Xhamia Sulltanahmet e cila është e vetmja xhami nga periudha Osmane që ka gjashtë minare është një detaj i pashmangshëm në kartolinat e Stambollit
STAMBOLL (AA) – Pas tre dekadash do të bëhet restaurimi i radhës i Xhamisë së Kaltërt në Stamboll, ndërkohë që ky restaurim paraqet atë më gjithëpërfshirës në historikun e saj 400-vjeçarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Xhamia Sulltanahmet e cila është e vetmja xhami nga periudha Osmane që ka gjashtë minare është një detaj i pashmangshëm në kartolinat e Stambollit.
Nga shkaku i ngjyrës së kaltër që dominon dhe pllakave dhe mbishkrimeve quhet Xhamia e Kaltërt, ndërsa është ndërtuar në vitin 1616 me urdhër të sulltanit Osman, Ahmedi I.
Drejtori i Administratës, Adnan Ertem deklaroi për AA se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe puna do të fillojë në pranverë. “Restaurimi i Xhamisë së Sulltanahmetit do të jetë restaurimi i fundit i yni në Stamboll”, tha Ertem sipas të cilit kanë përfunduar ose janë në fazën finale të gjitha xhamitë e tjera të qytetit.
“Nga restaurimi i fundit i Xhamisë Sulltanahmet kanë kaluar 30 vite dhe ky do të jetë njëri nga më gjithëpërfshirësit”, sqaroi ai për të shtuar se problem shtesë paraqesin ujërat nëntokësorë. “Nëse shfaqet nevoja do të ndërtojmë kanale për bartjen e ujit. Ky do të jetë dallimi nga restaurimi i cili është bërë 30 vite më parë”, tha Ertem.
Ertem rikujtoi se kanë restauruar më parë një minare, dhe se tani kanë vendosur të bëjnë riparim të gjerë të minareve të tjera, në të cilat janë vërejtur dëmtime.
Ai nënvizoi se janë vjedhur shumë pllaka të vlefshme të xhamisë. “Më parë nuk është gjetur një zgjidhje për hapësirat boshe të cilat kanë mbetur të tilla. Këshilli për monumentet ka gjetur zgjidhje për këto pllaka që të zëvendësohen me të ngjashme”, tha Ertem për të shtuar se gjatë punimeve xhamia do të jetë e hapur për lutjet e besimtarëve.
Punimet restauruese pritet të përfundojnë në vitin 2020.