1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Roli i imamit në ditët e sotme

Më të lexuarat

Bahri Curri

Është me rëndësi përgatitja e sistemit të jetës, të cilin njeriu me anë të dhuratës së çmuar nga Allahu xhel-le shanuhu – mendjes, mund ta formulojë deri diku. Mirëpo, duke qenë se njeriu nuk është në gjendje që ta finalizojë qëllimin e tij, d.m.th. ta përpilojë një sistem të një jete të begatshme dhe fatlume, atëherë Allahu nga mëshira e Tij, zbriti Shpalljen Hyjnore dhe dërgoi pejgamberët për ta sqaruar atë. Njeriu me këtë rast e ka të gatshëm sistemin e jetës, dhe nëse e konfirmon jetën e tij sipas këtij sistemi, përveç që do të kalojë një jetë fatlume në këtë botë, ashtu si e meriton qenia njerëzore, por edhe në botën tjetër do të jetë i shpëtuar dhe i shpërblyer me mirësitë e Zotit.

Thirrësit në këtë sistem kanë qenë të dërguarit e Allahut, duke filluar prej Ademit alejhi selam deri te Muhamedi alejhi selam, për të cilin Allahu xhel-le shanuhu thotë:

“E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” (Enbija, 107)

Meqenëse Muhamedi alejhi selam është pejgamberi i fundit dhe pas tij s’do të ketë më pejgamberë, misionin e tij duhet ta vazhdojnë dhe trashëgojnë dijetarët, ashtu siç ka thënë edhe vetë Muhamedi alejhi selam:

“Trashëgimtarët e mi janë dijetarët.”

Për këtë gjë na urdhëron edhe Allahu i Madhërishëm në Kur’an duke thënë:

“Nga ju le të jetë një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit.” (Ali Imran, 104)

Pra, dijetarët janë vazhdues të misionit islam. S’do të thotë se edhe këtyre duhet t’u vijë shpallja, apo të emërohen me emrin “të dërguar”, por këta janë përhapës dhe sqarues të sistemit islam te njerëzimi dhe thirrës në atë, që është e dobishme dhe e mbarë si dhe ndalues nga e keqja.

Te ne barrën e tillë e kanë njerëzit me arsimim fetar – hoxhallarët, të cilët kanë një ndikim të madh te masa e gjerë, andaj dhe roli i tyre është shumë i madh. Aktivitetin e tyre e zhvillojnë në xhami dhe jashtë saj. Xhamia është qendra kulturore dhe shpirtërore e muslimanëve, aty shkojnë pesë herë në ditë për ta adhuruar dhe lutur Zotin. Ndërsa, dita e premte është dita e namazit të xhumasë, ku mblidhen të gjithë së bashku në xhami për të dëgjuar ligjërimin dhe këshillat e imamit, pastaj të falin namazin e xhumasë.

Meqenëse ligjërata në ditën e xhumasë është shumë me rëndësi, ngase nga kjo besimtarët mësojnë se çka ka urdhëruar Zoti dhe i Dërguari i Tij në çështje të ndryshme, që kanë të bëjnë me fe, atdhe, shoqëri, moral etj. Ligjëruesi, apo imami i xhamisë, duhet të jetë i aftë dhe i përgatitur mirë, të ketë njohuri të mjaftueshme nga Kur’ani, Hadithi, Akaidi, Fikhu, Historia Islame etj. Përveç kësaj, duhet të lexojë edhe libra jashtë besimit islam d.m.th. të besimeve tjera, libra të ateistëve, kështu që t’i njohë qëllimet e tyre dhe t’u kundërvihet e t’i demantojë ato duke sjellë argumente bindëse. Duhet, po ashtu, të lexojë literaturë të ndryshme botërore, të lexojë filozofi, sociologji, psikologji etj., të lexojë edhe mbi rrymat mendore të kohës së tij, në mënyrë që të jetë i informuar dhe në gjendje të diskutojë mbi këto subjekte.

Nëse imami i disponon të gjitha këto, dhe vepron në këtë mënyrë, me zell e përpjekje të vazhdueshme, populli (xhemati), që ka në krye një imam të tillë, do t’i njohë çështjet në mënyrë thelbësore e të qartë, dhe do të ecë gjithnjë përpara duke i realizuar aspiratat e tij.

Varfëria kulturore e imamit, duke qenë në këtë pozitë shumë të lartë, si udhëheqës shpirtëror dhe i jetës praktike të besimtarëve, si dhe mospërgatitja e imamit për një detyrë të tillë, është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe shumë e dëmshme. Jo vetëm që kurorëzohet me mossukses, por ka edhe pasoja fatale negative.

Te ne, imamët tanë, në të shumtën e rasteve, lëngojnë nga varfëria kulturore, e ç’është edhe më e keqja, hetohet edhe një mosangazhim i duhur, andaj dhe ligjëratat e tyre janë të zbehta dhe të pasuksesshme.

Në ditët e sotme, jo vetëm që është e nevojshme, por është edhe e domosdoshme që imamët tanë të angazhohen maksimalisht në detyrën e tyre, që shpirtërisht ta edukojnë dhe stabilizojnë masën e gjerë, dhe ta drejtojnë në rrugë të mirë, të sigurt, përparimtare dhe njerëzore, siç është Islami. Dhe imamët, përveç që duhet të pajisen me dituri, kulturë e cilësi morale të larta, duhet të jenë edhe shembull në atë që ligjërojnë apo këshillojnë. Nëse këshillon për drejtësi, të jetë edhe vetë i drejtë, nëse këshillon për bujari, të jetë edhe vetë bujar, e kështu me radhë, dhe të jetë në gjendje të sakrifikojë pasurinë dhe jetën e tij për fe e atdhe, para se ta kërkojë atë prej të tjerëve.

Ligjëruesi-imami duhet të jetë i përgatitur për ligjëratën që mban duke rrahur çështje dhe probleme që ka nevojë, qoftë fetare, kombëtare, morale, shoqërore, duke sjellë versete kur’anore dhe hadithe apo çështje dhe shembuj nga historia islame apo nga ajo kombëtare për ta ilustruar temën mbi të cilën flet, duke përdorur stil dhe gjuhë të qartë që kuptohet nga të gjithë. Lidhur me këtë Zoti në Kur’an i thotë Muhamedit alejhi selam:

“Thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë. Dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me  atë mënyrë që është më e mira.” (Nahl, 125)

Njëri ndër problemet e mëdha, që ekziston sot dhe duhet t’i kushtohet vëmendje dhe kujdes i madh, është edhe çështja e rinisë sonë. Kah është nisur rinia jonë dhe ç’është duke bërë, ajo veç po shihet. Të rinjtë dhe të rejat, me të madhe kalojnë në alkoolizëm, drogë, prostitucion e dukuri tjera devijante e shkatërruese për veten e tyre e popullin tonë.

E keqja tjetër, që ka kapluar rininë tonë, është edhe ikja nga atdheu. Imamët, të gjitha këto, duhet t’i shohin dhe të jenë të vetëdijshëm për pasojat e tyre, dhe të ngrisin zërin kundër këtyre të këqijave, dhe me punën e tyre këmbëngulëse t’i ndalojnë këto të këqija, si dhe rinisë sonë t’i japin një edukatë të mirëfilltë e të shëndoshë, duke i larguar nga këto vese shkatërruese, e njëherit edhe ta drejtojnë në ngritjen e vetëdijes kombëtare që atdheu të mos lëshohet. Kështu, duke punuar me rininë, në edukimin e tyre dhe në njohjen e gjërave në mënyrë reale, i sigurojmë popullit trashëgimtarë të shëndoshë e të frytshëm si dhe shpresa të mira, sepse shpresa e një populli dhe ardhmëria e tij e lavdishme është rinia e saj e edukuar dhe e aftë.

Sa për përfundim, po përmendi se detyra e imamit është e shenjtë, por njëherit është edhe barrë e rëndë. Këtë detyrë lypset kryer me ndërgjegje dhe vetëdije të lartë.

Lusim Allahun xhel-le shanuhu të na ndihmojë në përparimin dhe zhvillimin e Islamit dhe popullit tonë!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit