Aksidentet në komunikacionin rrugor vazhdojnë të shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve në Kosovë.
Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, kanë vdekur 50 persona në aksidentet rrugore.
Autoritetet e rendit thonë se nëse krahasohet periudha e njëjtë e vitit të kaluar, vërehet rritje e numrit të personave të vdekur si pasojë e aksidenteve në komunikacion.
Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se sipas të dhënave të përgjithshme, vërehet një rënie e numrit të aksidenteve me dëme materiale, derisa numri i aksidenteve me lëndime trupore dhe atyre me fatalitet ka shënuar rritje.
“Gjatë muajve të verës ka një rritje të numrit të aksidenteve, pasi shtohet numri i fluksit nga bashkatdhetarët që vijnë për pushime në Kosovë”, tha Hoxha.
Sipas tij, gjatë sezonit veror, në funksion të një menaxhimi dhe kontrolli më të mirë të sigurisë, veçanërisht të trafikut rrugor, Policia e Kosovës ka përpiluar një plan operativ policor të cilin edhe e ka shpërndarë për zbatim nëpër të gjitha departamentet dhe rajonet policore. Po ashtu, aty parashihen edhe masat ligjore që do të ndërmerren në vazhdimësi për të gjithë ata që nuk u përmbahen rregullave në trafik.
“Nga divizioni i trafikut rrugor i Policisë së Kosovës, janë përpiluar dhe shpërndarë fletëpalosje me udhëzime dhe mesazhe vetëdijësuese për të ndikuar në uljen e aksidenteve me fatalitet, që mbetet një shqetësim apo brengë për të gjithë ne”, thekson Hoxha.
Autoritetet e rendit thonë se vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, shkelësve të rregullave në trafik u janë shqiptuar 183.729 tiketa gjobë.
Qytetarët në anën tjetër mendojnë se janë ngasësit ata që zakonisht nuk i respektojnë shenjat e komunikacionit.
Anita Mala, 23 vjeçare, studente e Fakultetit të gjuhës angleze në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se arsyeja e vetme e aksidenteve të shumta me fatalitet është gjendja, sipas saj, kaotike që vjen si pasojë e mosrespektimit të rregullave.
“Mendoj se ngasësit nuk i përfillin shenjat e komunikacionit. Sikur të ishin më të kujdesshëm ngasësit në respektimin e rregullave, besoj se nuk do të ndodhnin gjithë këto aksidente. Qytetarët duhet vetëdijësuar sepse është në pyetje jeta e njeriut”, tha Mala.
Ndërkohë, eksperti i komunikacionit, Muhamet Krasniqi thotë se numri i aksidenteve në komunikacion, kryesisht rritet gjatë stinës së verës, duke potencuar se arsyet janë të shumta, por disa nga to, siç thotë ai, janë aspektet teknike të automjeteve, si dhe temperaturat e larta të cilat ndikojnë në shpërqendrimin e situatës.
Por, edhe ardhja e bashkatdhetarëve, thotë Krasniqi, e rritë numrin e veturave dhe gjithë kjo, sipas tij, ndikon në rritjen e numrit të pjesëmarrësve në komunikacion, gjë që mund të ndikojë edhe në uljen e sigurisë në rrugë.
Krasniqi potencon faktin se ekspertët e komunikacionit, kanë bashkëpunim të mirë më autoritet e rendit, ku edhe marrin pjesë në trajnime të ndryshme që kanë të bëjnë me komunikacionin.
“Bashkëpunimi është i vazhdueshëm, jo vetëm në stinën e verës apo dimrit dhe këto bëhen përmes forumit të Kosovës për siguri në rrugë”.
“Diskutojmë rreth çështjeve të sigurisë në rrugë, që ndërlidhet me të gjithë pjesëmarrësve në rrugë. Por, shenjat dhe rregullat e komunikacionit mbeten çështja kryesore që duhet respektuar të gjithë”, thotë Krasniqi.
Sidoqoftë, autoritetet e rendit apelojnë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë vigjilent dhe të respektojnë rregullat që dalin nga ligji i trafikut, t’i përmbahen shpejtësisë së përcaktuar me shenjat e trafikut, t’i shmangen ngasjes kur janë të lodhur/përgjumur, të mos drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe mos të përdorin telefonat gjatë ngasjes së automjeteve. Veprime të tilla jo të sigurta, sipas autoriteteve të rendit, po kontribuojnë në shtimin e aksidenteve dhe humbjen e jetëve të njerëzve./REL/