5.9 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Rruga drejt tjetrit – Armand Bora

Më të lexuarat

Rruga drejt tjetrit

Armand Bora

Individi dhe shoqëria në të cilën jetojmë po bëhen dita-ditës më individualiste, më egoiste dhe më narciste dhe ky është një fakt lehtësisht i dallueshëm. Debati në rrafshin filozofik, midis atyre që e konsiderojnë egoizmin si një atribut biologjik të individit dhe atyre që e shikojnë atë më shumë si një sjellje sociale që ndryshon dhe zhvillohet në varësi të etikës dhe moralit mbizotërues të shoqërisë, është një debat i hershëm. Madje ka nga ata mendimtarë që shohin te kjo karakteristikë një vlerë që shtyn përpara zhvillimin e qenies njerëzore. “Egoizmi është thelbi i një shpirti fisnik,” do të shkruante filozofi gjerman F. Nietzsche në një prej eseve të tij duke mbështetur dhe forcuar mendimin që e shpjegon egoizmin si pjesë të natyrës njerëzore. Edhe pse ky debat e ka zanafillën më herët, që me filozofët e Greqisë antike, përcaktimet e filozofit gjerman kanë luajtur një rol të rëndësishëm në projektimin e asaj se si do duhej të ishte individi dhe shoqëria e kohëve moderne.
Rritja e shkallës së egoizmit dhe sjelljes individualiste nuk është një perceptim i thjeshtë social. Një përfundim i tillë vjen, gjithnjë e më shpesh, nga studime apo kërkime të ndryshme shkencore që bëhen mbi shoqërinë dhe qenien njerëzore. Në njërin prej tyre, me titullin “Rritja globale e individualizmit”, nga Henri Santos, Michael Varnum dhe Igor Grossmann në Universitetin e Waterloo dhe Departamentin e Psikologjisë në Universitetin Shtetëror të Arizonës, përfundimet e kërkimeve tregojnë se brenda një periudhe 50-vjeçare sjellja individualiste dhe egoiste e individit, si pjesë e shoqërisë moderne, është rritur me 16%. Të tjera studime, në fusha më specifike, tregojnë shifra edhe më të larta. Si në rastin e një studim mbi sjelljen, kryesisht te moshat e reja, përmes vëzhgimit të numrit të lartë të postimit të fotografive “selfie” në rrjetet sociale i cili tregon për një rritje deri në 25% të ndjenjës së vetëpëlqimit te përdoruesit e këtyre rrjeteve sociale, kryesisht Facebook dhe Instagram.
Nga ana tjetër nuk mungojnë kërkime apo eksperimente, kryesisht në fushën e psikologjisë të cilat përpiqen të argumentojnë përmes fakteve dhe analizave thelbin egoist të qenies njerëzore. Madje, këtë mendim e gjen në fjalorë dhe enciklopedi të ndryshme kur bëhet fjalë për të shpjeguar kuptimin e fjalës “egoist”. Në Enciklopedinë e re Katolike shpjegohet se natyra egoiste e njeriut përfshin në vetvete disa të vërteta themelore: është e natyrshme që njeriu ta dojë veten; ai duhet ta bëjë këtë, për më tepër, pasi secili është në fund të fundit përgjegjës për veten e tij; të përfitojë kënaqësi, të zhvillojë potencialet e tij dhe të kërkojë të marrë dhe të ketë pushtet” dhe të gjitha këto të arritshme falë shtysës që krijon natyra egoiste e njeriut.
Nuk janë vetëm studiuesit apo kërkuesit shkencorë, të interesuar për qenien njerëzore, që dëshmojnë për natyrën egoiste dhe sjelljen individualiste të qenies njerëzore. Krahas studimeve shkencore, janë të shumta edhe veprat e artit, kryesisht në letërsi, kinematografi apo teatër që kanë vënë në qendër të tyre pikërisht këto tipare të qenies njerëzore. “Mendoj se i vetmi rast kur njeriu mendon për padrejtësinë është kur ajo i ndodh vetë atij,” shkruan në njërin nga romanet e tij, pjesërisht autobiografik, shkrimtari dhe poeti amerikan Charles Bukowski.
Një tjetër shkrimtar i njohur, George Orwell, kur shpjegon se pse shkruan, njërin ndër katër motivet që e shtyjnë të shkruajë, ai rreshton të parin atë që e quan egoizëm i pastër. Dëshirë për t’u dukur i zgjuar, për të folur rreth një teme, për t’u kujtuar pas vdekjes, për t’u hakmarrë ndaj atyre që u përçmuan në fëmijëri. “Është e kotë të pretendosh se ky nuk është një motiv, madje i fortë,” thotë ai. Shkrimtarët e ndajnë këtë karakteristikë me shkencëtarët, artistët, politikanët, avokatët, ushtarët, biznesmenët e suksesshëm, me pak fjalë, me të gjithë shtresën e lartë të shoqërisë. Pjesa më e madhe e qenieve njerëzore, – vazhdon Orwell, – nuk janë shumë egoiste. Pas të tridhjetave, njerëzit pothuajse e braktisin ndjenjën e të qenit individë, ata jetojnë kryesisht për të tjerët ose thjesht shtyhen në rraskapitje. Por ekziston edhe një pakicë e njerëzve të talentuar, të vullnetshëm që janë të vendosur të jetojnë jetën e tyre deri në fund, dhe shkrimtarët i përkasin kësaj pakice,” e përfundon mendimin Orwell në esenë e tij “Përse shkruaj””. Duket se për shkrimtarin e “Fermës së kafshëve” dhe romanit të famshëm “1984”, të qenët egoist mbetet një sfidë që jo të gjithë ia dalin ta ruajnë dhe zhvillojnë brenda vetes. Prandaj, për shkrimtarin, pjesa më e madhe e shoqërisë e humbet individualitetin duke u shkrirë dhe duke u bërë pjesë e turmës anonime.
Dëshira për t’i ikur anonimatit, për t’u bërë i famshëm, për të mbledhur dhe konsumuar sa më shumë prej të mirave materiale dhe për të siguruar një jetë me sa më pak shqetësime nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se e ka forcuar edhe më shumë sjelljen egoiste të individit. Si pasojë e kësaj, për pjesën më të madhe të shoqërisë, indiferentizmi ndaj tjetrit është kthyer në një normalitet dhe mënyrë sjelljeje. Për individin e kohëve moderne asgjë nuk ka vlerë më shumë sesa interesi i tij personal.
Rritja dhe forcimi i karakterit individualist të njeriut, mungesa e vëmendjes dhe indiferentizmi kundrejt problemeve të tjetrit janë një tregues i qartë se më shumë sesa natyrë e qenies njerëzore, egoizmi është sjellje që varet prej kushteve dhe rrethanave sociale, ekonomike, raporteve të individit me besimin në Zot, ngjarje dhe fenomene të forta si pandemia, luftëra, tërmete apo katastrofa të tjera natyrore. Qasja dhe raporti që vendos individi me të gjithë këta faktorë ndikon në shtimin apo pakësimin e ndjenjë së egoizmit. Në përgjithësi, frika dhe pasiguria kanë treguar se janë gjendje të cilat e shtyjnë individin ta forcojë dhe të kërkojë mbrojtje brenda egoizmit të tij.
Nga ana tjetër, është provuar se frika dhe pasiguria për të nesërmen e bëjnë individin më të papërmbajtur kur vjen puna për plotësimin e dëshirave dhe kënaqësive të tij. Frika e humbjes së pasurisë, mirëqenies deri edhe jetës e shtyn individin drejt kërkimit të mundësive për të jetuar në një mënyrë sa më hedonistike. Një tregues i këtij fakti është ajo çfarë ka ndodhur me tregun e mallrave dhe shërbimeve të luksit gjatë periudhës paskovid. Në janar të vitit 2022, revista ekonomike Bussines Today duke cituar drejtorin e Rolls-Royce Motor Cars, shkruante se prodhuesi britanik i makinave luksoze kishte regjistruar rezultatet më të larta të shitjeve vjetore në historinë 117-vjeçare të markës. Kompania kishte arritur të prodhonte dhe të shpërndante vetëm gjatë vitit 2021 një numër rekord prej 5 586 makinash. Për tregues të rritjes së shitjeve flasin edhe kompani të tjera prodhuese të markave të njohura botërore të veshjeve apo bizhuterive. Shpenzimet e larta të individit, në këto kohë paskovidi, tregojnë se pandemia dhe frika ndaj vdekjes nuk e kanë bërë as më të ndjeshëm, as më të përgjegjshëm ndaj pasojave të një fatkeqësie globale.
Këto e të tjera fakte janë të mjaftueshme për të besuar plotësisht te studimet dhe analizat shkencore që vërtetojnë se individi i shoqërisë në të cilën jetojmë po krijon dita-ditës një identitet më individualist më egoist dhe më narcist.
Roli që luan shoqëria në formimin e identitetit të individit nis me lindjen e tij. Në fillim familja pastaj shkolla dhe e gjithë shoqëria i ofrojnë individit format dhe shembujt sipas të cilëve ndërtohet identiteti i tij. Çdo shoqëri ofron dhe imponon modelin e saj. Kjo lidhje midis asaj çfarë është shoqëria dhe asaj se çfarë bëhet individi tregon se profili individualist dhe egoist i individit është produkt i ndryshimeve dhe transformimeve të vetë shoqërisë.
Sipas teorive që merren me studimin e ndryshimeve që ndodhin brenda një shoqërie, këto ndryshime nxiten prej proceseve evoluese të shoqërisë, prej ndryshimeve në funksionet e institucioneve të shoqërisë ose janë produkt i shpërthimit të konflikteve brenda shoqërisë. Mjafton t’u hedhësh një vështrim të shpejtë ndryshimeve që ka pësuar shoqëria për të kuptuar se këto ndryshime nuk janë as procese zhvillimi natyral dhe as produkt i konflikteve brenda shoqërisë. Ndryshimet janë pasojë e transformimeve funksionale sipas interesave të grupimeve të vogla brenda shoqërisë duke imponuar një model të ri zhvillimi për shoqërinë. Ky modeli i ri social ka në themel të tij përpjekjen për t’i ofruar individit liri dhe të drejta të pakufizuara, të drejtën për të jetuar dhe vepruar si të dëshirojë apo për të bërë me trupin dhe jetën e tij çfarë të dojë dhe si të dojë.
Zgjedhja për ta hedhur pas modelin e një shoqërie të ngritur mbi parime dhe norma, me ndarje të qartë midis së mirës dhe së keqes, të vërtetës nga gënjeshtra, të asaj që lejohet nga ajo që nuk lejohet ka prodhuar transformime të rëndësishme në bazën e shoqërisë. Një shoqëri që lejon t’i relativizohen normat sociale, kodi etik, madje që shkon deri sa edhe të dobësojë besimin në Zot, konsiderohet, me të drejtë, një shoqëri me themele të tronditura. Dhe në një shoqëri të tillë stigmatizimi i së keqes bëhet një mision gati i pamundur, madje shpeshherë edhe i rrezikshëm, kurse individi është shumë herë më i pambrojtur sesa individi i një shoqërie tradicionale.
Reformat që synojnë ndryshimin e modelit social realizohen ngadalë. Në përgjithësi ato janë të padukshme dhe pjesa më e madhe e shoqërisë e ka të vështirë t’i kuptojë apo të përfshihet në diskutime rreth efekteve të saj në jetën e çdo anëtari të shoqërisë. Kjo shpjegon edhe arsyen e mungesës së interesit për t’u përfshirë në debate apo diskutime mbi karakterin etik dhe moralin social që duhet të këtë çdo shoqëri dhe individi si pjesë e saj. Aty ku mungon një debat i tillë modeli i ri pranohet lehtësisht si normë, madje ofrohet edhe si rruga që të çon drejt suksesit dhe plotësimit të dëshirave. Në vend që t’i kundërvihet, shoqëria fillon të gjejë rrugët për t’u përshtatur me modelin e ri. Nga një studim i vitit 2020, i kryer nga një grup psikologësh të Universitetit të Yale-it dhe Universitetit të Zyrihut, u zbulua se individë me prirje egoiste kanë aftësi për të bërë përshtatje të kujtimeve të tyre duke mos u ndjerë kështu keq për sjelljen e tyre egoiste. Hulumtimi, i botuar në revistën “Nature Communications”, tregoi se njerëzit priren ta mendojnë veten më të mirë sesa janë në të vërtetë. “Kur njerëzit sillen në një mënyrë që bie ndesh me disa standarde morale, për të ruajtur imazhin ata përpiqen ta harrojnë sjelljen apo veprimin që kanë bërë,” shkruan Molly Crockett, asistentprofesor i psikologjisë në Universitetin e Yale-s dhe një nga autorët e studimit.
Të modifikosh kujtimet dhe të konformohesh me diçka që është e huaj për natyrën njerëzore nuk është gjë tjetër vetëm se një përpjekje për t’i ikur arsyes së ekzistencës. Njeriu është në thelb një qenie sociale. Ai është i krijuar me disa përgjegjësi të rëndësishme sociale: të sigurojë vazhdimësinë e njerëzimit, të përkujdeset jo vetëm për pjesëtarët e tjerë të shoqërisë, por dhe për natyrën dhe botën përreth. Këtë ka bërë prej shumë kohësh dhe është e pamundur ta ndryshosh këtë thelb të tij.
Ta ftosh individin që, në emër të lirisë, të veprojë vetëm në bazë të interesave personalë do të thotë ta zhveshësh atë nga përgjegjësitë sociale. Mungesa e marrjes së përgjegjësive e minimizon arsyen e ekzistencës së individit brenda rrethit të ngushtë të konsumimit të disa kënaqësive dhe plotësimit të disa prej dëshirave të tij.
“Liria pa përgjegjësi është si pesha pa gravitet në fizikë-një pamundësi logjike,” shkruan në leksionet e tij mbi ekzistencializmin dhe kuptimin e jetës, Robert C. Solomon, profesor i filozofisë në Universitetin e Teksasit.
Për shumë arsye, të qenët altruist apo bamirës nuk është aq tunduese sa oferta për të qenë egoist dhe individualist. Për më tepër, nuk kanë munguar as teori të cilat edhe veprimin altruist apo bamirës e shpjegojnë gjithnjë përmes një interesi personal të individit. “Altruizmi njerëzor i cili nuk përmban egoizmin brenda tij është steril,” shkruan Marsel Proust. Kurse shkrimtarja dhe filozofja Ayn Rand shkruan se “Njeriu që nuk vlerëson veten nuk mund të vlerësojë asgjë dhe kurrkënd tjetër”.
Të gjitha shpjegimet normative që i janë bërë altruizmit qoftë ato me karakter filozofik, qoftë ato me karakter psikologjik, bashkohen te kushti që një veprim, për t’u konsideruar si një veprim i pastër altruist, nuk duhet të këtë si shtysë apo si motiv ndonjë interes apo përfitim të personit që kryen veprimin. Nga ana tjetër, nuk është fare e lehtë të provosh se pas një veprimi bamirësie apo ndihme nuk fshihen edhe interesa të tjerë: të vogla apo të mëdha, të bëra me qëllim apo pa qëllim. Veprime që përjashtojnë plotësisht interesa të tjerë janë vetëm me karakter hyjnor. Vetëm mëshira dhe furnizimi i Zotit është pa interes ndaj njeriut.
Kur bëhet fjalë për qenien njerëzore është e vështirë ta ndash veprimin prej interesit personal të individit. Lexon atë që shkruan Ayn Rand: “Unë mund të vdes për ty, por nuk mundem dhe nuk duhet të jetoj për ty,” dhe kupton se në veprimet e një individi është më e mundur të ndeshesh me një gjest sublim, si mohimi i jetës, sesa me gatishmërinë për t’iu gjendur pranë dikujt që ka nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tënde. Ndryshe nga altruizmi i cili, në formën e tij ideale, vjen si rezultat i një vendimi të momentit në situata të veçanta, përgjegjshmëria është zgjedhje dhe mënyrë e të sjelljes së individit e shtrirë përgjatë të gjithë jetë së tij. Një sakrificë sublime, si mohimi i vetvetes, nuk është një veprim që e ndesh shpesh në jetën e një individi pasi edhe një situatë që kërkon marrjen e vendimeve të tilla nuk janë kaq të shpeshta në jetën e individit. Mohimin e vetvetes si një gjest të pastër altruist e gjen më shpesh në botën shtazore sesa në atë humane. Për këtë arsye edhe poeti Lasgush Poradeci, në poezinë e tij “Vdekja e Nositit” ka vendosur një shpend për të përshkruar një vetësakrifikim të tillë altruist. Përmes vargjeve:
Me zjarr ju flas…, me zjarr.
Në gjirin tim kam hapur varr…
Që t’i jap shpresë-edhe t’j-a marr…

Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:
Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari:

Pa nis ah! gjirin ta godas…
Dh’ e hap ah! -gjirin më një ças…,
Dh’ i nginj ah! zogjtë-e vdes me gas!…

poeti përshkruan jo vetëm me një forcë të madhe emocionale, por edhe në mënyrë të vërtetë dhe bindëse ndjenjën dhe veprimin altruist të shpendit për zogjtë e tij.
Ndryshe nga një rast apo situatë e tillë ekstreme, përgjegjshmëria është një sjellje që përfshin më shumë detyrime sesa të qenit altruist, bamirës apo i mëshirshëm.
Ndryshe prej altruizmit, principi i përgjegjshmërisë është diçka të cilën individi e ka më të lehtë për ta kthyer në një normë të sjelljes në përditshmërinë e tij. Një prej rrugëve që e çojnë individin drejt përvetësimit të kësaj norme, është rruga që të shpie drejt tjetrit, drejt njohjes më të mirë të tjetrit. Indiferenca e ka dobësuar aftësinë e qenies njerëzore për të njohur tjetrin. Pjesa më e madhe e problemeve sociale, si kriza në familje, divorcet dhe tradhtitë bashkëshortore shpjegohen edhe me mungesën e aftësisë për të njohur dhe kuptuar partnerin. Të tjera probleme, si humbja e kujdesit ndaj prindërve apo dështimi në përpjekjet për të rritur dhe edukuar fëmijët, e kanë burimin, gjithashtu, pikërisht te njohja e pamjaftueshme që kemi për njëri-tjetrin. Në këtë situatë, të ftosh për të njohur tjetrin, shqetësimet dhe problemet e tij, është thirrje për të njohur njeriun, vetveten dhe gjithë shoqërinë.
Rrugët për të shkuar te tjetri janë të shumta: nisin me rrugët shkencore e shkojnë deri tek arti dhe letërsia. Të gjitha kryeveprat e letërsisë dhe të artit botëror kanë në qendër të tyre njeriun. Shkrimtarë dhe artistë të mëdhenj kanë ditur të pasqyrojnë në veprat e tyre skutat më të padukshme të qenies njerëzore. Kanë shpjeguar dhe përshkruar sjelljen njerëzore nga këndvështrime të ndryshme. I kanë shërbyer dhe vazhdojnë t’i shërbejnë shoqërisë për të kuptuar më mirë ndjenjat më të stërholluara dhe emocionet e forta që tronditin qenien njerëzore. Pos kësaj, vetë akti i shkrimit në letërsi apo i interpretimit të aktorit në skenë përmbajnë në vetvete karakteristika të gjestit altruist.
Një aktor del në skenë për t’i dhënë jetë një personazhi, d.m.th. një tjetri. Mishërimi i tjetrit në skenë, sipas teorisë së interpretimit përmes përjetimit dhe emocioneve sa më të besueshme, kalon jo vetëm përmes njohjes deri në detaje që aktori i bën personazhit, por edhe përpjekjes për të mohuar në skenë çdo element personal për t’i dhënë jetë personazhit, d.m.th. tjetrit. Aktori mohon veten e tij, personalitetin, eksperiencat, parimet, kujtimet, emocionet, dëshirat, qëllimet e tij për t’u dhënë jetë atyre të personazhit që mishëron në skenë. Në veprën “Vdekja e një aktori”, dramaturgu kroat Miro Gavran shpjegon përmes njërit prej personazheve të tij pikërisht këtë proces që vjen përmes mohimit të vetvetes. “Është e thjeshtë, – thotë Tom, – një person krijues, që sjell në jetë karaktere të tjerë, që është çdo ditë të tij ndërtues, duhet të jetë, gjithashtu, herë pas here, edhe shkatërrues… kjo edhe për hir të ruajtjes së ekuilibrave”.
Teatri është vendi ku mund të shikosh dhe kuptosh aktin e mohimit të vetvetes për t’i dhënë frymë tjetrit. Aktori në skenë, por jo vetëm aktori, çdo lloj interpretuesi, e ngre punën e tij midis përpjekjes për të mohuar dhe përpjekjes për të ndërtuar. Mohimit për të afirmuar në emër të shërbimit që i bën spektatorit në sallë. Aktrimi është akt i një altruizmi të kulluar pasi vjen i shoqëruar edhe me përgjegjshmërinë profesionale dhe qytetare. Aktori i referohet në interpretimin e tij shqetësimeve të personazhit dhe arrin t’i ndajë ato me publikun vetëm kur e njeh mirë personazhin që interpreton dhe merr përsipër përgjegjësinë për të ndarë mendimet, emocionet dhe problemet e tij në skenë përballë spektatorëve.
Të gjitha këto e bëjnë aktorin kaq të vlerësuar dhe të respektuar në sytë e spektatorit. Është një traditë e bukur në teatrin japonez ku spektatori, në fund të shfaqjes, i shoqëron duartrokitjet e tij me shprehjen “Faleminderit që u lodhët për ne”.
Për ta përmbyllur
Edhe shoqëria shqiptare, pas ndryshimit të saj të parë me shkëputjen nga sistemi diktatorial, ka hyrë me shpejtësinë e shoqërive të vendeve të tjera në një proces që synon ndryshimin e themeleve të shoqërisë. Në emër të të drejtave, lirive dhe barazive është rreziku që të vihen në pikëpyetje e drejta, liria dhe natyrshmëria e një pjese të rëndësishme të shoqërisë. Dhe pikërisht në këtë kohë, kur trumbetohet me zhurmë nevoja për të shtuar liritë e sjelljes dhe zgjedhjeve individuale, duhet pasur guxim për të folur për më shumë vlera, moral dhe përgjegjësi qytetare.
Në këto kohë transformimesh sociale, në përpjekjet për t’i shkuar në fund rrugës në të cilën kemi hyrë, gjithsekujt i takon të shtrojë pyetjen: A është apo jo kjo rruga e duhur? A po bëhet më e mirë cilësia e jetës së individit dhe familjeve tona? A ka më pak stres? Më shumë siguri? Më shumë drejtësi?
Pa dashur të ndikoj kurrkënd me subjektivizmin tim, po e lë çdo lexues të gjejë përgjigjen e tij për secilën nga këto pyetje.
Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit