYSHFETI

Duke u mbështetur në ajetin e përmendur më parë, vërehet se ryshfeti është veprim i ndaluar nga pikëpamja islame. Këtë e vërteton edhe hadithi i i transmetuar nga Thevbani: “I dërguari i Allahut e ka mallkuar mitëdhënësin, dhe mitëmarrësin dhe ndërmjetësuesin në mes tyre”.[3]
Ajo që na tërheq vëmendjen në këtë rast në veçanti, është ryshfeti i dhënë në organet e drejtësisë, pikërisht në institucionet shtetërore. Krimi është edhe më i rëndë atëherë kur, përmes krimit institucional, de-legjitimohet e drejta e dikujt, dhe njëkohësisht legjitimohet padrejtësia përmes organeve të drejtësisë, organe këto që janë përgjegjëse edhe nga pikëpamja islame, edhe juridikisht po edhe moralisht, për të mbrojtur drejtësinë e jo për ta devijuar.
Çështja tjetër për të cilën na sinjalizon qartë ajeti kuranor, është fakti se ryshfeti zakonisht jepet për të përvetësuar atë që nuk i takon mitëdhënësit, pra për të bërë krim ndaj tjetrit.
Në rastet kur mitëdhënësi, përmes ryshfetit, mendon se juridikisht ka legjitimuar të drejtën e tij pronësore të ndonjë pasurie, ajeti na jep të kuptojmë se legjitimimi i gjykatësit përmes një aktvendimi që merr në favor të mitëdhënësit, nuk e ndryshon esencën e së drejtës pronësore, dhe kjo nuk e liron nga përgjegjësia para Allahut xh. sh., sepse vendimi i gjykatësit nuk e ndryshon dispozitën nga e ndaluara (harami) në të lejuar (hallall). Një legjitimim i rrejshëm juridik pronësoro mund të bëhet edhe nga gjykatësi, i cili nuk është përfshirë në procesin e ryshfetit, po vendimin e merr në bazë të dëshmive nga dëshmitarët, të cilët mund të kenë qenë mitëmarrës për të dëshmuar para gjykatësit, dhe e tërë kjo bëhet pa dijen e gjykatësit. Në rastin konkret, gjykatësi duhet të marrë aktvendim në bazë të provave fizike, pra në bazë të asaj që dëshmohet, kurse brendësinë e din Allahu xh. sh. dhe ai gjykon sipas asaj që nuk e sheh gjykatësi.
Ryshfeti është një krim që i sjell fatkeqësi jo vetëm individit po edhe mbarë shoqërisë. Në shoqërinë ku funksionon ryshfeti, nuk funksionon sistemi ligjor dhe drejtësia, prandaj në këtë mënyrë nëpërkëmben të drejtat esenciale të individit, sepse krijohet bindja se, për t’i realizuar të drejtat e tij, njeriu duhet të japë patjetër ryshfet.
Në anën tjetër, ryshfeti e bënë njeriun të nënçmuar e të përbuzur, sepse ai vetvetiu e ndien se, për interesa të vogla të jetës së kësaj bote, ka shitur unin dhe autoritetin e tij. Mitëmarrësi, ashtu edhe sikur mitëdhënësi, gjithnjë jetojnë në frikë dhe panik [4] , sepse në veten e tyre përjetojnë ndjenjën e krimit dhe frikësohen që eventualisht të mos zbulohen. Njerëzit e tillë, që janë të dhënë ndaj pasurisë, nuk zgjedhin mënyrën dhe rrugën për të realizuar interesin e tyre, prandaj janë të mallkuar nga i Dërguari i Allahut (sallall-llahu alejhi ve sel-leme).

UZURPIMI I PASURISË SË TJETRIT

Uzurpimin “el Gasbu”, juristët islamë në aspektin terminologjik islam e kanë përkufizuar “Marrje e pasurisë së çmueshme pa lejen e pronarit të saj, duke i hequr të drejtën e pronësisë”.
Krahas ajetit kuranor të theksuar në fillim për ndalimin e pronësimit të pasurisë së huaj pa lejen e pronarit, kemi edhe shumë ajete të tjera, nga të cilat edhe ajetin uranor, ku thuhet: “Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të padrejtë, përpos tregtisë, në të cilën keni pajtueshmëri në mes jush”.[5]
Krahas ajeteve, ka dhe shumë hadithe që ndalojnë këtë veprim, nga të cilat janë – hadithi që transmetohet nga Talha b. Abdullah b. Auvfi, se vërtet Abdurrahman b. Amr b. Sehli e kishte informuar atë se Seid b. Zejdi kishte thënë: “E kam dëgjuar pejgamberin (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) duke thënë: “Kush bën padrejtësi (uzurpon me dhunë) në një pjesë të tokës, vërtet (Ditën e Gjykimit) do t’i varen në qafë shtatë toka”.6 Dhe pastaj hadithi tjetër: “Nuk lejohet pasuria e myslimanit përveçse kur ajo jepet me dëshirën e tij”.[7]

