4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Ripërtërije jetën tënde: ylli i nëntë që duhet kuptuar nga nëntë yjet e suksesit

Më të lexuarat

YLLI NUMËR NËNTË:
RIPËRTËRIJE JETËN TËNDE

“Çdokujt jepja atë që i takon “!
(Muhamedi s.a.v.s.)

Njeriu ka nevoja dhe posedon aftësi, pa marrë parasysh se e pranojmë ne një gjë të këtillë apo jo. Me të vërtetë, ana jonë e brendshme shpirtërore dëshmon vazhdimisht se ne kemi disa nevoja të caktuara. Ato janë vazhdimisht prezente të skalitura në shpirtrat tanë dhe nuk mund të shlyhen. Ato janë shkruar që më herët në filozofinë e jetës dhe qenieve njerëzore. Këto nevoja kanë vend të veçantë. Ato duhet të plotësohen dhe të ripërtërihen.
Yli numër nëntë, ylli- ripërtërije jetën tënde, në të vërtetë është një kapitull që, në një farë mënyre, përfshin të gjitha yjet e përmendur deri tani dhe të gjithë kapitujt e shënuar, për shkak se kapitulli i funditi flet për suksesin që mund të realizohet në praktikë.
Ripërtërije jetën tënde paraqet përgjigjen ndaj brengave dhe nevojave. Ato janë momentet të cilat presim me padurim. Të këshilloj nga zemra qe pasi ta ndiesh se raportet e tua me njerëzit janë të dobëta dhe janë duke u shkatërruar, kur ta ndiesh se është duke u shkatërruar kuptimi dhe misioni i jetës tënde, kur ta ndiesh se fuqia jote shpirtërore është duke u dobësuar në mënyrë të shpejtë, ne të këshillojmë:
“Ripërtërije jetën tënde”.

KATËR POTENCIALE

Çdo njeri posedon katër potenciale. Ato janë: mendja, trupi, emocionet dhe shpirti. Që ta ripërtërish jetën tënde, para se gjithash, duhet t’i njohësh mirë potencialet e tua, e pastaj secilin prej tyre ta dish ta zhvillosh dhe ta përparosh. Po qe se arrin t’i njohësh potencialet e tua, tanimë i ke dhënë dritën jeshile jetës tënde praktike, që me siguri është shumë më e mirë dhe më fleksibile se sa ajo e mëparshmja. Shembulli më i mirë që mund ta theksojmë, në krahasim me potencialet njerëzore, janë muskujt e njeriut. Me të vërtetë, njeriu posedon muskuj dhe fshehtësia e muskujve të mirë dhe efikas qëndron pikërisht në stërvitjen dhe ushtrimet e vërteta dhe të duhura.

Po ashtu, njeriu posedon një potencial të madh: mendjen e tij, dhe po qe se nuk e zhvillon atë dhe nuk i kushton kujdesin e nevojshem, me siguri, do ta dobësojë atë. Gjithashtu, njeriu i cili nuk di të thote madje as dy-tri falë të buta, përmes së cilave do t’iu bëjë dobi të tjerëve, ky asnjëherë nuk do të mund të ketë raporte të suksesshme me njerëzit e tjerë. Pasoja e kësaj është se njeriu i këtillë do të vuajë dhe më në fund do të shkatërrohet (shpirtërisht).

POTENCIALI NUMËR NJË: MENDJA

“Njeriu mund ta zhvillojë mendjene tij në tri mënyra’”.

Mënyra e parë: leximi

Thjesht, në këtë aspekt nuk ke zgjidhje tjetër, sepse medoemos duhet të lexosh shumë. Përmes leximit do të mund të aftësosh logjikën e pastër, elokuencën dhe fuqinë e bindjes të të tjerëve. Duhet ditur se të arsimuarit e përgjithshëm dhe kultura arrihen me ndihmën e librit dhe leximit. Përmes leximit arrihet përqendrimi dhe ndjenja më e mirë. Të gjithë e dinë se fjalët e para të cilat Allahu i Lartëmadhëruar ia shpalli të Dërguarit të Tij të fundit (Muhamedit sal Allahu alejhi ves sel-lem) ishin pikërisht:
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë)…”. (el-Alek 1).

Mënyra e dytë: liria dhe mëvetësia

Njeriut i nevojitet që të mendojë lirisht në mënyrë të pavarur. Thjesht, askush nuk duhet të logjikojë në vend të dikujt tjetër – madje qoftë babai ose nëna. Gjithsesi, prindërit duhet ta dinë mirë se cili është roli dhe detyra e tyre për t’i ndihmuar femijët që të logjikojnë dhe të mendojnë në mënyrë të pavarur. Vértet, shumë njerëz i shkelin pa mëshirë mendjet dhe mendimet e të tjerëve, duke e përsëritur vazhdimisht stereotipin “Unë jam më i vjetër se ti, pra unë të kuptoj ty më mirë se sa ti mua”. Me fjalë të tjera: ‘ti mos logjiko assesi me kokën tënde, sepse roli yt është që ti të më ndjekësh mua, pa kurrfarë vërejtje dhe në mënyrë të verbër’. Thjesht, ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se njëri nga problemet më të mëdha të botës islame pikërisht është imitimi i verbër (taklid).
“Jo, por ata thanë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fé dhe vazhdojmë gjurmëve të tyre”. (ez-Zuhruf, 22).

Duhet ditur se imitimi i verbër, ose përcjellja e gjurmëve të tyre, siç na tregon edhe Kur’ani Fisnik, është një argument për të cilin nuk nevojitet kundër-argument. Burimi i imitimit të verbër është të respektuarit e njeriut tjetër dhe, thjesht, këtu nuk përdoret as logjika, as përsiatja.

Mënyra e tretë: të kuptuarit e jetës

Është e domosdoshme që rrethanat e jetës, të cilat mund të jenë të ndryshme, të kuptohen në mënyrë korrekte. Është mjaft e dobishme edhe të shoqëruarit me njerëzit e dijshëm, pra me ata të cilët kanë dituri dhe përvojë të gjatë jetësore. Të këtillët do të mund të të ndihmojnë që t’i kuptosh më mirë rrethanat e ndryshme jetësore, t’i njohësh më mirë realitetet, kështu që të mësosh në mënyrë sa më korrekte se si duhet të gjendemi në situatat e caktuara.

POTENCLALI NUMËR DY: TRUPI

Njeriu e zhvillon trupin e tij në tre mënyra.

E para: aktiviteti

Duhet të jesh aktiv, të kesh kondicion të mirë dhe të bësh ushtrime fizike. Nuk duhet kurrsesi të të kaplojë përtacia dhe sëmundja.

E dyta: ushqimi i shëndetshëm

Mësohu që të zgjedhësh ushqim të shëndetshëm, sepse ai do të të ndihmojë në shumë gjëra kur është fjala për shëndetin e trupit
tënd. Po ashtu, mësohu që ta njohësh trupin tënd, njihi dhe konsumo artikujt ushqimorë të cilët i nevojiten trupit tënd. Si për shembull,
përgatite menynë tënde javore që do t’i pëlqejë dhe do t’i përshtatet shendetit të trupit tënd.

E treta: besimi dhe të pranuarit e humbjes

Vetvetiu ky operacion është stërvitje shpirtërore. Përmes kësaj do të mund që ta jetosh në mënyrë të matur secilin segment të jetës tënde.
Përkujto vetëm betejën e Uhudit, ku fillimisht muslimanët pothuajse pësuan disfatë, e më pas u zgjua fryma e vërtetë e besimtarëve muslimanë. Në të vërtetë, të gjithë ata të cilët morën pjesë në betejën e Uhudit dhe të cilët ndien dhembje, e mësuan shumë mirë mësimin e jetës, e kështu nga kjo betejë dolën si fitues. Pra, njeriu mund te mësojë më së shumti dhe më së miri nga gabimet e tij personale, me kusht që ta pranojë humbjen në mënyrë të denjë dhe korrekte, ndërsa ata të cilët janë mendjemëdhenj dhe nuk e pranojnë asnjëherë humbjen, ata një ditë do të shkatërrohen plotësisht.

Rregulla e menaxhuesit

Udhëheqës i suksesshëm i punës (drejtues i suksesshëm): asnjëherë mos e dëno punëtorin tënd për shkak të gabimit. Përkundrazi, ndëshkoje vetëm për shkak të përsëritjes së gabimeve. Ndëshkoje vetëm nëse është prej atyre që nuk ofron iniciativa dhe prej atyre që
nuk orvatet dhe mundohet me të gjitha mënyrat.
Prandaj, lejoji njerëzit të punojnë. Kush punon, edhe gabon.
Nuk ka dyshim se të drejtët do të mësojnë nga gabimet e tyre.

POTENCIALI NUMËR TRE: EMOCIONET

Emocionet qëndrojnë në parimet e sinqerta dhe të vërteta, të cilat lindin nga qetësia dhe siguria e brendshme. Siguria e dëshiruar nuk është ajo që mendojnë të tjerët për neve, e as pasojë e bashkëpunimit tonë me të tjerët, e as që na vjen nga tekstet të cilat i kemi trashëguar, e as që na vjen për shkak të punës dhe aftësisë sonë. Përkundrazi, siguria e deshiruar lind nga brenda dhe buron nga parimet themelore të cilat janë të skalitura thellë në mendjet dhe në zemrat tona. Siguria është pasojë e jetës që është përplot dashuri, e jetës në të cilën ekziston vullneti për t’iu ndihmuar të tjerëve në mënyra të ndryshme, sipas së cilave ndjenjat e dashurisë së sinqertë ndërmjet njerëzve vetëm përforcohen.
Përforcimi i ndjenjës së dashurisë së sinqertë ndërmjet njerëzve mund të krahasohet me llogarinë në bankë. P.sh. nëse ti ke hapur një llogari bankare dhe vazhdinmisht tërheq para nga ajo llogari bankare, pas një periudhe të shkurtër do të vëresh se do të mbetesh pa para në bankë.

Logjiko për raportet e tua me njerëzit në këtë mënyrë.
Çdo fjalë e ashpër, të cilën ia drejton bashkëbiseduesit tënd, është si të marrësh para nga llogaria jote bankare. Çdo gabim të cilin e bën ndaj mikut tënd është njëlloj sikur të marrësh para nga llogaria jote bankare. Çdo premtim të cilin e kë dhënë, mirëpo nuk e ke përmbushur, gjithashtu është sikur të marrësh para nga llogaria jote bankare. A mund ta paramendosh se pas këtyre sjelljeve dhe gabimeve mund të presësh dashuri dhe migësi?!
Prandaj, po qe se dëshiron të mbjellësh vlera dhe parime të vërteta njerëzore tek ndonjë njeri, po qe se dëshiron ta ndryshosh sjelljen e tij drejt më të mirës, atëherë vetëm urdhëro dhe paraqitja vetes llogarinë bankare dhe menjëherë do ta dish rezultatin e orvatjeve dhe punës tënde.

Ne dëshirojmë të të mësojmë se ekzistojnë vepra të caktuara të cilat e zmadhojnë llogarinë tënde bankare, ashtu siç ekzistojnë vepra të caktuara të cilat shkaktojnë zvogëlimin e llogarisë tënde bankare.

Ligji i korrjes

Jeta na mësoi se vërtet ekziston kohë e volitshme për t’i mësuar njerëzit e tjerë, mirëpo ekziston edhe kohë që është e pavolitshme për t’i mësuar të tjerët. Kur raportet janë ftohur, kur pjesëmarrësit në bisedë janë të tensionuar dhe të hidhëruar, në rrethana të këtilla është vështirë dhe pothuajse e pamundur që ti mësojmë të tjerët
Po qe se shpenzon para nga “llogaria jote bankare”, të cilat më herët i ke kursyer te miku yt, atëherë ji i sigurt se raportet e tua do të përfundojnë në mënyrë të pasuksesshme. Me këtë shkohet edhe deri te zhdukja e ndjenjave pozitive ndërmjet miqve dhe shokëve.
Përkundrazi, ai i cili mbjell fjalën e mirë tek miqtë e tij, e më pas i kultivon dhe i përparon ato, atëherë do të korrë edhe raporte të mira dhe të shkëlqyera me miqtë e tij. Aii cili nuk mbjell fjalë të mirë dhe nuk deponon asgjë në “llogarinë e tij bankare”, atëherë le të mos presë asgjë të mirë nga miqtë dhe shokëte tij.

POTENCIALI NUMËR KATËR:

Potenciali i shpirtit tek njeriu është pikërisht ai i cili e ndihmon atë që të zhvillohet, të përparojë, të përmirësohet dhe të përmbahet nga fatkeqësitë. Duhet ditur se fuqia e shpirtit, së bashku me fuqinë e fesë, e ndihmojnë njeriun që të qëndrojë dhe të ecë në Rrugë të Drejtë, madje edhe sikur çfarëdo problemi dhe çfarëdo trysnie të përjetojë në jetë. “Vetëm nëse ti nuk je i hidhëruar me mua, tjetra nuk më intereson”.

Ekuilibrim i suksesshëm

Ekuilibrim i suksesshëm do të thotë atëherë kur njeriu logjikon dhe i analizon parimet, principet dhe vlerat e jetës së tij, si dhe i studion raportet e tij me miqtë me të cilët i ka ndërprerë lidhjet më heret. Ai vazhdimisht duhet ta pyesë ndërgjegjen e tij, duhet të bartë llogari për besimin dhe ibadetet, duhet ta studiojë zemrën e tij dhe t’i studiojë raportet e tij me Allahun e Lartëmadhëruar. Ekuilibrimi suksesshëm është edhe kur njeriu bart llogari për jetën pas vdekjes dhe brengoset vërtet për gjendjen e gjinisë njerëzore.

Në të vërtetë, baraspesha më e nevojshme për njeriun, e cila është krejtësisht e sigurt, e padyshimtë, e mirë dhe efikase, është në institucionin e namazit. Pra gjendja kur njeriu gjendet në vetmi me Allahun e Lartëmadhëruar dhe atëherë kur kërkon të mira nga Zoti:
“Per ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit”! (Ali Imran, 191).

Vërtet, njeriu ka shumë nevojë që të mendojë për Librin e Allahut, për Kur’anin Fisnik. Libri i Allahut është shpirt i nevojshëm i cili e frymëzon njeriun drejt tejkalimit të të gjitha pengesave jetësore.
Kurani është burim i çdo suksesi. Duke iu përmbajtur mësimeve të tij realizohen plane dhe projekte të suksesshme, sepse vetëm përmes këtij Libri njeriu mund të arrijë fitore në konfliktet e brendshme. Më pas, Kurani të ofron qetësi të plotë dhe, këtë, njeriu mund ta arrijë vetëm nëse i dëgjon apo i mëson sinqerisht ajetet kuranore. Prandaj, të këshilloj që t’i lejosh ajetet kuranore që të depërtojnë në zemrën tënde, kështu që ta adhurosh Allahun duke lexuar Kuran në mënyrë të rregullt, e që përmes tij të bëhesh edhe pjesëmarrës në ndryshimin e shekullit të njëzetenjëtë drejt më të mirës.

Absolutisht ska dyshim se çdo shpirt i cili dëshiron të bëjë çfarëdo të mire në shekullin e njëzetenjëtë, duhet ta kalojë një pjesë të kohës pranë Kur’anit, si dhe të largohet për një kohë nga deryrimet e kësaj bote, nga zhurma e jetës dhe nga brengat e parëndësishme të
cilat e rëndojnë jetën pa nevojë.

Pra, që të bëhesh pjesë e ekipit shkathtësia e suksesit, deryra jote është – para se gjithash – durimi, më pas qëndrueshmëria dhe mposhtja e të gjitha pengesave dhe sfidave të cilat do të të dalin në këtë rrugë.

Me këto karakteristika do ta përforcosh shpirtin tënd dhe do të shkaktosh ndezjen e fitilit i cili do të ta ndriçojë rrugën drejt shkathtësisë së suksesit. Masa dhe harmonia ndërmjet katër potencialeve të elaboruara të cilat ti i posedon, do të ta garantojnë biletën për të udhëtuar drejt suksesit të shekullit të njëzetenjëtë.

Afrimi i fundit të “udhëtimit”

Më pas: Vëllai im i dashur!
Mos konsidero se ke mbërritur deri në fund të këij udhëtimi.
Përkundrazi, ky është vetëm fillimi i fundit të udhëtimit. Duhet ta dish se ekzistojnë shumë fillime për rrugën drejt shkathtësisë së suksesit.
Prandaj, lufto që të jesh i pari, të arrish atë të jashtëzakonshmen, t’i hapësh muret e fortifikuara, t’ua ndriçosh rrugën të devijuarve.
Vërtet, suksesi nuk është vetëm ndonjë parullë e cila duhet ngritur që të duket. Suksesi nuk është vetëm një thirrje e rëndomtë.
Përkundrazi, suksesi është mënyra e plotë e jetës së fitimtarit. Suksesi është drita shkëlqyese e cila depërton brenda dhe e lëviz jetën sërish.
Suksesi e shndërron njeriun e rëndomtë në një fitimtar të madh, në një personalitet i cili ka qëllimin dhe misionin e tij.
Prandaj, zgjidhe dhe gjeje veten ndërmjet këtyre dy kategorive të njerëzve. Ne tanimë të kemi sugjeruar dhe të kemi treguar më shumë se sa është e nevojshme. Ti dëshiron sukses të vërtetë në shekullin e njëzetenjëtë për arsye se ky udhëtimi yt i dashur është një udhëtim në të cilin nisen vetëm njerëzit e guximshëm dhe të vlefshëm.

Pra, ti je një yll i ardhshëm, një personalitet i ardhshëm. Thjesht, lavdia të takon ty, prandaj ngrite zërin tënd dhe ftoji miqtë e tu në udhëtimin drejt suksesit. Mbille farën e shpresës ndërmjet miqve të tu dhe orientoji ata drejt ekipit të shkathtësisë së suksesit ashtu që së bashku të arrini sukses.

Detyra jote është që të fillosh menjëherë dhe pa hamendje. Suksesi është shpresë në të ardhmen; suksesi është dritë që shkëlqen. Fitorja do të vijë, sepse edhe gjenerata e njerëzve të suksesshëm është duke ardhur.

YLLI QË PRESIM

Pasi errësohet plotësisht, më vonë pason agimi dhe drita. Po, vërtet, ne po presim yllin e ardhshëm. Yllin i cili, pasi që të paraqitet, nuk do të shuhet. Presim ylin e shekullit të njëzetenjëtë. Presim yllin e dhjetë i cili do ti plotësojë këto nëntë yjet tona të cilat e kanë domethënien e suksesit, e ai yll i dhjetë, që do të thotë sukses, është zemzemi i suksesit.
Shpresojmë në yllini cili do t’ia ofrojë mbarë njerëzimit porosinë më fisnike dhe projektin më të mirë të mundshëm të shpëtimit, ashtu që banorëve të këtij planeti t’ua largojë vështirësitë, dhembjet, fatkeqësitë dhe pakënaqësitë dhe t’i çojë ata drejt fatit, suksesit, shpresës dhe mirëqenies.

Le t’ia lëmë këtë vendim përfundimtar Allahut të Lartëmadhëruar që të na e dhurojë atë që e dëshirojmë dhe atë burim të ëmbël i cili nuk shteret asnjëherë, njësoj sikurse burimi zemzem i cili i është nënshtruar me dëgjueshmëri dha pa kurrfarë kundërshtimi vullnetit të Allahut.

Vertet, burimi zemzem është uji i parë në botë, uji më i vlefshëm në botë, uji i dhuruar nga Allahu, uji të cilin e dashurojnë shpirtrat dhe uji më i çmueshëm se të gjitha ujërat e botës. Zemzemi është një shenjë e dhuratës së Zotit, një shpërblim dhe mëshirë nga Allahu për çdonjërin i cili është i gatshëm që të qëndrojë në kufijtë e durimit. Allahu i Lartëmadhëruar ia dhuroi këtë burim, si një dhuratë të çmueshme, Haxheres (shpëtimi i Allahut qoftë mbi të), në mes të shkretëtirës, atëherë kur ajo qëndronte në kufijtë e durimit dhe me besim të plotë thoshte: “Allahu nuk do të na braktisë neve”.

Po ashtu, Allahu i Lartëmadhëruar, çdonjërit prej nesh që është besimtar i sinqertë dhe i vërtetë, e që është i gatshëm të shkojë me durim deri në kufijtë e fundit, i ka dhuruar në zemër burimin që quhet zemzemi i suksesit.

Të Dërguarit të Allahut salallahu alejhi ue selem ia pastruan mushkëritë me ujin zemzem, e kështu ai u mbush me dituri, urtësi dhe me besim të vërtetë tek Zoti Një. Zemrën më të pastër dhe më të suksesshme të gjinisë njerëzore e kanë larë me ujin zemzem, e kështu ajo u bë edhe më e pastër dhe më e sinqertë. Pra, ai person u bë njeriu i cili e mësoi mbarë njerëzimin, sepse ai ishte vërtet i Dërguari i Allahut dhe ishte mëshirë e Allahut për të gjitha botët.

Por, edhe ti lexues i nderuar i këtyre rreshtave je reformatori i ardhshëm i mbarë njerëzimit. Me të vërtetë, zemezemi ka filluar si ndihmë për njerëzit, por edhe sot e kësaj dite ai është ndihmë për njerëzit, edhe sot e kësaj dite në këtë ujë ekziston bereqeti dhe begatia për njerëzit, madje edhe në të ardhmen te ky ujë do të ekzistojë bereqeti dhe begatia për njerëzit.

Gjithashtu, edhe ti lexues i nderuar, nëse nuk ke munguar deri më tani, nëse nuk ke humbur dhe je këtu prezent, dije se ti je ylli i ardhshëm. Tani po vjen koha jote dhe dije se uji i zemzemit është uji yt.

ZEMZEMI I SUKSESIT

Zemzemi i suksesit është një ndjenjë e ngrohtë dhe e dashur për njeriun. Duhet të besosh se zemzemi do t’i pastrojë shumëzemra dhe do t’i nxjerrë ato nga errësira e mëkateve dhe e mossuksesit në dritën e shpresës dhe suksesit. Ti je ai i cili do t’ua kthesh shumë njerëzve vlerën e vërtetë jetësore.

Ky udhëtim nuk është i lehtë. Ky udhëtim kërkon shumë sakrificë. Këtë udhëtim i Dërguari i Allahut, Muhamedi salallahu alejhi ue seleme filloi me ujin zemzem atëherë kur ia hapën gjoksin dhe ia pastruan zemrën. Prandaj, edhe ti pastroje zemrën tënde dhe filloje punën, sepse ti je ylli i ardhshëm i suksesit zemzem.

Ti je ylli të cilin e presim me plot dëshirë. Ti je ylli i suksesit zemzem. Prandaj, shkruaje emrin tënd me shkronja të arta dhe bashkohu me ekipin shkathtësia e suksesit.
Tani ngriji duart dhe shikimin tënd drejt qiellit, thuaj lutjet dhe kërko që të bëhesh njëri nga banorët e mëshirës së Zotit. Neve na mbetet që të të themi edhe këtë që vijon: “O ti i fuqishmi i dobët! Fillo të punosh, merr abdes me ujë zemzemi, beso në aftësitë e tua, mbështetu tek Zoti yt dhe bashkohu me ekipin shkathtësia e suksesit’.

KËSHILLA PËR PËRGATITJEN E SUKSESIT ZEMZEM

Thjesht, ne nuk dëshirojmë të bëhemi si një grumbull akulli i cili nuk ka kurrfarë vlere e as dobie. Me qëllim që t’i realizojmë potencialet dhe mundësitë tona me ndihmën eAllahut, atëherë medoemos duhet që t’i absorbojmë dhe t’i mësojmë në mënyrë sa më efikase njëzet e një këshillat të cilat do të na ndihmojnë shumë në rrugën e përgatitjes drejt suksesit zemzem dhe suksesit të shekullit të njëzetenjëtë.

Të përgatitemi me parullën: “Sa suksesi mahnitës dhe i madh është ky, që njerëzit të vijnë pas”!!

Këshilla numër një: Shkathtësitë e kreativitetit dhe arritjes së suksesit ekzistojnë në vetveten tonë, e ne duhet vetëm të gjejmë ujë të pastër me të cilin do t’i ujisim farërat e shpresës në shpirtrat tanë.

Kështu do ta ngremë flamurin e shkathtësisë së suksesit.

Këshilla numër dy: Lejojini njerëzit që ata vetë t’i planifikojnë dhe t’i hartojnë jetët e tyre. Le të mendojnë dhe të logjikojnë vetë ata me kokat e tyre. Misioni ynë është që t’iu ndihmojmë njerëzve në atë rrugë. Me këtë, ne do të shprehim besimin ndaj tyre. Vetëm në këtë mënyrë ata mund t’i manifestojnë karakteristikat, shkathtësitë, inteligjencën dhe aftësitë e tyre, e kështu edhe të arrijnë suksese të caktuara. Rëndom, ne nuk mund t’i detyrojmë ata që të na ndjekin dhe të na imitojnë në mënyrë të verbër. Është e domosdoshme që njerëzve t’iu ofrojmë mundësi dhe t’iu ofrojmë lirinë e shprehjes, me
qëllim që edhe ata të arrijnë sukses të veçantë gjë që ka shumë rëndësi për ta, sepse edhe ata janë krijuar për sukses.

Këshilla numër tre: Kjo porosi është për prindërit. Deryrë e jona është që t’i edukojmë brezat e rinj. Mësohu të qëndrosh afër fëmijëve të tu, mëso që të pyesësh për problemet, dëshirat dhe synimet e tyre. Mos i dëno dhe mos u largo prej tyre. Duaji sinqerisht fëmijët e tu, duaji pa kurrfarë kushtëzimesh, duaji pa kufij.

Këshilla numër katër: Prej teje duam dëshirë të madhe dhe të sinqertë, dëshirë për ndryshimin e shprehive të shëmtuara dhe të këqija në shprehi të mira dhe të shëndosha. Prej teje kërkojmë sakrificë, vendosmëri, qëndrueshmëri. Po qe se vepron në këtë mënyrë, tanimë e ke bërë hapin e parë drejt suksesit zemzem.

Këshilla numër pesë: Mbaje mend mirë këtë ajet të Kur’anit dhe përsërite vazhdimisht. Ky ajet është sekreti i suksesit:”…Allahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ndryshojnë veten e tyre…”
(er-Rad, 11).

Këshilla numër gjashtë: Prej këtij momenti vendos që të jetosh pikërisht sipas ndërgjegjes tënde, sipas qëndrimit tënd. Mos shko pas hipokrizisë dhe përtacisë, vese këto të cilat janë mjaft prezent në shoqërinë tonë. Mëso që të qëndrosh në vetmi dhe ta dëgjosh ndërgjegjen tënde. Planifikoji disa momente vetëm për veten tënde, me qëllim që të mbetesh vetëm dhe me qëllim që ta dëgjosh shpirtin tënd, unin tënd të brendshëm. Pasi të mbetesh në vetmi dhe të arrish me sinqeritet deri te ndërgjegjja jote, deri te shpirti yt, atëherë parashtroja vetes pyetjen që vijon:
“A jam unë fatlum” Vepro ashtu siç të nxit ndërgjegjja jote.

Keshilla numër shtatë: Mësohu që t’iu ndihmosh të tjerëve. Kjo është një karakteristikë me të cilën, gjatë periudhave të ndryshme kohore, janë stolisur të gjithë njerëzit e famshëm. Njëkohësisht kjo karakteristikë është edhe njëra nga fshehtësitë më të mëdha me ndihmen e të cilës njerëzit e famshëm u regjistruan në histori. Sa ndjenjë e bukur është kur i ndihmon ndonjërit, kur i jep atij guxim, kur kultivon ndjenjën e mirë ndaj tij, kur ia bën me dije se ti qëndron afer tij, kur ndërton besimin reciprok, kur zgjon në zemrën e tij shpresën, kur e dashuron, si dhe kur ia shpreh dashurinë e sinqertë dhe të pastër kur
je duke i ndihmuar, gjë për të cilën nuk kërkon ndonjë kompensim.

Këshilla numër tetë: Njihe veten tënde, njihi aftësitë, mundësitë dhe shkathtësitë e tua. Njihe veten tënde dhe dije se ti nuk je askush tjetër, përveçse ti. Më pas mësohu të ngjitesh në shkallët e suksesit dhe përfundimisht mësohu të kënaqesh në suksesin e shekullit të njëzetenjëtë.

Këshilla numër nëntë: Mësoje gjuhën e zërave të brendshëm. Përmes njohjes së zërave të brendshëm do të mund ta njohësh njeriun pranë teje, madje do të mësosh se si mund ta realizosh ndikimin ndaj tij. Gjithashtu, tejkaloji fijalët: “Ai nuk më kupton mua”, madje edhe nëse komunikon me femijët. Ndaj fëmijëve sillu në harmoni me aftësitë e tyre dhe bëhu i durueshëm me ta.

Keshilla numër dhjetë: Këshilla numër dhjetë i dedikohet veçanërisht prindërve. Mbillni tek fëmijët tuaj farën e principeve dhe vlerave të vërteta jetësore. Këtë do të mund ta arrini vetëm po qe se, që nga fillimi, keni kultivuar dhe zhvilluar raporte të shkëlqyera familjare, keni mbjellë dashuri dhe ndjenja të bukura. Le të jetë shtëpia juaj përplot respekt ndaj anëtarëve të tjerë të familjes. Le të ndiejnë femijët tuaj dashurinë, ngrohtësinë dhe butësinë. Vetëm përkujtoni llogarinë bankare për të cilën kemi biseduar më lart në këtë libër. Gjithashtu, përsëriteni në mënyrë kualitative këtë mësim dhe përcillini udhëzimet e tij gjatë raporteve me fëmijët tuaj. Bëhuni të sigurt se nuk do të keni nevojë për të kërkuar ndihmë nga të tjerët për t’i zgjidhur problemet everntuale në shtëpinë dhe në familjen tuaj. Ejani ta ngremë së bashku gjeneratën e re, gjeneratën e fëmijëve tanë, gjeneratën e suksesit zemzem.

Këshilla numër njëmbëdhjetë: Binde veten tënde se edhe zemra jote është pronare e dashurisë pa kufij. Lejoji të tjerët që të jetojnë vetë dhe dije mirë se çdo individ posedon energji të madhe dhe potencial të madh, që ndoshta nuk mund të ekzistojë tek ndonjë tjetër.

Prandaj, pranoji në mënyrë të sinqertë të tjerët, mos u grind me ata kur bëhet fjalë për dashurinë. Bashkëpuno mirë me miqtë e tu dhe, në këtë mënyrë, ndërmjet jush do të lindë besimi i fuqishëm.

Këshilla numër dymbëdhjetë: Medoemos duhet ta dish se çelësi i suksesit të të gjitha raporteve të tua të mira me të tjerët është vetëm pyetja: “”Cili është qëllimi yt”? Thjesht, kjo pyetje duhet të vijë nga brenda, nga shpirti yt. Misioni i kësaj pyetjeje është zhdukja e hipokrizisë, e paraqitjes së rrejshme, e shtirjes gjatë komunikimit me të tjerët… Parashtroja vazhdimisht vetes tënde pyetjen: “Cili është qëllimi im”?

Këshilla numër trembëdhjetë: Mëso se suksesi fillon nga brenda dhe manifestohet jashtë në praktikë.
Prandaj, fillo menjëherë ta ëndërrosh suksesin tënd. Jeto për suksesin tënd, ushqeje me ambiciet e tua personale, me synimet dhe me planet e mëdha që ke. Assesi mos u habit po qe se ia rezervon vetes tënde një vend në librin e njerëzve të famshëm pas vdekjes tënde.

Keshilla numër katërmbëdhjetë: Dije se suksesi e mbulon këtë botë. Suksesi është diçka e botës tjetër. Suksesi është i vërtetë dhe zgjat çdo herë. Suksesi është fakt i cili na flet se qellimi i vrapimit gjendet në kopshtet e xhenetit.

Këshilla numër pesëmbëdhjetë: Sërish të këshillojmë: “Mësoje mirë gjuhën e ndjenjës sepse është ligj i natyrës, ligj i cili mbisundon
ndërmjet njerëzve”. Mësoje mirë, e më pas mësoji edhe miqtë e tu.
Mos u bëj kokëfortë, mos lufto kundër natyrës së gjinisë njerëzore. Natyra të këshillon që të kërkosh zgjidhje në mënyrë graduale, të përmbahesh nga zgjidhjet e rrejshme dhe se zgjidhjet e shpejta nuk janë të vlefshme. Gjithashtu, tejkaloji fitoret dhe sukseset të cilat t’i
dhurojnë. Përsosu në gjuhën e ndjenjave, ndërsa dituritë dhe aftësitë e tua përcilli tek miqtë e tu.

Këshilla numër gjashtëmbëdhjetë: Gjejë masën në kryerjen e roleve dhe detyrave të tua. Gjeje masën gjatë zgjidhjes së problemeve.

Bëhu i matur kur punon. Njihi aftësitë e tua. Gjeje masën atëherë kur t’iu japësh të afërmve dhe atyre që janë më larg. Bëhu njeri i matur dhe mesatar. Gjeje masën ndërmjet urtësisë dhe guximit, ndërmjet ashpërsisë dhe mëshirës. Njihe maturinë si dhe mënyrën e saktë të përcaktimit të aftësive dhe qëllimeve të tua. Kjo do të të sigurojë qetësi dhe kënaqësi shpirtërore.

Këshilla numër shtatëmbëdhjetë: Ti je ai i cili zgjedh. Liria jote nuk ka çmim, sepse, thjesht, nuk është në shitje. Ke vetëm dy zgjidhje: ose do të veprosh sipas bindjes tënde dhe sipas vendimeve të tua, ose do t’iu lejosh të tjerëve që ta hartojnë jetën tënde.

Këshilla numër tetëmbëdhjetë: Së pari merru me gjërat që janë prioritare, sepse kjo është traditë dhe shprehi e çdo njeriu të suksesshëm. Të gjitha luftërat tona, të gjitha vështirësitë tona janë rezultat i keqkuptimit të prioritereve. Thjesht, shkojmë pas çdo sendi, e kjo është e gabuar. Prandaj edhe nuk i kuptojmë prioritetet. Hapi i
parë drejt të kuptuarit të prioriteteve është fjala e njohur tanimë, të cilën edhe ti duhet ta mbash mend dhe ta thuash: “Jo, më vjen keq”.

Natyrisht, në një mënyrë të bukur dhe të sjellshme.

Këshilla numër nëntëmbëdhjetë: Mëso parimin: “Unë jam i paditur”. Dije se edhe ai që është pranë teje ndoshta di diçka që ti nuk e di. Prandaj, logjiko në mënyrë pozitive, gjej zgjidhje të cilat do t’i kënaqin të gjitha palët, duke filluar nga motoja: “Njerëzit janë baza”.

Këshilla numër njëzet: Tanimë të shoh në majë. Në malin e të kuptuarit të sinqertë dhe të vërtetë. Parulla jote është: “Allahu nuk i krijoi njerëzit që unë t’i zhvlerësoj”. Tanimë të shoh në majë, në malin e heshtjes së thellë dhe të respektit të sinqertë ndaj të tjerëve.
Parulla jote është: “Dëshiroj të arrij deri tek e vërteta” Tanimë të shoh në majë, në malin e udhëheqjes së suksesshme të dialogut me të tjerët, shkathtësitë të cilat që moti nuk janë prezent në shoqërinë tone. Parulla jote është:
“Ne nuk i posedojmë mendjet e të tjerëve, megjithatë posedojmë rrigët të cilat shpien drejt dyerve të mendjes së njerëzve”.

Këshilla numër njëzetenjë: Kërko ndihmë nga Allahu i Plotëfuqishëm dhe mos u largo, mos u dobëso. Lidhu fuqimisht me Krijuesin dhe përmende vazhdimisht Atë. Dije se suksesi është një proces i vështirë, mirëpo ndihmësi më i mirë në atë rrugë është Allahu i Lartëmadhëruar. Prandaj, përsëriti vazhdimisht thënien:
“ O Allahu im, shpresoj në mëshirën Tënde, prandaj të lutem Ty të mos më lësh vetë as aq sa zgjat një lëvizje e syrit. Të lutem ma përmiso gjendjen time në çdo aspekt. Vetëm Ti je Zot”.
“ O i Gjallë inpërgjithmonshëm. O Mbikëqyrës i çdo gjëje! Kërkoj ndihmë në mëshirën Tënde. Ma përmirëso tërë gjendjen time dhe mos më le të mbështetem në veten time, as sa një lëvizje e syrit.”

 

Si të arrihet suksesi | Fejsal Omer Mahfuz Bashrahil

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit