Një operacion zemre me “fjalën e fundit” të shkencës te spitali “Mbreti Faisal” në Riad
Spitali Specialist dhe Qendra Kërkimore “Mbreti Faisal” në Riad kryen me sukses një implantim robotik të pompës artificiale të zemrës “HeartMate 3” të kompanisë Abbott.
Në një deklaratë të spitalit thuhet se operacioni është kryer te një pacient 35-vjeçar që vuante nga insuficienca kardiake e avancuar, e shoqëruar me komplikime në veshka dhe mushkëri.
Pasi pacienti qëndroi në spital për 120 ditë, rikuperimi i tij përparoi jashtëzakonisht shpejt, duke kaluar vetëm katër ditë në kujdes intensiv dhe pritet të lëshohet nga spitali brenda dhjetë ditëve, një periudhë dukshëm më e shkurtë se koha standarde e rikuperimit për procedura të ngjashme.
“Ky moment historik demonstron aftësinë tonë për të balancuar inovacionin e guximshëm me masa të rrepta sigurie, duke ofruar zgjidhjet mjekësore më të reja që ripërcaktojnë mundësitë në kujdesin shëndetësor”, tha Dr. Bjorn Zoega.
Ai shtoi se kjo arritje forcon pozicionin e Arabisë Saudite si një lider global në inovacionin mjekësor.
Dr. Feras Khaliel, kreu i kardiokirurgjisë dhe drejtor i Programit të Robotikës dhe Kirurgjisë Invazive Minimalistike të qendrës, drejtoi operacionin.
Ai theksoi saktësinë dhe sigurinë e procedurave me ndihmën e robotëve, duke vënë në dukje se pacienti nuk kishte infeksione, gjakderdhje apo komplikime të tjera.
“Pacienti ishte i mahnitur nga shenjat minimale, duke reflektuar aftësitë e avancuara të teknologjisë robotike”, tha ai.
HeartMate 3, i projektuar për të mbështetur pacientët me dështim të avancuar të zemrës, u implantua me ndihmë robotike për të reduktuar traumën kirurgjikale dhe kohën e rikuperimit.
Procedurat me asistencë robotike janë pjesë e përpjekjeve më të gjera të spitalit për të integruar teknologjitë e avancuara në kujdesin shëndetësor.
Institucioni ka arritur më parë njohje globale për transplantet robotike të zemrës dhe mëlçisë dhe renditet vazhdimisht ndër spitalet më të mira në mbarë botën.
Spitali siguroi vendin e parë në Lindjen e Mesme dhe Afrikë dhe u rendit në vendin e 20-të në botë në mesin e 250 Qendrave Mjekësore Akademike më të mira për të dytin vit radhazi. Spitali u njoh gjithashtu si marka më e vlefshme e kujdesit shëndetësor në Arabinë Saudite dhe Lindjen e Mesme në renditjen e “Brand Finance” për vitin 2024. /atsh/