0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

RRUGA DREJT DOMINIMIT TË BOTËS!!! (analizë politike)

Më të lexuarat

Zona e lindjes së mesme, Deti Kaspik dhe Briri (kepi) Afrikan mund të duken disi larg njëra –tjetrës gjeografikisht, por ne nuk mund të kuptojmë realitetin e asaj që ndodh në çdonjërën prej tyre pa ditur se ç’ndodh në tjetrën. Ajo që ndodh në zonën e Detit Kaspik ka efektet e saj në Lindjen e Mesme dhe Bririn Afrikan dhe ajo që ndodh në Lindjen e Mesme ka efektet e saj në Afrikë dhe zonën e Detit Kaspik e kështu me radhë. Kemi të bëjmë me një luftë që është ndezur mes superfuqive për të dominuar botën, një luftë lëndën djegëse të së cilës e përbëjnë të dobëtit.

”Ëndrra e dominimit të botës”, është motori i vërtetë që vë në lëvizje të gjitha luftërat dhe konfliktet politike bashkëkohore të cilat ne po jetojmë aktualisht. Ndaj nuk i duhet vënë veshi shteteve agresore dhe propagandës mediatike që ato bëjnë për të shitur gjithfarë lloj argumentesh të dobëta për të justifikuar ndërhyrjet e tyre në problemet e këtij apo atij vendi.

Për të treguar lidhjen që kanë mes tyre këto tre zona, unë do ta filloj së pari me zonën e Detit Kaspik e më pas do të kaloj në Lindjen e Mesme dhe në fund në Bririn Afrikan. Por para se të filloj dua të tërheq vëmendjen rreth një ngjarje të rëndësishme përmendja e së cilës nuk mund të lihet pa përmendur. Ngjarje kjo e cila përmbysi politikën botërore, dhe pikërisht e kam fjalën për ndërprerjen e naftës arabe që ju bë shteteve perëndimore pas përfundimit të luftës së tetorit 1973. Që nga ajo kohë sigurimi i burimeve energjetike, i rrugëve të shpërndarjes së tyre dhe gjetja e burimeve zëvendësuese në vend të naftës arabe është bërë përcaktuesi i agjendave të politikës së jashtme dhe strategjive ushtarake të shteteve perëndimore dhe në veçanti të Shteteve të Bashkuara. Shtet i cili vazhdimisht ka qenë vigjilent për të pasur nën kontroll zonat strategjike të energjisë dhe rrugët e shpërndarjes së tyre si mjet për dominimin e botës.

Përgjatë detit apo liqenit Kaspik, rajon tepër i pasur ky me gaz dhe naftë, kanë dalje pesë shtete të cilat janë: Irani, Rusia, Turkmenistani, Kazakistani dhe Azerbajxhani. Përcaktimi i Kaspikut si det apo liqen ka një rëndësi të madhe pasi ai bën përcaktimin e përfitimit të çdo shteti që ka dalje në të. Sipas ligjit ndërkombëtar çdo shtet që ka dalje në një liqen i njihen si e drejtë 30 km si ujëra territoriale dhe 30 km të tjera mund t’i shfrytëzojë nga ana ekonomike. Ndërsa për sa i përket detit, çdo shteti që ka dalje në të i njihen si e drejtë 20 km si ujëra territoriale dhe 300 km i lejohet t’i shfrytëzoj nga ana ekonomike. Përkufizimi si ”det” i përshtatet Turkmenistanit dhe Azerbajxhanit, ndërsa përkufizimi si ”liqen” i përshtatet Rusisë dhe Kazakistanit. Kurse për Iranin nuk ka ndonjë dallim të dukshëm ndërmjet dy përkufizimeve, për sa i përket vendndodhjes së tij.

Kjo gjendje e gërshetuar dhe përplasje interesash ka çuar në acarimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet këtyre shteteve ku secili dëshiron të vendos përcaktimin e tij që do t’i mundësonte atij përfitim sa më të madh nga pasuritë natyrore të fundit të Kaspikut.

”Kudo që gjendet nafta gjendet edhe Amerika”:

Kjo gjendje e komplikuar e detit Kaspik është ajo që i hapi rrugën Amerikës që të vërë këmbën e saj në atë zonë. Amerika ka qenë gjithmonë e gatshme për të ndërhyrë në ndihmë të atyre shteteve të cilat bien dakord me interesat e saj politike dhe ushtarake. Për të vënë në këtë mënyrë nën kontroll botën nëpërmjet kontrollit të energjisë si dhe për të shtuar burimet e sigurimit të saj dhe dalë nga varësia e naftës arabe, apo së paku uljen e varësisë nga ajo. Po kështu ajo dëshiron edhe privimin e Rusisë dhe Iranit sa të mundi nga këto burime natyrore. Për këtë arsye Amerika ka ngritur baza ushtarake në Kazakistan, Gjeorgji, Azerbajxhan dhe Uzbekistan ashtu siç edhe ka anëtarësuar disa shtete të rajonit në NATO. Shtoj këtu edhe vendimin e saj për të ndërtuar një brez anti-raketash në afërsi të Rusisë: në Poloni dhe Çeki. Vendim të cilin Rusia e ka konsideruar si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e saj kombëtare. Nuk është e nevojshme të përmendet se dominimi i naftës kërkon edhe dominimin e rrugëve të shpërndarjes nëpër botë. Për këtë qëllim ajo ka mbështetur ngritjen e tubacionit lindje-perëndim e paraqitur kjo në linjën Baku-Xhihan, megjithëse kjo linjë është më e kushtueshmja (4 miliard dollarë), në dallim me linjën jugore e cila kalon nëpër Iran dhe që kushton më pak apo me linjën veriore që kalon nëpër tokat ruse. Dhe kjo për arsyen që këto dy shtete të mos kenë mundësi të vënë nën kontroll naftën e këtij rajoni dhe që të jetë vetëm nën kontrollin e saj. Ndërsa linja tjetër të cilën SHBA planifikon të ndërtojë, është linja që kalon nëpër tokat afgane. Që këtu mund të kuptojmë qartë arsyet e vërteta të pushtimit të Afganistanit, i cili me pozicionin e tij strategjik përfaqëson boshtin e rrugëkalimit të naftës dhe gazit të Kaspikut për në tregjet aziatike në të ardhmen e afërt. Kështu i jepet mundësi SHBA të kenë nën kontroll rrugët nëpër të cilat kalon energjia për në Kinë, Indi dhe Japoni gjë që do ta ndihmojë së tepërmi atë të ruaj kontrollin amerikan mbi këto shtete. Për sa i përket Rusisë ajo përpiqet aq sa mundet që me mjetet që zotëron të ndal dominimin amerikan të rajonit të cilin ajo e konsideron si rajonin që natyrshëm duhet të jetë nën kontrollin e saj, si trashëgimtare e ish Bashkimit Sovjetik. Kundërpërgjigja e saj më e fortë qe aleanca e saj strategjike me Iranin. Rusia e ka tepër të nevojshme këtë aleancë me Iranin për dy arsye: E para se Irani e mbështet atë në përcaktimin e Kaspikut si ”liqen” dhe kështu asaj i jepet mundësi më e madhe në përfitimin e burimeve natyrore të Kaspikut. E dyta se kjo aleancë shërben si kundërpërgjigje ndaj depërtimit amerikan në një rajon rus duke forcuar kështu pozitën e Iranit në rajonin e Lindjes së Mesme, rajon që është nën kontrollin e Amerikës. Mos harrojmë se Kina gjithashtu e mbështet Iranin për t’i bërë trysni SHBA për dy arsye gjithashtu: E para, të detyroj Uashingtonin që të mos mbështesë më Tajvanin, të cilin ajo e konsideron si pjesë të saj. Dhe së dyti, si kundërpërgjigje ndaj kërcënimit që Uashingtoni u bën interesave kineze në kontinentin afrikan, siç do të bëhet qartë kjo më poshtë.

Që këtu del në pah aleanca e tre shteteve ku Irani është kthyer si maja e shpatës që kërkon të luftojë depërtimin amerikan në rajonin e Lindjes së Mesme dhe për rrjedhojë si Rusia ashtu edhe Kina i dalin në ndihmë Iranit në Këshillin e Sigurimit, duke penguar dhe sabotuar rezolutat e tij apo së paku edhe zbutjen e tyre karshi Iranit si dhe për të humbur sa më tepër kohë që është e mundur. Rusia veç kësaj i jep Iranit mbështetje teknologjike bërthamore, si dhe armë të përparuara ruse. Kjo është më se e dukshme nga ndërtimi rus i stacionit iranian bërthamor të Bushherit. Kjo aleancë u konkretizua në ”Konferencën e Bashkëpunimit” në Shangai, ku të tre udhëheqësit e këtyre shteteve u takuan në një samit historik të rrezikshëm.

Ndërthurja e interesave të përbashkëta si dhe roli i rrezikshëm që Irani luan në këtë mes në interes të Rusisë dhe Kinës, shpjegon edhe moskokëçarjen iraniane ndaj kërcënimeve amerikane, madje dhe replikat sfiduese që Irani përdor ndaj këtyre kërcënimeve.

Dhe nëpërmjet portës iraniane kemi arritur në rajonin më të rëndësishëm dhe më të rrezikshëm të botës, rajonin e Lindjes së Mesme. Irani përbën hallkën lidhëse të ngjarjeve ndërmjet rajonit të detit Kaspik dhe Lindjes së Mesme. Dhe që të kuptojmë mirë se çfarë ka ndodhur në të shkuarën, ndodh tani dhe do të ndodhë në të ardhmen duhet të dimë se shtetet perëndimore kanë një strategji të lartë të cilës nuk i shmangen sado që kanë mosmarrëveshje apo përplasje interesash, dhe kjo është mospërsëritja e asaj që ndodhi në vitin 1973 me ndërprerjen e naftës apo ndezjen e luftës kundrejt tyre.

Në vija të trasha kjo strategji bazohet: Së pari, qëndrim i përhershëm në rajon për të siguruar burimet e naftës. Së dyti, mbajtja e rajonit nën tensione të përhershme luftërash për të dobësuar shtetet që gjenden në të si politikisht ashtu edhe ushtarakisht. Duke mos pasur kështu në dorë politikën e stabiliteti të këtij rajoni, për rrjedhim ky rajon do të jetë i paaftë të përdor naftën si armë strategjike me të cilën do të kërcënonte perëndimin. Ashtu siç do të ishte e paaftë që të bëhej vetë iniciatorë i një lufte kundra perëndimit. E shprehur ndryshe asnjë prej shteteve të rajonit nuk i lejohet të ketë një forcë ushtarake që do t’i mundësonte të bëhej një forcë rajonale dominuese mbi rajonin dhe për rrjedhojë edhe mbi naftën. Kjo është edhe arsyeja e asaj që i ka ndodhur Irakut dhe do t’i ndodh edhe Iranit.

Në zbatim të kësaj strategjie rajoni i Lindjes së Mesme prej kohësh është futur në një seri të gjatë tensionesh, luftërash dhe mungese stabiliteti.

Duke filluar që nga lufta Iran-Irak dhe pastaj me pushtimin e Kuvajtit për të vazhduar me embargon ndaj Irakut dhe deri në pushtimin e tij të plotë i cili jo vetëm e vë naftën irakiane në duart e amerikanëve por bën të mundur edhe kontrollin e çmimit ndërkombëtar të saj.

Aktualisht në zbatim të të njëjtës strategji po bëhen përgatitje të ethshme për të goditur nga ajri potencialin ushtarak iranian dhe sidomos atë bërthamor. Mundësitë e kësaj goditje shtohen sa herë që kongresi amerikan shton trysninë mbi Shtëpinë e Bardhë për të paraqitur një grafik tërheqje nga Iraku. Një tërheqje amerikane nga Iraku duke lënë pas një Iran bërthamor do të thotë që rajoni dhe gjithë pasuritë e tij natyrore t’i lihen për badihava dominimit iranian dhe për rrjedhim dominimit ruso-kinez. Praktikisht kjo do të thotë humbje e dominimit botëror.

Nëse Amerika e bën një gjë të tillë do të thotë t’i hap varrin vetes me duart e saj. Mirëpo siç edhe duket një zgjidhje e tillë as që i shkon nëpër mend administratës amerikane çka e dëshmojnë edhe të gjitha lëvizjet politike dhe ushtarake amerikane. Natyrisht që një sulm i tillë nuk do të bëhet me miratimin e Kombeve të Bashkuara dhe as të Këshillit të Sigurimit për shkak të mbështetjes ruse dhe kineze ndaj Iranit të cilat mund të përdorin edhe veton për ta ndalur atë. Por megjithatë të dyja këto shtete nuk kanë për të hyrë në përplasje ushtarake me SHBA, dhe Irani e di mirë këtë gjë.

Por Rusia megjithatë nëse puna arrin deri tek një sulm amerikan mbi Iranin, ajo mund ta furnizoj atë me disa armë tepër të sofistikuara ruse si për shembull raketat IS 300, që shërbejnë për goditjen e avionëve luftarak dhe që konsiderohen si raketat më të sofistikuara në nivel botëror për mbrojtjen ajrore. Këto lloj raketash janë një burim frike për forcat ajrore amerikane në çdo përgatitje që ajo bën për të hyrë në luftëra të reja. Sipas mendimit tim SHBA nuk kanë për të ndërmarr ndonjë sulm ajror ndaj Iranit para se të sigurohet se nëse Moska e ka pajisur Teheranin me këto lloj raketash apo jo. Sepse një veprim i tillë do t’i humbiste praktikisht Amerikës superioritetin e saj ajror mbi të cilin ajo më së shumti i mbështet luftërat e saj.

Dhe tani në një zonë tjetër të botës, në Afrikë. Këtu një arab mysliman mund të pyes: se çfarë do Amerika nga Sudani dhe Somalia…?

Sudani gjendet ndërmjet burimeve të Nilit, zonës së liqeneve të mëdha, Bririt Afrikan dhe vendtakimit të kolonive të vjetra; franceze të Çadit, Afrikës qendrore e Kongos dhe atyre angleze të Egjiptit, Kenias e Ugandës dhe atyre italiane të Etiopisë e Libisë, siç edhe ka dalje në Detin e Kuq me një vijë bregdetare të gjatë mbi 300 km. Sudani është një vend me hapësirë të gjerë ku sipërfaqja e tij arrin përafërsisht rreth 2.5 milion kmdhe me një sipërfaqe rreth 48.5 milionë hektarë të përshtatshme për tu kultivuar dhe shfrytëzuar si kullota, pra dyzet herë më tepër sesa tokat pjellore të Egjiptit. E megjithatë prej saj shfrytëzohen vetëm rreth 6.5 milion hektarë. Po të shtojmë këtu edhe pasuritë e mëdha natyrore si nafta, gazi, bakri, ari dhe uraniumi do të vihemi përpara një vendi që do t’i rridhte goja lëng çdo shteti kolonialist.

Në jug të Sudanit SHBA mbështetën me gjithë forcën e tyre iniciativën për sheshimin e konfliktit në mes qeverisë në veri dhe Lëvizjes Popullore në jug. Në të njëjtën kohë refuzoi iniciativën egjiptiane-libiane për të shuar të njëjtin konflikt. Dhe kjo për një arsye të thjesht për t’i mundësuar jugut që të shkëputet me vetëvendosje nga Sudani, ndërkohë që iniciativa tjetër ruante integritetin territorial të të gjithë Sudanit. Për të realizuar këtë iniciativë SHBA ushtroi të gjithë presionin e saj mbi qeverinë e Khartumit me forma nga më të ndryshme, që nga mbështetja që i jepte rebelizmit në jug e deri tek instrumentalizimi i aleatëve të saj ndërkombëtar si Britania dhe Izraeli dhe atyre rajonal afrikan që mbështesnin rebelizmin e jugut. Si rezultat qeveria sudaneze iu nënshtrua kushteve amerikane dhe nënshkroi ”marrëveshjen e Mishakus” në vitin 2002. Marrëveshje e cila i jep të drejtë jugorëve të vetëvendosin pas një periudhe transitore gjashtë vjeçare. Më pas në 2003 u nënshkrua një marrëveshje tjetër e cila siguronte mekanizmat për ndarjen e naftës dhe pushtetit për t’i dhënë akoma më tepër jugut favore në kurriz të veriut.

Për sa i përket krahinës së Darforit, sipërfaqja e së cilës është e barabartë me atë të Francës dhe numri i banorëve arrin në 6 milion dhe që përbëhet nga arab dhe raca afrikane, që të gjithë myslimanë, krizën naive të kullotave media amerikane dhe sioniste e ktheu në një krizë ndërkombëtare që u paraprinë lajmeve botërore. Për hir të saj mblidhet Këshilli i Sigurimit dhe nxjerr edhe rezoluta. Kjo krizë nuk është gjë tjetër veçse mosmarrëveshjet që lindin në mes fiseve nomade endacake arabe dhe fiseve afrikane të palëvizshme që banojnë në zonat rurale për shfrytëzimin e kullotave dhe ujit. Fiset nomade e kanë pas zakon që të zhvendoseshin nëpër zonat e El-mezar Ajn-it në kohën e thatësirës pas vjeljes së frutave, në një proces i cili rregullohej me marrëveshje lokale mes fiseve. Natyrisht që kjo nuk shmangte dhe ndonjë përplasje të mundshme e cila zgjidhej shpejt. Amerika pikërisht në këtë krizë gjeti mjetin e përshtatshëm për t’i siguruar asaj të hedh këmbën e saj në këtë rajon. Ashtu siç veproi edhe në jug edhe këtu Amerika nuk ka për tu kënaqur vetëm se me një marrëveshje e cila i hap rrugë për shkëputje Darforit, ngjashëm me marrëveshjen e Mishakus. Por para se të analizojmë arsyet të cilat e shtyn SHBA të ndërmarr këto përpjekje për të shkëputur nga Sudani këto dy krahina duhet të përmendim se pjesa më e madhe e pasurive natyrore sudaneze gjendet në zonën jugore dhe atë të Darforit. Pra pikësynimi i parë është të privohet Sudani arab mysliman nga këto burime natyrore të cilat nëse do të shfrytëzoheshin mirë do ta kthenin Sudanin në një forcë rajonale me ndikim jo vetëm në rajon por edhe në rang botëror.

Rrallë mund të gjejmë shtete ku të gjenden të gjitha këto veçori së bashku si pjelloria e tokës, prezenca e bollshme e ujit, pasuri natyrore dhe pozita strategjike. Çdo njëra prej tyre përbën një burim fuqie për shtetin dhe mendo kur ato të mblidhen të gjitha së bashku në një shtet të vetëm siç është rasti me Sudanin. Sudani para se të zbuloheshin këto pasuri quhej ”koshi i ushqimit të arabëve” e si do të quhet tani pas gjithë këtyre pasurive?! Ndaj një vend i tillë patjetër që duhet të shpërbëhet. Një nga pikësynimet jo më pak të rëndësishme është edhe lidhja e jugut të Sudanit pas shkëputjes së tij me shtetet e liqeneve të mëdha, të pasura me burime natyrore, në një aleancë të fortë, të përbërë nga Uganda, Etiopia, Eritrea, Kongo. Kjo aleancë do t’i mundësojë SHBA kontrollin e pasurive natyrore që gjenden në këtë zonë ashtu siç do t’i mundësojë asaj të vërë nën kontroll zonën e pellgut të Nilit dhe nënshtrimin e këtyre shteteve ndaj politikave amerikane. Për të realizuar këtë qëllim politika e Shtëpisë së Bardhë ndryshoi drejtim karshi Sudanit nga ”parandalim dhe izolim” në kohën e Klintonit në ”lidhje dhe krijim”, dhe kjo u shfaq në pjesëmarrjen aktive të SHBA në marrëveshjen e Mishakus që e përmendëm më parë, si parapërgatitje për shkëputjen e jugut të Sudanit dhe bashkëngjitjen e tij me këtë aleancë strategjike.

Ndërsa për sa i përket vigjilencës amerikane për tu gjendur edhe në Darfor, me çfarëdo lloj preteksti dhe forme, veç të tjerash bëhet edhe për të ndalur depërtimin historik francez në këto zona të Afrikës perëndimore, të pasura me naftë, dhe sidomos Çadi, fqinji perëndimor i Darforit, disa prej fiseve të të cilit janë fise afrikane darforiane.

Nëse do të vazhdojë ky skenar i copëtimit të shteteve ne do të shohim marrëveshje të tipit ”Fashuda” e cila ndau interesat në Afrikën veriore mes Francës dhe Britanisë në vitin 1904. Por këtë herë do të bëhet në mes Francës dhe SHBA. Ndërsa pikësynimi kryesor i vendosjes në Darfor të Amerikës është lufta ndaj depërtimit kinez gjithmonë e në rritje në të gjithë Afrikën dhe sidomos në Sudan, duke u gjendur kështu pranë puseve të naftës në perëndim dhe jug të Sudanit që kontrollohen nga kinezët. Po ashtu edhe çifutët kanë pasur prezencë dhe agjenda politike të dukshme në jug dhe në Darfor. David Ben Gurion, kryeministri i parë izraelit ka thënë: ”Ne jemi një popull i vogël, dhe mundësitë dhe burimet tona janë të kufizuara dhe ne duhet të punojmë që ta zgjidhim këtë hendek me anë të marrëdhënieve me shtetet tona armike arabe. Duke zbuluar dhe analizuar pikat e tyre të dobëta dhe sidomos marrëdhëniet ndërmjet grupeve dhe pakicave kombëtare dhe fetare që gjenden mes tyre. Të kontribuojmë në fryrjen dhe zmadhimin e këtyre pikave që në fund të kthehen në boshllëqe që vështirë se mund të mbushen apo kontrollohen.” Ben Gurioni nuk u mjaftua vetëm me fjalë por filloi aktivitetin duke formuar një grup specialistësh strategjik të cilët arritën të nxjerrin si përfundim tre pika mbi të cilën është bazuar politika izraelite me shtetet arabe. Së pari, ndërtimi i një force superiore e aftë për të mbrojtur sigurinë e Izraelit. Së dyti, izolimi i botës arabe nëpërmjet aleancave me shtetet e rëndësishme që e rrethojnë atë, si Turqia, Etiopia dhe Irani (në kohën e Shahut dhe tani Iraku) për të praktikuar politikën e ”shtrëngimit të rrathëve”. Së treti, lidhja e aleancave me pakicat kombëtare dhe fetare në botën arabe.

Kjo strategji është treguar në librin e botuar nga Qendra Dajan e Universitetit të Tel Avivit me titullin: ”Izraeli dhe lëvizja e çlirimit të Sudanit jugor… pika e fillimit dhe etapa e lëvizjes.” Në këtë libër është bërë e qartë me hollësi sesi agjentura izraelite ka mbështetur rebelët e jugut duke u ardhur atyre në ndihmë me para, armë, stërvitje të udhëheqësve dhe mbështetje politike në arenën ndërkombëtare në interes të kësaj lëvizje. Të njëjtën gjë ata bëjnë edhe me rebelët e Darforit, nuk ka sesi shpjegohet ndryshe festimi madhështor që çifutët i kushtuan rezolutës së Këshillit të Sigurimit nr. 1706 i cili bën hirrje në dërgimin e forcave ndërkombëtare në Darfor, në paragrafin e shtatë. Bëhet e qartë se strategjia e ”shtrëngimit të rrathëve” takon me strategjinë amerikane të ”anarkisë konstruktive” e cila po transformohet në ”prerjen e rrathëve” pasi është bindur se askush nuk mund të qëndrojë përpara projekteve të saj.

E ardhmja e Sudanit sipas ideologjisë amerikane dhe strategjisë së re të saj pas 11 shtatorit, e që synon riformulimin gjeostrategjik të shumë prej rajoneve mes të cilave edhe ai i Lindjes së Mesme dhe Afrikës veriore, dhe që bazohet në operacionin e zbërthimit dhe montimit, nuk del jashtë dy skenarëve të mundshëm. I pari: afrikanizimi i Sudanit dhe zhdukja e identitetit të tij arabo-islam i zëvendësuar ky me identitetin afrikan. I dyti: zbërthimi i plotë i Sudanit duke filluar nga jugu, pasuar nga Darfori dhe më pas nxitjen e zonave të tjera për të kërkuar të njëjtën gjë. Faktikisht në terren kanë filluar të duken disa shenja të tilla në zonën lindore kufitare me Eritrean dhe Etiopinë. Natyrisht që si rezultat i kësaj politike do të krijohen shtete të brishta të cilat do të dominohen lehtë nga Shtetet e Bashkuara dhe ajo që do të ngelet prej Sudanit nuk do të jetë në gjendje të rezistojë.

Nëse do të zhvendosemi në Somali do të shohim një tjetër dramë njerëzore me një tjetër shtet arab mysliman i cili copëtohet përpara syve të botës e cila as që e ngre zërin. Në Somali gjithashtu takohet strategjia ”anarkisë konstruktive” amerikane me strategjinë e ”shtrëngimit të rrathëve” izraelite, ku tashmë kemi mbërritur në etapën e ”konsumimit të rrathëve”, dhe ndërkohë presidenti i shtetit më të madh arab thotë se ai i kupton arsyet e ndërhyrjes së trupave etiopiane në Somali, dhe nuk e di se çfarë kupton në realitet ky president. Nuk është e nevojshme që të zgjatem në shpjegimin e arsyeve të asaj që ndodh sot në Somali, sepse një vështrim i shpejtë nga ti o lexues mbi hartën e Somalisë do të të bëj të qartë ty pozicionin strategjik të këtij vendi, pa u lodhur aspak. Somalia me brigjet e saj që përfshijnë një sipërfaqe rreth 3000 km2 ndodhet në udhëkryqin ku kontrollon rrugët e tregtisë botërore. Somalia është një nga vendet afrikane më strategjike të rajonit, duke qenë në një pozitë të tillë gjeografike ku kontrollon hyrjen dhe daljen e transportuesve të naftës që lëvizin ndërmjet Azisë, Afrikës dhe Lindjes së Mesme, ashtu siç mbikëqyrë edhe hyrjen jugore të Detit të Kuq, hyrje që të shpie në shtetet e Bririt Afrikan dhe që përfshin shtete si Xhibuti, Sudani, Etiopia, Kenia dhe Eritrea.

Briri Afrikan ka qenë një nga zonat më të rëndësishme të luftës së ftohtë para shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik dhe për dominimin e tij duhej patjetër të dominohej shteti më i rëndësishëm në të, Somalia. Kjo është edhe arsyeja që tregon sekretin e operacioneve të vazhdueshme ushtarake që nga operacioni i kthimit të shpresës në Dhjetor të 1992, pra vetëm dy vjet pas rrënimit të Bashkimit Sovjetik, shtet i cili ishte pengesë për përpjekjet amerikane për të dominuar këtë rajon vital, por mbas rrënimit të tij natyrisht që ra edhe kjo pengesë dhe u hap rruga për dominimin e tij, qoftë ky dominim nëpërmjet një pushtimi të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet një qeverie kukull të bindur.

Presidenti amerikan u tërbua kur pa sesi trupat e Gjykatave islamike hynë në Mogadisho dhe kthyen sigurinë dhe rendin në pjesën më të madhe të Somalisë, kjo sepse ai e di që një gjë e tillë do ta privojë SHBA nga dominimi i këtij rajoni strategjik. Dhe kështu ai i dha leje Etiopisë së burgosur gjeografikisht e cila ëndërron të ketë dalje në det, për të hyrë në luftë me Somalinë dhe rrëzimin e pushtetit të Gjykatave islamike dhe për të kthyer në pushtet qeverinë e përkohshme agjente të saj.

E di se u zgjata ca si tepër në shtjellimin e situatës në Sudan dhe Somali, por unë mendoj se vendi e kërkon një gjë të tillë. Shumë prej arabëve nuk e kanë të qartë realitetin e asaj që ndodh atje dhe projekti është shumë më i madh seç mund të imagjinojnë disa. Atë çka po pëson Sudani dhe Somalia aktualisht do ta pësojnë edhe shtete të tjera dhe secili sipas pozitës dhe rëndësisë së tij. Justifikimet dhe arsyet janë të gatshme apo po përgatiten, skenarët presin vetëm dorën e regjisorit hollivudian amerikan për të dalë nga errësirat e sirtarëve në dritën e skenës. E fillova me këto dy shtete sepse ato për ne arabët janë tepër të rëndësishme dhe se dominimi i tyre është pjesë e projektit për të dominuar Afrikën dhe rrjedhimisht edhe mbi tërë botën duke vënë nën kontroll potencialet e saj.

Për një kohë të gjatë SHBA nuk e ka pasur në llogari ekonomike dhe politike Afrikën duke e lënë atë të shfrytëzohej nga evropianët dhe kinezët pa ju hyrë gjemb në këmbë. Por ndodhi ajo që kish frikë Evropa dhe Kina, Amerika u zgjua nga gjumi i saj dhe filloi të kërkoj atë që i duket se është e drejta e saj dhe nuk ka për tu kënaqur vetëm se duke vënë nën kontroll të gjitha pasuritë afrikane për veten e saj, sepse ajo është superfuqia e vetme dhe pa rivale.

Amerika po përpiqet që të ribëj ndarjen afrikane nga e para në mënyrë që vetëm ajo të jetë dominuesja e parë e pasurive natyrore të këtij kontinenti. Mbas një shekulli të plotë të ndarjes evropiane të zonave të interesit dhe lëndës së parë dhe pas marrëdhënieve të ftohta me veriun e saj Amerika ka ndryshuar interesimin dhe për të realizuar këtë asaj i duhet që jo vetëm të ndal dominimin evropian mbi këtë zonë por edhe të largoj Kinën që ka futur hundët në ekonominë afrikane.

Amerika importon rreth 6 % të nevojave të saj për naftë dhe kjo përqindje do të ngrihet në rreth 70 % në vitet në vazhdim. Më parë ajo importonte rreth 40 % të nevojave të saj nga Gjiri Persik dhe 20 % nga Afrika. Statistikat tregojnë se kjo përqindje mund të ndryshojë në vitin 2010, ashtu siç edhe studimet bëjnë të ditur se Afrika perëndimore rezervon rreth 40 miliard fuçi nafte, shifër kjo që ka premisa të dyfishohet. Pavarësisht se kjo rezervë nuk mund të krahasohet me naftën arabe sidoqoftë ajo ngelet tepër tunduese për SHBA. Kjo naftë dhe përpjekjet e vazhdueshme amerikane për të dalë nga varësia e naftës arabe, e cila nuk ka siguri se do të rrjedh gjithmonë për të, për shkak të situatave politike të shumta të kësaj zone, shpjegon më së miri këtë interesim të papritur amerikan për këtë kontinent.

Për të futur nën kontrollin amerikan këtë zonë, Uashingtoni bën përpjekje për të dominuar rajonet strategjike të Afrikës duke i pushtuar disa në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe duke ngritur baza ushtarake të përhershme në disa të tjera.

Kostoja e investimeve kineze në Afrikë arrin rreth 14 % të investimeve, ku kompanitë kineze kanë investuar dhjetëra miliarda dollarë në Nigeri, Sudan dhe Angola për të blerë të drejtën e nxjerrjes së naftës duke shtuar këtu marrëveshjet për kërkimin e naftës me Kongon Demokratike dhe Etiopinë ashtu siç edhe nënshkroi një marrëveshje për naftën me Çadin pasi presidenti i këtij vendi përzuri kompaninë amerikane Shifron.

Kina sot në Afrikë numëron më tepër 150 qendra tregtare dhe zyra përfaqësie dhe më se 200 kompani dhe qendra shpërndarje, ashtu siç edhe ka marrëdhënie diplomatike dhe tregtare me më shumë se 45 shtete afrikane. Kulmi i këtyre sukseseve të dukshme në kontinentin afrikan për Kinën arriti kur nënshkroi marrëveshje tregtare shuma e të cilave arrinte në 40 miliard dollarë në forumin tregtar kinezo-afrikan në nëntor të vitit që shkoi. Amerika nuk mund të lejojë që këto miliarda dollarë të fluturojnë sa në veri në Evropë dhe sa në lindje në Kinë pa bërë as gjënë më të vogël. Kjo është një luftë tjetër e ftohtë por e një lloji tjetër, në të cilën kanë hyrë palët e ndryshme secili sipas metodës së tij që i duket e përshtatshme. Kina përpiqet të tërheq shtetet afrikane nëpërmjet ndihmave dhe kredive të lehtësuara, për të ngritur kështu një aleancë ekonomiko-politike i cila do të krijonte një pol botëror të ri në të ardhmen e pritshme.

Ndërsa metoda amerikane mbështet në nënshtrimin e sistemeve qeverisëse në Afrikë nëpërmjet vendosjes së kolonave politike, metodë që e përsërit në çdo vend që kërkon të fusë hundët, siç janë çështjet e të drejtave të njeriut, lufta kundra terrorizmit, kërcënimi me anë gjykatave ndërkombëtare për ata që nuk zbatojnë urdhrat e saj, apo edhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake me çfarëdo lloj argumenti për të shkurtuar kohë. Kudo që gjendet ndonjë zonë strategjike në kontinent dije se edhe Amerika gjendet atje, për të shtuar kështu dominimin e saj ndaj shteteve të këtij kontinenti. Për shembull Amerika ka një bazë ushtarake në afërsi të rajonit ku gjenden liqenet e mëdha dhe burimet e Nilit, në Uganda, ashtu siç gjendet edhe në bregdetin perëndimor për të siguruar tubacionin Çad-Kamerun, siç edhe ka nënshkruar edhe një marrëveshje me shtetin ishull të San-Tomasit për ngritjen e një baze ushtarake atje, shtet i cili ndodhet në juglindje të gjirit të Guineas të pasur me naftë e që prodhon rreth 5.4 milion fuçi naftë në ditë. Jo vetëm kaq, por Amerika është e vendosur të krijojë forca ushtarake emergjente afrikane numri i ushtarëve të cilave do të arrijë në 40 mijë trupa, e për të qenë të gatshme të ndërhyjnë në të gjitha konfliktet e kontinentit. Ashtu siç edhe ministria e mbrojtjes amerikane synon ndërtimin e një qendre komande për forcat amerikane në Afrikë për të shtuar kështu ndikimin e saj në këtë kontinent. Tash ata po punojnë për përzgjedhjen e një vendi të përshtatshëm për tu vendosur në të për këtë qëllim.

Në të shkuarën çështjet e kontinentit afrikan ndaheshin ndërmjet komandës amerikane të Lindje së Mesme me qendër në Katar, e që merrej me Bririn Afrikan dhe asaj evropiane në Gjermani që merrej me pjesën tjetër të Afrikës. Duke mos harruar këtu edhe bazën e saj të rëndësishme ushtarake në Xhibuti i cila i jep Amerikës një dominim më të shumtë të rajonin të Bririt Afrikan dhe kontrollit të rrugëve detare për transportin e Naftës.

Dhe së fundi duhet të dini se nuk ka asnjë vlerë tu japësh shpirt fjalëve të vdekura, ndaj dhe nuk do të flas për rolin e arabëve në përballjen e këtyre projekteve të reja kolonizuese. Sepse deklaratat që jepen në këto raste janë vetëm fjalë të vdekura. Roli arab i ngjason cilësive të ujit, i cili nuk as ngjyrë as shije dhe as erë, shto këtu që ai edhe jo si uji, nuk ka aspak vlerë.

Nga: Saud El-muejkalij, studiues dhe eseist saudit.

13/04/2007

Përktheu : J.topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit