1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Rexhep Qosja ia mban krahun rektorit, thotë se po bëhet fushatë ndaj tij

Më të lexuarat

Akademiku Rexhep Qosja i ka dalë në mbrojtje Rektorit Ibrahim Gashi duke thënë se të gjithë ata që po bëjnë fushatë kundër rektorit Ibrahim Gashi duke e akuzuar si të dërguar politikisht për rektor të Universitetit e nuk bëjnë fushatë, as protestë, as demonstratë, as nuk thonë fjalë, kundër ish kuadrove të Millosheviqit në pushtetin e dikurshëm të Kosovës që kanë arritur të bëhen prijës partie, kryetarë të ndonjë qyteti të Kosovës, deputetë në Kuvendin e Kosovës, a ministër në Qeveri a këshilltar presidence, shembulli i tillë më ofendues për Kosovën është pikërisht Isa Mustafa i LDK-së me një varg bashkëzyrtarësh të kohës së Millosheviqit!

Lexojeni të plotë shkrimin e Qosjes të botuar në Gazetën ‘Epoka e Re’.

FUSHATA KUNDËR REKTORIT IBRAHIM GASHI

Qe gati dy javë po zgjat fushata kundër rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi. Është kjo një fushatë me personazhe të prejardhjeve të ndryshme: të prejardhjeje më së shumti partiake, klanore mandej grupore kohore dhe, më së pakti, studentore.
Është kjo një fushatë me përmbajtje të paparimësi, por me shumë mosdurim të frymëzuar prej leverdish partiake e gazetareske.
Është kjo fushatë e nisur, e vazhduar dhe, mendojnë zbatuesit e saj, se do të jetë e përfunduar suksesshëm për ta me metoda dhune, shpifjesh dhe frikësimesh.
Është kjo fushatë zbatuesit e së cilës po harrojnë se në Kosovë sot ka shumë probleme, shumë keqbërje, shumë korrupsion, shumë privilegje zyrtarësh, shumë vjedhje e plaçkitje kundër protagonistëve të të cilave duhet të bëhen protesta, greva e demonstrata – të pandalshme derisa të mos ndalen ata protagonistë dhe ato dukuri.
Nuk duan ta dinë zbatuesit e fushatës kundër rektorit Ibrahim Gashi për këtë shumësi veprash e veprimesh kriminale ndaj të cilave duhet të bëhen protesta, greva e demonstrata dhe nuk duan ta dinë, sepse edhe vetë janë pjesëmarrës në to, më të vegjël a më të mëdhenj.
E vetmja vërejtje konkrete, deri sot e dëgjuar, që i bëjnë rektorit Ibrahim Gashi qenka botimi i një a dy a tri – nuk e thonë saktë sa, shkrimeve të tij në një revistë, thonë ata, jo shkencore a e paqenë, induso-amerikane! Për ta qenka mëkat i madh botimi në një revistë të tillë thuajse ajo revistë qenka shumë më pak e çmuar dhe shumë më pak shkencore se disa nga revistat tona të quajtura shkencore!
Zbatuesit e kësaj fushate e akuzojnë dhe e fyejnë rektorin Ibrahim Gashi për sa u tha më sipër, por nuk akuzojnë, me asnjë fjalë, ata që duhet të akuzohen dhe që, pashmangshëm, do të akuzohen një ditë dhe do të japin llogari politike, morale dhe gjyqësore për shumë të këqija të sotme në Kosovë, edhe në Universitet.
Akuzojnë ata rektorin Ibrahim Gashi, në shpinën e të cilit po hidhen të këqijat e bëra në kohën e rektorëve të përparshëm dhe për të këqijat e bëra prej rektorëve të përparshëm, por nuk i akuzojnë fare ata paraardhës!
Protagonistët partiakë të protestave gati dyjavore kundër tij e akuzojnë rektorin Ibrahim Gashi për një a dy a tri a, nuk e thonë sa, shkrime të botuara në atë revistë induso-amerikane thuajse ky qenka mëkat kolosal shkencor, politik, intelektual e moral, por asnjë fjalë nuk e thonë, prandaj as protesta a demonstrata nuk organizojnë kundër atyre për të cilët do të duhej të thuheshin shumë fjalë akuzuese dhe kundër të cilëve do të duhej të organizoheshin protesta, greva e demonstrata prej kujt se – në radhë të parë prej studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe prej organizatave joqeveritare që janë çuar kundër rektorit Ibrahim Gashi për dreqi dhe i biri i tij e dinë, e jo unë, për ç’arsye e për çfarë leverdish politike! Nuk thonë fjalë këta protagonistë dhe natyrisht nuk organizojnë as protesta, nuk organizojnë as demonstrata dhe nuk bëjnë as greva kundër falsifikuesve, mashtruesve, vjedhësve në fushë të shkencës, të arsimit e të kulturës! As kundër zhvatësve politikë e shtetërorë të pasurisë së Kosovës! Jo. Nuk e bëjnë këtë sepse edhe vetë, disa prej tyre, janë pjesëtarë të veprave e veprimeve, me të cilat do të duhej të merrej gjyqësia kosovare.
Bëjnë fushatë kundër rektorit Ibrahim Gashi, por nuk bëjnë protesta, a demonstrata a greva kundër atyre varfanjakëve të djeshëm që për dhjetë vjet janë bërë milionerë të sotëm në sajë të posteve politike, partiake e shtetërore, që po plaçkitin Kosovën më rrënjësisht se çdo pushtues i huaj prej kohës romake e deri në kohën e millosheviqëve; kundër atyre që janë bërë milionerë politikë, partiakë e shtetërorë me pallate, me firma, me pompa benzine, me shumë banesa, me toka, me kursime në vende të tjera, që janë rrethuar me privilegje e lukse marramendëse në kushtet kosovare!
Bëjnë fushatë për disa artikuj të botuar në revistë induso-amerikane, që me “kompetencat” e tyre shkencore, e çmojnë banale, por nuk bëjnë as fushatë, as protestë, as demonstratë, as grevë kundër atyre që kanë marrë diploma fakulteti pa shkuar asnjë orë në ligjërata, por duke e çuar nga truprojat indeksat për t’u vënë notat në të; as kundër magjistrave që kanë magjistruar me punim të blerë të magjistraturës; as kundër doktorëve që kanë doktoruar duke e blerë apo edhe pa e blerë punimin e doktoratës të shkruar prej tjetërkujt; as kundër atyre që kanë botuar libra mësimorë apo shkencorë të kopjuar prej librave të studiuesve të huaj nga republikat ish-jugosllave apo madje nga vende të tjera; as kundër atyre që kanë bërë plagjiatura dhe me ato plagjiatura njëri prej tyre vitin e kaluar edhe u pranua nga miqtë e tij në Akademinë tonë të Shkencave e të Arteve; as kundër atyre pedagogëve universitarë që punojnë a vazhdojnë të punojnë në disa vende pune, madje, në disa universitete apo në të ashtuquajturat universitete; as kundër atyre ministrave, këshilltarëve të tyre a prijësve partiakë që mbajnë mësim në universitet po në vend të tyre ligjëratat e tyre i mbajnë asistentët e tyre; as kundër Isa Mustafës që, si u shkrua në gazeta, punonte në pesë vende pune dhe që në ato pesë vende pune shkonte me veturën zyrtare të blerë me shtatëdhjetë mijë euro të taksapaguesve kosovarë, që në ato pesë vende pune shkonte duke folur me telefonin e blerë me 14 mijë euro, që me rrogat e marra prej atyre vendpunëve të tij arriti të bëhet sundimtar për shumëkënd kërcënues në Kosovë.
Bëjnë fushatë kundër rektorit të Universitetit, Ibrahim Gashi, për disa artikuj të botuar në një revistë që këta “shkencëtarë” e çmojnë banale e nuk bëjnë as fushatë, as protestë, as demonstratë kundër Isa Mustafës – kryetar i Lidhjes Demokratike dhe ish-kryetar i kryeqytetit te Kosovës, i cili bëhet anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës duke mos pasur punime intelektuale për anëtar akademie dhe duke qenë i zhytur në konflikt interesi.
Bëjnë fushatë kundër rektorit Ibrahim Gashi, por nuk bëjnë as fushatë, as demonstratë as nuk thonë fjalë në Kuvendin e Kosovës e as në Qeverinë e Kosovës pse anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës bëhet deputeti me shumë detyra të tjera politike e pushtetore, Arsim Bajrami, duke qenë po ashtu i zhytur në konflikt interesi.
Bëjnë fushatë kundër rektorit Ibrahim Gashi për një a dy a tri, a nuk e thonë sa, artikuj të botuar në një revistë “banale” induso-amerikane, por nuk bëjnë demonstratë kundër politizimit partiak të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me njëmbëdhjetë udhëheqës të Lidhjes Demokratike të Kosovës të pranuar në të në bazë të kritereve neostaliniste!
Bëjnë fushatë kundër Ibrahim Gashit të fajësuar në realitet për asgjë e nuk bëjnë as protestë, as demonstratë, as thonë fjalë kundër atij kryetari a ish-kryetari të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës i cili, i ushtruar për servilizëm në shkollën e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, sot shkon te udhëheqës kryesorë shtetërorë të Kosovës dhe pyet se cilin partiak të tyre do të donin t’ua pranonin në Akademi. Dhe, e pranojnë atë që i thonë ata!
Bëjnë fushatë në realitet për asgjë kundër rektorit Ibrahim Gashi, por nuk bëjnë fushatë, protestë a demonstratë kundër atyre që me paratë e taksapaguesve shqiptarë kanë ndërtuar e mbindërtuar shtëpinë – shembull i madh korrupsioni në të cilën vazhdon të banojë familja e Ibrahim Rugovës dhe nuk e kërkojnë nacionalizimin e saj.
Bëjnë fushatë kundër rektorit Ibrahim Gashi duke e akuzuar si të dërguar politikisht për rektor të Universitetit e nuk bëjnë fushatë, as protestë, as demonstratë, as nuk thonë fjalë, kundër ish kuadrove të Millosheviqit në pushtetin e dikurshëm të Kosovës që kanë arritur të bëhen prijës partie, kryetarë të ndonjë qyteti të Kosovës, deputetë në Kuvendin e Kosovës, a ministër në Qeveri a këshilltar presidence, shembulli i tillë më ofendues për Kosovën është pikërisht Isa Mustafa i LDK-së me një varg bashkëzyrtarësh të kohës së Millosheviqit!
Bëjnë fushatë këta protagonistë partiakë kundër rektorit Ibrahim Gashi thjesht pse filloi të krijojë rend në Universitetin e Prishtinës, pse vendosi t’ua shkurtojë privilegjet e shumta në këtë minierë leverdish uzurpatorëve politikë e pushtetorë dhe shërbëtorëve të tyre të ndryshëm universitarë, pse deshi të bënte publike të vërtetat për shpërdorimet e jashtëzakonshme profesionale të një vargu kuadrosh në këtë Universitet dhe të një vargu zyrtarësh të titulluar falsifikueshëm dhe të dhjamur edhe materialisht në fakultetet e tij!
Bëjnë fushatë kundër rektorit Ibrahim Gashi pse e panë se do të bëjë pastrimin e Universitetit prej shumë shfrytëzuesve arsimorë, pedagogjikë, politikë, partiakë të tij, me çka do të cenoheshin interesat e sotme e të ardhme të atyre që duan të bëhen bashkëpronarë të Shtëpisë së Madhe private që e quajmë Republika e Kosovës sovrane, e lirë dhe demokratike. Po, po. E lirë dhe demokratike me pronarë privatë të saj!
Është interes i madh, interes i dorës së parë për Kosovën që Universiteti i Prishtinës, që institucionet e Arsimit të Lartë të Kosovës, që Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës të pastrohen sa më parë e kjo, të pastrohen, domethënë që të lirohen prej shpërdoruesve të tyre, prej zhvatësve, falsifikuesve, mashtruesve, çerekintelektualëve që kanë gjetur punën, mos punën, lirinë për keqbërje e ndotësi të ndryshme në të. Këtë punë tepër të rëndësishme për zhvillimin, demokracinë dhe etikën e Universitetit të Prishtinës nuk mund ta bëjë i vetëm rektori Ibrahim Gashi. Dhe, nuk mund të bëjë me ato dekanate që e kanë sunduar dhe keqpërdorur deri sot nga brenda, as me Bordin e kryesuar prej një gazetari, por as me ato institucionet e jashtme arsimore e kulturore, që të gjitha këto të këqija, zhvatje, falsifikime, të ulëta, të dëmshme në të, i kanë shikuar me indiferencë apo, madje, në mënyra të ndryshme, të fshehta a të hapura, kanë marrë pjesë në to.
Jam i vetëdijshëm se këtë pastrim të Arsimit tonë të lartë, duke përfshirë këtu edhe Akademinë e Shkencave e të Arteve, në të cilën kanë gjetur titullin, “lavdinë” dhe honorarët edhe disa ish bashkëpunëtorë a informues të UDB-së, mund ta bëjë një Komision i përbërë prej studiuesish e intelektualësh të pavarur e, sidomos, mund ta bëjnë studentët, natyrisht pa ata që lejojnë të përdoren prej “specialistëve” partiakë, që në Kosovë, kur e kur, nuk mungojnë që të provojnë të përdorin metoda dhune e shantazhi të ndonjë partie në rajon – disa, kurse të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë – disa të tjerë!
Të tillëve ende s’u është treguar vendi ku e kanë, por nuk ka dyshim se do t’u tregohet. Dhe do t’u tregohet, shpresoj, pikërisht prej studentëve që e kujtojnë dhe e nderojnë trashëgiminë atdhetare e morale të paraardhësve të tyre të viteve 1968, 1981 dhe 1997-1998.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit