3.4 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Rrëfim lufte nga Mostari: Një qytet, dy vëllezër dhe babai, tre ushtri

Më të lexuarat

Babai dhe dy djemtë e tij nga Mostari kanë kaluar periudhën e agresionit në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), kohën e luftës, në tre anë ndërluftuese: njëri në ushtrinë e Republikës Sërpska (VRS), tjetri në ushtrinë e BeH-së dhe i treti në Këshillin Kroat të Mbrojtjes (HVO). Këto nuk janë pjesë të një skenari filmik të Hollywood-it të menduar mirë, por është rrëfimi jetësor i 50-vjeçarit Zoran Llaketa nga Mostari, shkruan Anadolu Agency (AA).

Zoran ka qenë 25 vjeç kur shpërtheu lufta, e cila praktikisht ia bllokoi rininë në Mostarin e tij të lindjes. Njeriu që kishte shumë ëndrra të paëndërruara rinore, brenda natës u gjet në fushëbetejë.

Ai kaloi luftën në Mostar si pjesëtar i Këshillit Kroat të Mbrojtjes (HVO). Vëllai i tij Gorani, luftoi në radhët e Ushtrisë së Bosnjës e Hercegovinës, kurse që paradoksi të jetë akoma më i madh, babai i tyre Ratko ka qenë pjesë e Ushtrisë së Republikës Sërpska (VRS), e cila gjithashtu veproi në periferi të Mostarit. Vëllai Gorani kishte humbur jetën në gusht të vitit 1993, nga një predhë e shkrepur nga anëtarët e HVO-së, ku pjesëtar ishte edhe vëllai i tij Zorani.

Është e pamundur të dëgjosh tregimin e Zoranit dhe të mos pyesësh nëse babai dhe dy djemtë është e mundur të kenë luftuar njëri-tjetrin në një qytet relativisht të vogël. Kjo histori, përveç së është një tragjedi familjare në vetvete, është edhe shembulli më i qartë se lufta, dhe çdo gjë që ngërthente në vete, nuk është gjë tjetër veçse një e keqe e madhe dhe absurditet i madh.

Sabahudin, Zoran ose Ranko

“Quhem Sabahudin, Zoran ose Ranko, ndërsa mbiemri im është Llaketa. Të gjithë këta emra kanë të njëjtin kuptim, meqenëse që të tre janë të lindur në mëngjes ose sabah”, e filloi bisedën Zoran.

Për luftën në fillim të viteve 1990, e cila njihet si rebelim fshatar, Llaketa thotë se ajo nuk është asgjë tjetër përveçse një lufte qesharake. Për këtë arsye, siç thekson, ai kurrë nuk donte që ta tregojë rrëfimin tragjik të jetës që të mos pikëllojë dikë. Megjithatë, ai thotë se është e rëndësishme që ky tregim t’i përçohet gjithë botës, në mënyrë që të mos i përsëritet asnjëherë askujt.

“Po, rrëfimin tim duhet ta njohë tërë bota. Vëllai im ishte në Ushtrinë e BeH-së, unë isha në HVO, babai im u mobilizua në VRS. Vallë, a të flasë për atdhedashuri dhe patriotizëm? A ishin ato idealet tona? Jo”, thotë Llaketa.

Ai kujton jetën e para luftës në Mostar dhe thotë se nuk ka kaluar asnjë Bajram, Krishtlindje apo Pashkë pa shkuar te fqinji i tij ose fqinji i tij pa e vizituar atë.

“Mbarova shkollën si aviomekanik, me shpresë se një ditë do të punoja në Sokol (fabrika jugosllave e avionëve në Mostar). Prej vitit 1992 e deri më sot, unë jam nën Byronë dhe një qytetar i pabarabartë i Bosnjë e Hercegovinës sime të vetme. Në atë kohë, në rini, në moshën 25 vjeçe, unë bëhem ushtar, duhet të urrejë dikë, duhet të shtie mbi dikë, të vritemi në luftë vëllavrasëse. Dhe, ja fakti që unë isha në njërën anë, vëllai im në tjetrën, kurse babai im në anën e tretë. E gjithë kjo i ndodhi familjes sime, miqve të mi, fqinjëve, vëllezërve dhe motrave të mia. Kisha vetëm një vëlla, një baba, një nënë. Të gjithë për fat të keq janë të vdekur, kurse unë jam i gjallë edhe pak”, shprehet Llaketa.

Sot, një çerek shekulli më vonë, edhe ai pyet veten se si është e mundur që anëtarët e një familjeje të zakonshme punëtore, fëmijët e së cilës kishin fëmijëri të lumtur, arsim falas, të bëhen pjesë e konfliktit.

“Ne jemi ortodoksë në fe, edhe pse nuk e dija këtë derisa nuk filloi e tëra. Andaj, pasi jemi ortodoksë, është dashur të jemi në anën serbe. E si të isha në anën serbe, ndërsa atje shikoja ‘kokardën’ (simbol çetnik). Do të shkoja në anën e tyre po të ishte yll, sepse besoja në ato ideale. Besoja në vëllazërim-bashkim, që të gjithë njerëzit janë të njëjtë, që të gjithë të punojmë dhe të jetojmë së bashku. Për fat të keq, ndodhi e kundërta”, rrëfen Llaketa.

Ai tregon për datën 9 maj, momenti vendimtari kur filloi tregimi i tij.

“Momenti kyç kur filloi e tëra është më i vështiri për ta treguar. Ishte një luftë qesharake për mua. A mund ta imagjinoni një mëngjes të zgjoheni dhe të mos mundeni të ktheheni nëpër rrugë, sepse ajo është një linjë e re në front, ku ju nuk mund të kaloni dhe të thoni se vëllai dhe nëna juaj janë atje. Thjesht ka një bllokadë. Në vitin 1992, meqenëse takoheshim me gruan time të tanishme, me të cilën jetoj 25 vjet dhe kam dy vajza, nga Zaliku, që gjendet në të ashtuquajturin bregu i majtë i Mostarit, shkova në pjesën e djathtë të Balinovcit, ta takoja gruan time, e cila atëherë ishte 23 vjeçe. 9 maji i vitit 1993 ishte koha kur filloi lufta në Mostar, dhe unë më nuk mund të kaloj në anën tjetër, në banesën time, dhe pastaj gjithçka shkoi keq. Është moment i vështirë për t’u shpjeguar. Thjesht zgjoheni dhe para jush ka një pengesë, e dukshme dhe e padukshme, rubikon që nuk mund ta tejkaloni për të vazhduar me jetën normale në zemër të Evropës, në vitet 1990. Kjo është absurde dhe qesharake”, vlerëoson Llaketa.

Fshehja me shokun më të mirë të vëllait

Për shkak se ai dhe vëllai i tij Gorani nuk kanë dashur që në përleshjet e para në Mostar të mobilizohen me forcë në ushtri, e cila nuk ishte Armata Popullore e Jugosllavisë (“JNA”) e tyre, Llaketa thotë se kishin vendosur të qëndrojnë në pjesën e përzier të Mostarit. Ai kishte shkuar te bashkëshortja e tij në Balinovac, kurse vëllai i tij kishte qëndruar me shokun e tij më të mirë Adis Kadriç, të cilin e thirrnin Ado, në pjesën lindore të Mostarit.

“E gjitha filloi më 9 maj, ndërsa ne më 8 maj, një ditë më parë, ishim në një dasëm. Një mik i yni po martohej, kurse unë erdha në qendër të qytetit pas vëllait tim dhe Adisit. Vëllai tha se nuk do të shkonte për shkak se nuk kishte para për t’u dhuruar të sapomartuarve. Ai gjithmonë donte ta respektonte këtë gjë, kështu që unë shkova me Adisin. Vëllai im nuk erdhi dhe ky ishte takimi ynë i fundit. Pra, më 8 maj pasdite, e pashë për herë të fundit. Adisi dhe unë e kaluam natën në dasmë, por pas kthimit vërejtëm shumë automjete ushtarake, armë, një arsenal të tërë”, kujton Llaketa.

Ata kishin kuptuar se po ndodhte diçka e madhe dhe pasi që apartamenti i Zoranit ishte më afër, ata ishin strehuar në të për të zbuluar se çfarë po ndodhte. Pastaj, në një kohë të caktuar, ishin mbledhur njerëz. Llaketa thotë se më 9 maj, filloi spastrimi etnik i Mostarit. Fqinji jepte fqinjin, fqinji po e ndjekte fqinjin, teksa filloi mbledhja e njerëzve në pizhame.

“Adisi ishte me mua në apartament, por nuk arriti të mbijetonte dhe ta konfirmonte këtë histori. Ai ishte tek unë për rreth dhjetë ditë. Kemi ndarë atë që kishim, kanaçe, disa ndihma humanitare. Adisi frikësohej aq shumë për mua dhe familjen time, sepse e shoqja ishte shtatzënë atëherë. Ai vendosi të rrezikojë jetën që dikush të mos vinte dhe të pyeste se kë po fshihja. Ai ishte një ideal për mua, sepse rrezikoi jetën e tij për të më shpëtuar mua dhe fëmijën tim të palindur. Ai shkoi nga linja në linjë dhe arriti të kthehej te vëllai im. Fati deshi që të vdisnin të dy në diferencë prej dhjetë ditësh”, tha Llaketa.

Dy vëllëzërit në front i ndante një rrugë

Në pyetjen se si e ka parë gjatë qëndrimit në frontin e HVO-së, faktin se në anën e kundërt gjendet vëllai i tij, se në një situatë eventuale do të mund të vijë në një kontakt të drejtpërdejt dhe të shtinin në njëri tjetrin, Llaketa përgjigjet se kjo i ka shkaktuar trauma të mëdha.

“Imagjinoni, të gjithë flisnin për mua pas shpine, askush nuk të thotë në sy. ’Shih ky serbi ka ardhur tek ne, ndërsa vëllain e ka atje te Balitë’. Ishte kjo një traumë e rëndë”, thekson Llaketa.

Ai shton më tej se gjatë qëndrimit në arenën e luftimeve, kishte një frikë konstante, në aspektin se në anën tjetër të rrugës ka vëllanë dhe se një ditë mund të përballen drejtpërdrejt.

“Çfarë nëse përballemi tytë me tytë, unë kundër tij, ai kundër meje, do të vriteshim të dy. Është vëllai im, gjaku nuk bëhet ujë. Aktualisht ndodhemi në rrugën e Shantiçit, ku ishte vija e ndarjes. Nuk ishin ato video-lojëra, kishim të bëjmë me jetën e ashpër. Na ndante vetëm një rrugë. Paramendoni që vëllai ti vërsulet vëllait, ashtu siç ka mundur të ndodhë. Qesharake. Është vështirë që kjo t’u tregohet njerëzve dhe të bartësh emocionin e përjetuar”, thotë Llaketa.

Vëllai Goran ka pësuar nga një granatë e HVO-së

Vëllai Goran ishte 24 vjeç, ditën kur humbi jetën më 6 gusht 1993, ndërsa pësoi nga një granatë e hedhur nga pozicionet e HVO-së në malin Hum, mbi Mostar. Sipas fjalëve të Zoranit, atë ditë Gorani ishte nisur të falë xhenazen e bashkëluftëtarit të tij të vrarë Amir Shator.

“Ata ndodheshin në vendin Carina, nga ku duhej të niseshin për në xhenaze. Këtë e ka parë dikush nga bashkëluftëtarët e mi në Hum. Nuk mund ta fajësoj njeriun i cili e shkrepi atë granatë, sepse ai ka qenë i urdhëruar. Nuk mund të urrej, fundja edhe unë isha në atë anë. Granata e minahedhësit 120 mm i masakroi ata”, thotë Llaketa.

Për vdekjen e vëllait kishte mësuar pas shtatë ditësh, përmes Radio Mostarit.

“Nuk besoja në atë çfarë po dëgjoja. Vinin miqtë për të më shprehur ngushëllime, dhe vetëm atëherë bëheni të vetëdijshëm. Nga ana tjetër, ju nuk mund të shkoni në varrimin e vëllait, nuk mund ta shihni nënën e përlotur e cila ka humbur djalin, por këtë e mbani në shpirtin tuaj. Nuk e dija si është nëna dhe kjo ishte një traumë e vërtetë. Atë natë nuk qava, bëja disa ulurima të paartikuluara deri në pesë të mëngjesit. Më erdhi shumë rëndë që nuk mundesha t’i shkoj vëllait në varrim”, rrëfen Llaketa.

Zorani thotë se sot, 25 vjet pas luftës, vijnë gjenerata të reja të cilat edukohen ndryshe. Siç thotë, sot në Mostar ka të rinj të cilët asnjëherë nuk e kanë parë urën e vjetër ose Varrezat Partizane, monumentet historike të qytetit.

Ai na dërgoi edhe tek varrezat e dëshmorëve, në pjesën e vjetër të qytetit, ku është varrosur vëllai i tij Gorani.

Pranë Goranit, është i varrosur Adisi, si dhe një numër i bashkëluftëtarëve të tyre. Duke shkulur barin nga varri, Zorani përkujton vëllanë. Emocionet e kapluan, filloi të qajë, dhe tek sa flet për të vëllanë, ju mund të vëreni shumë dhimbje në fjalët e tij. Megjithatë, duket se dhimbja më e madhe është te heshtja e tij, tek të pathënat, kur në heshtje shikon gurin e varrit, në të cilin është i gdhendur emri Goran Llaketa.

Në fund të rrëfimit të tij, Llaketa dërgon porosinë: “Dhashtë Zoti që kjo të mos përsëritet asnjëherë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit