GJENEVË (AA) – Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), njoftoi se numri i muslimanëve të Arakanit të cilët janë strehuar në Bangladesh duke ikur nga dhuna e nisur më 25 gusht në Mianmar, ka arritur në 582 mijë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Komisionerit të Lartë për Refugjatët pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNHCR), Andrej Mahecic, në konferencën për shtyp në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, tha se që nga dita e diel 10-15 mijë refugjatë të Arakanit kanë kaluar në Bangladesh nga kufirin Anjiman Para, të pikës së kalimit Ukhiya.
Mahecic, theksoi se refugjatët të cilët kanë arritur në Bangladesh në fillim pavarësisht të gjitha llojeve të kërcënimeve për vdekje dhe rreziqeve kanë preferuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre në Mianmar, por pasi që u është vënë zjarr fshatrave të tyre nuk kanë pasur zgjidhje tjetër përveçse të ikin në Bangladesh.
Ai duke treguar se numri i refugjatëve të Arakanit që kanë arritur në Bangladesh që nga 25 gushti ka arritur shifrën 582 mijë, tha se në kampe janë duke luftuar me kohën së bashku me Gjysmë Hënën e Kuqe të Bangladeshit si dhe me organizatat humanitare të tjera kundër urisë dhe etjes.
Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.
Nga sulmet janë djegur qindra fshatra nga ana e ushtrisë dhe budistëve radikal. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit po përpiqen që të largohen nga rajoni për shkak të sigurisë së jetës. Civilët që largohen nga Mianmari kalojnë në Bangladesh përmes detit, lumit Naf dhe zonës malore.