0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Roli i ulemasë shqiptare në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë

Më të lexuarat

Një vend të merituar në lëvizjen tonë kombëtare të shek.XX, e sidomos të periudhës ndërmjet Dy Luftërave Botërore, më parë dhe më pastaj e deri në ditët e sotme, zënë edhe shumë personalitete dhe figura të shquara fetare patriotike e kombëtare të ulemasë shqiptare, të cilët dhanë një kontribut të çmuar si në fushën e kulturës islame, ashtu edhe në fushën e gjuhës dhe arsimit shqip si dhe morën pjesë aktive në Lëvizjen Kombëtare për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare.

Këto figura kanë kontribuar edhe në përgatitjen e terrenit dhe rrethanave politike për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912. Haxhi Vehbi Dibra, i cili në vitin 1909 mori pjesë në kongresin e Dibrës që u zgjodh kryetar i këtij kongresi, së bashku me Ferid Vokopolen, ishin ndër të parët që vunë nënshkrimin në kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912. Haxhi Vehbi Dibra, i cili ishte zgjedhur kryemyftiu i parë i Shqipërisë pas pavarësisë, ishte kryetar i senatit të parë qeveritar dhe shpeshherë zëvendësonte Ismail Qemail Be Vlorën kur mungonte. Ndërsa Ismail Efendi Ndroçi, i njohur si “flamurtar i nacionalizmës” në nëntor të vitit 1912, pas shpalljes së Pavarësisë i pari kishte ngritur flamurin në Tiranë.

Deputeti tjetër i Kuvendit të Vlorës që përfaqësonte popullin e Dibrës ishte Hafiz Sherif Langu. Krahas shërbimeve fetare, ai punonte për ngritjen e ndjenjës atdhetare. Populli i Dibrës dhe i zonës që përfshinte shqiptarët, zgjodhën delegat të tyre edhe Hafiz Sherif Langun për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Vlorës më 28 nëntor 1912. Ai, me firmën e tij, vulosi ëndrrën shekullore të popullit shqiptar për të pasur shtetin e tij.

Aktivitetin e tij patriotik Hafiz Sherif Langu fillimisht e kishte zhvilluar në rrethinën e Dibrës dhe të manastirit, më vonë e shtriu në mat dhe Elbasan. Në Elbasan bashkëpunoi me Aqif Pashën, Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin e me patriot të tjerë. Në vitin 1942 Hafiz Sherif Langu u emërua kryetar i Komitetit mysliman shqiptar me qendër në tiranë.

Një personalitet tjetër që kishte kontribuar për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe që kishte marrë pjesë në ngritjen e flamurit kombëtar në Tiranë e në Kavajë më 1912, ishte myftiu Mytesim Këlliçi, të cilit aty iu dha rasti të njihej e të miqësohej me Isa Boletinin. Të kujtojmë me këtë rast se myftiu Mytesim Këlliçi, i cili kishte mbaruar mësimet e larta të teologjisë në Stamboll dhe, pas kthimit nga Turqia, qe emëruar myfti në Kavajë, në gusht të vitit 1912 në krye të një grupi

atdhetarësh përfaqësues të Shqipërisë së Mesme e të Veriut, me ftesë të Hasan Prishtinës, shkoi në Shkup për miratimin e Memorandumit prej 14 pikësh, që i paraqitej komisionit osman për të drejtat kombëtare.

Një kontribut mjaft të rëndësishëm për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 kishte dhënë edhe islamologu shqiptar Ibrahim Karabunara nga Lushnja, i cili me atdhetarët e tjerë si Nebi Sefa e të tjerë, ndihmuan kalimin pa rreziqe të Ismail Qemalit në nëntorin e vitit 1912 drejt Vlorës, duke e mbrojtur nga forcat qeveritare osmane. Ai përkrahu pa rezervë Ismail Qemalin, me të cilin ishte njohur që në Stamboll dhe qëndronte përkrah tij edhe në momentin e ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912.

Se sa të përkushtuar për kauzën kombëtare ishin teologët islamë, tregon edhe teksti i “Lutjes së Ditës së Flamurit”, të cilin e kishte hartuar në gjuhën shqipe atdhetari e dijetari i shquar imam Vehbi Ismaili, që të lexohej për ditën e flamurit.

Në vazhdim po japim vetëm disa pjesë të kësaj lutjeje: “I lavdëruar qoftë emri Yt, o i Madhi Zot, sa të rrojë Gjithësia!

O i Plotfuqishmi Zot, të lutemi përunjësisht që t`i dhurosh mbarësi dhe lumturi kombit shqiptar, të rrojë me nder e lavdi, i lirë e i pavarur!

O i plotfuqishmi Zot, të lutemi Ty, që t`i përkrahësh e t`i ndihmosh të gjithë ata që punojnë për të mirën e Shqipërisë, qofshin persona ose shtete!

O krijuesi i Gjithësisë, të lutemi përvujtërisht që të bësh të dështojnë veprat e atyre personave ose shteteve që duan copëtimin e Shqipërisë dhe që përpiqen ta plaçkitin lirinë dhe pavarësinë e saj!

O i Larti Porendi, të lutemi ta bekosh flamurin e Shqipërisë e të bësh që “zhgaba dykrenare” të valëvitet sa të jetë jeta në qiellin e lirë shqiptar…”.

Përderisa Shqipëria hyri në etapat e zhvillimeve të reja historike, politike, fetare e kulturore të periudhës së pavarësisë, fillimi i shekullit XX për shqiptarët jashtë Shqipërisë solli ndarjen e kombit tonë. Me copëtimin e trojeve shqiptare dhe grabitjen e tyre nga mbretëritë serbe, malazeze e greke e më pas të Jugosllavisë Versajase dhe të Greqisë, filloi një nga periudhat më të rënda, më të vështira dhe më të rrezikshme të historisë së tyre.

Rrethanat e Luftës së Dytë Botërore

Politika e ndjekur ndaj shqiptarëve të Kosovës, të Çamërisë e të viseve të tjera, ndërmjet Dy Luftërave Botërore, ishte politikë e dhunës dhe e gjenocidit ndaj popullit të pafajshëm e të pambrojtur, e cila synonte shkombëtarizimin e popullsisë, ndryshimin me çdo kusht të përkatësisë etnike të këtyre viseve.

Në rrethanat e pushtimit serbo-malazias dhe grek, përkatësia fetare e popullsisë së këtyre viseve, ku dominonte popullsia e besimit islam, si dhe lufta për ruajtjen e këtij besimi, u bë një faktor i rëndësishëm qëndrese dhe një mjet i fuqishëm shprehës i përkatësisë kombëtare të popullsisë. Për këtë arsye gjenocidi antishqiptar, i ndërmarrë gjatë asaj periudhe, synonte likuidimin fizik të shqiptarëve si komb e si popull. Në këtë kuadër, një vend të veçantë zunë dhe përpjekjet për t’i detyruar ata për të braktisur fenë e besimin islam dhe për të përqafuar fenë e pushtuesit.

Në atë situatë jashtëzakonisht të vështirë për popullsinë shqiptare nën okupimin e huaj, një rol të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të popullsisë shqiptare, luajtën organizatat dhe partitë politike të kohës dhe sidomos komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe Organizata për mbrojtjen e të drejtave të myslimanëve “Xhemijeti” (Bashkimi), si dhe organet e tyre “Populli” dhe “Hak”.

Këto dy organizata u krijuan afërsisht në të njëjtën kohë dhe udhëhiqeshin nga dy prej figurave më të shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare, Hoxhë Kadri Prishtina (personalitet i njohur), dhe Ferat be Draga (udhëheqës i organizatës politike të myslimanëve të “Jugut të Jugosllavisë” ).

Pas kapitullimit të Jugosllavisë së Vjetër, Kosova mbeti e pushtuar dhe e copëtuar nën pushtuesit gjermanë, italianë dhe bullgarë.

Shumica e territoreve të Kosovës mbetën nën pushtetin italian dhe iu aneksuan “Shqipërisë Etnike”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, myslimanët e Shqipërisë forcuan lidhjet e tyre me myslimanët shqiptarë të Kosovës , të trojeve tjera shqiptare , të Malit të Zi e të Maqedonisë si dhe me popullatën çame. Këto lidhje ndikuan fuqishëm në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në këto zona. Bashkësia Islame e Kosovës në rrethana të reja, veprimtarinë e vet e zhvilloi në kuadër të komunitetit mysliman të Shqipërisë me qendër në tiranë, pra në kuadër të Shqipërisë etnike, përkatësisht nën okupimin italian.

Kontributi dhe roli i dijetarëve islamë në mbrojtjen kombëtare të Shqipërisë Etnike ishte i shquar edhe në vitet 1941-1945 (Lufta e Dytë Botërore). Gjatë kësaj periudhe ulemaja shqiptare, pjesa absolute e tyre, ishin ata që qëndruan në ballë të organizimit të mbrojtjes kombëtare të Kosovës me viset e tjera të rrezikuara prej çetnikëve dhe komunistëve serbosllavë.

Midis qarqeve patriotike të Kosovës, që ngritën zërin kundër kërkesave anglo-amerikane dhe ruse në fund të vitit 1942, për ruajtjen e lirisë së Jugosllavisë Versajase, ishin edhe drejtuesit e institucioneve fetare myslimane dhe paria e tyre: “Protestojmë kategorikisht kundër atyre që janë për ndarjen e tanësisë etnike të kombit tonë dhe jemi gati me mbrojtur me gjak kurdoherë që ta lypë nevoja çdo pëllëmbë të tokës shqiptare”, shkruante paria popullore fetare e nënprefekturës së Gjilanit.

Ndërkaq, në protestën që vinte nga paria kombëtare e fetare e bashkësisë së Pejës, vihej në spikamë se ministrat e jashtëm të Anglisë, të Amerikës e të Rusisë: “nuk deshkan me ditë se Kosova e Çamëria formojnë pjesën më të madhe të Shqipërisë së vërtetë”.

Kauza kombëtare

Të dhënat burimore dhe kujtimet e historisë së popullit të shumëvuajtur shqiptar, vërtetojnë se krerët e komunitetit mysliman ishin frymëzues dhe drejtues, komandantë shtabesh e njësish të vullnetarëve për mbrojtjen e Shqipërisë Etnike nga sulmet çetnike e synimet komuniste për ripushtimin jugosllav të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në vitet 1941-1945.

Për ta vërtetuar faktin se dijetarët islamë shqiptarë ishin mësues të denjë të kauzës kombëtare, kujtojmë edhe disa vlerësime politike të artikuluara në programin e mbrojtjes kombëtare të Shqipërisë Etnike nga vaizi i mulla Vejsel Gutës, mbajtur në xhaminë “Bajrakli” të Prizrenit, më 17 prill 1943, në dyvjetorin e çlirimit nga pushtuesit jugosllavë. Citojmë: “Pas pesë shekujsh robnie të vështirë, Kosova nga Traktati i turpshëm i Versait hangri grushtin ma të rëndë, u nënshtrua nën zotimin mizuer të një pakice t’egër. Mbeti pothuaj 30 vjet rresht nën shkelmin serb e shkëputun prej nanës Shqipëri…

Por durimin nuk e humbi, shpresën e kishte të gjallë se dikur për hir të së drejtës hyjnore do të binte edhe për Kosovën buria e lirisë”.

Në anën tjetër, personalitetet fetare islame shqiptare patriotike, kishin denoncuar me kohë tradhtinë kombëtare, që mund të vinte veçanërisht nga partia komuniste. Mulla Mustafë Bara, pas formimit të aradhes partizane të Shalës, pasi fali namazin e xhumasë, kërkoi nga xhemati të betoheshin mbi Kur’an se do të luftonin deri në fund kundër partizanëve në tokat shqiptare etnike, ndërsa partizanëve nga radhët e shqiptarëve u tha: “të ktheheni në shtëpi, ose të dilni në Serbi, përndryshe në çdo moment ju pret plumb i Mbrojtjes Kombëtare të Shqipërisë”.

Lista e hoxhallarëve të viseve shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, që la gjurma të pashlyeshme në historinë e mbrojtjes kombëtare të Shqipërisë Etnike është shumë e gjatë dhe kalon numrin mbi 300 hoxhallarë. Në mesin e tyre ishin edhe: Mulla Iljaz Broja, Mulla Ibrahim Polaci, Mulla Zekë Bërdyna, Mulla Nura i Gjinocit, Haxhi Jahja Daci, Asim efendi Luzha, Mulla Hamit Bytyçi, Mulla Ahmet Çunaku, Mulla Riza Osmani, Hafiz Imer Shemsiu, Mulla Rexhep Krasniqi, Mulla Kadri Llashtica, Mulla Shaqir Halili, Mulla Jakup Kamberi, Haki efendi Sermaxhaj, Muhamet efendi Gashi, Mulla Adem Ibrahim Maloku etj..

Dr.sc. Fahrush Rexhepi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit