4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Replikë me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë – Klajd Bylyku

Më të lexuarat

Nga Klajd Bylyku

Replikë me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë

“Në cilën shpallje tjetër do të besojnë ata, pas këtij (Kurani)?” 77:50

Ngjarja më e komentuar e javës së fundit ka qenë ajo e mjekut Dervish Hasi. Akuzat dhe pretendimet e palëve është e tepërt t’i paraqesim këtu, duke qenë se janë të njohura për këdo, falë fluksit mediatik që për fat të keq po na pajis edhe me të dhënat më të hollësishme, të vërteta a të pavërteta qofshin. Nëse mjeku është fajtor apo jo, nga pikëpamja juridike, kjo është një çështje që i takon organeve ligjzbatuese. Nëse ajo që ai ka bërë me jetën e tij private është diçka morale apo jo, i takon atij dhe njerëzve të afërt me të cilët ai ka të bëjë. Ajo që ne do të përpiqemi të analizojmë në këto konsiderata, është mënyra se si Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e trajtoi çështjen në fjalë, nëpërmjet deklaratës publike të bërë disa ditë më parë. Tek e fundit besojmë se kjo është mënyra më e dobishme për trajtimin e saj, duke u parë si një çështje identiteti dhe jo thellësisht personale, sepse kështu hedhim dritë jo aq mbi rastin në fjalë, sesa mbi tipologjinë e tij, gjë që duhet t’i vlejë të gjithë shoqërisë në përgjithësi dhe muslimanëve në veçanti, nëse raste të ngjashme përsëriten.

Fillimisht është e udhës të gjykojmë konceptin e poligamisë. Në Librin e Tij, Kuranin Famëlartë, Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Jepjuani pasurinë e tyre jetimëve, mos ua ndërroni gjërat e tyre me gjërat tuaja të këqija. Mos e shpenzoni pasurinë e tyre duke e përzier me pasurinë tuaj. Sepse kjo, me të vërtetë, është gjynah i madh. Nëse keni frikë se nuk mbani drejtësi ndaj jetimëve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tre apo me katër; e nëse frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua ose me robëreshën që e keni në zotërim. Në këtë mënyrë do t’i ruheni padrejtësisë më lehtë.” 4:2-3. Siç duket nga ky ajet i sures Nisa, poligamia në fenë islame nuk është as e detyrueshme, as e rekomandueshme, por e lejueshme. E nisim me këtë sqarim jo se i druhemi keqkuptimit të jomyslimanëve shqiptarë kur diskutojmë për këtë çështje, por ngase për të dalë në përfundime të sakta, para së gjithash të tilla duhet të jenë premisat.

Kështu myslimanët shqiptarë janë pjesë përbërëse e kësaj shoqërie, e duke qenë shqiptarë dhe vendas të kësaj toke, nuk munden kurrsesi të trajtohen dhe konsiderohen si të huaj, qytetarë të dorës së dytë apo qenie inferiore. Ata janë shqiptarë po aq sa edhe grupet e tjera të shoqërisë dhe kanë të drejta dhe detyrime të njëjta me ta ndaj shoqërisë si e tërë. Kjo është një shtresë e identitetit të tyre. Një shtresë e dytë është ajo që ka të bëjë me besimin. Ata janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë por janë pjesë edhe e Umetit si kornizë konceptuale, historike dhe qytetërimore që përfshin të gjithë besimtarët myslimanë në të gjithë botën, nën ombrellën e të cilit ata identifikohen me njëri-tjetrin si një bashkësi që i tejkalon kufijtë kombëtarë dhe dallimet etnike e gjuhësore të tyre. Në këtë kuptim, ata janë trashëgimtarë të një tradite fetare dhe juridike, të cilën shoqëria shqiptare, për fat të keq, e njeh pak. Në themelin e së drejtës islame, në traditën shtetformuese të saj dhe në historinë shekullore të myslimanëve, ekziston një precedent origjina e të cilit gjendet te praktika e Profetit Muhamed, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të! Karta e Medines që ai hartoi është dokumenti i parë që myslimanët kanë pasur për të përcaktuar ligjësitë e dallimeve midis grupeve shoqërore dhe konceptimit të “tjetrit.” Kalifati Rashidun, Dinastitë Umejade dhe Abaside dhe Perandoria Osmane, katër formacionet më të rëndësishme politike që myslimanët kanë ndërtuar në historinë e tyre, kanë funksionuar mbështetur në të ashtuquajturin sistem të dhimive apo mileteve (siç kjo praktikë njihet në historiografinë osmane). Ky sistem diktonte se nëse pushteti politik u përkiste myslimanëve si shumicë e shoqërisë dhe grupi më i rëndësishëm i saj, grupet e tjera kishin të drejtën e tyre të plotë të vetëqeveriseshin në përputhje me ligjet dhe traditën e tyre fetare dhe kulturore. Ithtarët e Krishtërimit, Judaizmit dhe Zoroastrianizmit, që së bashku me sektet e tyre përbënin tre fetë e pranishme në territoret e Perandorisë Bizantine dhe asaj Sasanide, në të cilat myslimanët u shtrinë në dy shekujt e parë të historisë së tyre, kishin të drejtën legjitime të zhvillonin një ekzistencë krejt të pavarur nga ajo e myslimanëve, pra pushtetit. Në të vërtetë, ata që e njohin historinë, e dinë shumë mirë se territoret e Levantit, Irakut dhe Iranit të sotëm, u arabizuan dhe u islamizuan dy shekuj pasi myslimanët kishin ngadhënjyer politikisht dhe ushtarakisht mbi to. Perandoria Osmane është një shembull akoma dhe më i gjallë i kësaj tipologjie shoqërie, jo vetëm për faktin se është më pranë nesh si realitet historik, por sepse numri i etnive dhe feve që ekzistonin në gjirin e saj, ishte shumë më i madh.

Kështu Kostandinopojën bizantinët e humbën në vitin 1453, ndërsa në distriktin Fatih të Stambollit të sotëm, funksionojnë patriarkanat greke, armene dhe bullgare. Grekët ortodoksë të krishterë, armenët e krishterë, katolikët levantinë, asirianët e krishterë, çifutët sefardikë janë disa nga etnitë dhe fetë që të gjitha bashkë kanë rreth 150 kisha, 20 sinagoga dhe 60 varreza jomuslimane, të cilat u përkasin bashkësive të sipërpërmendura, përfshirë edhe ato laike të ndërtuara në kohën e Republikës, pas 1922-shit. Fjala milet në gjuhën arabe do të thotë “fe” kurse në atë turke ka fituar edhe nuancën e etnisë apo kombësisë, kuptim në të cilin ka hyrë edhe në gjuhën shqipe, paçka se në një trajtë tashmë disi arkaike. Falë këtij organizimi, grupet e ndryshme etnike, fetare, kulturore dhe gjuhësore që ishin pjesë e Perandorisë Osmane për disa shekuj, nuk u asimiluan në një etni, fe, kulturë apo gjuhë të vetme. Realiteti ballkanik i fillimshekullit të XX e dëshmon këtë. Por publiku shqiptar duhet të mos harrojë që kur jomyslimanët i rimorën këto territore, me myslimanët dhe trashëgiminë e tyre nuk u sollën në të njëjtën mënyrë. Qytete si Selaniku, Beogradi apo Budapesti, sot nuk kanë asnjë gjurmë të së shkuarës së tyre osmane. Grekët, serbët dhe hungarezët shkatërruan gjithçka, duke filluar me xhamitë e duke përfunduar me urat mbi Danub. Me Tiranën dhe qytetet e tjera të Shqipërisë, komunistët shqiptarë u sollën njësoj. Ndërsa për spastrimin etnik të myslimanëve osmanë në periudhën 1821-1922 në Evropën Qendrore dhe Lindore, është e këshillueshme të lexohet libri i historianit Justin McCarthy, me titull “Vdekje dhe dëbim.” Ashtu siç për të kuptuar mënyrën diametralisht të kundërt të sjelljes dhe organizimit shoqëror nga ana e jomyslimanëve kur ata kanë ngadhënjyer ushtarakisht mbi territore të huaja, do të mjaftonte “Konkuista e Amerikës” nga historiani Tzvetan Todorov, vepër në të cilën ai përshkruan dhe analizon masakrat e spanjollëve në Amerikën Latine, kontinent i cili sot është i gjithi katolik dhe flet vetëm dy gjuhë, atë spanjolle dhe portugeze.

Duke kërkuar ndjesë për këtë hyrje disi të gjatë por duke shpresuar se do të na ndihmojë të jemi koherentë dhe të drejtë në analizën tonë, gjëja e parë që duhet thënë është se myslimanët shqiptarë janë të parët të cilët nuk kanë asnjë nevojë për leksione bashkëjetese dhe se si respektohet i ndryshmi, ngase feja që besojnë dhe qytetërimi që trashëgojnë ua mundëson që këtë ta kenë të brendashkruar në mënyrën e tyre të të qenit. Në këtë kuptim, për t’u rikthyer aty ku e nisëm, nëse Shteti Shqiptar do të përpiqej që me grupet e ndryshme shoqërore të sillej sipas këtij modeli, çështja e poligamisë do të zgjidhej lehtësisht. Nëse myslimanët shqiptarë do të dëshironin një njohje ligjore të saj, atëherë kjo duhej të ndodhte menjëherë, pikërisht sipas premisës se nëse zgjerimi i konceptit të martesës do t’u shërbente atyre, por edhe banorëve të tjerë të shoqërisë, kjo duhej t’u njihej. Kjo do të ishte gjithashtu e dobishme edhe nga pikëpamja ligjore, ngase në rast se institucioni i poligamisë do të kodifikohej me ligj, kjo do të përcaktonte të gjitha hollësitë e mundshme, siç janë mosha, pëlqimi i palëve, zgjidhja në rast konflikti apo mosdëshire, apo çdo situatë tjetër potenciale, duke e shndërruar jo vetëm në një çështje ndërgjegjeje apo marrëdhënieje individuale me Zotin, por edhe me ligjin dhe të gjithë shoqërinë. Duke i mbyllur shtegun çdo abuzimi dhe dëmi të tjetrit, në kuptimin që në rast se dikush dëmton dikë viktima ka të drejtën ligjore për t’u ankuar, do të na kurseheshin edhe ngjarjet si rasti në fjalë.

Por edhe në rastin e njohjes me ligj, në panoramën e përgjithshme të shoqërisë shqiptare nuk do të ndryshonte shumëçka, sepse poligamia si institucion para se të jetë një çështje fetare, është mbi të gjitha kulturore. Ajo nuk është traditë e shoqërisë sonë dhe myslimanët e martuar shqiptarë kanë një dhe jo disa bashkëshorte. Kjo nuk është pasojë e mungesës së mundësive ekonomike apo hezitimit se mos ndoshta nuk sillen në përputhje me ajetin e sipërpërmendur Kuranor, por thjesht sepse ajo është një dukuri e huaj për kulturën shqiptare. Madje pjesa dërrmuese e myslimanëve në të gjithë botën janë të martuar me vetëm një bashkëshorte, përfshirë edhe shtetet ku poligamia njihet ligjërisht, siç janë Egjipti, Arabia Saudite apo Pakistani. Prandaj edhe njohja e saj në Republikën e Shqipërisë, do të mbronte viktimat potenciale nga abuzimi dhe do të rriste përgjegjshmërinë e palëve.  Kaq do të mjaftonte dhe situata individuale e kujtdo, do të trajtohej në rrafshin privat duke mos u bërë çështje e opinionit publik, gjë që do të na kursente dhe qëndrimin e deklaruar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i cili për myslimanët shqiptarë është fyes, ndërsa për pjesën tjetër të shoqërisë, vetëskllavërues.

KMSH e nis deklaratën e tij duke thënë: “Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është një institucion fetar, i cili ushtron aktivitetin e tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Shqipërisë. Është institucion që merret me jetën fetare dhe përçimin e mesazhit të qartë e të pastër islam në vendin tonë, gjë të cilën prej një shekulli e ushtron në përputhje me parimet më të larta fetare dhe konform ligjeve të Republikës së Shqipërisë.” Në këto dy fjali, gjëja që të bën më shumë përshtypje është gjuha kapitulluese nga e cila karakterizohet diskursi i KMSH-së. Edhe pse situata në fjalë nuk ka lidhje të drejtëpërdrejtë as me Kushtetutën dhe as më ligjet në fuqi të Republikës së Shqipërisë, KMSH zgjedh që ta nisë sqarimin duke na zhveshur nga çdo dinjitet. Sepse në thelb, çfarë do të thotë të respektosh Kushtetutën dhe ligjet e Republikës? Myslimanët shqiptarë janë qytetarë të këtij vendi dhe ata duhet medoemos t’i zbatojnë ligjet e Shtetit Shqiptar. Por mos do të thotë kjo se ata duhet të jenë dakord me të gjitha këto ligje dhe duhet ta pranojnë pa kushte vlefshmërinë, përhershmërinë dhe superioritetin e tyre? Nuk do mend që jo. Myslimanët shqiptarë besojnë se doktrina në të cilën ata besojnë, themelet e së cilës gjenden te Kurani dhe shembulli i Profetit Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është pakrahasueshmërisht superiore jo vetëm ndaj ligjeve të Shtetit Shqiptar, por edhe ndaj çdo të drejte tjetër të hartuar dhe konceptuar nga shoqëritë dhe traditat e ndryshme juridike. Në këtë kuptim, me këtë deklaratë, ata shkatërrojnë atë që në thelb konsiderohet krenaria e krenarive për të gjithë myslimanët, të cilët e kanë të panegociueshëm besimin e tyre te përsosmëria e ligjeve që Allahu ka shpallur dhe i Dërguari i Tij ka jetësuar me shembullin e tij. Kjo nuk do të thotë se ata janë të prirur drejt mosbindjes civile duke mos i njohur ligjet laike të Shtetit Shqiptar, sepse kjo nuk ka ndodhur dhe shpresojmë se nuk do të ndodhë ndonjëherë, por do të thotë se çështja e laicitetit nuk duhet marrë kurrsesi si diçka e mbyllur, e panegociueshme dhe e pandryshueshme, ngase për myslimanët nuk mund të ketë kurrë aspiratë më të madhe sesa përmirësimi, ndryshimi apo zëvendësimi i legjislacionit laik me dispozitat që burojnë nga shpallja hyjnore, gjë që do t’i shërbente jo vetëm atyre por të gjithë shoqërisë, ngase karakteri i tyre është gjithëpërfshirës dhe i vlefshëm për të gjithë njerëzit.

Madje nëse ka diçka që shoqëria shqiptare e ka vuajtur më së shumti në këto tri dekada pluralizëm politik, është pikërisht instrumentalizimi i ligjeve, të cilat janë hartuar në mënyrë arbitrare dhe janë ndryshuar në varësi të ekuilibrit të fuqisë politike. Me fjalë të tjera, ashtu siç fituesit shkruajnë narrativën historike që dëshirojnë, pushteti harton legjislacionin që i shkon për shtat, të cilin më pas e përligj përmes mbrojtjes që shërbëtorët në terren i bëjnë atij në hapësirat televizive dhe mediumet e formësimit të opinionit publik. Kjo bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe me këmbëngulje, duke u përsëritur dhe lartësuar si rrezatimi kryesor që vjen nga laicizmi, që në botëkuptimin e shoqërisë shqiptare është arritja më e madhe që ne kemi shënuar në udhën për t’ju bashkëngjitur vendeve të qytetëruara. Duke e bllokuar mendjen e publikut në këtë mënyrë, edhe ata të cilët e refuzojnë tiraninë e pushtetit lidhur me abuzimet që ai bën nëpërmjet instrumentalizimit arbitrar të ligjislacionit dhe së drejtës, pothuajse në të gjitha rastet kauzën e trajtojnë si një çështje procedure dhe jo përmbajtjeje, gërme dhe jo fryme, në rrafshin funksional dhe jo konceptual, kur në të vërtetë rrënja e problemit qëndron pikërisht në origjinën njerëzore të së gjithë të drejtës, burim i Kushtetutës laike. Por rasti i shoqërisë shqiptare është dyfish fatkeq, sepse në vendet me një traditë më të vjetër juridike, Gjykata Kushtetuese, media e lirë dhe opinioni i shëndetshëm publik, i bëjnë një opozitë më të fortë dhe më dinjitoze instrumentalizimit të ligjit, duke i zvogëluar ndjeshëm mundësitë e manipulimit të tij.

Kaq do t’i mjaftonte KMSH-së që të na e kursente atë entuziazëm poshtërues ndaj besimtarëve myslimanë teksa deklaron pacenueshmërinë e ligjeve laike të Republikës Shqiptare, pohim që në të vërtetë është paradoksalisht kontradiktor, ngase kanë qenë pikërisht këto ligje që kanë krijuar një institucion të tillë si KMSH-ja, pa peshë, për aq kohë sa është institucioni i parë që vullnetarisht heq dorë nga aspirata më e madhe e bashkësisë që pretendon se përfaqëson, teksa ligjet e Republikës i shpall si e vërteta përfundimtare dhe e mira e përgjithshme, kur ne e dimë shumë mirë që nuk është kështu, për aq kohë sa realizimi ekzistencial i myslimanëve mund të mbërrihet vetëm duke lartësuar Fjalën e Allahut të Lartmadhëruar, jo në shenjë triumfi dhe karshillëku individual ndaj të ndryshmëve, por si shpresa e vetme universale për përmirësimin e të gjitha gjendjeve (në kuptimin imanent) dhe shpëtimin ekzistencial (në kuptimin transhendent).

Më poshtë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i fyen besimtarët edhe në rend individual. “Ne distancohemi nga çdo individ apo grup që keqpërdor fenë për qëllime të ulta. Një individ që është objekt për organet ligjzbatuese nuk mund të jetë asgjë më shumë sesa kaq. Ne distancohemi nga çdo individ që kryen akte të ulta e të shëmtuara, aq më tepër duke u strukur pas besimit.” Çfarë ka për qëllim KMSH me këtë pohim? Çfarë do të thotë keqpërdorim i fesë? Para së gjithash funksionarët e këtij institucioni duhet të mësojnë (apo pranojnë) se pjesë e fesë islame njeriu mund të bëhet vetëm individualisht dhe besimin e tij ai e mban të gjallë vetëm në marrëdhënie me Zotin e tij. Nisur pikërisht nga premisa se në fenë islame institucioni i klerit nuk ekziston, asnjë individ dhe asnjë institucion nuk ka të drejtë të pretendojë se ia jep dikujt fenë në përdorim. Për myslimanët, logjika e indulgjencave është tërësisht e huaj. Besimin dhe veprat e mira i shpërblen vetëm Zoti, ashtu siç mosbesimin dhe të këqijat i ndëshkon vetëm Ai. Ky është thelbi i monoteizmit dhe burimi i superioritetit të Islamit karshi feve të tjera, të cilat në një mënyrë apo tjetër, i kanë veshur pushtetit të vetëm të Krijuesit pushtete njerëzore duke e cenuar autenticitetin e hyjnores, gjë që do të thotë se në veprat e mira apo të këqija, të nderuara apo të turpshme, besimtarët myslimanë mbeten të tillë dhe llogarinë e kanë vetëm me Zotin e Botëve, ashtu si dhe me organet e drejtësisë nëse shkeljet në fjalë përbëjnë edhe vepër penale, pavarësisht ekzistencës apo mungesës së institucioneve si KMSH apo të ngjashme me të. Sepse nga mënyra se si deklarata është formuluar, ajo tingëllon si një ekskomunikim (tekfir) i mjekut në fjalë. Për aq kohë sa ai nuk është sjellë në përputhje me normat e kërkuara (gjithmonë sipas KMSH-së), atëherë ai me siguri nuk duhet të ketë qenë as mysliman, por është strukur dhe kamufluar pas besimit për të legjitimuar devijimet e veta, siç thuhet në një paragraf tjetër.

Sikur të mos mjaftonte kjo, KMSH e trajton myslimanin në fjalë pa respekt dhe fisnikëri, duke ia bërë gjyqin përpara kohe mbështetur në zallamahinë mediatike, në shkelje të plotë me urtësitë e ajetit Kuranor të sures Huxhurat. “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (mbi vërtetësinë e tij), në mënyrë që të mos t’i bëni dëm dikujt pa e dashur këtë, e më pas të pendoheni për atë që bëtë.” 49:6. Ky ajet nuk rrezaton vetëm moralitet por mbi të gjitha shërben si parim metodologjik në fushën e së drejtës, kur vërtetësia e të dhënave është kushti bazë për një proces gjyqësor transparent dhe të besueshem. Veç kësaj, në një hadith të famshëm që është gur themeli në të drejtën sheriatike por edhe në ato civile, thuhet se barra e provës së veprës penale bie mbi paditësin dhe jo mbi të paditurin, mbi akuzuesin dhe jo mbi të akuzuarin. Prandaj, në një situatë të mjegullt si kjo me të cilën po përballemi, kur nga hetimi nuk dimë asgjë por opinionet mund t’i bazojmë vetëm mbështetur në pohimet mediatike, gjëja më fisnike që mund të bëjmë është të heshtim, për aq kohë sa jemi përballë një situate, vërtetësinë e të dhënave të së cilës nuk e kemi ne në dorë që ta verifikojmë. Por kjo heshtje duhet shoqëruar edhe me mendimin e mirë që duhet të kemi për çdo mysliman (dhe jomysliman) në logjikën e prezumimit të pafajësisë, që është gjithashtu një tjetër parim juridik themelor si në të drejtën islame, ashtu dhe në ato civile.

Në vend që të përfitojë nga situata për t’i dalë në mbrojtje besimtarit të vet në cilësinë e institucionit që pretendon se e përfaqëson atë, ajo e dëbon dhe e konsideron njeri me devijime, të kamufluar pas besimit dhe shkelës të ligjeve të Shtetit Shqiptar, duke u reshtuar në anën e atyre të cilët për ditë me radhë, në një frymë islamofobie dhe në kushte të plota iracionaliteti, fyejnë myslimanët dhe fenë e tyre, duke filluar nga eksponentë të gazetarisë sonë, deri te publiku i gjerë që manipulohet lehtë, në varësi të asaj që i shërbehet nga mediat televizive. Në vend që të mbrojë dinjitetin dhe nderin e myslimanëve shqiptarë, sidomos në dritën e realitetit famëkeq të shtimit të madh të portaleve mediatike, të cilat financiarisht mbahen përmes praktikimit të së ashtuquajturës “kulturë të asgjësimit” (cancel culture), Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shndërrohet në aleatin e tyre të parë.

Sepse si mund t’i ketë peshë fjala një institucioni të tillë që nuk ka mbajtur kurrë një qëndrim moral për ndonjë çështje publike të shoqërisë shqiptare? Në vendin tonë vidhet vota, poshtërohen zgjedhësit, dëmtohet i varfri, blihet media, manipulohet opozita, grabiten paratë publike, përzihen njerëzit nga vendi, e njëmijë e një të zeza të tjera. Kur ka ndodhur që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë të rreshtohet në anën e shoqërisë kundër së keqes së pushtetit, pavarësisht krahut politik? Asnjëherë. Por kjo nuk mjafton, sepse ai nuk mban qëndrim as kur preket nderi i myslimanëve. Në tetor të vitit 2013, në daljen e parë në emisionin Opinion në cilësinë e Kryeministrit, teksa Edi Rama po shpjegonte përzgjedhjen e drejtoreshave të sapo emëruara në krye të drejtorive kryesore të vendit, Fevziu e pyet se përse kishte zgjedhur si Drejtoreshë të Tatimeve Briseida Shehaj, e cila kishte postuar disa fotografi nga plazhi. Përgjigjja e kryeministrit ishte përmes një pyetjeje: “Pse, mos duhet të nxirrnim atje një me ferexhe ne? Mos duhej të ishte me ferexhe?” Përdorimi i termit pexhorativ “ferexhe,” që në gjuhën shqipe njihet si pjesë thelbësore e kodit të veshjes së zonjave dhe zonjushave të nderuara myslimane të këtij vendi, ishte dukshëm i poshtër. Nëse do të kishte qenë një lapsus apo përgjigje instinktive, siç nuk mund të përjashtohet edhe të ketë qenë, sepse deklarata ishte në trajtën e një reagimi, Kryeministri duhej të kishte kërkuar ndjesë, në mos në moment, së paku të nesërmen, por kjo nuk ndodhi. Në këto kushte, një reagim publik i institucionit përfaqësues, pra Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ishte më e pakta që duhej bërë. Por as kjo nuk ndodhi dhe ngjarja u harrua shpejt.

Një pozicionim i tillë i patakt, KMSH-së nuk i ka hije as për llogari të mungesës së plotë të transparencës që ai ka, jo vetëm në raport me bashkësinë që përfaqëson, por edhe me të gjithë shoqërinë shqiptare, duke qenë gjithmonë aleate qesharake e pushtetit. Ajo është akuzuar për manipulim të zgjedhjeve nëpër këshillat e xhamive dhe zgjedhjeve të përgjithshme, për keqpërdorimin e vakëfeve, për çmimin e Haxhit, për mbarëvajtjen e Xhamisë së Namazgjasë, etj., dhe për asnjërën nga këto çështje nuk ka bërë transparencë. Që të gjitha këto nuk janë qëllim i këtij shkrimi, edhe për faktin se për asnjërën nga këto akuza autori nuk ka dijeni prandaj dhe nuk guxon të akuzojë pa të drejtë, por vlejnë të përmenden se nëse ky institucion do të kishte treguar ndër vite një seriozitet, transparencë dhe integritet të dukshëm ndaj myslimanëve në veçanti dhe të gjithë shoqërisë në tërësi, besueshmëria që do të rrezatonte në qëndrimet publike do të ishte ndjeshmërisht më e lartë. Por duke qenë se mbajtjet e qëndrimeve atij i numërohen me gishtat e dorës dhe flet vetëm kur është në konflikt interesi, gjasat për të qenë i besueshëm janë aq të pakta sa nuk beson dot as veten.

Për ta mbyllur, pas kapitullimit qesharak e pa kushte ndaj laicizmit të Republikës dhe larjes së duarve nga besimtari që ai besohet të përfaqësojë së paku në nivel simbolik, deklarata në fjalë mbyllet me fjalinë e preferuar. “Islami është fe e paqes, moralit të lartë dhe drejtësisë!” Fjalia mund të jetë e vërtetë, por vetëm duke u lexuar nga fundi, përndryshe nuk ka kuptim. Islami është fe e drejtësisë, zhvillimit dhe shpëtimit, por nuk është apriori as fe e paqes dhe as e luftës, bën paqe dhe luftë në varësi të situatave, duke aspiruar dhe dëshiruar, vetëkuptueshmërisht, paqen si gjendjen më të pëlqyeshme për qeniet njerëzore. Por në mënyrën se si KMSH e përdor këtë slogan, paqja nuk është ajo gjendje begatie në të cilën njerëzit kanë më shumë mundësi për t’u afruar me Zotin dhe për të ndërtuar shoqëri të drejta, por është sinonimi kuptimor i skllavërimit ndaj pushtetit, i dorëheqjes nga luftimi i së keqes, i fatalitetit se gjërat nuk kanë për të ndryshuar ndonjëherë. Thënë ndryshe, mitizimi i paqes së pakuptimtë pa kushte përpara çdo realiteti, është kontributi modest që institucioni në fjalë ofron për ruajtjen e status quo-së, duke e shkëmbyer me garancinë se nga lëngata në të cilën rron, nuk ka për të vdekur ndonjëherë.

Nga Klajd Bylyku

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit