Ka shkuar në 14 numri i viktimave të aksidentit që ndodhi mbrëmjen e të mërkurës në autostradën Shkup-Gostivar, në prani të fshatit Llaskarcë.
Lajmi u konfirmua edhe nga kryeministri Zoran Zaev, i cili doli në një konferencë të jashtëzakonshme, ku njoftoi mes të tjerash se qeveria kishte vendosur të shpallë ditë zie datat 14 dhe 15 shkurt.
“Një natë e vështirë, nuk kam fjalë për të shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave. Bashkë ndajmë dhimbjen, shteti po vuan. I mobilizuam të gjitha forcat, sonte Qeveria solli vendim me të cili në 14 dhe 15 shkurti shpallen ditë zie. Ndërhyrja e të gjitha institucioneve ishte e shpejtë, por sonte për fat të keq jetën e kanë humbur 14 persona, 7 prej të cilëve në vendngjarje dhe 7 nëpër spitale, ndërsa 37 janë duke marrë trajtimin mjekësor”, tha Zaev.
Ndërkohë mediat në Maqedoninë Veriore raportojnë se mes viktimave ishte edhe shtetasi Jovica Trpevski, i cili është djali i Blagojce Trpevskit, deputet nga radhët e partisë LSDM.