Gjatë vitit të kaluar është diskutuar shumë rreth largimit të adoleshentëve apo përdoruesve të rinj nga Facebook-u si rezultat i favorizimit të shërbimeve të tjera rivale.
Sipas teorisë, prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes po e përdorin këtë rrjet social shumë shpesh për të kontrolluar fëmijët e tyre, prandaj fëmijët kanë vendosur të kalojnë në rrjetet e tjera sociale si Tumblr, Twitter apo Instagram pasi ofrojnë më tepër privatësi në këtë drejtim. David Ebersman, CFO në Facebook, ka konfirmuar se së fundmi kjo lëvizje e të rinjve po konsiderohet si problem nga kompania megjithatë nuk ka deklaruar sesa serioz është ky problem. “Përsa i përket numrit të përdoruesve ditorë, kemi vënë re një reduktim të të rinjve, veçanërisht të adoleshentëve” – tha Ebersman. Pse përbën problem kjo lëvizje e përdoruesve?
Në qoftë se adoleshentët braktisin këtë shërbim në masë, kjo do të thotë se do të rritet një brez i tërë njerëzish pa Facebook. Sipas një kërkimi të realizuar së fundmi nga iStrategy, problemi rezulton të jetë vërtet serioz. Sipas të dhënave të grumbulluara për SHBA-të, në Facebook ka rreth 11 milion më pak të rinj krahasuar me dy vite më parë. Në përgjithësi është vënë re një reduktim prej 58.9% e përdoruesve gjimnazistë dhe 59.1% e përdoruesve që janë në fakultet./zhurnal/kohaislame