4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Rritet fluksi i migrantëve në Maqedoni, hyrjet selektive

Më të lexuarat

Gjendja në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë, në Gjevgjeli, mbetet e pandryshuar.

Më shumë se dy mijë migrantë ekonomikë vazhdojnë të protestojnë kundër vendimit të autoriteteve të Maqedonisë për të mos lejuar hyrjen në vend të personave nga Irani, Maroku, Bangladeshi, e shtete tjera ku nuk ka vatra lufte.

Vendimi pason ndalesat që autoritetet e Serbisë i kanë bërë pikërisht kësaj kategorie të migrantëve, që ishin lejuar të hyjnë nga Greqia në Maqedoni.

“Kjo nuk është fer, pasi disa njerëz lëshohen të hyjnë, e disa të tjerë mbeten këtu të kalojnë natën. Nuk kemi ujë, e as ushqime, kemi edhe të sëmurë si pasojë e lodhjes dhe kushteve të rënda”, thotë një migrant nga Maroku.

“Si mund të dallojnë sirianët nga iranianët?! Edhe në jemi njerëz të mirë, jemi njerëz të qetë, nuk jemi të dhunshëm dhe jeni nisur për një jetë më të mirë. Policia kërkon që të kthehemi pas, por ne nuk kemi se ku të shkojmë”, thotë një tjetër migrant nga Irani.

Lidhur me ndalesat, ka reaguar edhe Zyra e Avokatit të Popullit, duke kërkuar nga autoritetet respektimin e konventave ndërkombëtare që parashohin sistemimin dhe shqyrtimin e kërkesës së çdo personi që kërkon azil.

Ndërkohë, numri i migrantëve të tjerë nga Siria, Iraku dhe Afganistani vazhdon të sillet në disa mijëra në ditë.

Ministria e Punëve të Brendshme, ka bërë të ditur se nga 19 qershori e deri më 20 nëntor nëpër Maqedoni kanë kaluar më shumë se 265 mijë migrantë, por ky numër besohet të jetë më i lartë për shkak të hyrjeve ilegale.

Policia thotë se gjendja e sigurisë në kampin e pranimit në Gjevgjeli, është e qetë, ndërsa sipas një vendimi të Këshillit të sigurisë kombëtare, në zonën kufitare me Greqinë do të vendoset edhe një gardh me tela me gjemba, varësisht zhvillimit të situatës.

Në lidhje me këtë masë të ndërmarrë ka pasur reagime të ndryshme, madje edhe nga Akademia e Shkencave të Maqedonisë, e cila ka kërkuar trajtim njerëzor të migrantëve dhe jo secili prej tyre të trajtohet si terrorist.

“Do të doja që shteti të jetë efikas në dallimin e së keqes dhe të mirës dhe jo të gjithë migrantët të identifikohen si terroristë. Ata duhet të kenë trajtim njerëzor”, thotë akademiku Vllado Kamvbovski.

Nga ana tjetër, organizatat joqeveritare që janë angazhuar më së shumti që t’u ndihmojnë këtyre personave, ankohen për kushte të këqija, ndërsa alarmojnë se gjendja mund të përkeqësohet tani në stinën e dimrit.

“Kushtet brenda kampit, janë vërtet të këqija, migrantët kanë të ftohtë, ndërsa gjendja pritet të përkeqësohet tani kur të intensifikohen të reshurat e shiut dhe borës. Kishte premtime për ndërmarrjen e disa masave për ngrohje, por deri më tani asgjë nuk është realizuar”, thotë Mersiha Smailoviq nga organizata joqeveritare, “Legis”.

Bashkimi Evropian i ka ndarë Maqedonisë 2.5 milionë euro për përballje me krizën e migrantëve.

Organizatat joqeveritare kanë ngritur dyshime lidhur me këto fonde, pasi, sipas tyre, gjendja në terren nuk ka ndryshuar aspak. Sipas tyre, migrantët vazhdojnë të përballen me kushte të rënda dhe të paguajnë edhe transportin deri në kufirin me Serbinë, madje, dyfish më të lartë që po ashtu konsiderohet si diskriminim.

Migrantët që hyjnë në Maqedoni, fillimisht vendosen në qendrën e pranimit në Gjevgjeli, prej nga nisen drejt vendkalimit kufitar me Serbinë./REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit