Zgjedhjet presidenciale në Iran do të mbahen më 19 maj ndërsa Rouhani më parë paraqiti kandidaturën
TEHERAN (AA) – Presidenti iranian Hassan Rouhani tha në Teheran se Siria ka nevojë për reforma brenda vendit dhe shtoi se Teherani zyrtar është për riparimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite, raporton Anadolu Agency (AA).
I pyetur nga gazetarët për mundësinë e një ndryshimi në politikën e Iranit ndaj Sirisë pasi Teherani mbështet regjimin e Bashar al-Assadit, Rouhani ka thënë se mbi të gjitha “Perëndimi duhet të ndalojë mbështetjen e terroristëve”.
“Natyrisht kjo është e nevojshme për të kryer reformat brenda shtetit të Sirisë”, tha Rouhani në një konferencë për media në Teheran.
Rouhani e konsideron si të gabuar bombardimin e bazës ushtarake në Siri nga ana e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Sulmi i SHBA-ve në Siri ka qenë një gabim. Kjo ka ndodhur për herë të parë. Nëse ka një vazhdimësi kjo mund të çojë në pasoja shumë të rrezikshme”, tha presidenti iranian.
Duke folur për marrëdhëniet e Iranit dhe Arabisë Saudite, Rouhani tha se lëvizjet e Rijadit zyrtar kundër vendit të tij shkaktojnë “humbjen e Arabisë në Siri dhe Jemen”.
Duke rikujtuar ngjarjet e vitit të kaluar gjatë kryerjes së ritualeve të haxhit në Arabinë Saudite, Rouhani ka thënë se këto ngjarje fatkeqe më vonë shkaktuan edhe sulmet ndaj përfaqësuesve saudit në Iran dhe ndërprenë seriozisht marrëdhëniet mes dy vendeve.
Megjithatë, vlerëson Rouhani, fakti që iranianët këtë vit udhëtojnë në Mekë për të kryer kushtin e pestë të Islamit – haxhin, është një shenjë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë duke u përmirësuar.
Zgjedhjet presidenciale në Iran do të mbahen më 19 maj ndërsa Rouhani më parë paraqiti kandidaturën.