0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Rritet importi nga Serbia: 400 milionë euro në vit produkte nga Serbia

Më të lexuarat

Eksporti i produkteve të Serbisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare është në rritje nga viti në vit. Janë rreth 400 milionë euro në vit produkte të ndryshme që importohen nga Serbia, duke u bërë kështu importuesi më i madh në Kosovë.

Vetëm gjatë nëntë muajve të këtij viti, Serbia ka eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej mbi 300 milionë euro, derisa, eksportet e Kosovës në Serbi për të njëjtën periudhë arrijnë vlerën e jo më shumë se 35 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se krahasuar me vitin e kaluar eksportet nga Serbia kanë shënuar rritje për 15 për qind.

“Vlera e importeve nga Serbia deri në fund të muajit shtator të këtij viti tregon se ka një rritje të vlerës së këtyre mallrave. Nëse në vitin e kaluar në të njëjtën periudhë kemi pasur 284 milionë euro mallra të importuara nga Serbia, gjatë këtij viti kemi 327 milionë euro, ka një rritje prej 43 milionë euro”.

“Derisa, eksporti i Kosovës në Serbi gjatë kësaj periudhe ka qenë në vlerë prej 35 milionë euro, ndërsa gjatë vitit të kaluar ka qenë 24 milionë euro, ka një rritje prej 15 milionë euro apo në përqindje 44 për qind”, thotë Stavileci.

Importi i produkteve nga Serbia, shton Stavileci, është i fokusuar në industrinë e ushqimit, por ka edhe produkte tjera industriale, kurse eksporti i Kosovës në Serbi është i fokusuar në pemë, perime dhe materiale ndërtimore.

Kosova, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar. Kontributi i eksporteve në volumin tregtar, sipas të dhënave të vitit 2016 ishte shumë i ulët, me rreth 310 milionë euro, kurse importi afër 3 miliardë euro.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se varshmëria e tregut të Kosovës nga produktet e huaja, tregon për politikat e pafavorshme fiskale, më të cilat përballen prodhuesit e Kosovës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini thotë se bizneset e Kosovës, vazhdojnë të ballafaqohen me një konkurrencë të padrejtë, ekonomi joformale dhe probleme tjera që pamundësojnë zhvillimin e tyre.

Këto barriera, shton Shahini, e bëjnë Kosovën të mos jetë konkurruese me produktet e saj.

“Kosova mbetet vendi më i fuqishëm konsumues krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor. Arsyet dhe shkaqet janë se prodhimi vendor është ngarkuar me ngarkesa të panevojshme të politikave fiskale. Kjo e bën që Kosova të jetë eksploruesi më i fuqishëm i parave të gatshme”.

“Kosova me këtë ekonomi të dobët vendore, do të duhet të fokusohet në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe eksportuese dhe të mbështes politikat ekonomike me një strategji afatgjate”, thotë Shahini.

Sipas Shahinit shumë nga prodhimet vendore mund të zëvendësohen me produktet që vinë nga Serbia dhe vendet tjera të rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Ai thotë se derisa kompanitë nga Serbia arrijnë të kenë treg të madh në Kosovë, produktet e Kosovë më shumë vështirësi depërtojnë në tregun e Serbisë.

“Serbia mbetet partneri jonë kryesor sa i përket importeve nga ta, derisa produktet e Kosovës mbeten të padëshiruara në Serbi. Kjo duhet ta ngrit vetëdijen tonë, si tek institucionet ashtu edhe tek konsumatorët. Ne kemi disa sektorë të zhvilluar derisa ne vazhdojmë të importojmë po ato produkte që vet i prodhojmë, duke i bërë kështu konkurrencë produkteve tona”, thotë Shahini.

Ndryshe, një nga arsyet e rritjes së shkëmbimeve tregtare me Serbinë, që e theksojnë përfaqësuesit e bizneseve ka qenë edhe marrëveshja për Tregti të Lirë CEFTA,ku vendet e Ballkanit Perëndimor janë anëtare të këtij mekanizimi – dhe nuk ka obligime doganore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit