9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Rreziqet dhe armiqtë e rrugës së suksesit

Më të lexuarat

Udhëtar i ri i rrugës së ngritjes dhe suksesit! Dije që në rrugën në të cilën ke filluar të hapërosh ka shumë gryka të rrezikshme dhe kaçakë të cilët ta presin rrugën. Në të vërtetë çdo udhëtar i rrugës jetësore has në këto vështirësi. Por, këta armiq me gjithë qejf dëshirojnë t’i sulmojnë të zemërdëlirët e papërvojë të cilët janë në prag të jetës. Kjo nuk do të thotë se ti nuk ke armë me të cilën do t’i luftosh dhe do t’i mposhtish ata. Mjafton që të dish t’i përdorish këto armë. Nëse nuk di t’i përdorish dhe nëse njëherë e humbe betejen, vështirë do t’i kthehesh përsëri asaj. Më lejo që së pari të t’i tregoj armiqtë të cilët presin të kalosh dhe rreziqet me të cilat do të ballafaqohesh.

Armiku i parë i suksesit është përtacia


Armiku yt i parë në rrugën e suksesit është përtacia. Këtu nuk mendoj ta përkufizoj këtë shprehi të demshme. Atë edhe unë edhe ti, ne të gjithë pak a shumë e dimë, për arsye se që moti është thënë se njeriu është gjallese përtace. Por, une ty do të them vetëm një gjë, përtacia nuk është armik i cili i del përpara njeriut dhe përleshet me të si burrat. Përkundrazi, përtacia është një frikacake që merr forma te ndryshme si trimat e tregimeve të vjetra dhe duke përdorë me mijëra dredhi mundohet që ta mposhtë njeriun. Madhësia e rrezikut fshihet pikërisht këtu.

Përtacia, varësisht nga njeriu dhe koha në të cilën paraqitet, hyn në të gjitha format e mundshme. Ajo e fiton karakterin varësisht nga karakteri dhe sjelljet e njeriut që gjendet përballe. Sinonimet e ndryshme të përtacisë i tregojnë qartë format e saj. Një sinonim i përtacisë është edhe përtimi. Sinonimet tjera janë: indiferenca, mospërfillja, snobizmi, indolenca, denbelizmi, qejfkënaqësia, hutia…! Pertacia nuk shfaqet para çdokujt në të njëjtën formë. Ajo gjithnjë e ndërron rolin si artisti pa punë. Herë merr formën e mikut të sinqertë dhe mirëdashës, herë formën e arsyetimit, si sëmundje, lodhje, dhembje e herë duket se bën punë por në të vërtetë nuk punon asgjë, ndërsa herën tjetër flet ëmbël dhe të mashtron. Ajo ka një filozofi mashtruese dhe letërsi demagogjike. Tash dëgjo me vëmendje meqë do të t’i lexoj disa pjesë nga libri i përtacisë

– Oh mor burrë edhe ti…, çka bëjnë ata që punojnë..? – Mos e dëshpëro veten në këtë botë kalimtare, puna është lodhje. Jeta është një shans. – Nëse ke shans ke çdo gjë. Nëse nuk ke shans edhe veten në e copëtofsh s’ka fajde. Ti e di se edhe ai që e solli ujin edhe ai që e theu shtamën është i njëjti..! -Ti theje shtamen, ujin le ta sjellin te tjerët, kurse ti pi me shëndet..! Nëse një punë duhet të bëhet, edhe në kokë të shpinës në qëndrosh ajo do të bëhet, por nëse nuk do të bëhet, edhe po qe se ndahesh më dysh ajo nuk do të bëhet. – Lëre njëherë, shtrihu, nesër në mëngjes e bën.- Ty puna nuk të bën mirë, të humb oreksi, të shuhet gëzimi. E kam shprehi, nuk mundem që tërë vitin të endem nëpër biblioteka me libër nën sqetull, çfare te bej..! -Njëzet ditë para provimeve do te ulem, do ta lodh kokën dhe tak, do t’i jap provimet. Nuk e di pse mendja vetëm në provim më zgjohet, gjatë vitit jam si në gjumë… Dhe, pse të lodhem, edhe ai i suksesshmi edhe i pasuksesshmi a nuk do të vdesin? – Njeriu njëherë vjen në këtë botë, shiko të jetosh pa brenga në këtë jetë.

Sa e sa gjëra tjera të ngjashme ka në librin e përtacisë. Nuk dëshiroj që të ta lodh kokën me gjërat të cilat edhe vetë i di. Por një gjë do ta them, nëse je përtac dhe përtacia yte nuk është për shkak të ndonjë sëmundjeje organike por vetëm mosvarje e veshit, mospërfillje, indolence, dembelizëm apo përtim, ate-herë me përdorimin e vullnetit mund ta mposhtish këtë armik të suksesit. Por, nëse ke të meta trupore, atëherë këtë duhet ta konsultosh me mjekët.




Armiku tjetër i suksesit është edhe shoku i keq

Miku im i ri! Armiku i dytë i rrezikshëm në rrugën tënde të suksesit është shoku i keq. Ai është fatkeqësia më e madhe që mund ta godasë të riun. Dhe si çdo e keqe, edhe kjo është dinake dhe e maskuar. Maskën e ka të vënduar me shkathtësi të madhe. Përdorë fjalorin e shokut. Tregohet se të ndihmon dhe të mbron. Bën çdo gjë që t’ia keshë lakminë atij. Përtacia është në brendinë tënde dhe të flet me gjuhën tënde, kurse shoku i keq flet me gjuhen e vet dhe më shpejtë të tërheq kah vetja. Ne të shumtën e rasteve përtacia paraqitet me pretendimet e shokut të keq dhe kohë pas kohe bëhet shprehi dhe vendoset në brendinë tonë. Shoku i keq ka një filozofi flagrante. Ne çdo moment, qoftë nëpërmjet fjalëve qofte nepermjet sjelljeve ta terheq vëmendjen. Vellacko jetoje rininë, kjo rini nuk vjen edhe njëherë. Njerëzit të cilët të këshillojnë vetë e kanë jetuar rininë dhe tash ta kanë zilinë ty, mos ua var veshin, argëtohu…! sa e sa gjëra të tjera të thotë.

Shoku i keq shqetësohet prej punëtorëve dhe fshehurazi ua ka zilinë, fillon të tallet me ta dhe t’i nënçmojë e në këtë mënyrë hakmerret ndaj tyre. Mundohet të gjejë mënyrë që me çdo kusht të të tërheqë në greminën në të cilën ka rrëshqitur vetë. Me fjalët dhe sjelljet e veta ta shkatërron energjinë shpirtërore dhe të lë përballë me nje lodhje shpirtërore. Thënë shkurt, shoku i keq është fatkeqësia më e madhe që mund ta godasë të riun. Po qe se bashkohen përtacia dhe shoku i keq, atëherë shumë vështirë mund të shpëtohet nga kthetrat e ketyre dy armiqve keqbërës.

Dëgjo mirë çfarë të them: Kushtet të cilat do t’i kërkosh te shoku yt duhet të jenë: puna, sinqeriteti dhe mirësia. Njeriu i cili i ka këto cilësi është i stolisur edhe me të gjitha cilësitë tjera të mira. Këtë mos e harro dhe me njerëzit të cilët nuk i plotësojnë këto kushte mos u shoqëro kurrë.



Armiku tjetër i suksesit është shembulli i keq

Në rrugën e suksesit do të hasish edhe një armik, e ai është shembulli i keq. Shembujt e këqij janë parazitë në formë të njeriut të cilët vazhdimisht mundohen t’i pengojnë, t’ua mbyllin sytë njerëzve që kanë arritur pozitë, që kanë famë ose pasuri. Në realitet këta shembuj nuk i kemi vetëm sot, ata kanë ekzistuar në të gjitha epokat. Në çdo kohë ekzistonin njerëz të cilët duke e shfrytëzuar qëllimmirësinë dhe zemërgjerësinë e të tjerëve i kanë mbushur qeset e veta. Por, sot ata disi u shtuan tepër. Sytë tu të papërvojë në çdo kënd i shohin vetëm këta njerëz. Fatkeqësisht jetës tënde të përkryer të stolisur me punë të përhershme permanente dhe durim të madh, shijen ia humbin këta parazite.

Si çdo e keqe edhe shembujt e këqij kanë filozofinë e vet e cila shkakton vetëm të liga. Epiqendra e kësaj filozofie është “egocentrizmi”, vendosja e vetes në qendër të të gjitha gjallesave dhe të menduarit vetëm për veten. Ndërsa parimi i suksesit është (pa marrë parasysh në çfarë mënyre) të arrihet absolutja. Në të vërtetë këta janë parazitët më të ligë të botës njerëzore. Dobësitë morale të cilat i theksova më lartë, si p.sh. egocentrizmi, këta njerëz i konsiderojnë si fryte të intelektit dhe në mënyrë jo të ndershme tallen me to, ndërsa arritjen e suksesit nëpërmjet mashtrimit e konsiderojnë sukses më të madh.

Ki kujdes, këta njerëz kurrën e kurrës mos i merr për udhërrëfyes të jetës. Mos lakmo jetën luk- soze e të pavlerë të sharllatanllëkut dhe parazitllëkut e assesi mos dysho në rezultatin e sigurt të punës së ndershme, mos e shkatërro fuqinë shpirtërore dhe mos ua lësho ardhmërinë tënde tekeve të një rastësie të errët. Mos lakmo sarajin prej kartuqi të intelektit plot intriga dhe dredhi. Gjithsesi dije që njeriut i cili vërtet është njeri, i ka hije rruga e ndershmërisë dhe drejtësisë.

Ndershmëria do të thotë që njeriu kur të gjendet kokë më kokë me ndërgjegjen e vet, të mos ketë llogari turpëruese që do t’ia japë asaj. Të jeshë i si- gurt se ky është kushti parësor i të qenit i lumtur dhe i qetë. Nëse dëshiron të jetosh si njeri i qetë, atëherë këtë qetësi do ta arrish vetëm me drejtësi. Mos harro se thelbi i suksesit është arritja në cak në saje të hapërimit rrugës së drejtësisë dhe ndershmërisë, e assesi nuk do të thotë arritje në pasuri, famë ose pozitë me çfarëdo mjetesh apo në çfarëdo mënyre. Sikur të mos ishte kështu atëherë vjedhësve, vrasës- ve, shtypësve të cilët nuk arrin t’i kapë policia, do të duhej t’u thuhet se janë njerëzit më të suksesshëm.

Armiqtë kryesorë dhe tejet të rrezikshëm të cilët do t’i hasish në rrugën e ngritjes dhe suksesit janë të sipërpërmendurit. Në të vërtetë, ndoshta kishte nevojë të të jap disa këshilla edhe në lidhje me librat e dëmshëm dhe profesorët e rrezikshëm. Por kjo nuk është detyra jote por e nëpunësve dhe udhëheqësve të Ministrisë së Arsimit.

Siç thash edhe më parë, ti ke dy armë të forta me të cilat mund t’i luftosh këta armiq: punën dhe vullnetin. Por, me rëndësi është që ta edukosh vullnetin dhe ta njohesh mënyrën frytdhënëse të punës. Sipas meje, dituria më e nevojshme për ty në këtë moment është kjo.


/Ali Fuad Bashgil – “Kokë me kokë me të rinjët”/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit