-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Rrëfimi i Fatmir Baçit, boshnjakut të Shijakut: pse Enveri u tregua tolerant me ne dhe si bashkëjetuam me shqiptarët

Më të lexuarat

Portali i njohur boshnjak STAV ka marrë rrëfimin e Fatmir Baçit, një poeti e shkrimtari nga Shijaku, mbi fatin e komunitetit të boshnjakëve që u vendosën aty qindra vite më parë. Siç tregon Baçi në një intervistë, i cili tashmë jeton në Novi Pazar, boshnjakët kanë mundur që dhe në Shqipëri të jetojnë e të ndihen po si boshnjakë. Titulli në origjinal, është “Boshnjakët në Shqipëri ishin gjithmonë boshnjakë”

Intervista e plotë:

Boshnjakët në Shqipëri morën statusin e një pakice kombëtare kah mesi i tetorit të këtij viti, pasi miratimit të Ligjit për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare në Republikën e Shqipërisë. Boshnjakët, ashtu si serbët, malazezët, maqedonasit, grekët, romët, egjiptianët dhe bullgarët në këtë vend, fituan të drejtën për orientim kombëtar dhe mësim të gjuhës amtare. Për boshnjakët në Shqipëri në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më gjerë nuk është njohur shumë deri tani. Pas aneksimit austro-hungarez të Bosnjës dhe largimit të osmanëve, një grup boshnjakësh nga zona e qyteteve të Mostar, Poçitelj, Ljubushki dhe Çapljina erdhën në portin shqiptar të Durrësit në vitin 1878 dhe u vendosën në zonën e Shijakut.

Në Shqipëri, sipas disa vlerësimeve, sot jetojnë rreth 20,000 boshnjakë. Fatmir Baçi është një shkrimtar i njohur në Shqipëri, si gjenerata e katërt e boshnjakëve të lindur në atë vend, e i cili jeton dhe punon në Novi Pazar për disa vite tashmë. Ai ka origjinën nga Baçiqi i Poçitelj-it. Ka shtatë libra të botuar në shqip, ndërkohë që shkruan dhe flet rrjedhshëm boshnjakishten. Në një intervistë për Stav, Fatmir Baçi flet për jetën e boshnjakëve në Shqipëri, dhe për atë se nëpër çfarë kanë kaluar për më shumë se 150 vjet në atë vend për të ruajtur identitetin e tyre. Boshnjakët përbëjnë gjysmën e popullsisë së komunës së Shijakut në Durrës dhe jetojnë kryesisht në dy fshatra të afërta, pra Borakë dhe Koxhas, që rrjedh nga fjala turke “koca” që do të thotë “e madhe”. Nga këto dy fshatra, sipas Baçit, vijnë njerëzit më të arsimuar në Shqipëri. Ndër boshnjakë të Shqipërisë ka intelektualë të shquar, profesorë universiteti, politikanë, artistë, gazetarë, atletë …

Prej nga boshnjakët në Shqipëri?

Boshnjakët e Shqipërisë nuk kanë qenë kurrë diçka tjetër. Ata ishin gjithmonë boshnjakë. Unë u rrita si boshnjak. Ata ishin gjithmonë boshnjakë dhe “muhaxhirë”. Këta dy emra u përdorën për ne. Ne kemi mbi 50 mbiemra në Shqipëri. Kur Bosnja hyri nën Austro-Hungari, shumica e atyre që u rebeluan erdhën nga Mostari, Ljubuski, Çapljina, Poçitelj … Këtu ishte presioni më i madh për shkak të afërsisë së kufirit me Kroacinë. Pas Kongresit të Berlinit u arrit një marrëveshje mes dy perandorive, pasi që rebelimi (kundër Austro-Hungarisë) vazhdoi për 2-3 vjet dhe mbërritja e boshnjakëve (në Shqipëri) zgjati deri në vitin 1887. Ata hipën në anijet osmane dhe kur arritën në Durrës dhe fshatrat e përmendura midis kryeqytetit të Tiranës dhe portit më të madh, të cilat janë njëherësh vendet më të bukura në Shqipëri, anija u ndal në port si një stacion kalimi. Pasi morën vesh se ishin në Turqi, për shkak se Shqipëria ishte ende nën shtetin osman, disa prej tyre zbritën, ndërsa të tjerë vazhduan udhëtimin. Ata që zbritën ishin tanët. Fshatin e emëruan Boravak (“Qëndrim” në shqip), dhe kështu mbeti emri Borakë. Ata që shprehën dëshirën të zbresin morën edhe një copë tokë, dhe u mirëpritën aty mu ashtu si i mirëpresin muslimanët muhaxhirët. Ata na pranuan shumë mirë, sepse atëherë i gjithë ambienti ishte musliman.

Si janë të organizuar boshnjakët e Shqipërisë?

Shoqata e boshnjakëve të Shqipërisë “Zambak” u formua në vitin 1995. Në atë kohë ajo kishte mbi dhjetë mijë anëtarë moshërritur, të regjistruar në shoqatë. Filloi nga të rinjtë, por komunistët shpejt e pushtuan atë. Kur u organizua takimi i shoqatës, të gjithë njerëzit që ishin aty e Alija Izetbegoviçin, ishin komunistë. Libri dhe kënga ime Bosna su moje godine (“Bosna janë vitet e mia”) janë dedikuar pikërisht për të. Në këto vargje kam shkruar: “Secili ka Bedrin dhe Uhudin e tij”. Përndryshe, Libri i Alija Izetbegoviç “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit “, në Shqipëri është botuar në më shumë se tridhjetë botime.

Cili është qëndrimi i shqiptarëve ndaj boshnjakëve, si jetoni me shqiptarët, domethënë nëpër të gjitha periudhat, nga ajo turke deri sot?

Fantastik. Kurrë nuk kemi pasur konflikte, asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë presion. Nëse pyesni cilindo shqiptar që jeton pranë këtyre fshatrave kush janë më të mirë: shqiptarët apo boshnjakët, ata menjëherë do të përgjigjen: boshnjakët janë më të mirë. Ndoshta për shkak butësisë sonë, por edhe për shkak të butësisë së tyre, sepse edhe ajo është një “popullatë e butë”, islame. Butësia vjen nga besimi dhe shpresa, shpresë te Zoti.

Sa kanë arritur shqiptarët e Shqipërisë të ruajnë kulturën dhe identitetin e tyre?

Në këtë epokë globaliste, shumë gjëra janë imponuar të pranohen nga ana e brezave të rinj. Ajo që adaptohet kulturalisht shpejt, edhe shkon shpejt. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Mënyra e organizimit të dasmave apo ceremonive të varrimit. Kjo ndryshoi sepse në Shqipëri në vitin 1967, për gjashtë muaj, u shkatërruan 3.600 xhami. Sidoqoftë, boshnjakët e Shqipërisë kanë shumë gjëra të përbashkëta me boshnjakët nga vendi i tyre ëmë. Sa vargje (sevdalinka) kam ditur unë kur erdha këtu. Nëna ime dinte aq shumë vargje (sevdalinka), saqë unë mendoj se nuk kam njohur dikë të gjallë të ketë ditur aq shumë vargje sa ajo. Ata arritën të ruanin kulturën e tyre përmes trashëgimisë, duke dëgjuar radio, Radio Sarajevën, Radio Titogradin (Podgoricën) … Interesante, gjithnjë ka pasur disa ndalesa në Shqipëri, por ne gëzuam një formë tolerance. Deri në vitin 1948, asnjë boshnjak nuk u martua me shqiptar. Ata erdhën në Bosnje dhe prej aty morën nuset në Shqipëri. Pastaj, Tito dhe Enver Hoxha u futën në konflikt, kështu që kufijtë u mbyllën si nga njëra anë, ashtu edhe nga ana tjetër. Te ne nuk ishte e mundur që të marrim një pasaportë, të udhëtonim nëpër botë, të kishim makina, të bënim tregti. Boshnjakët atje bënin tifo për Jugosllavinë, në futboll, në të gjitha sferat. Jugosllavia ishte çdo gjë për ne edhe pse nuk kishim ndonjë përfitim prej saj. Fshatrat bënin tifo për Velezhin nga Mostari veçanërisht për Vahid Halilhoxhiç.

Pse regjimi i Enver Hoxhës kishte tolerancë ndaj boshnjakëve?

Për shkak të butësisë së tyre, për shkak se ishin njerëz të besueshëm. Boshnjakët, edhe në kohë të Enver Hoxhës ishin njerëz tek të cilët mund të kishe besim. Edhe në histori, edhe në raporte, edhe në gjithçka. Lidhja midis boshnjakëve ka qenë gjithmonë e fuqishme. Ata ndërtuan një familje solide, dhe fqinjësi të mirë. Vizitat te njëri-tjetri ishin një traditë, të cilën e kam përjetuar personalisht. Çdo natë vizitonim njëri tjetrin, ka pasur lojëra të ndryshme, ndoshta tradicionale nga Bosnja. Por kishte edhe muhabet. Fëmijët luanin ndaras, gratë bënin muhabet ndaras, ashtu si edhe burrat. Kjo, mendoj, ka ruajtur në masë të madhe identitetin boshnjak. Kemi pasur shumë politikanë që inicuan shumë gjëra në Shqipëri. Nipi im ishte anëtar i parlamentit, por pavarësisht sa lartë arritën në karrierën e tyre, në fshat ata gjithmonë do të mbeteshin bijtë tanë, boshnjakët e vërtetë. Kjo ishte një virtyt “që të mos biesh në gjunjë, kur ndodhesh pranë mbretit, dhe të mos shfaqesh arrogant kur ndodhesh përreth njerëzve të zakonshëm.”

Si jetojnë sot boshnjakët në Shqipëri? Sa janë të fuqishëm dhe me ndikim ekonomikisht?

Shumë më mirë sesa këtu. Shumë më mirë sesa në Bosnje, me siguri. E di që kamionë me ushqim, pas luftës, nga fshatrat tona shkuan për në Bosnje. Mendoj se ata vazhdojnë të shkojnë edhe sot e kësaj dite. Boshnjakët janë punëtorë, punojnë shumë. Shumë ka ndryshuar.

Cilat janë përshtypjet e boshnjakëve në Shqipëri ndaj vendit amë, Bosnjës, Sarajevës …?

Kur erdha këtu, u befasova. Erdha mu në kulminacion të luftës, që boshnjakët të pranojnë të jenë boshnjakë. Kjo më befasoi. Ne u rritëm si boshnjakë. Bosnja përjetoi goditje përbrenda Bosnjes. Elita boshnjake e asaj kohe ose ajo që ajo ishte për 114 vjet me radhë, ka tradhtuar popullin e saj. Pavarësisht tolerancës, që ne si breza mund ta falim njëri-tjetrin. Në thelb, nëse i shtojmë kësaj edhe faktin se tradhtarët në komunizëm ishin bërë edhe më të ashpër, i bie se prindërit i kanë tradhtuar fëmijët e tyre. Kjo tradhti nuk mund të riparohet për një ditë, gjashtë muaj apo dhjetë apo njëzet vjet.

Kjo shkon ngadalë, kurse tradhëtia është ende e pranishme sot, sepse kjo jehonë ose inercioni i komunizmit do të zgjasë për shkak të arsimimit tonë të dobët, qëllimit të gabuar, për shkak të marrëdhënieve tona të korruptuara dhe artificiale. Kisha frikë të vija këtu sepse kisha lexuar Alija Izetbegoviçin dhe mendova se ishte kuptuar në mjedisin (mesin) e një shoqërie të mirë, të ngjashme me të. Megjithatë, pashë një elitë plotësisht të shkatërruar, që kishte humbur qëllimin e saj, një elitë e cila në situata të caktuara shitet, një elitë e cila nuk e mbron veten. Kur një elitë nuk e di se çfarë duhet të bëjë, duhet të jemi të vetëdijshëm se të gjitha shtresat e shoqërisë do të jenë në haos. Bosnja dhe boshnjakët janë gjithashtu një burim shpirtëror, një institucion shpirtëror, dhe kjo është diçka e veçantë. Por ne kemi humbur të gjitha kontaktet që nga viti 1948. Boshnjakët, si shpirtërisht dhe fizikisht, janë si një sustë elastike. Kur do të kërcejnë, si do të kërcejnë, si do ta dobësohet dora që i mban ata, kjo është vetëm çështje kohe, nuk është çështje parimi. Për të qenë të vetëdijshëm se janë nën presion, boshnjakët duhet të ndalojnë së tradhtuari kombin e tyre dhe të dalin nga inercioni i komunizmit. Ne nuk mund të gjejmë mbijetesë tjetër pos nëse nuk kthehemi te identiteti ynë.

STAV

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit