2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Roli i gurores në tragjedinë e Bosnjës

Më të lexuarat

Gur pas guri. Për 23 vjet rresht. Kaq kohë është dashur për të gërmuar dolomit – material ndërtimor – prej një guroreje rreth 500 metra prej shtëpive në vendbanimin Donja Jabllanica, ku, sipas të dhënave të fundit, kanë vdekur 16 persona.

Ata kanë humbur jetën në ditët e fundit si pasojë e rrëshqitjeve të dheut, të shkaktuara prej reshjeve të mëdha të shiut.

Ndërkohë uji është tërhequr, por shenjat e gurit të bardhë kanë mbetur.

Sipas banorëve lokalë, me të cilët ka biseduar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, kompania që ka gërmuar gurin, ka përdorur edhe lëndë shpërthyese.

Dyshimeve se puna e bërë nga gurëthyesit mund të jetë shkaktare e tragjedisë në Jabllanicë, u ka dhënë së pari jehonë kryeministri i Federatës së Bosnje-Hercegovinës, Nermin Nikshiq.

Ai ka thënë se dëmi në Donja Jabllanicë nuk do të kishte qenë kaq i madh, dhe as nuk do të kishte kaq shumë viktima, nëse pjesa rreth gurores nuk do të ishte shembur.

Këto deklarata kanë nxitur Zyrën e Prokurorit në kantonin Neretva të Hercegovinës, që të nisë një rast dhe të angazhojë disa prokurorë në këtë lëndë.

“Po ndërmarrim të gjitha masat, me qëllim të vërtetimit të ndonjë përgjegjësie dhe rolit të faktorit njeri në këtë tragjedi në Jabllanicë”, është thënë në deklaratën e Zyrës së Prokurorit, duke shtuar se janë duke analizuar aktivitetet e gurores që gjendet në atë zonë.

Puna në këtë gurore është menaxhuar prej kompanisë familjare “Sani doo Jablanica”, në pronësi të Xhenan Hongjas.

Kompania e tij merret me prerje, formësim dhe përpunim të gurit.

Në bazën e të dhënave të agjencisë për vlerësime kreditore, LRC, shihet që të hyrat e kompanisë së Hongjas shkojnë në mbi 217.000 euro dhe që ajo i ka pesë punëtorë.

Çfarë thonë banorët lokal?

“Fajin e ka shteti që e ka lënë atë të gërmojë për 25 vjet. Fajin e kanë edhe zyra e inspektimit, edhe komuna, edhe kantoni. Edhe policia që ia ka toleruar makinat dhe kamionët e paregjistruar”, ka thënë Gjenan Imamoviq, banor i Donje Jabllanicës.

Ai i ka humbur nëntë anëtarë të familjes si pasojë e vërshimeve.

Qeveria federale e kësaj zone ka thënë se kompania që ka në pronësi guroren, është themeluar më 2001, dhe që nuk është në regjistrat e Ministrisë së Federatës apo të kantonit Hercegovina – Neretva, ku gjendet Jabllanica.

“Nuk është lëshuar asnjë dokumentacion për koncesion”, ka thënë kryeministri i Federatës, Nermin Nikshiq.

Në dokumentacionin e Administratës Federale për Çështje të Gjeodezisë, përmendet që rruga hyrëse për në gurore është gërmuar disa herë nga subjekte private.

“Të gjitha këto shtëpi u vërshuan, ato e kanë lënë atë të kalojë nëpër tokat e tyre, ua kanë shitur tokat, unë nuk ia kam dhënë tokën atij”, ka thënë Gjenan Imamoviq, banor i zonës.

Kryetari i Jabllanicës nuk flet për guroren

Kryetari i Jabllanicës është në pushtet që katër vjet.

Kur është pyetur nëse inspektorët komunalë e kanë kontrolluar guroren, Damiq Shabanoviq, nuk ka pranuar të flasë.

“Do të merremi me pasojat, pyesni inspektorët nëse kanë qenë në gurore”, ka thënë Shabanoviq.

Inspektorët komunalë dhe ata të kantonit nuk u janë përgjigjur pyetjeve nëse kanë kontrolluar punimet në gurore.

Edhe Kenan Shashiq, këshilltar i kryetarit të komunës, nuk ka dashur të flasë në këtë drejtim.

Në të njëjtën kohë, Ministri i Ekonomisë në kantonin Hercegovina – Neretva, ka thënë se ai nuk mund të deklarojë asgjë për guroren, “sepse ashtu ka urdhëruar qeveria e kantonit Hercegovina – Neretva”.

Ai ka thënë se është duke u përgatitur një raport i detajuar, i cili do t’iu dorëzohet autoriteteve më të larta.

Ndërkohë, dokumentacioni për kompaninë veçse është dorëzuar në Qeveri.

Në të thuhet se kompania që ka kryer aktivitete gurthyese ka kërkuar vazhdimisht koncesion, por që qeveria nuk e ka miratuar kërkesën.

Sipas dokumentacionit të publikuar në faqen e qeverisë në pasditen e 7 tetorit, inspektorët e kantonit kanë kryer inspektime në gurore disa herë prej vitit 2009, dhe që në atë vit janë ndaluar punimet aty.

Sipas dokumentacionit, dy vjet më vonë, inspektorët e kantonit kanë lëshuar urdhër kundërvajtës për kompaninë, në vlerë të 2.500 eurove.

Inspektimet e fundit janë kryer tre vjet më parë dhe atëherë është thënë se aty nuk ka pasur as makineri, dhe as punëtorë, dhe që nuk ka pasur shenja të kryerjes së punimeve.

Pas vitit 2021, nuk është kryer asnjë inspektim në atë zonë.

Vitin e kaluar, qeveria e kantonit Hercegovina – Nerentva pati marrë vendim që nga buxheti të ndajë rreth 7.000 euro për kryerje të disa punimeve nga kompania e Hongjës, por jo për eksploatim të gurit.

Më 2020, pothuajse 3.500 euro janë ndarë nga fondet publike në nivel federal për kompaninë e Gjenan Hongjas.

Fondet janë ndarë si ndihmë prej Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Bosnjës, për kompanitë eksportuese në sektorin e industrisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit