1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

“Rënia drastike e kursit të këmbimit ka dëmtuar eksportet shqiptare”

Më të lexuarat

Unioni i Eksportuesve të Shqipërisë (UESH) mbajti sot një konferencë për mediat, e cila kishte në fokus situatën ekonomiko-financiare të sektorit të eksporteve shqiptare, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij, kryetari i Unionit të Eksportuesve të Shqipërisë, Alban Zusi, tha se janë dy faktorë që kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes ekonomike të ndërmarrjeve të eksportuesve, si rënia e kursit të këmbimit euro-lekë dhe mosrimbursimi i Tatimit të Vlerës së Shtuar.

“Së pari rënia drastike dhe e pandalshme e kursit të këmbimit euro-lekë. Mbivlerësimi i lekut kundrejt euros ka sjellë një humbje ekstreme për të gjitha ndërmarrjet tona. Të ardhurat e ndërmarrjeve janë në euro dhe shpenzimet janë në lekë. Në kushtet kur euro në raport me lekun është zhvlerësuar mbi 9 për qind nga vitit 2018 do të thotë një zhvlerësim i njëjtë i faturimeve, të ardhurave të kompanive tona. Fitimi mesatar i ndërmarrjeve eksportuese është rreth 15 për qind, që do të thotë rënia e të ardhurave në masën e dy të tretave më pak për efekt të kursit të këmbimit”, u shpreh Zusi.

Duke folur për mosrimbursimin e Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH), Zusi tha: “Gjatë muajve të fundit ka pasur një bllokim të ribursimit të TVSH-së dhe për pasojë bllokim të likuiditeteve të kompanive eksportuese, që sipas tij, ka sjellë asfiksimin e sektorit, sidomos në marrëdhënie me nënkontraktorët.

“UESH shpreh shqetësimin e anëtarëve të tij se paqëndrueshmëria e kursit të këmbimit dhe mosrimbursimi në kohë i TVSH-së po shkatërron qëndrueshmërinë e aktivitetit të ndërmarrjeve tona dhe kërkon marrjen e masave urgjente për të normalizuar gjendjen”, deklaroi Zusi.

Sipas tij, UESH kërkon dialog të hapur me Qeverinë e Shqipërisë për të arritur një zgjidhje të shpejtë të këtyre shqetësimeve që prekin, sipas tij, një nga sektorët që ka numrin më të madh të punësuarve në vend dhe që siguron miliona euro nga eksporti i prodhimeve.

“Ne presim që të ulemi në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje të përbashkët që shpëton nga falimentimi një numër të madh të kompanive tona”, përfundoi Zusi.

Unioni i Eksportuesve të Shqipërisë kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të stabilizuar kursin e këmbimit euro-lek, i cili muajt e fundit ka patur luhatje të konsiderueshme. Gjithashtu UESH kërkon nga ana e Qeverisë së Shqipërisë të gjejë mjetet e nevojshme për të ndihmuar ndërmarrjet eksportuese dhe të kontribuojë për stabilizimin dhe normalizimin e situatës ekonomiko-financiare të tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit