4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Reparti i dializës në spitalin Al-Shifa në Gaza përsëri filloi me pranimin e pacientëve

Më të lexuarat

Që nga e marta ka rifilluar funksionimi i repartit të dializës në spitalin Al-Shifa, pasi shërbimet u ndërprenë më shumë se dy javë për shkak të rrethimit dhe pushtimit izraelit

Reparti i dializës në spitalin Al-Shifa në Rripin e Gazës, i cili ishte cak i rrethimeve, bastisjeve dhe sulmeve të ushtrisë izraelite, është rihapur pas dy javësh.

Në fazën e parë u pranuan 50 pacientë me probleme me veshkat. Mëngjesin e 15 nëntorit, ushtria izraelite sulmoi Spitalin Al-Shifa, institucioni më i madh shëndetësor në rajon, ku ishin strehuar mijëra pacientë dhe civilë të zhvendosur në Gaza.

Pas bastisjes, Izraeli nxori armë të ndryshkura dhe disa kamera si dëshmi të aksionit të saj, për të cilat pretendoi se i kishte gjetur në ndërtesë dhe jo në tunele dhe depo të municioneve, duke nxitur kritika të ashpra.

Ushtria izraelite kërkoi nga të gjithë ata që ndodheshin në spitalin Al-Shifa që të evakuonin objektin shëndetësor pa automjete, por duke qenë se disa nga të plagosurit dhe pacientët nuk mund të dilnin nga spitali në këmbë, disa nga mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë mbetën brenda.

Forcat izraelite u tërhoqën nga spitali, duke shkatërruar pjesë të tij, dhjetë ditë pasi pushtuan Spitalin Al-Shifa, kompleksin më të madh mjekësor në Rripin e Gazës.

Në një intervistë për Anadolu, pacienti 67-vjeçar palestinez Abdulhakim al-Medhun tha se ai është banor i qytetit Beit Lahiya në veri të Rripit të Gazës dhe se ishte në dializë për herë të parë pas 15 ditësh në Spitalin Al-Shifa.

Al-Medhun tha se ai i nënshtrohej dializës tri herë në javë. Megjithatë, ky trajtim u reduktua me fillimin e sulmeve izraelite.

Duke shpjeguar se nuk mund të hynte në spital për dializë, e cila ishte një “fije shpëtimi” për të, sepse intensiteti i luftës po rritej, Al-Medhun theksoi se shpreson që edhe reparti i dializës në Spitalin Indonezian që ndodhet në veri të Rripit të Gazës do të nis punën, i cili gjithashtu u evakuua.

Më 24 nëntor, ushtria izraelite bastisi Spitalin Indonezian dhe nuk lejoi që ushqimi, uji dhe ndihmat humanitare të hynin në spital, të cilin e mbajtën të rrethuar për një kohë të gjatë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se spitali u evakuua plotësisht më 25 nëntor.

“Që nga e marta ka rifilluar funksionimi i repartit të dializës në spitalin Al-Shifa, pasi shërbimet u ndërprenë më shumë se dy javë për shkak të rrethimit dhe pushtimit izraelit”, tha Gazi al-Yazici, kreu i Departamentit të Sëmundjeve të veshkave dhe transplanteve në spitalin Al-Shifa.

Ai tha se ndërprerja e punës në këtë repart ka sjellë komplikime për disa pacientë. Al-Yazici theksoi se dhjetëra pacientë me sëmundje të veshkave vdiqën për shkak të trajtimit joadekuat.

Duke theksuar se në Rripin e Gazës ka 200 pacientë me sëmundje të veshkave, Al-Jazici tha se 50 pacientë janë dërguar për dializë pas rifillimit të funksionimit të repartit të dializës në spital.

Ai theksoi se Spitali Al-Shifa po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të mungesës së karburantit të nevojshëm për funksionimin e gjeneratorit kryesor, mungesës së ujit, mjeteve mjekësore dhe barnave të nevojshme.

“Duke patur parasysh se me mijëra njerëz të plagosur u sollën në spitale që nga fillimi i sulmit në Rripin e Gazës, sistemi shëndetësor në rajon është shembur plotësisht”, tha Mutesim Salah, drejtor i Qendrës së Operacioneve Emergjente të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Ai e quajti “katastrofë” infrastrukturën e sistemit shëndetësor në qytetin e Gazës dhe në veri të Rripit, sepse të gjitha spitalet ishin objektiva të ushtrisë izraelite. “Nuk kishim më kushte për të pranuar pacientë në spitalet në Rafah, Khan Younis dhe qytetet qendrore në jug”, shpjegoi Salah.

Ai bëri thirrje për mbështetje në mënyrë që spitalet t’u shërbejnë edhe një herë të sëmurëve dhe të plagosurve. Zyra e Qeverisë për media në Gaza më 26 nëntor deklaroi se që nga fillimi i sulmeve izraelite, më 7 tetor, 26 spitale dhe 55 qendra shëndetësore janë plotësisht jashtë funksionit.

“Izraeli vazhdon të shënjestrojë spitalet, qendrat shëndetësore dhe ekipet mjekësore në një mënyrë të qëllimshme dhe të planifikuar për të eliminuar sektorin e shëndetësisë”, shtuan ata.

Pauza humanitare katër-ditore midis Hamasit dhe Izraelit hyri në fuqi të premten, më 24 nëntor, në orën 7 të mëngjesit me orën lokale. Lirimi i të burgosurve vazhdon të bëhet në faza ndërsa pauza humanitare u vazhdua për dy ditë të tjera mbrëmjen e së hënës.

Gjatë pauzës humanitare, nga burgjet izraelite u liruan 180 të burgosur palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, ndërsa nga Rripi i Gazës u liruan 61 izraelitë.

Izraeli nisi sulme brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Më shumë se 15.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori. Në Izrael, numri zyrtar i të vrarëve është 1.200.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit