“….Me kujdes, saktë, kirurgjik dhe në mënyrën tonë, siç e njohim ne”, tha “kuzhinieri” i Putinit
Biznesmeni rus Yevgeny Prigozhin ka pranuar ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane dhe shtoi se do të vazhdojë ta bëjë këtë në të ardhmen, në pranimin e parë të këtij lloji nga një person ndaj të cilit Uashingtoni ka drejtuar gishtin për përpjekjen për të ndikuar në politikën amerikane.
Në një koment nga Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun e kompanisë së tij të hotelierisë Concord, Prigozhin tha: “Ne ndërhymë (në zgjedhjet në SHBA), ndërhyjmë dhe do të vazhdojmë të ndërhyjmë. Me kujdes, saktë, kirurgjik dhe në mënyrën tonë, siç e njohim ne”.
Prigozhin shpesh përshkruhet si “kuzhinieri i Putinit”, për shkak të kompanisë që ka kontrata kateringu me Kremlinin.
Sanksionet e SHBA-së, Britanisë dhe BE-së
Në SHBA, ai është akuzuar zyrtarisht për sponsorizimin e “fermave troll” në Rusi që synojnë të ndikojnë në politikë.
Në korrik, Departamenti i Shtetit ofroi një shpërblim prej dhjetë milionë dollarësh për informacione mbi Prigozhin në lidhje me “ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane”, ndërkohë që ndaj tij janë sanksionet amerikane, britanike dhe evropiane, shkruan Reuters.
Në shtator, Prigozhin pranoi se ai themeloi grupin mercenar Wagner, i cili është aktiv në Ukrainë, Siri dhe vendet afrikane. /tesheshi.com/