4.2 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Rekomandimi i liberalizimit të vizave – ja çfarë thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian

Më të lexuarat

Komisioni Evropian sot i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian për të hequr vizat për popullin e Kosovës, duke e futur edhe Kosovën në listën e vendeve që mund të udhëtojnë pa viza, për qëndrim të shkurtër në zonën Shengen.

Propozimi është paraqitur së bashku me vlerësimin pozitiv të Komisionit, duke konfirmuar se Kosova ka përmbushur kërkesat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Siç edhe bëhet e ditur në njoftimin e Komisionit Evropian, Komisioneri për Migracion, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos tha: “Sot ne ndjekim angazhimin tonë duke propozuar udhëtimin pa viza në BE për popullin e Kosovës me pasaporta biometrike – lehtësimin e kontakteve të njerëzve dhe forcimin e biznesit, lidhjet sociale dhe kulturore midis BE-së dhe Kosovës. Ky është rezultat i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës në arritjen e reformave të vështira në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme dhe më gjerë, duke ndikuar në fusha të tilla si sundimi i ligjit dhe reforma në drejtësi. Unë e di se sa e rëndësishme është udhëtimi pa viza për popullin e Kosovës dhe jam shumë i kënaqur me progresin e arritur. Shpresoj se Parlamenti Evropian dhe Këshilli do të miratojë propozimin tonë shumë shpejt”.

Gjithashtu, në njoftim shtohet se në raportin e sotëm të progresit, përcjell Telegrafi, Komisioni konfirmon se Kosova ka plotësuar të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, duke kërkuar që Kosova do të duhej që edhe të ketë të ratifikuar marrëveshjen e kufirit me Mali i Zi dhe forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Zbatimi i të gjithave kërkesave të paraqitura në katër blloqet e udhërrëfyesit të vizave, si dhe ri-integrimi dhe ri-pranimi, do të monitorohet në mekanizmin e monitorimit të post-vizave, Procesin e Stabilizim-Asociimit dhe nëse është e nevojshme, me anë të mekanizmave ad hoc”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

Pasi propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, shtohet më tej “populli i Kosovës me pasaporta biometrike do të mund të udhëtojë pa viza për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë për të gjitha vendet anëtare të BE-së (me përjashtim të Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar), si dhe katër vendet të lidhura me Shengen (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra)”.

“Kjo vlen për vizat e qëndrimit 90 ditor në çdo periudhë 180 ditore, për biznes, turistike ose për qëllime familjare. Qytetarët e BE-së tashmë mund të udhëtojnë në Kosovë pa viza. Kushtet tjera të hyrjes në zonën Shengen do të vazhdojnë të zbatohen, duke përfshirë edhe nevojën për të qenë në gjendje për të provuar mjete të mjaftueshme financiare dhe qëllimin e udhëtimit. Përjashtimi vizave nuk parashikon të drejtën për punë në BE”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Komisionit Evropian. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit