Në një raport të fundit të publikuar nga autoritetet shëndetësore britanike bëhet me dije se numri i vdekjeve nga helmimi me drogë në Angli dhe Uells ka arritur në nivel rekord.
Mediat e huaja bëjnë me dije se të dhënat tregojnë rritje të numrit të njerëzve që po vdesin nga përdorimi i kokainës dhe opiateve.
Organizatat që merren me hulumtimin e përdorimit të drogave dhe me personat e varur nga substancat narkotike paralajmëruan se shifrat e rasteve fatale janë emergjencë e shëndetit publik, ndërsa pandemia ka ndikuar negativisht tek ata që kanë probleme me varësi.
Në vitin 2020, nga përdorimi i drogave në Angli vdiqën 4.561 persona ose 79.5 për një milion banorë. Kjo shifër është për 3.8 për qind më e lartë se në vitin 2019 dhe numri më i madh që nga fillimi i mbajtjes së kësaj statistike, më 1993.
Më shumë se dy të tretat e të vdekurve nga droga për vitin 2020 ishin burra, ngjashëm si në vitet e kaluara. Shkalla më e lartë e vdekjeve është regjistruar te grupmosha 45 deri 49-vjeçare, shkruan The Guardian.
Ndërkohë mësohet se përafërsisht gjysma e vdekjeve nga droga vitin e kaluar ishin të lidhura me përdorimin e një opiati – ilaç kundër dhimbjes si kodeina dhe fentanili, ndërsa 777 raste fatale ishin të lidhura me përdorimin e kokainës, që është 9.7 për qind më shumë se në vitin 2019 dhe mbi pesë herë më shumë se para një dekade.
Rritje shqetësuese u shënua për një dekadë te rastet e vdekjeve të grave nga përdorimi i kokainës. Kjo shifër u rrit për më shumë se 800 për qind, nga 16 raste më 2010 në 158 vdekje më 2020./abcnews.al