1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Roli i Islamit në formësimin dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar

Më të lexuarat

Milazim Krasniqi

Cikli i ri i histerisë islamofobe në Kosovë, me gjoja konvertime kolektive dhe sulme të shfrenuara kundër besimit islam, na detyron që të kthehemi pas në histori për të parë cili ka qenë roli i vërtetë i Islamit ndër shqiptarë. Nga ky rol mund të projektohet edhe e ardhmja e tij në trojet shqiptare.

Vështrimi për rolin e vërtetë të Islamit ndër shqiptarë e në trojet shqiptare është si vijon: Islami ndër shqiptarë ka një traditë disa shekullore, e cila është zhvilluar pa ndërprerje që nga shekulli XV e deri në ditët tona, duke ushtruar një ndikim esencial në mbijetesën dhe formësimin e identitetit fetar, kulturor dhe kombëtar të tyre. Mund të hamendësohet se cila do të ishte rruga dhe fati historik i shqiptarëve si kolektivitet nëse do të mbeteshin jashtë ndikimit të mesazhit Hyjnor Islam, në presionin e rëndë të ortodoksisë bizantino-greke dhe serbe, të cilat, siç dëshmojnë disa shekuj pushtimi, synonin asimilimin dhe zhdukjen e plotë kulturore dhe etnike të shqiptarëve.

Pra, nëse e marrim si pikënisje vlerësimin e perspektivës së shqiptarëve në sfondin bizantino-grek dhe sllav, gjendja në të cilën ndodheshin ata kur mesazhi islam arriti në trojet e tyre, është krejt e qartë se ajo gjendje do të çonte më tej në zvogëlimin numerik dhe asimilimin e vazhdueshëm gjuhësor e kulturor të shqiptarëve. Mungesa e plotë e dëshmive të shkrimeve shqipe dhe gjurmëve kulturore nga shekujt VII-XIV, përfshirë edhe sllavizimin e plotë të toponimeve në trojet shqiptare dhe madje edhe të emrave të vetë shqiptarëve, zbulon qartë atë zhdukje etnike që përparonte nën sundimet bizantine dhe sllave, të cilat vetëm sa e thellonin asimilimin e shkaktuar nga romanizimi gjatë pushtimit të gjatë romak, që nga shekulli II para Isait alejhis-selam e deri në shekullin e V pas Isait alejhis-selam. Prandaj, po të vazhdonte ajo tkurrje dhe ai shfytyrim kulturor nën presionin e sundimit bizantin dhe sllav, është e qartë se asimilimi do të intensifikohej.   

Shenjë e Mëshirës së Krijuesit

Por, pranimi i mesazhit hyjnor të Islamit nga një pjese e madhe e shqiptarëve që kur ranë në kontakt direkt me të, veçanërisht pas Betejës së Kosovës në vitin 1389, e ndali trendin negativ të tkurrjes dhe asimilimit të shqiptarëve, duke i dhënë një drejtim të ri zhvillimit të tyre. Pranimi i Islamit nga shqiptarët, që pa dyshim është një shenjë e mëshirës së Krijuesit ndaj këtij populli, e ndërpreu procesin tragjik të shfarosjes dhe asimilimit dhe solli një ndriçim të ri moral dhe shpirtëror, si dhe një hov të ri në zhvillimin e tyre demografik dhe kulturor. 

Islami u ofroi shqiptarëve të Mesjetës së errët evropiane një vision të ri për misionin e njeriut në këtë botë, para së gjithash duke ua ngulitur në ndërgjegje të vërtetën për njëshmërinë e Krijuesit të Botërave. Të ndërgjegjësuar për këtë aksiomë, shqiptarët muslimanë u larguan nga konceptimi i dyzuar për Krijuesin. Ky largim nga konceptimi shizofrenik për Krijuesin i dha një kompaktësi ndërgjegjes së tyre, i bëri më të durueshëm e më të qëndrueshëm në furtunat jetësore e historike që do të përplaseshin mbi fatet e tyre si sprovë e re e aftësisë së mbijetesës fizike dhe kombëtare pas daljes së dhunshme nga ombrella e hilafetit islam. Edhe besimi i palëkundur në botën e amshueshme, në Ahiret, si një vazhdimësi e jetës në një nivel dhe përmbajtje më të lartë për besimtarët që gjejnë mëshirën e Krijuesit të Botërave, i ndihmoi ata të dalin nga vorbullat e nihilizmit të të ashtuquajturit faj fillestar, i cili ushtron ndikim të fuqishëm në ndërgjegjen e të krishterëve. Ndërsa, namazi dhe agjërimi i Ramazanit u sollën shqiptarëve që përqafuan Islamin një botëkuptim të ri për adhurimin ndaj Krijuesit të tyre, duke i edukuar me disiplinë, durim dhe sakrificë. Edhe praktika e zekatit u dha besimtarëve muslimanë një vizion të ri të solidaritetit me njëri – tjetrin, duke e hequr bamirësinë  nga niveli i përkatësisë fisnore, e duke e bërë atë obligim për hir të All-llahut, ndaj të gjithë nevojtarëve. Ky horizont i ri i bamirësisë dhe solidaritetit pati ndikime pozitive në zgjerimin e njohjeve dhe të komunikimeve brendashqiptare, të cilat për shekuj me radhë kishin mbetur të konservuara në korniza të ngushta fisnore.   

Transformimi thelbësor: nga piratë në diplomatë

Kësisoj, njohja e shtyllave të Islamit dhe organizimi i jetës për shekuj me radhë mbi bazën e udhëzimeve kur’anore, pati një ndikim të fuqishëm në formësimin e individit shqiptar, në strukturën e familjes shqiptare dhe pjesërisht të shoqërisë shqiptare. Ndjenja e përkushtimit të individit për familjen dhe farefisin, respektimi i prindërve dhe të moshuarve, lehtësia e emigrimit në botën islame, afirmimi i premtimit të dhënë si vlerë sublime dhe durimi në vështirësi janë disa nga tiparet që kanë vulosur karakterin e individit shqiptar, të cilat, pavarësisht se janë përzier me shtresa të tjera të vlerave etike dhe kulturore, në thelb kanë prejardhje nga mësimet islame. Shkalla e pamjaftueshme e injektimit të këtyre vlerave në individin shqiptar ka bërë që disa prej tyre të mos jenë tipike për këtë individ, por vetëm tendenca të karakterit të tij. Megjithatë, pa ndikimin e fuqishëm të Islamit nëpër shekuj vetëm mund të hamendësohet se me çfarë cenesh negative do të zhvillohej individualiteti i njeriut shqiptar i konservuar në strukturat fisnore dhe çfarë drejtimesh do të merrte historia shqiptare pa durimin dhe pa maturinë që buronte nga Islam. 

Në burimet e shkruara nga autorë të huaj antikë, të cilët kanë pasur kontakte me shqiptarët, më së shumti dominon një vlerësim negativ për karakterin dhe për organizimin e tyre. Sado që në këto vlerësime ka pasur keqdashje të autorëve, nuk mund të përjashtohet plotësisht objektiviteti i tyre, pasi organizimi dhe ndikimi kulturor i ilirëve-albanëve/shqiptarëve në këto periudha historike ka qenë shumë inferior në krahasim me romakët në fillim dhe me fqinjët grekë e sllavë më vonë. Nuk duhet injoruar as fakti se qytetet antike me ndikim kulturor të ndjeshëm, si Butrinti, Apollonia dhe Durrësi, në fakt kanë qenë koloni helene e romake dhe në to nuk ka gjurmë të shkruara në gjuhën ilire – shqipe dhe as aktivitete kulturore të dokumentuara me prejardhje ilire. Fakti që këto qytete kanë ekzistuar si enklava në trojet e ilirëve antikë dhe të shqiptarëve të sotëm nuk prodhon vetvetiu argumente për kulturë ilire në to. Ka shembuj të shumtë të ekzistimit të kulturave të tjera në një territor të një populli tjetër, madje pa ndikuar realisht në ngritjen kulturore të popullsisë vendase, që nga kultura antike helene e romake në qytetet e shumta përgjatë pellgut të Mesdheut, e deri te kultura perëndimore në truallin e indianëve të Amerikës.    

Si një kundërpërgjigje ndaj inferioritetit kulturor të ilirëve ndaj pushtuesve dhe fqinjëve,  mentaliteti pirat dhe plaçkitës, si dhe prirja për rebelime dhe konflikte ndërfisnore mbetën si shenja  të identifikueshme të individit dhe bashkësisë ilire/shqiptare nëpër histori. Ky fenomen ka ndikuar në ngadalësimin e procesit të formësimit të një identiteti të qartë, që do të linte gjurmë konkrete në histori dhe kulturë. Fakti që bashkëjetesa e gjatë me grekët dhe romakët nuk ka rezultuar në një organizim më të qartë shtetëror dhe me një manifetim të zhvillimit të identitetit gjuhësor e kulturor, është dëshmi e inferioritetit dhe e keq organizimit. Shkaqet që numëron historiografia romantike shqiptare për këtë ngecje janë pjesë e këtij inferioriteti dhe këtij keq organizimi. E vërteta mbetet që individi ilir/shqiptar ishte i konvertueshëm në romak, grek e sllav, duke përvetësuar edhe gjuhën dhe kulturën e tjetrit. Ndërsa në nivelin e bashkësisë, duke mbetur të lidhur ngushtë me lidhjet fisnore, ilirët dhe shqiptarët për një periudhë tepër të gjatë nuk arritën të organizohen në mënyrë që të krijonin një entitet shtetëror dhe kulturor të dallueshëm nga fqinjët.        

Prova të një identiteti të tillë do të jepeshin më vonë, pas disa shekujsh të jetës nën sundimin osman, ku ndodhi një transformim real i jetës sociale, kulturore, fetare dhe kombëtare të shqiptarëve. Këta shembuj do të vijnë pasi të ketë kaluar gati pesë shekuj të sundimit osman, në të cilin shqiptarët njohën një rikonsolidim të brendshëm demografik dhe kulturor pas shpërbërjes së gjatë nën sundimet romake, bizantine e serbe. Themeluesit e Lidhjes së Prizrenit përfaqësonin një profil të ri të individit shqiptar që kërkonte realizimin e vet dhe të fateve të kolektivitetit me anën e një angazhimi të disiplinuar dhe të menduar mirë në sfondin e komplikuar të zhvillimeve politike, diplomatike e ushtarake të kohës. Pa një profilizim të tillë, krijimi i një lëvizjeje indipendentiste që synonte ruajtjen dhe afirmimin e identitetit shqiptar dhe islam të shqiptarëve në një kontekst ballkanik armiqësor dhe në moskuptimet tragjike të qeveritarëve osmanë, si dhe në gjeopolitikat antishqiptare dhe antiislame të shekullit XIX dhe XX në Evropë, do të ishte e paimagjinueshme. Kur analizohen me kujdes biografitë dhe bëmat e personaliteteve të kësaj lëvizjeje, është e qartë se ato dëshmojnë për një emancipim të individit shqiptar në Islam, ku ai kishte përfituar vlera të larta organizative nga përvoja shtetërore, politike dhe fetare në Perandorinë Osmane. Falë këtij transformimi dhe kësaj vetëdijeje vepruese islame, u kultivua toleranca e brendshme shqiptare. Kjo tolerancë mundësoi integrimin e shqiptarëve, që, edhe pse i përkisnin feve të ndryshme, realizuan një projekt unik politik dhe nacional. Ky projekt rezultoi me identifikimin e kërkesave politike dhe nacionale në vitin 1878  dhe me krijimin e shtetit shqiptar në 1912. Nga faktet historike është e qartë se barrën kryesore të këtij projekti kombformues e shtetformues, përfshirë edhe pasojat e gjenocidit serb në viset veriore pas Kongresit të Berlinit dhe ndëshkimin e pushtetit turk që erdhi si reaksion i detyrueshëm për shkak të imponimit të diktatit të Fuqive të Mëdha të kohës, e ka bartur  mbi vete popullsia muslimane shqiptare dhe elita intelektuale e politike e dalë prej saj. 

Me këto ngjarje finalizohet formimi i kombit dhe i shtetit shqiptar. Kur shqyrtohet gjendja e shqiptarëve kur hynë në Perandorinë Osmane dhe shumica e tyre e përqafuan Islamin, si dhe gjendja kur dolën prej asaj Perandorie, është e qartë se në ato pesë shekuj ndodhi një konsolidim i dukshëm social, kulturor dhe politik dhe një konfirmim i identitetit kombëtar në sfondin ballkanik. Ky sfond, i mbushur përplot atavizma dhe konflikte, e bën të qartë se këto objektiva do të ishin të paarritshme pa ndikimin e fuqishëm të Islamit në individin dhe në bashkësinë shqiptare.     

Fatkeqësisht, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në 1912 dhe mbetjes së shumicës së trojeve shqiptare nën sundimet e huaja sllave e greke, filloi një “vesternizim” artificial i karakterit të shqiptarëve, që solli ndryshimin e dhimbshëm të individualitetit dhe të sistemit të vlerave, me të cilat matet e mira dhe e keqja, e drejta dhe e shtrembëta, hallalli dhe harami. Ky deformim është më së qarti i dukshëm në elitat politike shqiptare “të vesternizuara”, të cilat janë të njohura edhe sot për qeverisje të padrejta, shpërdorim të pushtetit, korrupsion dhe servilizëm ndaj të huajve. Situata në të cilën ndodhet sot profili moral i individit politik shqiptar, veçanërisht të atij që është jashtë besimit fetar dhe veçanërisht jashtë besimit islam, është e njohur. Qeveritarët e sotëm të Shqipërisë janë ndër më të korruptuarit në botë, dhe tendencat në Kosovë dhe Maqedoni nuk janë inkurajuese.

Individi shqiptar, i shkëputur nga ai sistem vlerash morale dhe fetare islame që mbrojti karakterin e shqiptarit në shekujt e parë të përqafimit të Islamit, është bërë moskokëçarës ndaj ndershmërisë, korrektësisë dhe mbajtjes së premtimeve. Megjithatë, është e qartë se politikanët dhe qeveritarët nuk janë një kategori më vete e këtij çmoralizimi, pasi në sistemet demokratike të votimit të lirë, ata janë produkt direkt i shijes, kërkesave dhe vlerësimeve të bashkësisë përkatëse, në këtë rast qytetarëve.

Një projekt gjysmak 

Islami pati ndikim të fuqishëm edhe në strukturën e familjes shqiptare muslimane dhe në vlerat që funksionalizohen brenda saj, edhe pse ky ndikim në të shumtën nuk ka qenë i plotë as në periudhat më të ndritshme të Islamit ndër shqiptarë. Kjo ka ndodhur për shkak të ndikimeve të tjera mbi strukturën dhe vlerat e familjes shqiptare, si gjendja sociale, e drejta zakonore, administratat e pushteteve të ndryshme joislame dhe antiislame, dhe sistemet e tjera fetare. Sidoqoftë, raportet ndërmjet bashkëshortëve, ndërmjet fëmijëve dhe prindërve të tyre, si dhe qëndrimi ndaj lindjes dhe vdekjes, kanë ruajtur disa elemente të ndikimit të Islamit deri në ditët e sotme.

Megjithëse gjysmë shekulli nën regjimin komunist në Shqipëri dhe në viset e tjera shqiptare ka rrënuar ndjeshëm stabilitetin dhe sistemin e vlerave të familjes shqiptare, në Kosovë tragjedia e viteve 1998-1999, me dëbimin e mbi një milion shqiptarëve dhe me gjenocidin, dhunimet dhe poshtërimet e tmerrshme, ka sjellë një krizë të re në familjen shqiptare. Rritja e shkurorëzimeve, rritja e dhunës në familje dhe zgjerimi i prostitucionit janë dukuri që po sulmojnë stabilitetin dhe strukturën e familjes shqiptare në Kosovë. Këto fenomene janë ndihmuar edhe nga prania e madhe e administratorëve civilë dhe ushtarëve të huaj në Kosovë, që kanë imponuar një gjendje tipike koloniale. Rritja e varfërisë së popullsisë vendase, përkrah pasurimit të administratorëve të huaj dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, si dhe kushtëzimi i punësimit të femrave me shërbime seksuale për punëdhënësit e huaj, kanë provokuar një “zgjim” abnormal të femrës shqiptare, që po bëhet kërcënues për familjen.

Fisi – simboli i ngecjes shqiptare 

Në strukturat e fisit dhe të shoqërisë shqiptare, përgjatë kësaj historie, ka dominuar më shumë koncepti zakonor se sa ai islam. Kjo ka sjellë më shumë sherre ndërmjet fiseve, më shumë gjakmarrje dhe krime. Ky element negativ i shoqërisë shqiptare nëpër kohë nuk ka prejardhje islame, sepse në Islam gjakmarrja është e ndaluar me shpalljet kur’anore dhe me ligjëratën lamtumirëse të Muhammedit (paqja qoftë mbi të).

Gjakmarrja, kamata, martesa e femrave me mblesëri, mercenarizmi dhe dukuri të tjera negative janë me prejardhje nga injoranca dhe si të tilla kanë penguar forcimin e Islamit në bashkësinë shqiptare. Fatkeqësisht, organizimi i fuqishëm fisnor paraislam ka mbetur edhe pas pranimit të Islamit nga shumica e shqiptarëve, për shkak se Perandoria Osmane ka respektuar format e organizimit lokal dhe ia ka përshtatur ato sundimit të vet në territoret e saj. Kështu, ndikimi i mesazhit islam në organizimet fisnore nuk ka arritur të ndriçojë siç duhet, duke rezultuar në krijimin e strukturave që kanë luftuar sistemin e vlerave islame te individët dhe familjet shqiptare muslimane. Madje, edhe kryengritjet e shekullit të XV, të udhëhequra nga Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, kanë qenë organizime fisnore që u shndërruan në struktura antiislame edhe falë rolit vasal që morën ndaj disa shteteve evropiane të asaj kohe, si Napoli, Venecia dhe Vatikan. 

Tradita e fuqishme fisnore e çimentuar ndër shekuj, edhe gjatë sundimit osman, e bashkuar me fragmentimin fetar dhe mercenarizimin e motivuar nga interesat parciale, është shndërruar në një problem kritik për shtetin shqiptar pas formimit të tij në vitin 1912 dhe ka ndikime negative në trojet shqiptare edhe sot. Si e tillë, me prirje përçarëse dhe diversive, ajo traditë ka prejardhje dhe motivim antishqiptar dhe antiislam.   

Efektet praktike nga pranimi i Islamit   

Kalimi i hershëm i shqiptarëve në Islam, përveç se si ikje nga feja e zullumqarëve të tyre, serbëve dhe grekëve, si dhe nga kujtesa e dhunimeve të llahtarshme që kishin lënë pas kryqëzatat në trojet shqiptare, fillimisht pati edhe qëllime praktike. Perandoria Osmane u dha mundësi atyre që përqafonin Islamin të ruanin pronat ose t’i fitonin ato me besnikërinë e treguar ndaj saj, ku pika themelore e besnikërisë ishte pranimi i Islamit. Shqiptarët, me këtë besnikëri, rimorën veten dhe filluan të tregojnë epërsi ndaj fqinjëve të tjerë ballkanikë, si serbët, grekët, bullgarët dhe rumunët, të cilët rezistuan më shumë ndaj pranimit të Islamit për shkak të konsolidimit të kishave ortodokse dhe tolerancës të pashoqe të Perandorisë Osmane ndaj ortodoksisë.

Përmbysja administrative dhe sociale që solli rënia e Mbretërisë Serbe pas vdekjes së car Dushanit dhe pas Betejës së Kosovës të vitit 1389, si dhe kalimi i Perandorisë së Bizantit në defansivë në raport me Perandorinë Osmane, e cila lëshoi shtat në fqinjësi të saj, u mundësoi shqiptarëve që të dyndeshin nëpër qytete dhe ta bënin shqipe, gjuhë dominuese të komunikimit, pas dobësimit të serbishtes dhe greqishtes. Nga ana tjetër, gjuha turqishte po depërtonte me ngadalësi, sepse ende po vazhdonte ekspansioni ushtarak i Perandorisë Osmane (1683), gjë që kishte mundësuar një pushtet mjaft të decentralizuar në territoret ku ishte stabilizuar gjendja e sundimit osman. Osmanishtja ishte gjuhë e administratës së re, por nuk ishte gjuha e fesë së re. Pra, ndikimi i saj ishte më i kufizuar se ai i serbishtes dhe greqishtes, të cilat kishin qenë gjithashtu gjuhë të administratës dhe të fesë. Rrjedhimisht, kultivimi i gjuhës shqipe në komunikimin e përditshëm, bashkë me forcimin e strukturave të reja sociale që shprehnin realitetin e ri politik dhe fetar islam, u shndërruan në faktor kompaktësimi nacional të shqiptarëve kundruall serbëve e grekëve dhe fqinjve të tjerë.

Nuk mund të jetë rastësi që librat e parë në gjuhën shqipe u shkruan në shekullin e XVI, pasi shqipja kishte arritur një shkallë zhvillimi që ia mundësonte të bëhej gjuhë e shkrimeve liturgjike. Sa për krahasim, një shekull para Gjon Buzukut, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu kishte përdorur vetëm sllavishten dhe latinishten në administratën e tij, e në asnjë rast nuk e ka përdorur shqipen. Nga ana tjetër, Gjon Buzuku, autori i librit të parë në gjuhën shqipe, ka shkruar se më parë nuk kishte libra në shqip. Edhe pse Gjon Buzuku ishte prift katolik dhe librin e shkroi nën nxitjen e Kundërreformës së Vatikanit për të parandaluar përhapjen e Reformës protestane të Martin Luterit dhe të Islamit ndër shqiptarë, kjo vepër dëshmon se gjuha shqipe në shekujt XV e XVI të sundimit osman kishte njohur zhvillim dhe kishte arritur aftësinë që të bëhej gjuhë e shkrimit. 

Për më tepër, Perandoria Osmane kishte tolerancë fetare ndaj katolikëve në territoret të cilat prej  shekujsh i qeveriste me sovranitet të plotë. Vetëm më vonë, kur Perandoria Osmane filloi të dobësohej, ajo do të pranonte me presion Kultusprotektoratin austriak mbi katolikët e Shqipërisë si koncesion, që më pas u shndërrua në një lëvizje fetare katolike dhe një aktivitet evident gjuhësor e kulturor ndër shqiptarë, dhe mbikëqyrjen ruse mbi ortodoksinë në Ballkan dhe Shqipëri.

Krahas krijimit të ambientit për kultivimin e gjuhës shqipe në komunikimin e përditshëm dhe në shkrim, në shekujt XVI-XVIII u ndërtua një rrjet i madh medreseshë dhe shkollash të tjera të mësimit islam, nga të cilat dolën një numër i madh intelektualësh islamë. Shkrimtarët shqiptarë si Nezim Frakulla, Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Çami-Kyçyku, si dhe rilindasit Naim e Sami Frashëri, morën formimin e parë në shkollat islame vendase. Këto gjenerata të formuara në këto shkolla u bënë ideatorë dhe ideologë të krijimit të kombit shqiptar si reagim ndaj projektit nacionalist turkomadh për asimilimin e shqiptarëve.

Projekti nacionalist turkomadh që u shfaq në Perandorinë Osmane me reformat e Tanzimatit të vitit 1830 ishte nën ndikimin dhe presionin e shteteve të mëdha europiane, të cilat kishin formuar konceptin e kombit-shtet. Reformat e bazuara në këtë koncept u bënë katalizator i konflikteve brenda muslimanëve që jetonin në Perandorinë Osmane dhe, më pas, i shpërbërjes së saj.

Në përmbledhje, ndikimi i Islamit në formësimin praktik të identitetit gjuhësor, kulturor, shtetëror dhe nacional dhe madje në faktorizimin e tyre demografik është evident dhe, në disa raste, ka qenë vendimtar. Nga perspektiva historike, Islami ka rrënjë të thella në trojet shqiptare dhe ato rrënjë nuk mund të shkulen.

Meqë ky është një identitet islam i formësuar gjatë shekujve dhe nëpërmjet fateve dramatike, është e sigurt se është mundësuar vetëm me vullnetin e Krijuesit të Botërave. Prandaj, askush të mos ketë iluzione se mund të ndryshohen ligjet e All-llahut për të formësuar perspektivën e një individi, një populli apo një kombi. All-llahu ka shpallur qartë:

“Ai është që dërgoi të dërguarin e Vet me udhëzim të plotë dhe me fenë e vërtetë, që të triumfojë mbi çdo fe; e mjafton All-llahu si dëshmitar.” (Fet-h: 28)

Triumfi i fesë së vërtetë Islame edhe ndër shqiptarë është i garantuar nga vetë All-llahu, ndërsa ne duhet të marrim pjesë në formësimin e këtij triumfi në komunitetin tonë, për të fituar mëshirën dhe mbrojtjen e Tij.

*Titulli është redaksional. Titulli origjinal i shkrimit: ‘Roli i Islamit në trojet shqiptare’.

Milazim Krasniqi

Milazim Krasniqihttps://milazimkrasniqi.wordpress.com/

Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit