0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

RËNDËSIA E NJOHJES SË BIOGRAFISË SË BUHARIUT DHE VEPRËS SË TIJ “ES-SAHIH” NË KOHËN BASHKËKOHORE

Më të lexuarat

Jetëshkrimet e dijetarëve dhe njerëzve të mirë janë shkolla më vete, nga të cilat përfitojmë dobi të shumta. Konsiderohen mënyra më e mirë për nxitjen e ambicieve dhe ndezjen e tyre, e korigjojnë moralin në heshtje dhe qetësi, pa urdhëruar ose ndaluar. Është një dije e dobishme nëpërmjet të cilës njeriu mundohet t’u përngjason atyre, duke u njohur me gjendjet dhe përvojat e tyre jetësore.
Ato janë jetëpërshkrim praktik i sunetit të Pejgamberit ﷺ, ngase jeta e tyre ishte zbatim i diturisë që e kishin arritur.
Ato janë ushtarë prej ushtarëve të Allahut ﷻ nëpërmjet të cilave Allahu i forcon zemrat e miqve të Tij.
Muhamed ibn Ali El-Kettani (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Tregimet janë ushtarë prej ushtarëve të Allahut ﷻ nëpërmjet të cilave Allahuﷻ e forcon besimin e robërve të Tij. E pyetën: A mund ta përmendësh ndonjë argument për këtë që po thua? Po, u përgjigj. Argument për këtë është fjala e Allahut ﷻ:
وَكُلًّا نَقُصُّ عَلَيْكَ مِنْ أَنْبَاءِ الرُّسُلِ مَا نُثَبِّتُ بِهِ فُؤَادَكَ
“Të gjitha këto që t’i rrëfyem ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që ta forcojnë zemrën tënde”. (Hud:120).¹
Muhamed ibn Hasen Shejbaniu transmeton se Imam Ebu Hanife, (Allahu i mëshiroftë), ka thënë: “Tregimet për dijetarët dhe ndeja me ta është më e dashur tek unë se mësimi i shumë prej çështjeve të fikhut, për faktin se ato tregojnë moralin dhe virtytet e tyre.²
Por pse pikërisht biografia e Imam Buhariut?
Një pjesë të përgjigjes e theksova më herët kur përmenda dobitë e jetëpërshkrimeve të dijetarëve.
Shto kësaj edhe faktin se në kohën bashkëkohore janë shpeshtuar sulmet ndaj Islamit në përgjithësi, e në veçanti ndaj burimit të dytë më të rëndësishëm të fesë, sunetit, i cili nënkupton: Fjalët, veprat, miratimet, virtytet morale dhe përshkrimin fizik të të Dëguarit tonë Muhamedit ﷺ.
Njerëzit që e sulmojnë sunetin nuk i përkasin një kategorie të vetme. Disa nuk janë fare ithtarë të fesë islame, por i përkasin feve dhe ideologjive të tjera. Disa të tjerë e mohojnë atë tërësisht, disa e pranojnë pjesërisht, përkatësisht vetëm atë lloj që është përcjellur në formën mutevatir. Prej sulmeve dhe dyshimeve më të spikatura janë ato që kanë të bëjnë me Imam Buhariun dhe autenticitetin e librit të tij madhështor, Sahihut. Zakonisht, nuk ka gjë të re që mund të veçojmë tek këto dyshime ngase ato e kanë burimin tek orientalistët e shekullit të kaluar dhe datojnë që nga ajo kohë, por mund të ketë vetëm dallim në formulim.
Ai i cili e studion hollësisht jetën dhe biografinë e Imam Buhariut vetvetiu do t’i flakë shumë prej atyre dyshimeve nëse ballafaqohet me to, ngase jeta dhe vepra e këtij dijetari të madh i cili posedonte memorie shumë të fortë (të çeliktë) dhe konsiderohej imam i dunjasë në kuptimin e thuktë të haditheve, siç e ka përshkruar kështu Ibn Haxheri, (Allahu e mëshiroftë), dëshmon sheshazi se Allahu e kishte përgatitur atë qysh në vegjëli për këtë çështje shumë të rëndësishme, për ta bartur këtë amanet tejet të vështirë dhe të rëndë mbi supet e tij, gjegjësisht përcjelljen e sunetit autentik tek brezat e mëvonshëm nëpërmjet Sahihut të tij.³
Po ashtu, biografia e tij është frymëzuese dhe motivuese, sidomos për gjeneratën e re, në këtë kohë kur leximi i librave është zëvendësuar me leximin e statuseve dhe postimeve në rrjetet sociale.
Dhe, së fundi, kush lexon për jetën dhe veprimtarinë e Imam Buharit dhe dijetarëve të tjerë të mëdhenj do ta kuptojë madhështinë e kësaj feje, do t’i shtohet bindja në vërtetësinë e saj, e në veçanti në autenticitetin e sunetit të saktë.

  1. Tarih Bagdad 4/127, Tarih Dimeshk 54/257.
  2. Xhamiu Bejanil ilmi ve fadlihi 1/509.
  3. I’laul Buhari fq. 7.

Shkroi:dr.Muhamed Broja
26.08.2023 Mitrovicë

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit