1.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Rreth 700 mjekë kanë ikur nga Maqedonia

Më të lexuarat

Të pakënaqur me pagën që marrin dhe kushtet që ua ofron vendi i tyre, rreth 700 mjekë të rinj kanë braktisur profesionin e tyre në Maqedoni dhe ia kanë mësy Evropës për një jetë dhe standard më të mirë. Kështu deklaroi Simon Siljanovski, kryetar nderi i Sindikatës së Shëndetësisë në Maqedoni, i cili sheh rrezik se ky trend i ikjes do të vazhdojë edhe në të ardhmen
“Sigurisht tërhiqen nga kushtet e punës që gjithsesi janë më të mira atje. Kanë kushte të mrekullueshme që i ka krijuar shteti dhe atë që ua ofrojnë si të ardhura personale. Dallimi në rroga, për shembull në Kuvajtin evropian, pra në Norvegji dhe Maqedoni është qesharake. Rroga jonë mujore është sa ajo e tyre ditore”, deklaroi Siljanovski.

Largimi i mjekëve është vërejtur gati nëpër të gjitha qendrat e këtij shteti, përfshirë edhe lokalitetet shqiptare.

Asim Musa, drejtor i spitalit për dializë në Strugë, shkakun për ikjen e mjekëve e sheh në pagat e ulëta, citon AlsatM, raporton Albinfo.Ch.
Ndërkohë kryetari i nderit i Sindikatës së Shëndetësisë Simon Siljanoski alarmon edhe për një rrezik tjetër në fushën e shëndetësisë. Sipas tij largimi i mjekëve të rinj do të pamundësoj zëvendësimin specialistëve të cilët janë para pensionit. Prandaj ai kërkon që institucionalisht të bëhet diçka në këtë drejtim.

“Drama që pritet është se në rreth 2 mijë specialistë, diku rreth 70 për qind jemi para pensionimit. Kjo është alarmuese dhe nuk e di çfarë do të bëhet më pas”, tha sindikalisti Siljanovski.

Edhe Musa thotë se në spitalin e tyre në Strugë tashmë ka mungesë të mjekëve në reparte të ndryshme. Gjendja e njëjtë është edhe në spitalin e Ohrit ku ndjehet mungesa e mjekëve në disa reparte.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit