1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024


Regjisori-ushtar që tregon pa filtra realitetin e hidhur të luftës në Ukrainë

Më të lexuarat

Kineasti: Të gjithë duan të jenë heronj por e vërteta është ndryshe, druhem t’ia tregoj filmin shokëve

Nga Marc Bennetts, Synday Times

Oleg Sentsov, një regjisor ukrainas që e ka ndërruar karrigen komode të regjisorit me llogoren e luftës, ka pak dyshime se çfarë e pret nëse kapet sërish nga rusët. “Ndoshta nuk do të më çonin prapë në burg.. Ka të ngjarë të më pushkatojnë para se të shkoj atje!”.

Dikur një regjisor i ri filmash në Krime,vendlindjen e tij, jeta e Sentsov u kthye përmbys nga Rusia. Në vitin 2014, menjëherë pasi Kremlini e aneksoi gadishullin e Detit të Zi, ai u arrestua me akuza të sajuara për terrorizëm, pasi i çoi ushqime dhe ndihma të tjera ushtarëve ukrainas të bllokuar në bazat e tyre në Krime.

Ai u torturua në qelitë e paraburgimit, dhe më pas u dënua me 20 vjet burg pas një gjyqi spektakolar nga një gjykatë ushtarake ruse, gjatë të cilit ai e quajti një “xhuxh gjakatar” presidentin rus Vladimir Putin. Rasti i tij u bë një kauzë ndërkombëtare, dhe regjisorë të famshëm evropianë si Ken Louç, Majk Leig dhe Pedro Almodovar nënshkruan një letër të hapur ku kërkonin lirimin e tij.

Madje Sentsov u mbështet edhe nga disa kineastë rusë. Por edhe kur u burgos në një burg të sigurisë së lartë në Siberi, 47-vjeçari nuk hoqi dorë asnjëherë nga shpresa se liria do të vinte së shpejti. “Gjithmonë e kam besuar këtë. Njeriu duhet të besojë në diçka. Në të kundërt është i marrë fund”- thotë ai për The Times gjatë një interviste në Kiev.

Besimi iu shpërblye në vitin 2019, kur u lirua si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish midis Ukrainës dhe Rusinë . Kur mbërriti në Kiev u prit si hero, duke flakur në mënyrë demonstrative çizmet e burgut në asfaltin e aeroportit. Tre vjet më vonë Putin nisi një luftë në shkallë të gjerë kundër Ukrainës.

Sentsov, baba i katër fëmijëve, lufton që nga ajo kohë në vijën e parë të frontit. Është plagosur dy herë, duke pësuar plagë të rënda nga shpërthimi i një predhe, dhe një tronditje të fortë psikologjike. “Me rusët kam hesape për të larë. Për mua kjo luftë është personale. Ata sulmuan Ukrainën time, pushtuan Krimenë, shtëpinë time dhe vranë shumë nga miqtë dhe të njohurit e mi. Më torturuan në burg…”- tregon ai.

Sentsov flet në prag të promovimit të filmit të tij dokumentar “E vërteta”, i cili do të ketë premierën këtë fundjavë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary në Republikën Çeke. Filmi 88-minutësh, përbëhet nga pamjet reale nga një llogore ukrainase gjatë një përpjekje kaotike për të organizuar shpëtimin e një njësie që kishte rënë nën sulmin e rusëve.

“Ajo ishte një nga ditët më të vështira”-kujton Oleg. Megjithatë, e pranon se skena të tilla janë “shumë të zakonshme” në vijën e parë të frontit. Ky film dallon shumë nga tre filmat e tij të mëparshëm artistikë, të cilët përfshijnë “Numrat” (2019), një dramë distopike që ai ia doli, përkundër të gjitha gjasave, ta shkruante dhe bashkë-drejtonte përmes letrave që i dërgonte nga burgu ekipit të prodhimit, ndërsa vetë kishte hyrë në një grevë urie në qeli.

Sentsov i filmoi pamjet për dokumentarin krejt aksidentalisht, kur ndezi pa dashje një kamerë GoPro në helmetën e tij. Ai i zbuloi ato gjashtë muaj më vonë kur po shqyrtonte disa dosje. Filmi është një përvojë intensive, shpesh klaustrofobike, që i ofron audiencës një vështrim nga afër të luftës. Ai nis dhe ndërpritet papritmas, dhe përfundon me raportimin se atë ditë humbën jetën 22 ushtarë ukrainas.

“Dokumentari tregon një pjesë e luftës, pra si është ajo vërtet. Në ekran nuk ka përleshje me armë, por kur e sheh ndihesh sikur je në epiqendër të gjithçkaje. Filmi tregon saktësisht atë që sheh ushtari në atë moment:ai nuk sheh thuajse asgjë, por dëgjon gjithçka – tingujt e të shtënave dhe luftimeve – por shumë rrallë sheh dikë”- thotë regjisori ukrainas.

Sentsov nuk ua ka treguar ende filmin shokëve të tij ushtarë. “Nuk jam i sigurt nëse do t’u pëlqejë të gjithëve. Të gjithë duan të jenë heronj dhe të ndihen si të tillë. Por ky film nuk është aq i këndshëm”- tha ai. Tre nga ushtarët që shfaqen në film janë vrarë tashmë në front.

Sentsov shpreson të marrë pjesë personalisht në shfaqjen e filmit në Republikën Çeke. Por si të gjithë burrat ukrainas në moshë për të luftuar, ai ka nevojë për leje që të dalë nga vendi.

Nuk është sekret fakti që ushtria ukrainase përballet me një mungesë të dëshpëruar të burimeve njerëzore, madje edhe duke adoptuar praktikën ruse të rekrutimit të të burgosurve, në përpjekje për të mbushur boshllëqet e mëdha në vijat e frontit. Por Sentsov nuk mendon se filmi mund të cenojë përpjekjet e Ukrainës për rekrutime të reja.

 “Situata me mobilizimin në Ukrainë është tashmë aq e keqe, saqë është e vështirë ta përkeqësosh më shumë”-mendon ai. “Qeveria ka bërë shumë për të siguruar që mobilizimi të jetë kaq i dobët. Padyshim, unë nuk jam një nga njerëzit që duhet të fajësoj dikë. Por e konsideroj të nevojshme t’i tregoj njerëzve të vërtetën mbi luftën, dhe të mos u themi atyre gjatë gjithë kohës se gjithçka është në rregull, dhe që ne po fitojmë kudo”- shton ai.

Shumë njerëz prisnin që Sentsov t’i hynte politikës pas kthimit të tij nga Rusia, por ai këmbënguli se kjo ishte gjëja më larg mendjes së tij.

Nuk e kuptoj arsyen pse njerëzit që fitojnë një farë emri në shoqëri, hyjnë kaq shpesh në politikë. Unë nuk do ta bëj këtë. Do të vazhdoj të bëj filma.

Por unë kam një qëndrim aktiv civil, dhe nuk do të hesht. Nuk qëndrova i heshtur gjatë revolucionit të Maidanit, nuk mbylla gojën pas pushtimit të Krimesë, dhe as në burgun Lefortovo në Moskë. Do ta them gjithnjë me zë të lartë atë që mendoj”-thotë Oleg Sentsov.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit