Rreziku që vjen nga udhëheqës si Viktor Orban dhe Aleksandër Vuçiç nuk është ideologjia, por shfrytëzimi i paskrupullt që i bëjnë opinionit publik.
Dy javë para se të merrte fitoren e fundit në zgjedhje, Kryeministri hungarez, Viktor Orban, udhëtoi në qytezën serbe të Subotikas për të takuar mikun e tij të ngushtë, presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Jashtë Ballkanit ka shumë pak njerëz që i kushtojnë rëndësi miqësisë së fortë midis këtyre dy personazheve, por të anashkalosh diçka të tillë mund të jetë e rrezikshme.
Po t’i shohësh me kujdes, kjo dyshe tregon shumë për hallkat që janë krijuar në Europën e sotme midis intrigave politike, nacionalizmit, dhe suksesit të demogogëve.
Orbani dhe Vuçiçi e pëlqejnë njëri-tjetrin sepse kanë shumë të përbashkëta, edhe pse njëri e ka bërë BE-në armike duke qenë pjesë e saj, ndërsa tjetri mbetet jashtë, por me synime për t’u bashkuar.
Janë pak a shumë të të njëjtit brez; brezi që hyri në politikë në kohë të trazuara, pas rënies së bllokut komunist.
Të dy tërheqin ndjenja nacionaliste, por në të njëjtën kohë përpiqen të mos këpusin lidhjet me aktorë të rëndësishëm të BE-së, sidomos Gjermaninë. Dhe udhëheqin me dorë të fortë, pa shfaqur interes për ekuilibrat, demokracinë liberale apo shtypin e lirë.
Por ajo që të befason më shumë – e që po ashtu tregon shumë për këtë fazë të sapo-nisur në politikën europiane – është se si Orbani dhe Vuçiçi kanë arritur të rishpikin një imazh spektakolar të vetes këto vitet e fundit.
Receta e tyre për mbijetesë dhe për t’u pozicionuar mirë në beteja politike është fakti i të qenit kameleonë. Mbushin televizionet e kontrolluara nga shteti plot me ideologji, por vetë nuk i qëndrojnë besnikë asnjë besimi.
Parullat e tyre janë thjesht kostume që ndërrohen sipas rastit, kur t’u leverdisë më shumë. Fuqia u buron nga aftësia për të nuhatur se nga do të anojë opinioni publik, dhe se si mund ta shfrytëzojnë sa më mirë.
Shikoni karrierat e tyre. Orbani kaloi nga përfaqësues i rinisë së tranzicionit demokratik, në fund të viteve 1980, në pionier të maktheve nacionaliste që po përjeton sot Europa.
Vuçiç ka qenë admirues i patundur i kasapëve gjakatarë të Ballkanit në vitet ‘90, aq sa iu bashkua stafit propagandistik të Sllobodan Millosheviçit, si Ministër Informacioni. Por në fund të vitit 2010 u shndërrua papritur në një pro-Europian që dukej i arsyeshëm. Ai e kishte kuptuar mirë që ëndrrat e Serbisë së Madhe kishin rënë tashmë, e që ndjenja nacionaliste ishte konsumuar e mposhtur.
Po, ashtu si Orbani, edhe ai vuri re se joshja ndaj Brukselit kishte nisur të binte, ndaj vendosi se kishte ardhur koha ta orientonte politikën tjetërkund. Vuçiç pa një mundësi të mirë për t’u shndërruar. Ai e mbajti vendin zyrtarisht të lidhur me integrimin në BE-së, ndërsa Orbani zgjodhi të kalojë në anën tjetër.
Duken anë të kundërta, por motivimi është i njëjti: sigurimi i pushtetit. Manovrimet makiaveljane nuk ndodhin rrallë në politikë. Orbani dhe Vuçiçi dinë t’i bëjnë mirë. Por rëndësi ka ndikimi që kanë këto ndryshime për të ardhmen e Europës, dhe nëse ka mundësi që të ndodhin ndryshme të tjera, ndoshta më ndryshe nga këto.
Këta dy njerëz janë të rëndësishëm. Orbani i Hungarisë është magnet për të djathtën ekstreme në anë të tjera të kontinentit. Serbia ka çelësin për stabilitetin në Ballkan, një zonë e brishtë por domethënëse për sigurinë strategjike të Europës, për të cilën Uinston Çërçill ka thënë një herë se “prodhon më shumë histori se ç’mund të konsumojë”.
Në librin e tij “Europa, Pas Luftës”, historiani Tony Judt nuk i vlerëson intelektualët disidentë si domethënës për të konsoliduar Europën Qendrore, pas revolucioneve të viteve 1989. Ai vë në dukje se më e rrezikshme është diçka tjetër, fakti që ish zyrtarët më të lartë të partive në pushtet po transformoheshin, brenda pak muajsh, nga servilë të nomeklaturës në mbrojtës të zjarrtë të pluralizmit.
“Mbijetesa varet nga ekuilibrimi i aleancave.”, shkroi ai. Fjalët kyçe u bënë “ekonomia e tregut”, “demokratizimi” dhe “shoqëria civile” (ose Europa, e cila i përfshinte të tria bashkë). Këtë e ka përjetuar vetë Orbani.
Gjërat në Jugosllavi ishin ndryshe nga ato në Hungari, sepse kishte popullata të ndryshme, etni të përziera. Nacionalizmi i mbeti Milosheviçit si mënyra e vetme për të mbajtur pushtetit. Dhe Vuçiçi u bë pjesë e asaj historie.
Po sot? U ndodha në Beograd pak pasi Orbani dhe Vuçiçi ishin takuar në Subotika. Bisedat mes politikanëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile ishin rreth ndjenjave të zjarrta që po ndizeshin sërish për Kosovën. Spekulimet ishin të shumta.
Diskutohej nëse Vuçiçi do të zgjidhte të shfrytëzonte tensionet në rajon, apo ta kthente veten në një ultra-nacionalist që kërkon të kapë territore. Kjo mund të ishte mënyra e tij për të kompensuar humbjen e legjitimitetit personal në rast se nuk materializoheshin synimet për t’u bashkuar me BE-në.
Interesant ishte fakti që kishte komente edhe për interesin e Orbanit mbi minoritetin hungarez në Serbi, Vojvodinën, ku ndodhet qyteti Subotika.
Shumë banorë në Vojvodinë kanë dyshtetësi, ndaj votuan edhe në Hungari për zgjedhjet e fundit. Mendimet më pesimiste që dëgjova ishin që Orbani dhe Vuçiçi do të përpiqen të ndryshojnë kufijtë, duke i bërë qejfin Hungarisë për marrëveshjen e Trianonit, në vitin 1920; dhe Serbisë me fiksimin që ka për Kosovën.
Pavarësisht bisedave të tanishme për tkurrje të demokracisë, kriza e ardhshme për Europën mund të lidhet me acarimet etnike dhe territoriale, sado që tani duket si mundësi e largët.
BE ka vetëm një mjet për t’i parandaluar këto skenare: bashkimi dhe mbrojtja e parimeve duke përdorur fuqinë e butë, me presione dhe joshje të mëtejshme.
Duhet të veprojë tani dhe të mos i lejojë demagogët përfitues që të zhyten në tundimet e tyre më të errëta.
Mos harroni që këta janë kameleonë, përshtaten me të gjitha rrethanat. Ashtu siç i ndërruan ngjyrat më parë, mund t’i ndërrojnë edhe tani. Pyetja është se si t’i shtysh.(tch)