-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

RIDEFINIMI I KUFIJVE SI “PLAN B”

Më të lexuarat

Idetë për ndarje dhe shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë sa vijnë e shtohen në prag të dialogut të paralajmëruar në nivele të larta politike mes dyja qeverive.

Kryeministri serb, Ivica Daçiq ka përsëritur këto ditë, atë që ai e cilëson si mendim të tij individual, se ndarja e Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë.

Kurse në Prishtinë, ka mendime që prekja e kufijve dhe tërësisë territoriale do të duhej të ishte reciproke, duke aluduar në shkëmbimin e territoreve.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri për një kohë më të gjatë ka lansuar idenë e tij që Kosova dhe Serbia të ridefinojnë kufirin.

Ideja e tij aludon në kufirin mes dyja vendeve që ka ekzistuar deri në vitin 1956. Sipas kësaj ideje, Kosova do të merrte brenda kufijve të saj komunat jugore të Serbisë, Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, kurse Serbisë do t’i ktheheshin Leposaviqi dhe disa fshatra të Zubin Potokut.

“Definimi i kufirit i zgjidh problemet tjera. Përmes një dialogu politik, të natyrshëm dhe pranueshëm për të dyja palët duhet të zgjidhet problemi i shqiptarëve në lindje të Kosovës (jug të Serbisë) dhe ai i serbëve në veri të Kosovës duke e vendosur parimin e kufirit të vitit 1956, atëherë kur reforma agrare në ish-Jugosllavi apo kur politika serbomadhe e fshehur në petkun e komunizmit ka bërë ndryshimet të territoreve për shkak të ndryshimit demografik në Kosovë”, thotë Haziri.

Ndërkohë, pozicioni i Serbisë në prag të dialogut të ardhshëm me Kosovën, aktualisht po prezantohet me dy e më shumë alternativa.

Përderisa kryeministri Daiçiq prezanton pikëpamje personale për ndarje të Kosovës, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin thotë se ende nuk ka asgjë konkrete lidhur me bisedimet, nivelin dhe temat që do të trajtohen.

“Mos prisni nga ne, pasi që nuk është as praktikë diplomatike që të dalim me dokumente dhe qëndrime përfundimtare, përderisa pala tjetër nuk është deklaruar se a i dëshiron në fakt bisedimet politike”, thekson Vulin.

“Tash për tash ne kemi gatishmërinë për bisedime teknike dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Dhe, në momentin kur pala tjetër të deklarohet për bisedime politike si edhe bashkësia ndërkombëtare, të njëjtin moment do ta keni edhe përgjigjen e Serbisë”, thotë Vulin.

Në anën tjetër, deputeti Lutfi Haziri thotë se Serbia po përgatitet që të hyjë në dialog me Kosovën me zgjedhje opsionale duke ofruar qoftë alternativën e ndarjes së veriut apo statusin special për atë pjesë.

Të dyja zgjidhjet, sipas tij do ta defunksionalizonin shtetin e Kosovës, andaj ai mendon se edhe pala kosovare duhet të ketë një plan B para se të hyjë në procesin e ardhshëm të bisedimeve me Serbinë.

“Tani kemi ardhur në një kohë kur edhe Kosova duhet të bëj zgjedhje opsionale dhe duhet të ketë panin B. Fundja unë besoj që një dialog politik në këtë kohë që jemi i zgjidh problemet dhe me një marrëveshje paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë rreth territoreve mund të përballohen vështirësitë kryesore që kemi me Serbinë. Nuk mund të ketë normalizim dhe pajtim me Serbinë pa i zgjidhur problemet e hapura që lidhen edhe me territorin edhe me luftën e fundit në Kosovë”, thotë Haziri.

Deputeti Haziri mendon se faktori politik në Kosovë fillimisht duhet të ulet dhe gjejë një konsensus të brendshëm politik në lidhje me planin B në këto bisedime dhe në kohën më të përshtatshme të hyjë në bisedimet me Serbinë për të diskutuar për çështjet dhe temat e hapura.

Sidoqoftë, opsionet për ndarje, shkëmbim territoresh apo ridefinim të kufijve në Ballkan, nga faktori ndërkombëtar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës janë konsideruar të mbyllura.

Por, këto tema janë trajtuar në vazhdimësi nga politikanë të ndryshëm për shkak të problemeve dhe vatrave të hapura të krizave që janë të pranishme në shumë vende të rajonit dhe efekteve zinxhirore që prodhojnë secila prej tyre.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit