Problemi i islamofobisë në media nuk duhet parë gjithmonë si komplot kundër Islamit dhe muslimanëve. Edhe gazetaret janë po aq te ekspozuar ndaj paragjykimeve sa edhe pjesa tjetër e shoqërisë. Shpejtësia me te cilën punojnë dhe stresi qe shkaktohet nga afatet kohore që duhen respektuar, bën që shpeshherë gazetarët, sidomos ata që janë pa shumë eksperiencë, të përdorin klishe të gatshme për të përshkruar një situatë të caktuar, pa u futur në brendësi të analizës. Një perdorim i tillë çon në shpërfytyrimin e realitetit. Problemi këtu është se gazetari ka në dorë mjetet me të cilat i nxjerr paragjykimet e veta në faqën e parë të gazetës.
Tek e fundit, roli i medias është të “paraqesë” diçka me anë të figurave, simboleve apo shenjave. Kjo “paraqitje” nuk është “realiteti”, por nje këndvështrim/pikëpamje, e cila për definicion nënkupton diversitet në qasje dhe në mënyrën e trajtimit të problemit.
Për nga natyra, medias nuk i intereson që “treni të arrijnë në orar”, por problemet që i dalin rrugës; një defekt i papritur, apo një aksident, pra ajo që është jashtë përditshmërisë sonë; e pa zakonshmja që na nxjerr jashtë monotonisë. Nga ky aspekt, muslimanëve nuk u jepet ndonjë trajtim më i mirë apo me i keq. Dhe kjo është e rëndësishme të thuhet.
Televizioni për shembull, ka si karakteristikë të vetën aspektin “emocional”. Nuk i referohet shumë arsyes apo mendjes, por “emocionit”, reagimeve të thella e të forta, e shumë pak analizës dhe shpjegimit. Na pëlqen apo jo, televizioni është një pasqyrë e deformuar e realitetit. E thjeshtëzon atë. E shndërron në një karikaturë.
Televizioni është media e “emëruesit të përbashkët me të vogël”, e “konsensusit të butë”. Ajo përgjithësisht merr pozicionin e “masës”. Kur mundohet të përcjellë thellësi kuptimi, të mbrojë mendime apo opsione të rëndësishme, rrezikon ta ndajë audiencën e vet. Prandaj, nuk mund të identifikohet – fjala bie – si mbrojtës i një minoriteti apo bashkësie të caktuar.
Dy fjalë mbi trajtimin e “muslimanëve”, jo Islamit.
Në mediat tona ka pasur (e vazhdon të ketë) një mospërputhje midis numrin të popullsisë muslimane dhe pranisë së tyre në media. Për një kohë relativisht të gjatë Islami ka qenë i “padukshëm”.
Një nga karakteristikat e mënyrës si media i trajton muslimanët (gra apo burra qofshin) është “dimensioni ndërkombëtar”. Nëse një grua për shembull vesh një hixhab, kjo evokon në imagjinatën e njerëzve Iranin e Khomeinit në format e tij më të shëmtuara. Këto ndjenja “negative” forcohen më tej nga ferexheja, e cila asociohet me burkën e gruas afgane. Dalja e ISIS-it në skenë, sulmet ndaj Charlie Hedbo-s në Francë etj., janë faktorë të tjerë rëndues.
Për sa i përket femrës muslimane, ajo është trajtuar në media kryesisht nga dy aspekte:
Si militante, pra si plangprishëse, ose
Si viktimë
Të gjitha konsiderohen si të “manipuluara”, apo të nënshtruara ndaj burrave të tyre.
Reagimet e publikut zakonisht janë të shpejta e gjaknxehta. Shpesherë, nxiten reagime fataliste: muslimanët që kërkojnë të drejta në këtë vend, a janë vërtetë pjesë e shoqërisë dhe kulturës sonë, apo po na sjellin një kulturë dhe fe të “arabizuar”, “orientale”, larg asaj europiane ku aspirojmë të shkojmë?! Për t’iu shmangur përgjijges reale të këtyre pyetjeve, zakonisht jepen përgjigje paragjykuese, me fanatizëm. Pa përmendur këtu ndikimin negativ të politikave që ndjekin drejtuesit e qeverive respektive.
Në Francë për shembull, dalja në skenë e çështjes së shamisë (e femrës muslimane të mbuluar) ka ringjallur debatin mbi feminizmin. Ashtu si shekullarizmi, dhe feminizmi nuk ishte më çështje e diskutueshme. Vënia përsëri në pykëpyetje e feminizmit nuk ka qënë e lehtë për t’u pranuar nga shoqëria franceze. Kjo është bërë shkak për nxitjen e një agresiviteti të madh. Feminizmi shpeshherë është manipuluar nga ekspertët e komunikimit, nga gazetarët e aftë.
Në një kontekst më të gjërë botëror, ku Islami apo praktika të tjera fetare po ringjallen përditë, ku aspirata individuale po zhvillohet gjithnjë e më shumë, ndërkohë që identitetet po vihen në diskutim, gratë muslimane mishërojnë pyetjet, të cilat nuk do të donim t’ia bënim vetes. Ato shihen si elemente shqetësuese, sepse e sjellin çështjen në ndërlikueshmërinë e vet, gjë me të cilën gazetarët e kanë të vështirë të merren.
Këtu duhet të marrim parasysh edhe dobësinë e disa gazetarëve, të cilët nuk janë të mirëpërgatitur në profesionin e tyre. Ata punojnë shumë shpejt dhe shpeshherë “bëjnë sa munden”. Ndërkohë, edhe ata janë po aq të ekspozuar ndaj klisheve sa çdo kush tjetër. Marrin ide të gatshme, i bien shkurt. Ata nuk janë gjithmonë të vetëdijshëm për “fuqinë” e tyre dhe problemet që mund të shkaktojnë. Madje, shpeshherë atyre nuk u bëhet shumë vonë për përgjegjësitë e tyre dhe e kalojnë këtë me mendimin se e kanë me “qëllim të mirë”.
Një shembull për këtë janë disa emisione televizive me tema të tilla si: “Feja dhe terrorizmit: ku ndahen ato nga njëra-tjetra?” etj. Ndonëse qëllimi i gazetarit mund të jetë i mirë (për të hedhur sadopak dritë mbi këtë çështje), togfjalësha të tillë janë klishe, të cilat, dashje pa dashje, përçojnë te audienca idenë e asociimit të fesë me terrorizmin.
Këto raste, nuk duhen parë si komplote kundër Islamit. Kemi të bëjmë thjeshtë me mënyrën si është strukturuar media. Kjo lloj strukture mund të prekë edhe të tjerët përveç muslimanëve.
Po atëherë çfarë duhet të bëjmë?
Është e nevojshme të veprohet në mënyrë aktive dhe konstruktive. Bojkotimi i mediave nuk është gjithmonë zgjidhje, përkundrazi, prania e muslimanëve në media duhet të bëhet diçka e zakonshme.
Muslimanët duhet të shprehin hapur qëndrimin (ose pakënaqësinë) e tyre në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me fenë. Por edhe ta tregojnë veten si qytetarë të thjeshtë të këtij vendi në çështje të tjera si; edukimi, papunësia, politika, kultura, ekonomia siguria etj.
Përgatiti Enes Neza
Observer.al