3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Ringjallja e tokës djerrë në Islam

Më të lexuarat

Islami e ka ligjëruar ringjalljen e tokës së vdekur (djerrë) dhe vënien e saj në efiçencë, sepse prej këtij procesi përfiton e gjithë shoqëria dhe individitët, pra përmes mbjelljes së tokës dhe ndërtimit të saj. Në këtë mënyrë shtohet prodhimi dhe shoqëria realizon një jetë më të mirë ekonomike. Gjithashtu kjo formë e vënies në efiçencë të tokës bën të mundur të tejkalohen shumë probleme shoqërore, siç është mbipopullimi, mungesa e ushqimit dhe problemi i krahut të punës, sepse zgjerimi i tokave të punuara kërkon domosdoshmërisht një numër të madh krahu pune.

Ringjallja e tokës djerrë do të thotë dorëzimi i saj tek një individ, me qëllim që ta rikthejë në jetë atë dhe pasi ta ketë realizuar diçka të tillë, ajo kthehet në pronë të tij dhe njëkohësisht nuk lejohet të rimerret prej tij, apo të shpronësohet padrejtësisht, pa marrë parasysh nëse kjo tokë është kthyer me apo pa lejen e mëkëmbësit. Pra sipas Islamit ringjallja e tokës së vdekur përbën një nga shkaqet e pronësisë. Ndërsa parcelizimi i tokës do të thotë që mëkëmbësi t’u japë një grupi njerëzish apo një individi një parcelë toke djerrë, apo një tokë të pasur me minerale, apo me ujë për një interes të caktuar. Vetë i Dërguari i Allahut a.s. i ka ndarë sahabeve parcela tokash dhe në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe Halifët e Drejtë – Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

Nga Amër bin Dinari na përcillet se ka thënë: “Kur na erdhi i Dërguari i Allahut a.s., ai u ndau parcela Ebu Bekrit dhe Omer bnin Hatabit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.”

Mëkëmbësit i lejohet t’i japë një parcelë toke vetëm dikujt që i ka mundësitë e ringjalljes së asaj toke, sepse përndryshe kjo do t’i zinte ngushtë muslimanët. Ndarja e një parcele toke nuk do të thotë domosdoshmërisht, se është fituar pronësia mbi të, por do të thotë se personi që e ka marrë përipër ka të drejtë të përfitojë prej saj dhe mëkëmbësi mund t’ia rimarrë përsëri nëse dëshiron në çdo kohë nëse e sheh të arsyeshme.

I Dërguari i Allahut a.s. i ka nxitur besimtarët të investojnë tek toka dhe që t’i vendosin ato në efiçencë, duke thënë: “Kush e ringjall një tokë të vdekur, ajo i përket atij.” Dhe në një hadith tjetër thotë: “Kush e ringjall një tokë që nuk i përket askujt, ai e meriton më shumë atë, se sa kushdo tjetër.” (Buhariu, Ahmedi dhe Bejhakiu)

Për ringjalljen e një tokë djerrë duhen plotësuar këto kushte:

1- Toka duhet të jetë në vendet e muslimanëve, sepse në vendet e jomuslimanëve nuk mund të ndërmerret diçka e tillë vetëm se me lejen e tyre.

2- Toka që synojmë të ringjallim të mos jetë pronë e dikujt, qoftë në pronësinë e një muslimani apo jomuslimani. Nëse vërtetohet pronësia e dikujt mbi tokën, atëherë pronari ka të drejtë të kërkojë kompesim për punimin e tokës, apo blerjen e saj prej atij që dëshiron ta ringjallë.

3- Toka të jetë afër ndërtesave dhe jo pjesë e pasurisë publike, siç janë rrugët, lulishtet etj. në të cilat mblidhen njerëzit.

Ringjallja e tokës të bëhet me lejen e autoriteteve përkatëse. Dijetarët janë pajtuar për faktin se ringjallja e tokës përbën një nga shkaqet e pronësisë, por ata kanë mbajtur qëndrime të ndryshme në lidhje me domosdshmërinë e autoriteteve për diçka të tillë. Pjesa më e madhe e dijetarëve janë të mendimit, se kush e ringjall një tokë, ajo i përket atij dhe trashëgimtarëve të tij, dhe se autoritetet e kanë për detyrë t’ia njohin atij pronësinë mbi tokën, dhe nuk kanë asnjë të drejtë që t’ia heqin këtë të drejtë. Argument për këtë është fjala e të Dërguarit të Allahut a.s. në hadithin e përcjellë nga Xhabir bin Abdullahi r.a.: “Kush e ringjall një tokë të vdekur, ajo i përket atij.” Buhariu.

Nëse përmbushen këto kushte, atëherë individi mund të fillojë me procesin e ringjalljes së tokës dhe të përfitimit prej saj, dhe prej të gjithë infrastukturës përreth saj për të cilën ai ka nevojë. Gjithashtu ky proces ka nevojë të shoqërohet me synimin për të realizuar ringjalljen e tokës, dhe ky synim nuk mund të jetë i tillë pa e filluar pastrimin e tokës nga ferrat dhe barishtet e dëmshme, por duke e punuar atë dhe duke ndërtuar mbi të. Nëse individi që ka marrë përsipër këtë detyrë e braktis tokën pa punuar për një periudhë tre vjeçare, atëherë ai privohet nga pronësia mbi të. Argument për këtë është, se i Dërguari i Allahut a.s. i dha fiseve Xhehine dhe Mezineh një parcelë tokë dhe ata nuk e punuan atë. Pas tyre erdhën njerëz të tjerë që e punuan tokën dhe të dyja palët shkuan për gjykim tek Omer bin Hatabi r.a., i cili iu tha: “Po të kishte qenë prej meje ose prej Ebu Bekrit, unë kisha për ta kthyer tokën (do ta merrja), por ajo është një parcelë që e ka dhënë i Dërguari i Allahut a.s..” Pastaj tha: “Kush ka një tokë që e lë pa punuar për tre vjet dhe nuk e ndërton atë, dhe pas tij vjen një popull që e punon, atëherë ata të tjerët e meritojnë më shumë atë.”

Nëse toka që ka marrë përsipër individi që dëshiron ta ringjallë është tepër e gjërë dhe nuk ia arrin qëllimit për ta venë në jetë, atëherë atij i merret ajo pjesë e tokës, të cilën ai nuk arrin ta punojë dhe i jepet një tjetri që mund ta punojë. Nga Bilal bin Harithi r.a. na përcillet, se i Dërguari i Allahut a.s. i kishte dhënë atij një parcelë tokë në Akik (luginë në Medine). Kur erdhi koha e Omerit r.a., ai iu drejtuar Bilalit me fjalët: “I Dërguari i Allahut a.s. nuk ta ndau parcelën që të privosh njerëzit prej saj, por ta dha që ta punosh atë. Prandaj merr atë pjesë tokë që ke mundësi ta punosh dhe ktheje pjesën tjetër.” (Bejhakiu).

Përgatiti hoxhë Genc Plumbi/LHSH

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit