1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Republika “Srpska” kërcënon qytetarët e Bosnjës dhe të Kosovës me veto për heqjen e vizave

Më të lexuarat

Prindërit e aktorit Alban Ukaj nga Prishtina kanë vizituar Sarajevën vetëm dy herë përgjatë 22 vjetëve sa ai jeton atje. Ata nuk e vizitojnë sepse për këtë u duhen vizat, dhe procedurat [për pajisje me vizë] janë të vështira dhe e vrasin dinjitetin, thotë Ukaj.

Njoftimet se vizat mund të hiqen pas nënshkrimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor, nga nëntori i vitit 2022, si pjesë e Procesit të Berlinit, janë të diskutueshme pas bllokimit të ri nga entiteti “Republika Srpska” (RS).

“Do të vijë koha për të marrë përgjegjësinë për rrezikimin e lirive themelore të njeriut”, thotë Ukaj duke komentuar njoftimin e politikanëve nga entiteti i ‘Republikës Srpska’ për bllokimin e mëtejmë të marrëveshjes.

Heqja e vizave me Kosovën është kundërshtuar prej vitesh nga politikanët nga Bosnja dhe Hercegovina, entitete të kryesuara nga presidenti Millorad Dodik, që është në krye të Aleancës qeverisëse të Social- Demokratëve të Pavarur (SNSD).

Deputetët e Asamblesë Kombëtare të RS-së do të diskutojnë për veton e anëtares së Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq, e cila deklaroi se është mbivotuar në seancën e fundit të kreut kolektiv të shtetit, të martën, më 27 qershor.

Bllokada të reja po afrohen pas fjalimit të fundit të Cvijanoviq, përndryshe zyrtare e SNSD-së, e cila e ka quajtur këtë çështje si shkatërruese për interesin jetik të entitetit të Republikës Srpska.

Cvijanoviq ka përmendur inicimin e vetos për shkak të “përshkallëzimit të krizës në veri të Kosovës”, duke thënë se “regjimi” i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “nuk meriton përfitime”.

Më 21 qershor, ajo paralajmëroi inicimin e vetos, si një mundësi kushtetuese për anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, e cila do të çimentonte më tej marrëveshjen për regjimin pa viza.

“Kjo i përket shekullit XV dhe vret dinjitetin njerëzor. Koha kalon dhe ne nuk e kthejmë dot. Prindërit po plaken, ne po plakemi dhe kjo është gjëja më tragjike për mua”, shprehet aktori 43-vjeçar, Alban Ukaj, i cili ka lindur në Prishtinë, ndërsa jeton dhe vepron në Sarajevë.

Ai shton se nuk e përjashton mundësinë që për shkak të shkeljes së të drejtave elementare të njeriut, t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Ku e sheh problemin Cvijanoviqi?

Njëra nga tri marrëveshjet për lëvizjen e lirë në Ballkanin Perëndimor, të cilat u nënshkruan në nëntor të vitit 2022 si pjesë e procesit të Berlinit, i referohet lirisë së lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa dy marrëveshjet tjera janë për njohjen e diplomave të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të doktorëve të mjekësisë, doktorëve të stomatologjisë dhe arkitektëve.

Në rastin e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës kjo nënkupton edhe heqjen e regjimit të vizave, i cili prej vitesh i ka rënduar banorët e të dyja vendeve.

Megjithatë, politikanët nga Republika Sërpska refuzojnë ratifikimin, edhe pse ish-kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, i cili është anëtar i partisë së Dodikut, ishte një prej nënshkruesve të atij dokumenti në Berlin, vitin e kaluar.

“Në parim, unë jam për lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, por në këto rrethana, Prishtina tani nuk mund të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje”, deklaroi Cvijanoviq më 21 qershor për Radion dhe Televizionin e “Republikës Sërpska” (RTRS).

Inicimi vetos u bë pasi u mbivotua në seancën e Presidencës së BeH-së, kur u shpreh kundër konkluzioneve për miratimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime, për njohjen e diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale.

Konkluzionet për miratimin e atyre marrëveshjeve, për të cilat u dakordua në kuadër të Procesit të Berlinit, u mbështetën nga Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, kolegë të saj në Presidencën e Bosnje e Hercegovinës.

Ndërkohë, lëvizja e Zheljka Cvijanoviqit u mirëprit nga shefi i partisë së saj dhe presidenti i “Republikës Sërpska”, duke theksuar se ai është “përgjegjës për mbrojtjen e pozicioneve të RS-së dhe se Asambleja Kombëtare do ta mbështesë atë me një shumicë prej dy të tretash”.

Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës përcakton se një anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës mund ta shpallë një vendim të Presidencës, me të cilin nuk pajtohet, shkatërrues për interesin jetik të subjektit për territorin nga i cili është zgjedhur.

Në këtë rast, Kushtetuta parashikon që Asambleja Kombëtare e “Republikës Sërpska” të iniciojë veton dhe nëse merr mbështetjen e deputetëve, konkluzionet e Presidencës nuk do të kenë efekt.

Në mënyrë që iniciativa e vetos e Zheljka Cvijanoviqit të “jetësohet”, duhet të mbështetet nga dy të tretat e përfaqësuesve të Asamblesë Kombëtare të RS-së, pra 56 nga gjithsej 83.

A po bie Procesi i Berlinit?

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, vlerëson për REL-in se në rast se Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska e mbështet veton, “marrëveshjet e Procesit të Berlinit do të bien”.

Konakoviq pretendon se koalicioni qeverisës në nivel shtetëror ka arritur më parë një marrëveshje për miratimin e dy marrëveshjeve, të cilat i referohen njohjes së kualifikimeve profesionale dhe diplomave universitare në Ballkanin Perëndimor.

Mbështetja parimore për këto dy marrëveshje u dha në seancën e Këshillit të Ministrave të Bosnjës më 19 prill, kur u tha se marrëveshja e tretë, ajo për letërnjoftimet, do të ishte objekt i një marrëveshjeje të mëvonshme politike.

Sipas rregulloreve aktuale, marrëveshjet ndërkombëtare duhet të miratohen nga Këshilli i ministrave të Bosnjës dhe Presidenca e BeH-së, pas së cilës ato ratifikohen nga Parlamenti i këtij shteti.

“Është një marrëveshje për të gjitha vendet, jo vetëm për Kosovën. Ata [politikanët nga Republika Sërpska] ishin të gatshëm të mbështesnin dy dhe pastaj në seancën e Kryesisë ishte edhe një e tretë. A do të reagojnë me veto për shkak të revoltës? Nuk e di. Kjo tregon se konfliktet dhe mbivotimet nuk sjellin asgjë dhe ne po bëjmë pesë hapa prapa”, thotë Konakoviq.

Ndryshe, Qeveria në nivel shtetëror në BeH përbëhet nga SNSD-ja, Partia Demokratike Kroate e BeH-së (HDZ) dhe disa parti të mbledhura rreth Partisë Socialdemokrate të Bosnjës.

“Në Këshillin e ministrave të Bosnje e Hercegovinës, ne e kemi përfunduar punën tonë, si dhe Presidenca e BeH-së, dhe Parlamenti tani duhet ta ratifikojë. Megjithatë, nëse Asambleja Kombëtare e RS-së e refuzon, atëherë procesi është i bllokuar”, thekson Konakoviq.

Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale u nënshkruan në nëntor të vitit të kaluar nga Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Që të fillojë zbatimi, është e nevojshme që dokumentet të ratifikohen në parlamentet e secilit prej vendeve brenda 18 muajve.

Deri më tani, marrëveshjet janë ratifikuar nga të gjitha vendet, përveç Bosnje e Hercegovinës, ndërsa puna [për ratifikimin e marrëveshjes nga Parlamenti] në Mal të Zi është në fazën përfundimtare, tha për REL-in Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), një nga koordinatorët për nënshkrimin e marrëveshjes.

“Ne shpresojmë që Bosnja dhe Hercegovina së shpejti do t’i ratifikojë marrëveshjet dhe kështu do të tregojë një vendosmëri të përbashkët për të kapërcyer sfidat rajonale. Gjithçka ka të bëjë me politikën dhe në këtë rast ka të bëjë me detyrimet që janë ndërmarrë dhe që duhet të respektohen”, tha për REL-in sekretarja e përgjithshëm e RCC-së, Majlinda Bregu.

Si bëhet pajisja me vizë?

Bosnja e Hercegovina, përveç Serbisë, është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka njohur Kosovën.

Njohja kërkon pëlqimin e të tre anëtarëve të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës dhe që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, të gjithë anëtarët nga Republika Sërpska e kanë kundërshtuar atë.

Sipas vendimit të Këshillit të ministrave të Bosnjës nga viti 2012, qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë në Bosnje e Hercegovinë si turistë.

Atyre u kërkohet të pajisen me vizë, e cila nuk është e vendosur në pasaportë, por lëshohet në një formular të veçantë “vetëm në raste të jashtëzakonshme” në ambasadat e Bosnjës në Shkup, Podgoricë dhe Beograd.

Për shkak të regjimit rigoroz të vizave të Bosnjë e Hercegovinës për qytetarët e Kosovës, në vitin 2014, Prishtina zyrtare u kundërpërgjigj me të njëjtat masa, duke vendosur viza për qytetarët nga Bosnje e Hercegovina.

“Marrja e një vize është një procedurë komplekse, e kushtueshme dhe kërkon shumë kohë, ku përafërsisht një në tre persona merr vizë. Fjala është për njerëz, për bashkim familjesh, madje edhe për biznesmenë”, thotë Bregu.

Anketa e Barometrit Ballkanik tregon se 59 për qind e biznesmenëve në Ballkanin Perëndimor besojnë se udhëtimi vetëm me letërnjoftim do të ishte i dobishëm për biznesin e tyre, thotë Këshilli i bashkëpunimit rajonal.

Sipas këtij sondazhi, 67 për qind e qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës besojnë se bashkëpunimi rajonal kontribuon në përmirësimin e situatës politike, ekonomike dhe të sigurisë në rajon.

Kur bëhet fjalë për njohjen e kualifikimeve akademike, në rajon në vitin 2022 janë dorëzuar 6.000 aplikime. Njohja e një diplome universitare kushton nga 300 deri në 500 euro dhe procedura zgjat disa muaj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit