Dhjetë nga civilët e lënë në pritje nga regjimi i Beshar Asadit kanë humbur jetën pasi nuk iu është ofruar ndihmë humanitare
HAMA/ANKARA (AA) – MUHAMMED MİSTO
Tetë mijë civilë në provincën Hama në pjesën qendrore të Sirisë janë duke pritur prej 40 ditësh për të kaluar nga kontrolli i regjimit në zonat e opozitarëve. Dhjetë nga civilët e lënë në pritje nga regjimi i Beshar Asadit kanë humbur jetën pasi nuk iu është ofruar ndihmë humanitare, raporton Anadolu Agency (AA).
Tetë mijë banorë të rajonit Akrabat në linjën e frontit mes regjimit të Asadit dhe organizatës terroriste DEASH kanë kërkuar të kalojnë në zonat e kontrolluara nga opozitarët.
Regjimi i ka dhënë leje grupit prej 300 familjeve, megjithatë, kalimi i tyre nuk është realizuar edhe pse kanë kaluar 40 ditë.
Ahmet El Hamavi, kryetar i kuvendit lokal në Akrabat, për AA përshkroi gjendjen e rëndë të civilëve.
“Mungesa e bukës dhe miellit mund të shkaktojë katastrofë humanitare. Regjimi iu kishte premtuar këtyre personave kalim në zonat rurale të Hamas dhe veriut të Idlibit. Për këtë arsye, ata kanë dalë nga Akrabati dhe kanë ardhur në një zonë shkretinore të quajtur El Uzejb. Megjithatë, janë duke pritur për 40 ditë. Nuk kanë as tenda, as shtëpi, as strehimore”, tha El Hamavi.
Ai njoftoi se shtatë fëmijë dhe tre pleq kanë humbur jetën, duke shtuar se familjet ushqehen vetëm me qumështin e kafshëve që regjimi u ka lejuar t’i marrin me vete.
El Hamavi u shpreh se familjet presin që nga lugina El Uzejb të kalojnë në fshatin Shejh Hilal të kontrolluar nga regjimi, kurse prej aty në fshatrat El Ruhxhan dhe Sarha që gjenden nën kontrollin e opozitarëve.