- I Një sipërmarrës i pasur francez është duke sfiduar ndalimin e burkinit në plazhet franceze, me xhepa të thellë dhe një dozë të vogël filozofie.
“Menjëherë porsa të shoh se Franca nuk po respekton liritë themelore të qytetarëve të saj, unë menjëherë jam në gjendje që të paguajë faturën, pa marrë parasysh koston”, thotë Rachid Nekkaz.
Nekkaz, i cili është bërë i njohur për opinionin francez dhe atë botëror, për faktin se më herët ka paguar faturat në vlerë qindra mijëra euro për gratë muslimane të cilat janë gjobitur për shkak të paraqitjes së tyre në vende publike me velo të fytyrës, tashmë është zotuar se do të marrë përsipër të paguajë edhe gjobat për çdo grua muslimane që del në plazhet e Rivierës franceze e veshur me burkini. Ai thotë se tashmë ka marrë përsipër të paguajë të tri gjobat e lëshuara deri më tani.
Muajin e kaluar ai u shfaq në rrugët e Lokarnos në Zvicër me një grua menikab, për të sfiduar kështu ndalimin e kësaj veshjeje në atë qytet.
Të dy u dërguan menjëherë në stacionin e policisë, gruaja për shkak të velos, ndërsa Nekkaz për shkak të nxitjes së thyerjes së ligjit.
“Personalisht jam kundër nikabit dhe burkinit, por e konsideroj veten si filozofi i njohur Voltaire”, thotë biznesmeni 44-vjeçar, që njihet tashmë me nofkën ”Zoro i nikabit”.
“Kur unë nuk pajtohem me diç, do të luftoj deri në vdekje për t’u dhënë mundësinë këtyre njerëzve për të shprehur mendimin e tyre dhe për t’u veshur si dëshirojnë ata. Ky është koncepti i lirisë. Është çështje e parimit”.
Në vitin 2010, kur Franca po përgatitej për t’u bërë vendi i parë që ndalon bartjen e velos mbi fytyrë në vende publike, Nekkaz, i cili konsideron veten si musliman sekular, kishte ngritur një fond për të paguar çdo gjobë që do i vihej ndonjë gruaje muslimane”.
Ai thotë se ka paguar deri më tani gjoba që kapin vlerën prej 245,000 euro, për 1,165 femra muslimane në Francë, 268 në Belgjikë, 2 në Holandë dhe 1 në Zvicër.
Nekkaz është i lindur në Francë, kurse prindërit e tij janë me prejardhje algjeriane.
Ndalimi i bartjes së burkinit ka ndezur debat të nxehtë kombëtar, me kritikët të cilët thonë se se kjo është një masë islamofobie dhe një shkelje e të drejtave të grave që të veshin atë që u pëlqen.
“Është skandaloze! Është e njëjtë si të thuash se sot nuk të lejohet të jesh musliman në Francë!”, thotë ai, duke shtuar se politikanët francezë kanë luajtur me kartën e frikës nga Islami, duke promovuar veten për zgjidhjet që priten të mbahen pranverën e ardhshme në Francë.
“Ky lloj i politikës, kësi lloj vendimesh të cilat nuk respektojnë liritë themelore, do të krijojnë klientë të rinj për Shtetin Islamik”, parashikon ai.
Biznesmeni tha se qëllimi i tij fondit të tij është që “neutralizojë efektin e ndalimit të bartjes së burkas dhe burkinit, dhe se me këtë veprim ai po u jep autoriteteve franceze një leksion në demokraci, duke i paraqitur ata qesharakë para gjithë botës”.
Ndalimi i burkinit ka ndezur debat dhe tallje jashtë Francës, me komentuesit të cilët kanë vënë në theks faktin se kjo veshje nuk ka dallim të madh me kostumin e zhytësve, duke pyetur me ironi nëse murgeshat katolike po ashtu duhet të ndalohen nga vajtja në plazhe.
Nekkaz e di se tashmë është në një betejë të gjatë me autoritetet franceze, por thotë se do të vazhdojë të paguajë çdo gjobë, cilido që të jetë çmimi.
“Unë kam mjetet e nevojshme dhe fondi im ka kapacitet që të mbulojë shpenzimet e gjobave deri në vlerën prej dy, tre, katër milion euro pa asnjë problem”, thotë ai.