9.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Rreth 750 xhami në Kosovë të pamjaftueshme për besimtarët

Më të lexuarat

Në Kosovë aktualisht ekzistojnë rreth 750 xhami, ku qytetarët kryejnë ritet e tyre fetare. Në mesin e tyre janë mbi 200 syresh që janë ndërtuar që nga përfundimi i luftës, transmeton REL.

Zyrtarë të Bashkësisë Islame të Kosovës thonë se ndërtimi i xhamive të reja është bërë me kontributin e vetë qytetarëve të besimit islam të Kosovës, por edhe me ndihmën e donatorëve të huaj, kryesisht nga Turqia dhe Arabia Saudite.

Pavarësisht kësaj, një numër i qytetarëve të Kosovës të besimit islam vazhdojnë të kryejnë ritet fetare jashtë objekteve të xhamive.

Udhëheqës të Bashkësisë Islame të Kosovës thonë se të gjitha xhamitë në Kosovë janë nën kontrollin e këtij institucioni, përveç dy prej tyre.

“Në Bashkësinë Islame të Kosovës mendojmë se i kemi nën kontroll të gjitha xhamitë, me përjashtim të dy xhamive, për të cilat janë të njoftuara organet e rendit dhe instancat me të larta të shtetit të Kosovës. Njëra është fshatin Qyshk të Komunës së Pejës, të cilën nuk e kemi nën kontroll. Aty është imami jolegjitim, i cili nuk ka vendim nga BIK-u dhe ai është vetë emëruar aty dhe nuk pranon të lirojë vendin e punës. Tjetra nuk është xhami; është një objekt i improvizuar dhe është në Komunën e Dragashit”, ka thënë Fatmir Iliazi, zëvendës i Kryeimamit Sabri Bajgora për Radio Evropa e Lirë.

Mirëpo, Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se në Kosovë janë disa xhami ku imamët e tyre nuk kanë bashkëpunim të duhur me Bashkësinë Islame të Kosovës.

Sipas Perteshit,ka disa raste, si në komunën e Kaçanikut, Vitisë dhe Pejës, ku Këshilli i Bashkësisë Islame nuk bashkëpunon mirë me imamët atje.

“Është shqetësues fakti se pse disa imamë të vetë quajtur të moderuar ose disa imamë të tjerë të quajtur imamë konservator, pak a shumë e kundërshtojnë bashkëpunimin dhe kundërshtojnë të jenë pjesë e Bashkësisë Islame, dhe të punojnë nën urdhra e BIK-ut”, ka thënë Perteshi.

Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, në vitin 2000 numri i xhamive ka qenë trembëdhjetë (13), kurse 16 vite më vonë, ky numër është rritur në 25 sish.

Autoritetet lokale në Prishtinë e pranojnë se ka pasur kërkesa për ndërtime të reja të xhamive në Prishtinë dhe se për to në disa raste janë lëshuar leje ndërtimi, ato thonë se kjo çështje nuk është e rregulluar siç duhet me ligj.

Tweet
3
Share
Share
Share
Pin
Mail

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit