8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Rregullat e abdesit

Më të lexuarat

Rëndësia e abdesit

Nga Othman ibën Affani, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcillet se i Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kushdo që merr abdes në mënyrën më të mirë i bien gjynahet nga trupi derisa t’i dalin nga brendësia e thonjve.”[1]

Ibadetet për të cilat është kusht të kemi abdes

Namazi, qoftë ai namaz farz (i detyruar) a namaz nafile (vullnetar), duke e përfshirë këtu edhe namazin e xhenazes. Mirëpo, për gjërat tjera pos namazit, siç janë sexhdeja e leximit jashtë namazit dhe sexhdeja e falënderimit, nuk është kusht të kemi abdes.
Prekja e Mus’hafit (Kuranit), qoftë për ta lexuar a për ta bartur atë. Nuk jemi të detyruar të kemi abdes për prekjen e aparateve elektronike, kompjuterike a CD-ve që përmbajnë programe të Kuranit Fisnik.

Ibadetet për të cilat pëlqehet të marrim abdes

Tavafi (rrotullimi) rreth Qabesë. Abdesi për tavaf rreth Qabesë është më se i pëlqyer, madje shumica e dijetarëve mendojnë se është vaxhib (i detyruar).
Sa’ji ndërmjet Safasë dhe Mervasë. Sa’ji bëhet vetëm gjatë haxhit dhe umres.
Leximi përmendsh i Kuranit Fisnik.
Përmendja e Allahut, në përgjithësi, qoftë duke e lavdëruar, duke e lartësuar a duke e madhëruar Atë.

Kushtet e abdesit

Nijeti: Me këtë nënkuptojmë që kur i lajmë gjymtyrët e abdesit të kemi për qëllim marrjen abdes. Ndërsa, nëse ndokush lan gjymtyrët e abdesit vetëm me qëllim pastrimi a freskimi, atëherë në aspektin fetar nuk konsiderohet të ketë marrë abdes.
Norma për shqiptimin e nijetit

Vendi ku bëhet nijeti është zemra dhe nuk bën të shqiptohet, sepse shqiptimi i nijetit konsiderohet bidat[2], pra një gjë të tillë nuk e ka bërë i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, e as që e kanë bërë shokët e tij, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

Heqja e çdo gjëje që e pengon depërtimin e ujit në gjymtyrë, siç janë brumi, ngjitësi, manikyri, bojërat e ndryshme etj. Kushdo që merr abdes duke pasur në lëkurë gjëra që e pengojnë depërtimin e ujit, të cilat ka mundësi t’i largojë, abdesi i tij është i pavlefshëm. Po qe se e vëren atë pa kaluar shumë kohë nga marrja abdes e heq pengesën dhe e lan atë gjymtyrë dhe gjymtyrët që vijnë pas saj në renditje. Mirëpo, nëse e vëren atë pas një kohe, e cila sipas zakonit të njerëzve konsiderohet e gjatë, atëherë duhet ta përsërisë abdesin dhe namazin, nëse ka falur namaz në atë gjendje.

Mënyra e abdesit

Në fillim duhet ta bësh nijet për të marrë abdes.
Para se të fillosh me marrjen e abdesit pastron dhëmbët me misvak a me brushë dhe pastë dhëmbësh.
Kur fillon të marrësh abdes thua “Bismil-Lah”[3] (me emrin e Allahut).
Pastaj i pastron duart deri në nyje, tri herë.
Pas kësaj, fut ujin në gojë dhe hundë me dorën e djathtë, me një grusht, dhe e nxjerr atë nga hunda me të majtën, duke e përsëritur këtë gjë tri herë.
Më pas e lan tërë fytyrën, tri herë.
Fytyra përkufizohet:

a) Vertikalisht: Nga pjesa e përparme e kokës së njeriut, ku fillojnë zakonisht flokët deri në fund të mjekrës, ku hyjnë edhe qimet e zgjatura të mjekrës.

b) Horizontalisht: Nga njëri vesh tek tjetri.

Lan dorën e djathtë nga majat e gishtërinjve deri në bërryl tri herë.
Lan dorën e majtë nga majat e gishtërinjve deri në bërryl tri herë.
Lag duart me ujë dhe e fërkon me to kokën, duke filluar nga pjesa e përparme e kokës deri në pjesën e prapme të saj, pastaj duke i kthyer duart sërish deri në pjesën e parme të kokës. Kështu vepron vetëm një herë.
Lan veshët, pjesën e brendshme të tyre me gishtat tregues, ndërsa pjesën e jashtme me gishtat e mëdhenj. Kështu vepron vetëm një herë.
E lan këmbën e djathtë, duke përfshirë edhe nyjat e këmbës (zogjtë e këmbës).
E lan këmbën e majtë, duke përfshirë edhe nyjat e këmbës.
Kur ta përfundosh abdesin thua: “Eshhedu en la ilahe il-lAllah, uahdehu la sherike leh, ue eshhedu enne Muhammeden ‘abduhu ue resuluhu”[4] që në shqip do të thotë: Dëshmoj se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut, i Cili është një, i Pashoq dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij”.

Farzet e abdesit

Farzet e abdesit janë shtyllat pa të cilat nuk mund të konsiderohet i vlefshëm abdesi, ato janë:

Larja e fytyrës, ku bën pjesë edhe larja e gojës dhe ajo e hundës.
Larja e duarve, bashkë me bërryla.
Fshirja e tërësishme e kokës (me duar të lagura).
Larja e këmbëve, duke përfshirë edhe nyjat e këmbëve.
Renditja ndërmjet gjymtyrëve të lartpërmendura.
Njëpasnjëshmëria. Kjo nënkupton që të mos e vonojë larjen e ndonjë gjymtyrëve aq sa të mund të konsiderohet si ndërprerje e gjatë sipas zakonit të njerëzve.
Norma për moslarjen e ndonjë gjymtyre

Ai që e lë pa e larë ndonjë gjymtyrë të abdesit a një pjesë të saj, abdesi i tij është i pavlefshëm. Në qoftë se, pa shkuar një kohë e gjatë sipas zakonit të njerëzve, i bie ndërmend se e ka lënë ndonjë gjymtyrë pa e larë, atëherë e lan atë dhe gjymtyrët që vijnë pas saj në renditje. Ndërsa, në qoftë se ka kaluar një kohë e gjatë, atëherë duhet ta përsërisë abdesin.

Sunetet e abdesit

Pastrimi i dhëmbëve para abdesit ose gjatë larjes së gojës.
Thënia “Bismil-Lah” në fillim të abdesit.
Larja e duarve deri në nyje, tri herë, në fillim të abdesit.
Larja e gjymtyrëve të abdesit nga tri herë, përveç kokës (dhe veshëve sh. p.) e cila fshihet vetëm një herë.
Fillimi nga e djathta kur lajmë gjymtyrët.
Futja e gishtërinjve në mjekër po qe se është e dendur.
Fërkimi i herëpashershëm i pjesëve ndërmjet gishtërinjve të duarve dhe të këmbëve.
– Sunetet nuk janë të detyrueshme, kështu që nëse ndokush e lë ndonjërën nga to nuk detyrohet me asgjë.

Normat e abdesit

Ai që fal namaz pa abdes, për shkak të harresës, detyrohet ta përsërisë namazin kur t’i kujtohet, edhe nëse ka kaluar një kohë e gjatë. Në qoftë se i ka falur pa abdes disa namaze, atëherë detyrohet t’i përsërisë të gjitha ato, një nga një, sipas renditjes. Nuk është e lejuar që ato namaze të vonohen deri të nesërmen kur të hyja koha e namazeve të njëjta, siç mund të veprojnë disa njerëz.
Është obligim të kujdesemi që uji t’i arrijë të gjitha gjymtyrët të cilat jemi të detyruar t’i lajmë, ku hyjnë edhe: pjesët ndërmjet gishtërinjve, bërrylat, nyjat e këmbëve, thembrat dhe pjesa e fytyrës afër veshëve.
Lejohet t’i lajmë gjymtyrët e abdesit nga një herë ose nga dy herë, por edhe nëse i lajmë disa nga to nga një herë, disa nga dy e disa nga tri herë nuk ka asgjë të keqe.
Ai që e prish abdesin gjatë namazit ose i kujtohet që nuk ka abdes, namazi i tij është i pavlefshëm, kështu që detyrohet ta ndërpresë namazin, duke dalë prej tij pa dhënë selam. Pastaj duhet të marrë abdes dhe ta falë namazin nga fillimi.

Gjërat që e prishin abdesin

Çdo gjë që del nga dy kanalet, siç janë urina, jashtëqitja, gazrat, medhji dhe lagështia që del nga organi i femrës.
Dalja e urinës dhe e jashtëqitjes jo nga kanalet e posaçme, si p.sh. kur ndokush bëhet operacion në kanalet e urinës dhe i hapet një kanal tjetër për nxjerrjen e urinës dhe jashtëqitjes.
Humbja e vetëdijes, në çfarëdo mënyre, siç janë gjumi i thellë, rënia të fikët, mpirja e tërësishme dhe dehja.
Ngrënia e mishit të devesë, përveç tamblit dhe lëngut të mishit të saj.

Kur pëlqehet të merret abdes

Kur preket organi gjenital ose vrima anale pa ndonjë pengesë.
Kur prekim gruan me epsh.
Në rast të rrjedhjes së shumtë të gjakut a të vjelljes së shumtë.
Marrë nga libri “Et-tuhfe el-islamijje li talibi’l-hidaje er-rabbanijje” të autorëve Ibrahim El-Ued’an, Muhammed El-Ued’an dhe Abdurrahman El-Ued’an/Përktheu: Jusuf Kastrati


[1] Muslimi (245).
[2] Bidat quhet çdo gjë e shpikur në fe pa ndonjë argument. Shënim i përkthyesit Jusuf Kastrati.
[3] Ahmedi (2/418), Ebu Davudi (101), Albani e cilëson si “sahih” në “Sahih el-xhami’i” (7514).

[4] Muslimi (234). Kurse shtesën “Allahumme ixh’alnij minet-teuuabijn uexh’alnij minel-mutetahhirijn” e transmeton Tirmidhiu (55) dhe e cilëson si “da’ijf” (të dobët).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit