1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Relativizimi i së keqes – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Relativizimi i së keqes

Forma më klasike e përligjjes së të keqes, është kur justifikohet se kështu na e kanë lënë të parët, kështu e kemi traditë! Mjafton të lexosh Kuranin dhe do të ndeshësh disa herë qortimin që Allahu i bën kësaj mendësie dhe se si e hedh poshtë atë në mënyrë racionale.

Forma tjetër më e përhapur është përligjja përmes shembujve, se çfarë bëjnë të tjerët dhe sa e përhapur është kjo apo ajo gjë! Dhe përsëri në Kuran do të gjejmë qortim edhe për këtë justifikim, duke na thënë se shumica e njerëzve nuk janë në rrugë të drejtë, ndaj ata nuk vlejnë si referencë.

Këto janë dy format klasike më të përhapura, por ka edhe të tjera, si p.sh. filan hoxhë e ka thënë apo bërë, edhe pse nuk jepet për këtë qëndrim asnjë argument fetar. Edhe këtë formë justifikimi e ka cekur Allahu në Kuran, kur na ka përmendur rastin sesi ithtarët e Librit i konsideruan për zota dijetarët dhe murgjit e tyre, pikërisht sepse ata pranuan prej tyre hallallin si haram dhe haramin si hallall, siç ia komentoi këtë ajet Profeti (alejhi salatu ue selam) sahabëve.

Një tjetër formë justifikimi është edhe relativizimi i së keqes, përmes justifikimit se është opinioni dhe mendimi ndryshe i dikujt, ndaj duhet respektuar! Për këtë ata keqpërdorin shpesh mospajtimin që dijetarët islamë kanë për disa çështje fetare të jurisprudencës islame, të dorës së dytë, që nuk kanë të bëjnë me parimet apo shtyllat e besimit.

Një tjetër formë është edhe kapja pas ideve të gabuara të njerëzve devijantë, që shiten si dijetarë dhe na paraqiten si referenca të besueshme, apo edhe dijetarëve të mirëfilltë që mund të kenë gabuar, sepse askush nuk është imun nga gabimi.

Ndërkohë, kjo formë relativizimi e së keqes po bëhet gjithmonë e më e përhapur, pikërisht për shkak të ndikimit të kohës kur jetojmë, ku individualizmi dhe mendimi i lirë e ndryshe, është bërë si normë e shenjtë, ku nuk guxon të kundërshtosh dhe mos pranosh atë që thotë dikush, se ndryshe etiketohesh si intolerant, edhe nëse ky njeri i sheh parimet e normat juridike të prera të fesë, si çështje të diskutueshme që hanë debat dhe ku pranohet mendimi ndryshe! Në këtë linjë çështjesh të diskutueshme, për fat të keq, janë përfshirë edhe ajo e vërtetësisë së Kuranit, Hadithit, Namazit, Zekatit, Agjërimit, Haxhit, shamisë, kamatës, dylberëve… etj., ku të gjitha na qenkan të diskutueshme dhe gjithsecili paska të drejtën e mendimit të tij të lirë për to, qoftë edhe ndryshe nga konsensusi shekullor i dijetarëve islamë! Fundja kush janë ata, edhe ata njerëz si ne kanë qenë dhe janë! E kjo është një nga fatkeqësitë më të mëdha të kohës, që i hap rrugën herezisë dhe daljes nga feja.

Ajo që kërkon Allahu nga ne, nuk është ndryshimi i së keqes dhe zhdukja e saj, sepse kjo shpesh nuk është në dorën tonë dhe ne nuk kemi aq fuqi sa ta bëjmë këtë gjë, ajo që kërkohet prej nesh është përpjekja për ndryshim, është urdhërimi për të mira dhe ndalimi nga e keqja, dhe pikërisht për këtë përpjekje të sinqertë do të merremi në llogari dhe do të marrim shpërblim, jo për suksesin ose mossuksesin e asaj që është në dorën e Allahut.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit