18 C
Pristina
Monday, May 13, 2024

Kushti i altruizmit – Redi Shehu

Më të lexuarat

Kushti i altruizmit

Redi Shehu

Nëse do të përpiqeshim të kuptonim përkufizimin e altruizmit, mendoj se do ta bënim më mirë duke shtruar pyetjen: Përse njerëzit apo një grup njerëzish duhet të ndërmarrin akte për hir të dikujt tjetër dhe jo për interesin e tyre vetjak? Ky veprim, të cilin e ndeshim shumë shpesh, karakterizohet nga e kundërta e egoizmit. Altruizmi ka në thelb sakrifikimin e vetes për të tjerët, ndërsa egoizmi ka sakrifikimin e të tjerëve për vete. Për më tepër, veprime altruiste konsiderohen jo vetëm ato që u bëjnë mirë të tjerëve deri në pikën e sakrifikimit të interesit vetjak, por edhe ato që ndërmerren për të parandaluar dëmin ndaj tyre. Esenca e altruizmit është sakrifica. Sakrifica është heqja dorë nga gjëra që i vlerësojmë të çmuara. Nëse shikon dikë që po mbytet përpara syve në ujë, a do ta vije jetën tënde në rrezik për ta shpëtuar atë? Nëse po, atëherë ky është altruizëm. Të vësh në jetë altruizmin, në kuptimin e drejtë të kësaj fjale, do të thotë të ndihmosh të tjerët deri në atë shkallë sa të shkaktosh “dorëzimin e vetvetes”. Kjo do të thotë dorëzim i kuptimit të vetvetes si një qenie njerëzore me të drejta dhe liri civile, thjesht në një “shkak” dhe “burim” të së mirës për të tjerët. “Altrui” është tjetri tek vetja në një formë të pazbërthyeshme, i cili jep ndihmë pa tendencën e rikthimit të ndonjë favori a merite. Pra interesi vetjak, i cili si promotor ka gjithmonë egon vetjake, në këtë rast humbet kuptimin e vet dhe transformohet në të kundërtën me një drejtim të ndryshëm tashmë, i cili merr kënaqësi në ndihmën që u jep të tjerëve edhe pse për këtë i është dashur të dëmtojë veten.
Por ama duhet të jemi të ndërgjegjshëm që “interesi vetjak” dhe “altruizmi” nuk janë të kundërt me njëri-tjetrin. Edhe pse në dukje të tillë, ata përplasen në mënyrën se si e angazhojnë individin në shoqëri. Dallimi mes tyre është “motivimi primar”. Nëse motivimi primar është altruizmi në një vepër individuale apo kolektive, atëherë edhe pse nuanca të interesit vetjak mund të duken si sfond, përsëri ai akt nuk del nga kategoria e altruizmit. E nëse interesi vetjak kthehet si motivim primar i një vepre, atëherë ajo del nga kategoria e të qenit një vepër altruiste. Kur një individ nget makinën e tij me kujdes në qytet dhe shpejtësi të kufizuar gjatë rrugës, i shtyrë nga motivi primar se mund të dëmtojë njerëz me makinën e tij, atëherë ky mund të quhet një akt altruizmi sepse ai kujdeset jo vetëm t’u bëjë mirë të tjerëve, por edhe të mos i dëmtojë ata, pavarësisht faktit se ecja ngadalë i shkakton vonesa në programin e tij. Por, nëse individi e nget makinën ngadalë nisur nga motivi primar i frikësimit të dënimit me burg nëse dëmton dikë, kjo ndjesi e nxjerr veprimin nga të qenurit altruist edhe pse akti është i njëjtë në të dyja rastet.

Ekzistenca e egoizmit si kundërpalë e altruizmit

Si ta dallojmë që altruizmi ekziston në shoqëri? Duhet një kundërpalë, një tipar i kundërt me të, që altruizmit t’i japë kuptim. Me pak fjalë, a do të kishte kuptim altruizmi nëse nuk do të ekzistonte egoizmi? Egoizmi është ajo shtysë njerëzore e cila anon fuqishëm nga uni njerëzor. Nëse nuk do të ekzistonte egoizmi, ne nuk do të mundeshim të dallonim dhe të kuptonim se çfarë është një akt altruist. Egoizmi të shtyn për të bërë vepra vetëm për të mirën vetjake, për vetinteres, ndërkohë që altruizmi mposht egon dhe udhëhiqet nga prioriteti i “tjetrit” ndaj “unit”. Që njeriu të dalë nga dimensioni i unit të tij, pra nga dimensioni i egos dhe të veprojë në mënyrë altruiste, duhet një komponent i fortë që të sfidojë nefsin dhe të shuajë flakën e egoizmit brenda tij.

Në përgjithësi njerëzit veprojnë në këto tri mënyra: në formë egoizmi të pastër, pra çdo gjë vërtitet rreth interesit të pastër vetjak dhe ky është i vetmi destinacion; në formë altruizmi të pastër, pra jep nga vetja për të tjerët duke mos pretenduar asgjë në kthim dhe është i gatshëm ta dëmtojë veten deri në shkatërrim; në formë të përzier, egoiste edhe altruiste, pra edhe për vete, edhe për të tjerët. Natyra e qenies njerëzore shfaqet në të tria mënyrat në përditshmërinë e vet. Njerëzit mund të kategorizohen sipas këtyre qëndrimeve. Kështu gjen njerëz krejtësisht egoistë në veprimet e veta, krejtësisht altruistë dhe njerëz që kanë qëndrime të përziera, egoiste edhe altruiste. Për më tepër, të tri këto mënyra mund të na shfaqen edhe brenda të njëjtit person në momente të ndryshme kohore. Nganjëherë, një individ mund të sillet në formë krejtësisht egoiste, pastaj e shohim të na shfaqet për një moment altruizmi të pastër dhe në situata të tjera sjellja e tij është një përzierje mes egoizmit dhe altruizmit të pastër. Në këtë rast është motivimi primar ai i cili përcakton secilën nga këto gjendje. Në bazë të këtij motivimi ne gjejmë nëse akti i individit është egoizëm i pastër, altruizëm i pastër apo i përzier. Pra motivi ndahet nga pyetje të tipit “Çfarë është e mirë për mua?” dhe të tipit “Çfarë është e mirë për njeriun tjetër i cili nuk është unë?”

Egoizmi si staturë psikologjike

Është tërësisht egoist fakti që një individ ndihmon të tjerët duke i konsideruar ata si mjete dhe forma për përfitim vetjak. Pra, duke shpresuar në një kthim prapa të këtij veprimi, një fare “bonusi” mundësisht i shumëfishuar që do të kthehet mbrapsht nga njeriu apo grupi në nevojë. Ndihma për të tjerët duke u nisur nga motivimi primar se kjo gjë do të më sigurojë një të mirë vetjake imediate dhe të përllogaritur, është tejet larg nga të qenurit altruizëm. Një tjetër teori e cila quhet “egoizmi psikologjik” thotë se qenia njerëzore përfundimisht është e motivuar nga vetinteresi edhe pse në dukje bën akte të cilat mund të duket si akte altruiste. Kjo teori thotë se kur egoizmi psikologjik shfaqet në formatin “i egër”, atëherë në këtë rast egoizmi është i pastër dhe altruizmi nuk ekziston dhe motivimi primar përqendrohet tërësisht në përfitim vetjak. Ndërsa kur egoizmi psikologjik shfaqet në formatin “i butë”, do të thotë se egoizmi këtu nuk është i pastër, por ama edhe altruizmi nuk është i tillë. Pra personi do ta ndihmonte tjetrin, por jo deri në atë shkallë sa të sakrifikonte veten dhe mirëqenien e tij.

Mirëpo nga ana tjetër Thomas Nagel, në veprën e tij “The Possibility of Altruism”, përpiqet të dekonstruktojë teoritë e egoizmit psikologjik duke thënë se është e dyshimtë formula që secili nga njerëzit është në thelb një egoist psikologjik. Ai madje është kundër këndvështrimeve të tipit “egoizëm racional” apo “egoizëm etik”, teori të cilat shpjegojnë se, me përjashtim të lidhjeve sentimentale me të tjerët (familje, miqësi etj.), individi nuk ka asnjë arsye pse duhet të kujdeset për të tjerët. Nagel-i jo vetëm që i kundërshton ato, por thotë se janë tërësisht irracionale, sepse ne jo vetëm që në rrethana të caktuara duhet të ndihmojmë të tjerët për hir të tyre, kushdo qofshin ato, por edhe se nëse nuk do ta bënim një gjë të tillë, atëherë kjo është pikërisht një sjellje krejtësisht irracionale. Nagel-i është i mendimit që një njeri të ndihmojë të tjerët duhet që ai ta shohë veten apo ta vendosë veten në pozicionin “jopersonal” ose “të pacaktuar”. Kjo formë e identitetit të vetes kërkon që njeriu të jetë altruist duhet të zhvishet nga pozitat që ka dhe ta vendosë veten në pozita të barabarta me të tjerët apo me individin apo grupet që do t’u jepet ndihma. Duke marrë një pozicion të tillë, nuk është se vlerat e tua zhduken dhe referenca e tyre nuk ekziston më, por në fakt, duke e vënë veten në pozita të barabarta me njerëzit në nevojë, shikon se vlerat të vijnë nga të gjitha anët dhe ajo që zhduket është pikërisht egoja jote.

Altruizmi në mendimin botëror
Altruizmi është prekur pothuaj gjatë gjithë historisë së mendimit filozofik botëror, nisur edhe nga fakti se kjo gjendje e ka përshkuar qenien njerëzore përgjatë gjithë historisë së tij. Platoni, kur trajton altruizmin, i referohet këtij manifestimi njerëzor duke e ndarë në dy pika: “E para, -thotë ai, – ajo çka na motivon neve të veprojmë është gjithmonë një dëshirë. E dyta, të gjitha dëshirat duhen kuptuar si një model urie.” Sipas tij, kur ne jemi të uritur, uria jonë ka një objektiv që është ushqimi. Ne nuk hamë për hir të ushqimit, por për faktin se ndjejmë kënaqësi si rezultat i ngrënies. Nëse të gjitha dëshirat duhen kuptuar në këtë formë, atëherë, kur një njeri i bën dhuratë dikujt tjetër sepse mendon se ai do ta pëlqejë atë, objekti nuk është dhurata, por uria e dhuruesit për të ndjerë kënaqësinë e tjetrit. Me këtë Platoni përpiqet të argumentojë ekzistencën e “egoizmit psikologjik” të mëshiruar në modelin e urisë që ne ndjejmë për kënaqësinë e tjetrit. Pra është egoizëm sepse nuk e bëjmë për tjetrin, por për urinë tonë për të parë pëlqimin edhe kënaqësinë e tjetrit.

Pyetjes “Pse duhet të kujdesemi ne për të tjerët?” i janë përgjigjur në forma të ndryshme grupe filozofësh. Që nga Platoni, Aristoteli, stoikët, Epikuriani, pra filozofët greko-romakë të antikitetit, thonin se, në mënyrë që njeriu të kujdeset për të tjerët, ai duhet të jetë altruist. “Por ai është altruist, -thonin ata, – sepse është në interesin e tij të jetë i tillë.” (filozofia morale)
Në epokën moderne, konkluzioni i nxjerrë nga filozofë, të tillë si Kanti apo edhe përfaqësuesit e rrymës utilitariste, si Jeremmy Bentham, John Stuart Mill dhe Henry Sidgwick, ishte se të menduarit moral nuk ka në qendër vetveten. “Kur ne mendojmë moralisht rreth veprimeve tona, -thonin ata, – arsyeja shikon në perspektivë me “syrin e Zotit” dhe lë mënjanë emocionet që normalisht na rrethojnë në favorin tonë.” Ndërsa pikëpamja tjetër e grupit të filozofëve të përfaqësuar nga David Hume, Adam Smith dhe Arthur Schopenhauer, përqendrohet në theksimin e simpatisë, të mëshirës dhe të afeksionit personal kur bëhet fjalë për altruizmin. Ata mendonin se ka diçka të jashtëzakonshme me vlera sentimentale që e mbështjell qenien njerëzore. Në rastet e altruizmit ne veprojmë natyrshëm dhe emocionalisht duke braktisur çdo lloj arsyeje. Ky mendim filozofik është edhe pararendësi i asaj rryme që më vonë u quajt “sentimentalizmi”. Kjo rrymë njeh faktin që kur një njeri në nevojë kërkon ndihmë, ai në atë moment bën thirrje për një përgjigje emocionale nga ana jonë. Ndihma që ne i japim është shprehja e këtij sentimenti. Sentimenti është baza për altruizmin. P.sh. një person dhuron para për një fondacion që lufton kancerin. Këtë e bën nisur nga fakti se nëna e tij ka vdekur pikërisht nga sëmundja e kancerit. Ai mendon se përmes donacionit të tij, ai do të ndihmojë në reduktimin e kësaj sëmundjeje. Kjo është një formë e shprehjes së sentimentit për nënën.
Ndërsa rryma objektiviste, e përfaqësuar nga Ayn Rand, mendon se personat egoistë kanë një vlerësim për vetveten, ndërsa altruistit, thonë ata, i mungon sensi i vlerësimit të vetes dhe kjo i shkakton personit atij sjellje neurotike sepse mungesën e vlerësimit për veten e shikon tek vlerësimi për të tjerët.

Por është gjithashtu edhe mendimi i teologjisë së krishterë, e cila përmblidhet në konceptin e “dashurisë” si përbërës themelor i altruizmit dhe që u përpunua nga filozofët dhe etërit e Kishës si Shën Agustini dhe Thoma Akuini. Në fakt krishterimi hedh poshtë idetë filozofike të Aristotelit, i cili thoshte se qenia hyjnore nuk ka cilësi etike dhe nuk ndërhyn në jetën njerëzore. Sipas mendimit filozofik të krishterë, altruizmi zbërthehet në atë që Zoti i do krijesat e tij dhe kur ne i duam të tjerët dhe sakrifikojmë për të mirën e tyre, ne imitojmë Zotin dhe me këtë veprim shprehim dashurinë për të.
Në islam, ideja e sakrificës dhe nocioni i të preferuarit të tjetrit në vend të vetes është një normë e rëndësishme aq sa është e rëndësishme për një besimtar të sakrifikojë për hir të një të mire më të madhe. Këtu koncepti i një “të mire më të madhe” nuk na vjen duke idealizuar diçka tokësore, porse ajo e mirë më e madhe na vjen si frymëzim i cili përmblidhet në termin “xheneti” apo parajsa. Në fakt, në besimin islam ne gjejmë formën më të sinqertë të shprehjes së altruizmit të përmbledhur në thënien profetike: “Asnjëri prej jush nuk ka për të besuar në të vërtetë derisa të dojë për vëllain e tij atë që do për vete”. Forma kushtore e thënies sanksionon faktin që altruizmi, – pra të duash për tjetrin atë që do për veten, – kthehet në kusht të besimit të vërtetë në Zotin e vërtetë, pra, me pak fjalë themeli i besimit. Ndryshimi i islamit me civilizimet e tjera, kur bie fjala për altruizmin, është se ai, altruizmi kthehet në kusht. Ky është ndryshim themelor, sepse nëse ashtu siç e pamë më sipër, altruizmi lihen në dëshirën individuale të personave për ta shfaqur në shoqëri, në islam altruizmi përbën kushtin themelor për të qenë besimtar i sinqertë në fenë e vërtetë. Ky altruizëm i bazuar në transmetimin profetik është altruizëm i llojit të pastër duke marrë në konsideratë shtjellimet e mësipërme mbi altruizmin. Pra, atëherë kur njeriu të dojë për tjetrin ekzaktësisht atë që do për veten, bën që egoja e tij të njësohet me egon e tjetrit duke patur të njëjtën pritshmëri ose kur egot respektive thjeshtojnë njëra-tjetrën duke u eliminuar fare dhe duke i lënë vend vetëm sakrificës dhe dashurisë për tjetrin. “Kurë nuk do të arrini sinqeritetin e plotë në besim derisa të mos jepni më të dhembshmen e pasurisë tuaj…” “…E ky është suksesi i madh”. Këto terma që sjellin vargjet kuranore “besimi i vërtetë”, “sinqeriteti i plotë”, “suksesi më i madh”, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me një rrugë, me altruizmin. Altruizmi qenka prova e besimit dhe rezultati i tij qenka suksesi i plotë. Në këtë kuptim besimi, sinqeriteti dhe në fund suksesi i amshueshëm janë kolonat themelore të arsyes së besimit. Dhe përbërësi kryesor i tyre është altruizmi. Kështu, pa hezitim ne mund të themi se altruizmi na transformohet në vetë identitetin e besimit e që për pasojë kthehet në vetë identitetin e muslimanit. Muslimani nuk mund ta ketë besimin e plotësuar dhe kurrë sinqeritetin e plotë nëse nuk ka në identitetin e tij dhe në vetperceptimin e tij altruizmin. Ja përse altruizmi në islam kthehet në kusht dhe jo në opsion apo dëshirë që mund të aplikohet me raste. Kthehet në kusht sepse vetëm përmes tij thurja sociale mund të arrijë nivelin më të lartë të integrimit.
Për darvinizmin, altruizmi ka përbërë gjithmonë një problem sepse është një fenomen i cili nuk futet brenda kllapës së evolucionit. Për mbështetësit e kësaj teorie, të gjitha llojet e altruizmit, si ai emocional, sentimental, racional, egoist etj., ka në qendër një proces “kripto interesi” i cili i kthehet njeriut në një formë apo tjetër. Por, mbështetësit e kësaj teorie nuk arrijnë të shpjegojnë vetsakrifikimin pa interes ndaj një të huaji i cili po mbytet apo që po digjet në mesin e flakëve. Altruizmi ka të bëjë më shumë sesa me biologjinë. Shfaqje altruizmi ne hasim në natyrë në të gjitha llojet e kafshëve dhe të insekteve. Ky është një fakt që trondit darvinistët dhe teorinë e tyre të “selektimit natyral” ku më i forti ndër speciet mbijeton për të evoluar. Nëse sipas darvinistëve kjo është një garë e pashpirt mes speciesh, atëherë përse zogjtë ushqejnë njëri-tjetrin, kafshët e ndryshme ndihmojnë dhe sakrifikojnë për të kafshë të tjera?
Darvinistët mendojnë se një person mund të hidhet nga ura për të shpëtuar një njeri që po mbytet, vetëm nëse ky i fundit ka gjene familjare me të parin. E gjitha që i shpëtuari të trashëgojë gjenet altruiste të të parit. Por pyetjes se përse njerëzit ndihmojnë të huajt pa asnjë lidhje gjenesh, ata nuk i përgjigjen dot. Për më tepër ata përjashtojnë altruizmin si fenomen metafizik dhe përpiqen ta gjejnë atë në strukturën gjenetike të njeriut, pra në formën fizike dhe assesi metafizike.

Altruizmi dhe bamirësia

Duhet të pranojmë se bamirësia është një e mirë publike, por ama në rastin e altruizmit kërkohet që njeriu të japë diçka më tepër e cila tashmë kthehet në një të mirë publike mbi standardin kulturor masiv të bamirësisë. Thënë ndryshe, një sakrificë që del tej normave dhe kornizave tradicionale të bamirësisë së zakonshme. Nëse në SHBA mesatarja e bamirësisë shkon në 3% të të ardhurave sipas censusit të vitit 2010, një person altruist në një moment të caktuar mund të japë edhe 95% të pasurisë së tij duke u kthyer në më të varfër sesa përfituesi.

Bamirësia, si akt në vetvete, përmban një farë sensi të vetes (unit-nefs) kur ndihmon të tjerët. Pikërisht kjo formë mund të rrisë koeficientin e dikujt apo një grupi personash për të qenë të besueshëm, dhe kur ke arritur besueshmërinë, dhe për më tepër, kur je publikisht i besueshëm, atëherë bëhet për secilin më e lehtë për të ndërvepruar me të tjerët. Këtu kufiri është shumë i hollë mes rrezikut për të shfrytëzuar bamirësinë publike për blerje të “kapitalit të dinjitetit”. Dhe këtu na vjen në ndihmë bamirësia e fshehtë e cila në fakt nuk bën gjë tjetër vetëm se e zhduk këtë “kapital dinjiteti” për shkak të anonimitetit të saj.

Altruizmi me bamirësinë kanë të përbashkët kujdesin për të të tjerët dhe dhurimin në favor të tyre. Ndryshimi i altruizmit me bamirësinë është se ky fenomen në formën e tij është krejtësisht në formulën “zero ego” gjatë ndihmë së të tjerëve.

Altruizmi dhe heroizmi

A ka një diferencë mes heroizmit dhe altruizmit? Çfarë do të thotë të jesh një hero dhe çfarë do të thotë të jesh një altruist? Ku është përbërësi që i ndan të dyja kategoritë? Mos është shkalla e sakrificës e cila në heroizëm shkon tek vdekja? Mos është heroizmi një vetsakrifikim ekstrem? Një instinkt?

Kërkues shkencorë të Universitetit të Yale-it angazhuan mbi 300 vullnetarë të cilët analizuan deklaratat publike të 51 heronjve të kohëve moderne të cilët që të gjithë kishin fituar çmime dhe medalje për heroizmat e tyre për shkak se kishin rrezikuar edhe jetën. Ky kërkim shkencor kishte si synim që të zbulonte nëse heronjtë kishin vepruar në formë instiktive, pa menduar, apo aktet e tyre heroike kishin ardhur si rezultat i një veprimi të vetëdijshëm. Pas kërkimit ata gjetën se pjesa dërrmuese e heronjve në fillim kishin shpëtuar, pastaj kishin menduar dhe reflektuar. Ata shpreheshin se “falë Zotit ne ishim në gjendje të vepronim pa e menduar fare se çfarë po bënim”. Ky eksperiment social zbuloi thelbin e vërtetë të natyrës njerëzore, e cila është e pastër në vetvete dhe që korruptohet duke u ndotur në sistemin e shoqërisë së sotme, si dhe nga racionalizimi i tepërt i veprimeve dhe akteve tona të përditshme.

Ndryshimi më i madh që ka heroizmi nga altruizmi qëndron në faktin që një hero ka më shumë tendencë dhe gatishmëri drejt vdekjes sesa ka një altruist. Altruisti mund të sakrifikojë shumë nga vetja për të tjerët qoftë në terma financiarë, apo fizikë, por tendenca për të qenë i gatshëm për të vdekur është më e rrallë sesa tek heroizmi i cili shquhet për një tipar të tillë.

Në esencë një akt altruist nuk është gjë tjetër veçse se një veprim i jashtëzakonshëm nga njerëz të zakonshëm. Studiues të ndryshëm e kanë përkufizuar altruizmin “si një soft i lindur me natyrën njerëzore”. Kjo shihet më së miri tek natyra altruiste e fëmijëve të cilët janë më të prirur për të shfaqur sjellje dhe për të bërë veprime të karakterit joegoist. Nisur nga këto qasje, ata thonë se njeriu lind altruist dhe gjatë jetës mëson dhe zbaton sjellje strategjike interesi, të cilat e shtypin këtë ndjesi të natyrshme duke çuar nivelin e altruizmit të jetë i ndryshëm në persona të ndryshëm.

Padyshim që altruizmi është një forcë e madhe dhe e rëndësishme që i jep ngjyrë shoqërive dhe për më tepër i jep qëndrueshmëri dhe karakter lidershipit. Altruizmi përkufizohet lidhur me lidershipin si standardi moral, si kodi etik i liderit, e cila i jep përgjigje pyetjes se “Kush është një lider i mirë?” dhe “Çfarë e bën një lider të mirë?”. Për më tepër një lider altruist ndërton kulturën e altruizmit përmes shembujve që jep dhe punës që bën. Kjo kulturë pastaj është e gatshme të ndiqet nga qindra mijëra pasues për t’u kthyer në një kod moral të shoqërisë.

Vështirë të gjesh një lider popullor të cilët njerëzit e duan dhe që ai të mos gëzojë tiparet e altruizmit. Njerëzit kërkojnë të gjejnë tek lideri ato tipare që shpesh atyre u mungojnë dhe nisin një proces ngjashmërie dhe dualizmi me të. Nuk mund të bëhesh lider i mirë nëse në parimet e tua nuk qëndron sakrifica për të tjerët dhe ndjenja e gatishmërisë për të humbur nga vetja. Liderë të mirë janë bërë atë që kanë dalë nga sakrifica dhe sprova. Për më tepër ndenja për t’u shërbyer të tjerëve, edhe duke sakrifikuar, rezulton me një ndjesi të fortë të qëllimit dhe një të dhënit kuptim të jetës.
Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit