Shqiptarët edhe pse janë ndër popujt më të vjetër në Evropë, shkrimin e kanë të dokumentuar në një periudhë të vonshme, në shek. XV. Që nga ajo Kohë, rrugëtimi i shqipes deri në standardizimin e saj ka kaluar nëpër faza të ndryshme, duke bërë përpjekje për të zgjidhur këtë çështje me rëndësi kombëtare, që shqiptarët të afrohen sa më shumë si në aspektin kombëtar ashtu edhe në atë gjuhësor.
Problemi i standardizimit të gjuhës shqipe, vëmendjen më të madhe e mori gjatë Rilindjes Kombëtare. Qëllimi i studiuesve të kësaj periudhe ishte t’i zgjidhnin problemet praktike të gjuhës letrare shqipe në gramatikat shkollore. Gjatë këtyre trajtimeve autorët e kësaj periudhe i shprehnin edhe pikëpamjet e tyre edhe për standardizimin e gjuhës shqipe. Në studimet dhe në artikujt që u shkruan lidhur me gjuhën letrare shqipe u shprehën edhe pikëpamjet rreth mundësisë së njësimit të gjuhës letrare shqipe, pra të gjuhës standarde dhe dolën teori të ndryshme, të cilat studiuesi Raka(1) i ka klasifikuar në dy grupe të mëdha: teoritë që mohuan mundësinë e formimit të gjuhës së njësuar letrare shqipe dhe teoritë që pohuan mundësinë e formimit të gjuhës së njësuar letrare shqipe. Në teoritë e pohimit propozoheshin disa variante: teoria e cila propozonte që në bazën e gjuhës së njësuar letrare shqipe të viheshin elementet e përbashkëta të të dy dialekteve, në krye me Faik Konicën, Sami Frashërin, Ndre Mjedën, Asdrenin etj. Pastaj teoria e toskërishtes e Aleksandër Xhuvanit, e cila pati shumë përkrahës nga radhët e shkrimtarëve e të studiuesve të gjuhës, edhe pse Xhuvani më vonë hoqi dorë nga kjo teori.(2) Teoria e tretë propozonte që në bazë të gjuhës letrare të ngrihej njëri nga bashkë-variantet e gegërishtes: elbasanishtja (Hani, Pederseni, Pekmezi, Gurakuqi), shkodranishtja (kleri shkodran) ose pangegërishtja (Selman Riza). Ndërsa teoria tjerët synonte që arbërishtja (De Rada) të ishte bazë e shqipes standarde. Sipas studiuesit Raka(3) edhe pse në dukje të jashtme këto teori paraqiten të ndryshme, ato kanë një element të përbashkët thelbësor, sepse kërkojnë bazë për bashkëveprim ndërdialektor për ta krijuar një normë të vetme letrare.
Nga kjo që u përmend më lartë, mund të kuptojmë se autorë të ndryshëm shqiptarë, sidomos gjatë kohës së Rilindjes Kombëtare punuan dhe u angazhuan të zgjidhnin çështjen e njësimit të shqipes standarde.
Të gjitha këto ide autorët i shprehnin në artikujt e tyre që i botonin në revista të ndryshme. Një shkrim të gjatë përkitazi me këtë problematikë e trajton edhe revista “Kultura Islame”, e botuar në nr. 13-14 shtatortetor 1940, me titull “Çeshtje e gjuhës s’onë”
Këtë artikull, autori me inicialet S.K. e nis me teoritë e ndryshme që tashmë ishin paraqitur në revista të ndryshme rreth formimit të shqipes standarde dhe që në fillim shpreh bindjen e shumicës se kjo çështje duhet të zgjidhet pa imponime dhe pa dekrete qeveritare: “Shumica është e mejtimit se për një gjuhë letrare sështë e mundur timponohet me dekret, mbassi këtë do t’a formojë shkrimtari që do të dali apo një grup shkrimtarësh. Kjo është e vertetë dhe sduhen bërë diskutime mbi këte.”(4)
Autori e sheh të drejtë formimin e një gjuhe letrare, me të cilën do të përpiloheshin qarkore, lutje, libra shkollor etj., sepse: “interesi i shtetit e don që të kemi një unitet gjuhësor”(5)
Por, sipas tij, për këtë çështje dalin vështirësi të mëdha, së pari është me interes që “Lënda e shkruar në çdo dialekt që të jetë, duhet t’i përshtatet natyrës së gjuhës sonë e të shikohen rregullat gjuhësore. Është për t’ardhur keq, kur shef shkrime gjithfarësh të hartuara pa gramatikë, pa orthografi me një stil të keq e të bastardhuar.”
Vështirësi tjetër është edhe mungesa e një fjalori dhe e një gramatike për të parë bukurinë e dialektit që do të përzgjidhej Pastaj na mungon edhe nji fjalor me Anën e të cilit do të kuptojmë pasurinë e fjalëve të nji dialekti. Duhet prap edhe një gramatikë e zgjeruar, në të cilën do të çfaqen trajtat e ndryshme e sidomos ato më të bukurat të një dialekti.(6)
Mungesa e mbledhjes së materialeve të ndryshme nga gjiri i popullit, si frazeologjia, proverbat, vallet, vajtimet, ishte problem “Një gjë tjetër prap me rëndësi është edhe mbledhja e një epopëje kombtare, d.m.th. folklorë përgjithësisht, frazeologji, këngë, proverba, valle, vajtime etj. Me anën e epopesë do të kuptojmë se në cilin dialekt është çfaqur më mirë ndjenja, shpirti, zgjuarsija, karakteri e bukurija gjuhësore e popullit.”
Duke i parë të gjitha këto vështirësi autori thekson se “Massi, na mungojnë këto është e vështirë që të formohet hë për hë një gjuhë zyrtare me kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse sështë e mundur ndryshe të studjohen dialektet, që kështu të mundemi të formojmë pastaj gjuhën zyrtare me atë dialekt që t’ishte më i përshtatur e më i bukur…”(7)Për kundër këtyre vështirësive, disa zotërinj shfaqin mendime për një të gjuhë zyrtare, duke propozuar që shqipja bazë të saj të ketë të folme të ndryshme, si atë të Flbasanit etj. Sipas tij nuk duhet të ngutemi pa i studiuar mirë dallimet ndërmjet dialekteve, sepse fundi- fundit “…dialektet që përdoren në Shqipëri kanë fare pak ndryshim nermjet tyre. Ky ndryshim më tepër është në shqyptim.”
Në këtë shkrim autori i përballë të dy dialektet e shqipes, toskërishten dhe gegërishten, duke u munduar t’i vë në pah karakteristikat e çdo njërës: “Natyrisht ay që të paktën ka bërë nji shkollë të mesme kombëtare e që kupton diçka nga gjuha, ka mujtë të kuptojë se cili dialekt është më i pranueshmë i ëmbël.” Më tutje, duke sjellë disa argumente, autori u kundërvihet atyre që thonë se toskërishtja nuk është e pasur me fjalë: “Në Toskërishten kanë dalë mjaft shkrimtarë që kanë shkrojtur me atë dialekt. Që të gjithë janë çfaqur mirë pa patur nevojë me futur fjalë turqishte a të tjera të huaja.”(8) Këtu përmend Nolin si përkthyes të kryeveprave botërore në dialektin toskë, duke thënë se këto përkthimet janë mjaft të pasura, ku sot e kësaj dite nuk arrijmë të përkthejmë sikurse ai.
Në kuadër të këtyre argumenteve ndalet edhe në aspektin social për të treguar qytetarin e toskëve, mendimet e zhvilluara me kohë etj.: “Të gjithë e dimë se në Toskëri ka nji jetë familjare e shoqërore më të zhvilluar e më të përparuar”, “Toska ka qemë më i lirë në mendimet e veprimet te tija. Ai i ka ndierë më parë nevojat lëndore, shpirtërore e artistike. Pra është e natyrshme e psikologjike që edhe gjuha e tyre të jetë më e punuar, më e zhvilluar e më elegante: ajo është oratorike e tingëllon bukur në vesh.”(9) Ndërsa për gegërishten përmend faktin se ajo ka shumë nëndialekte “tani të shohim Gegërishten. Kjo ka shumë nëndialekte…”, “… e folmja në kto dialekte është e rëndë.”(10) Sipas autorit përveç dialektit të Shkodrës dhe të Elbasanit, dialektet e tjera kanë shumë ndryshime në shqiptim. Më tutje rendit karakteristikat e mira të secilit prej këtyre dialekteve, por edhe të metat e tyre në raport me nëndjialektet e tjera, por edhe me toskërishten. Duke përmendur faktin se në Elbasan është themeluar Normalja e Elbasanit, nuk mendon se kjo shkollë do të ndikojë që të përhapet dialekti i mesëm, sepse “Në Normale nxënësit kanë qenë dhe janë të lirë të shkruajnë e të çfaqen në dialektet e tyre.”(11) Detyra e mësuesve është pastrimi i gjuhës dhe mësimi edhe i të folmeve të tjera, dhe jo imponimi i ndonjë dialekti a një krahine tjetër “…detyra e mësojsit nuk është më imponue dialektin e një krahine tjatër.”(12)
Ndërsa interesi i përbashkët kombëtar është “Unë kishnja për të thënë nga Ana ime se na jemi të gjithë shqiptarë e kemi që të gjithë një gjuhë: këtë na e kanë ruajtur me shekuj stëgjyshnit tanë. Kte pra duhet ta ruajmë edhe na, ta pasurojmë me vepra letrare, kombtare, shoqërore, morale etj. këte duhet t’ua lëmë edhe fëmijëvet tonë si gjënë më të çmuar e më të shenjtë. Ky, më duket, është interesi i ynë kombtar i përbashkët.”(13)
_________________
1. Fadil Raka, Historia e shqipes. letrare, Prishtinë, 2004, fq. 155.
2. Po aty, fq. 163.
3. Po aty fa. 173.
4. SK, Çeshtje e gjuhës s’onë, në “Kultura Islame”, nr: 13-14, Tiranë, 1940, fq. 18.
5. Po aty, fq. 18.
6. Po aty, fq. 18.
7. Po aty, fq. 18.
8.S.K, Çeshtje e gjuhës s’onë, në “Kultura Islame”, nr: 13-14, Tiranë, 1940, fq.19.
9. Po aty, fq. 19.
10. Po aty fq. 20.
11. Po aty, fq. 21.
12. Po aty, fq. 21. 13. Po aty, fq. 22.
Prof. ass. dr. Abdurrahim Maxhuni
Dituria Islame 363