Rusia të premten i përfshiu zyrat rajonale të fushatës së politikanit të burgosur të opozitës, Aleksei Navalny, në listën e rregullatorit financiar rus të organizatave të përfshira në “terrorizëm dhe ekstremizëm”.
Rregullatori publikoi një listë të përditësuar të shërbimit të monitorimit financiar të Rusisë, Rosfinmonitoring.
Një ditë më parë rrjeti i zyrave të Navalnyt ishte shpërbërë në pritje të vendimit. Në këtë listë janë edhe grupet ekstremiste islamike, Shteti Islamik dhe Al-Kaida.
Nuk është ende e qartë nëse masa ka të bëjë me një kërkesë nga prokurorët për të caktuar rrjetin rajonal të kritikut më të njohur të presidentit rus, Vladimir Putin dhe Fondacionin e tij Kundër Korrupsionit (FBK), si organizata ekstremiste.
Por, ish-koordinatori i zyrave të Navalny në Moskë, Oleg Stepanov, tha se vendimi është i lidhur me çështjen gjyqësore.
Në bazë të cilit ligj po synohet heshtja e Navalnyt?
Katër vjet më parë, një gjykatë në qytetin lindor të Blagoveshçensk, e shikoi një video satirike “Vrisni kozmonautët” në të cilën propozohet vrasje e aventurierëve të hapësirës për shkak të “ngjitjes në drejtim të parajsës”.
Gjykata vendosi që videoja e një grupi punk të quajtur “Ensemble Of Christ The Savior And Crude Mother Earth”, përbën “material ekstremist”.
Gjykata e ndaloi videon në bazë të një ligjit të vitit 2002 dhe e përfshiu në listën e materialeve të ndaluara në nivel federal.
“Përmbajtje e tekstit në video vështirë se do të mund të merrej seriozisht edhe nga audiencë më radikale”, tha në një raport më 2018 Qendra Sova, një organizatë hulumtuese ruse.
Në raportin e saj, kjo organizatë, argumentonte sesi ligji po keqpërdorej.
Që nga 29 prilli, listë e zezë e materialeve që konsiderohet ekstremiste përfshin gati 5200 artikuj, përfshirë përkthime të Biblës, video të bëra nga një grup i ndarë i Kishës Ortodokse Ruse dhe libri “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit.
Nëse janë të sakta paralajmërimet e fundit, atëherë në ditët në vijim një gjykatë e Moskës do të përfshijë një organizatë tjetër në listën e grupeve “ekstremiste”. Ai është Fondacioni Kundër Korrupsionit i kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny dhe rrjeti i grupeve të aktivistëve, të cilët për presidentin rus, Vladimir Putin janë kthyer në një sfidë të madhe.
Një urdhër i tillë do ta urdhëronte organizatën në mënyrë të efektshme nga ekzistenca, thanë aleatët e Navalny dhe ekspertë të jashtëm.
Një përfshirje e tillë do ta bënte organizatën joekzistente, thanë aleatët e Navalnyt dhe ekspertët e jashtëm.
Pa përkufizim të qartë
Ekspertët dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë kthyer prap vëmendjen te ligji pasi autoritetet ruse vendosën ta përdorin atë në betejën disavjeçare kundër Navalnyt. Ekspertët thonë se ligji është i dizajnuar në atë mënyrë që të përdoret ndaj secilit që konsiderohet rrezik për çfarë do arsye.
Vetë ligji, përcakton atë që cilësohet si ekstremizëm, por nuk përcakton në mënyrë të qartë se çfarë në radhë të parë përbën ekstremizëm.
Ligji thjesht bën renditjen e një sërë veprash penale që sanksionohen me ligj – për shembull, shpërndarja e materialeve ekstremiste, përgatitja e akteve ekstremiste dhe nxitja e urrejtjes kundër grupeve fetare ose etnike. Gjithashtu në ligj përmenden edhe kritikat ndaj zyrtarëve qeveritarë dhe politikanëve si dhe pyetjet publike që kanë të bëjnë me integritetin territorial të Rusisë.
“Në Rusi lufta kundër ekstremizmit ka dy kuptime: njëri është ligjor dhe tjetri politik”, tha drejtori i Qendrës Sova, Aleksandr Verkhovsky.
Ai i tha Radios Evropa e Lirë se që nga miratimi i tij 19 vjet më parë “ligji ka pësur amendamentime të shumta dhe është bërë më i ashpër”.
Navalny dhe Fondacioni i tij kundër Korrupsionit, për vite me radhë kanë hulumtuar për rastet e korrupsionit qeveritar, duke shënjestruar edhe aleatët e afërt të presidentit, Vladimir Putin.
Hulumtimi më i njohur është ai i një rezidence të pasur në Detin e Zi, për të cilën Fondacioni i Navalnyt pretendon se është ndërtuar për Putinin. Videoja në Youtube është ndër më të shikuarat në gjuhën ruse.
Navalny gjithashtu ka organizuar të ashtuquajturat fushata të Votimit të Zgjuar në të gjithë vendin, që kishin për qëllim edukimin e votuesve.
Prokurorët kanë akuzuar organizatat e Navalnyt se, janë ” angazhuar në krijimin e kushteve për destabilizimin e situatës sociale dhe socio-politike duke u fshehur nën parullat e tyre liberale”.
Nëse Gjykata e miraton akuzën e prokurorëve, atëherë të gjithë ata që zbulohen se janë anëtarë të një organizate të tillë mund të përballen me 12 vjet burgim.
Në rastet kur dikush financon një organizatë të tillë mund të dënohet deri në dhjetë vjet, dhe kushdo që përdorë logot, parulla ose simbolet e organizatave mund të ndalohet të kandidojë për pozita shtetëore.
Navalny dhe mbështetësit e tij e cilësojnë lëndën kundër tyre si shpifje thonë se qëllimi është që Navalny të mbahet në burg.
Navalny u arrestua më 17 janar pas kthimit të tij në Rusi nga Gjermania, ku ai mori trajtim pas sulmin me agjent helmues në Siberi. Ai ka insistuar që helmimi i tij me një agjent nervor kimik – Noviçok – ishte urdhëruar direkt nga presidenti rus, Vladimir Putin.