4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Rezoluta e vijave të kuqe bllokon integrimin

Më të lexuarat

Një rezolutë e propozuar nga partia opozitare VMRO-DPMNE-ja për caktimin e vijave të kuqe me Bullgarinë, mund të bllokojë në pafundësi procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë, Muhamed Halili, kryetar i Këshillit të Ambasadorëve.

Përmes rezolutës që duhet të kalojë për miratim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, VMRO-ja kërkon “të respektohen studimet shkencore maqedonase në lidhje me autoktoninë e popullit maqedonas dhe vazhdimësinë historike, gjuhësore, kulturore.

Të respektohen studimet shkencore, sipas së cilës gjuha maqedonase dhe dialektet e saj kanë vazhdimësi hapësinore dhe kohore. Të zbatohen konventat dhe deklaratat ndërkombëtare pozitive, dhe përgjithësisht të pranuara nga Kombet e Bashkuara për të drejtën e vetëvendosjes dhe të respektohet vullneti i shprehur lirisht dhe pa kushte për përkatësinë etnike të popullit maqedonas”, thuhet në tekstin e rezolutës së VMRO-DPMNE-së.

Rezoluta e propozuar është mbështetur edhe nga Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev edhe pse fillimisht, kjo parti e refuzoi, duke akuzuar krerët e VMRO-DPMNE-së se përmes rezolutës tentojnë të përfitojnë politikisht, pasi sipas LSDM-së, “çështjet që kanë të bëjnë me identitetin asnjëherë nuk kanë qenë objekt i negociatave”.

Mbështetja që i jep LSDM-ja rezolutës së VMRO-së, sipas Muhamed Halili nga Këshilli i Ambasadorëve, rrezikon integrimin evropian.

“Nëse edhe LSDM-ja e përkrahë propozimin e VMRO-DPMNE-së, atëherë është e qartë se vështirësohet edhe më tej integrimi evropian i vendit tonë. Është e qartë se shpresat për hapje të negociatave, gjegjësisht të mbajtjes së konferencës ndërqeveritare brenda këtij viti, po shuhen. Pra, nëse LSDM-ja e mbështet, shuhen të gjitha perspektivat për këtë vend. Partia e Zaevit si duket do ta mbështesë, meqë bëhet fjalë për garën e fitimin e pushtetit në zgjedhjet lokal në tetor”, thotë Halili.

Por, Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve ndërkombëtare, thotë për Radion Evropian e Lirë, se askush nuk ka mandat për të negociuar për çështjet që kanë të bëjnë me identiteti, andaj edhe nuk sheh asgjë të keqe në miratimin e një rezolutë të tillë me konsensus të gjerë.

Ndërkohë, Muhamed Halili, nga Këshilli i Ambasadorëve thotë se procesi i integrimit nuk duhet të bllokohet andaj sipas tij, partitë shqiptare duhet të angazhohen për mosbllokimin e këtij procesi.

“Askush nuk ka mandat që të negociojë për emrin e gjuhës tonë apo për identitetin e maqedonasve, por edhe të gjithë atyre që jetojnë këtu. Askush këtë nuk mund ta bëjë pasi nuk kanë mandatin për një gjë të tillë, as Zoran Zaevi, as Hristijan Mickoski e as Ali Ahmeti apo kushdo qoftë tjetër.

Ne kemi përmbushur të gjithë kriteret për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, por nuk duhet me çdo kusht të pranojmë nënçmime apo kushtëzime me gjëra të kanë të bëjnë me veçoritë tone. Duam Evropën, por më shumë duam veten tonë. Të gjitha partitë duhet të punojnë për të zhvilluar vendim, të bëjmë reformat, të rrisim standardin jetësor, të bëjmë këtu Evropën”, thotë Dujoski.

“Atëherë duhet që forcat politike shqiptare në përgjithësi duhet të ulen dhe të bisedojnë se deri kur mund të durojnë që të mos të zgjidhet problem, apo mos duhet të presim dhe 30 vjet tjera (sikur në rastin e kontestit me Greqinë), të humbet perspektiva e të rinjve, të mbyllen dyert e BE-së, apo të gjendet ndonjë zgjidhje tjetër e cila do të mundësonte integrimin e shpejtë dhe hapjen e perspektivës së të rinjve dhe të zhvillimit ekonomik”, thotë Halili.

Partitë shqiptare, si Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë, ashtu edhe ato në opozitë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë shprehur kundër rezolutës. Ato thonë se “nuk mbështesin asnjë dokument që cenon rrugën drejt BE-së dhe prishjen e raporteve të mira ndërfqinjësore”.

Bullgaria edhe në Samitin e Luksemburgut të BE-së nuk hoqi dorë nga vetoja, duke pamundësuar kështu nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

Veton ajo e vendosi fillimisht në nëntor të vitit të kaluar, duke kërkuar fillimisht zgjidhjen e kontesteve që kanë të bëjnë me çështjet e identitetit maqedonas./ REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit