Në Bruksel ende po numëroheshin shifrat e personave të vdekur nga shpërthimet, kur zyrtarë të lartë rusë, ligjvënës dhe ekspertë pro-Kremlinit, morën shkas nga sulmet për ta kritikuar Evropën.
Rusia solli lule pranë Ambasadës Belge në Moskë e zyrtarët e presidentit Vladimir Putin ofruan ngushëllime lidhur me sulmin. Në të njëjtën kohë, zyrtarë të lartë dhe ligjvënës rusë minuan këto sinjale të solidaritetit me mesazhe jo aq simpatike kundrejt Perëndimit, duke thënë: “Vetë e keni fajin”.
Aleatë të njohur të Putinit në qeveri dhe parlament, si dhe ekspertë të ndryshëm, vlerësuan se shpërthimet ishin rezultat i asaj që ata i cilësuan si “standarde të dyfshita”, në qasjet e qeverive perëndimore ndaj militantëve të grupit të Shtetit Islamik. Ata akuzuan Perëndimin se ka injoruar Putinin, i cili theksonte vazhdimisht nevojën për bashkëpunim më të ngushtë me Moskën, për t’i luftuar terroristët.
“Përderisa Stoltenberg [Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s] lufton ‘kërcënimin imagjinar’ të Rusisë dhe dërgon trupa në Latvi, njerëzit po vriten nga shpërthimet në Bruksel, para hundës së tij”, ka thënë Aleksei Pushkov, kryetar i Komisionit për Çështje Ndërkombëtare në Duma, shtëpinë e ulët të Parlamentit në Rusi, përmes një postimi në Twitter.
Në një postim tjetër, Pushkov ofroi ngushëllimet e tij, por shtoi se “është koha që Evropa të kuptojë se cilat janë kërcënimet e vërteta dhe t’i bashkojë forcat me Rusinë”.
Disa figura të njohura ruse sugjeruan se vendet perëndimore po e marrin atë që e meritojnë, duke përkrahur “terroristët” vetëm kur po u konvenon atyre për interesat e veta gjeopolitike.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse, Maria Zakharova ofroi gjithashtu ngushëllime për viktimat, përderisa në të njejtën kohë sugjeroi se Evropa nuk ka nevojë ta fajësojë askend tjetër pos vetes.
“Nuk mund t’i mbrosh terroristët në një vend e të mendosh se ata nuk do të vijnë tek ti”, citohet të ketë thënë Zakharova. “Nuk duhet ndarë terroristët në të mirë e të këqinj; nuk mund t’i përkrahësh ata në Lindjen e Mesme e në Kaukazin Verior dhe të mendosh se ata nuk do të vijnë në një pjesë tjetër të planetit”, ka thënë ajo.
Putini shpesh ka kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore për dhënie të përkrahjes në të kaluarën për militantët në Kaukazin Verior të Rusisë, edhe pse Uashingtoni dhe qeveritë e tjera i kanë mohuar këto pretendime. Së fundmi, vendet perëndimore i kanë përkrahur disa grupe të opozitës siriane, të cilat Moska dhe aleati i saj, presidenti sirian Bashar Al-Assad, i quajnë terroristë.
Igor Korotchenko, një gazetar pro-Kremlinit, i cili vazhdimisht shfaqet në televizione, është cituar nga një gazetar tjetër të ketë thënë: “Evropa po e paguan për standardet e dyfishta të politikanëve të saj. Ata nuk dolën me përfundime nga sulmet terroriste të Parisit”, citohet të ketë thënë Korotchenko.
Ndërkohë, politikanët që cilësohen si “opozitë”, por që shpesh janë në një linjë me Kremlinin, gjithashtu kanë reaguar.
Kryetari i Partisë Komuniste në Rusi, Gennady Zyuganov, tha se Evropa tani po e paguan çmimin, pas refuzimit të propozimit të Putinit për të zhvilluar një “koalicion të fuqishëm ndërkombëtar për ta luftuar terrorizmin”.
Ai shtoi se Evropa po vepron në kundërthënie me interesat e veta, për shkak të “nevojës së saj për të qenë vartëse e Shteteve të Bashkuara”, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, RIA.
Ndërsa ultranacionalisti Vladimir Zhirinovsky, kryetar i Partisë Liberale Demoraktike të Rusisë, tha se Evropa duhet ta lejojë Rusinë që të dërgojë policët e saj që të merren me migrantët dhe krizën me refugjatë.
“Pas sulmeve terroriste, evropianët duhet t’i mbyllin kufijtë e tyre, t’i izolojnë të gjithë migrantët dhe gradualisht t’i deportojnë të gjithë nga zona Shengen”, ka shkruar ai në Twitter.
“Nëse evropianët nuk mund ta menaxhojnë vetë krizën – le t’i ftojnë djemtë tanë”, tha Zhirinovsky, duke iu referuar njësisë speciale ruse të sigurisë. “Ne dimë si ta luftojmë këtë infeksion”, ka thënë ai.
Por, jo të gjithë rusët ishin në të njëjtën linjë me këtë retorikë.
“A nuk ju vjen turp të shkruani gjëra të tilla”, ka shkruar një përdorues i Twitterit, Boris Livshits, duke iu përgjigjur komenteve të Pushkovit. “A nuk mund t’u dërgoni njerëzve thjeshtë ngushëllime?”, ka shkruar ai.