PASOJAT NGA UZURPIMI

1. ZULLUMI – MËKATI

Uzurpimi i pasurisë së tjetrit pa të drejtë, konsiderohet mëkat, për të cilin do të kërkohet përgjigje para Allahut xh.sh.dhe kjo vërehet qartë jo vetëm nga ajeti i sipërpërmendur, po përforcohet edhe me shumë në hadithe të pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme). Një nga hadithet, përmes të cilit i Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) ndalon atakun ndaj pasurisë së huaj, është edhe hadithi që flet për të drejtat e myslimanëve, ku thuhet: “Kush ia merr një pjesë të pasurisë një myslimani (pa të drejtë) Allahu atij do t’ia obligojë zjarrin e Xhehenemit dhe do t’ia ndalojë Xhenetin” Një i pranishëm i tha: A edhe nëse ajo pasuri është e lehtë, e vogël)? Pejgamberi a.s. tha: “edhe nëse është një fije kashte”. Marrja e pasurisë së tjetrit konsiderohet krim dhe terror ndaj tjetrit (zullum), e zullumi është prej mëkateve të rënda, i cili peshon shumë Ditën e Gjykimit, prandaj kjo edhe është arsyeja pse Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) i porosit besimtarët islamë dhe ua tërheq vërejtjen duke u thënë:”Ruaju nga zullumi (padrejtësia), sepse zullumi ditën e Kiametit paraqitet në zullume”.[8]
Nëse shoqëria islame, me parimet e saj fondamentale, është e përkushtuar të luftojë me dinjitet terrorin, padrejtësinë dhe zullumin, atëherë kjo dukuri nuk ka vend në këtë shoqëri, mirëpo, përderisa secili individ mbron vetëm interesin individual apo të familjes së ngushtë, në të tilla kushte kjo sëmundje zë vend të rëndësishëm në atë shoqëri. Pikërisht këtu fshihet edhe urtësia e ajetit uranor, që e theksuam në fillim, me të cilin urdhër u drejtohet myslimanëve mbarë, sepse askush nuk do të jetë imun nga ky krim, nëse nuk bashkohen forcat për ta luftuar bashkërisht këtë sëmundje. Duke marrë parasysh realitetin se zullumi, keqpërdorimi i pasurisë së huaj, nuk mund të bëhet nga një individ, porse duhet të ketë patjetër edhe ndihmës, – edukatori i njerëzisë, Muhamedi a. s., na mëson duke thënë: “Kush ecën (shoqërohet) me zullumqarin për ta ndihmuar duke e ditur se ai është zullumqar, edhe ai ka dalë nga Islami i tij”.
Argumentet në këtë drejtim janë të shumta, por në këtë rast do të kisha theksuar vetëm alën e imam Gazaliut, i cili në veprën e tij Ihjau ulumu ed-din, duke u mbështetur në argumentet e shumta autentike,vjen në këtë përfundim: “Zullumqar (kriminel) nuk është vetëm ai që bën zullum (krim), po zullumqarë janë edhe ata që e shohin zullumqarin duke bërë zullum, e nuk e ndalojnë”.

2. RIKTHIMI I SENDIT TË UZURPUAR

Të gjithë dijetarët islamë – fukarenjtë janë unikë në mendimet e tyre se, nëse sendi i uzurpuar ekziston ende, uzurpuesi detyrohet t’ia rikthejë pronarit të vërtetë ose trashëgimtarëve të tij legjitimë. Rikthimi i pronës së uzurpuar vërtetohet me hadithin e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme), ku thuhet: “Dora e garanton atë që e marrë derisa ta kthejë atë tek pronari”. Po ashtu në këtë drejtim ekziston edhe hadithi tjetër, ku Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) ka thënë: “Mos t’ia marrë dikush nga ju sendin shokut të tij, as me seriozitet e as në lojë, e nëse ndonjëri prej jush e gjen shkopin e shokut të tij, le t’ia kthejë atij”.[9]

Në rastet kur sendi i uzurpuar shkatërrohet në dorën e uzurpuesit dhe është nga sendet që transferohet, sipas hanefinjve, ose edhe nga mobiljet dhe rrobat, sipas dijetarëve të tjerë, atëherë uzurpuesi duhet të sigurojë kompensim për të. Nëse sendi i uzurpuar dhe i shkatërruar në dorën e uzurpuesit është nga sendet që gjenden në treg, atëherë, sipas konsensusit të dijetarëve islamë, uzurpuesi detyrohet t’ia blejë të njëjtin send dhe t’ia rikthejë pronarit të vërtetë. Po nëse nuk ka të sende të tilla, atëherë detyrohet të kompensojë kundërvlerën kishte ai send ditën e uzurpimit të tij.

Nëse lindin konteste në mes uzurpuesit dhe pronarit të vërtetë të sendit lidhur me uzurpimin, ose me sasinë dhe llojin e tij, atëherë fjala përfundimtare është e uzurpuesit, duke e shoqëruar me betim.
Nëse uzurpuesi tenton që pasurinë e uzurpuar me vlerë të veçantë, ta fshehë duke thënë se ishte shkatërruar vetvetiu, ose se e paskësh humbur, dhe për këtë nuk ka prova të mjaftueshme, atëherë gjykatësi islam ka të drejtë ta privojë nga liria, derisa të bëjë prova juridike dhe të bindet se, sikur ta kishte, do t’ia kishte treguar, e pastaj të paguaj kundërvlerën e tij, sepse rikthimi është esencial, kurse kundërvlera është pasuese.

(1) Suretul Bekare : 188
(2) Dr. Vehbe Zuhejli, Tefsirul munir fil akideti vesh-sheriati vel menhexhi 1/163, Darul fikri Damask. Imam Kurtubiu, el xhamiu li ahkamil Ku’an 2/337
(3) Imam Ahmedi.
(4) Seid Hava, el Islam f. 648, Daru es-selam, botimi i II Kajro
(5) Suretu en-Nisa : 29
(6) Imam Buhariu .
(7) Buhariu.
(8) Ahmedi nga Enes b. Maliki.
(9) Imam Ahmedi.

JUSUF ZIMERI /bislame/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit